Shën Pjetri në mangall

Fryn e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.

Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E përshtyjnë.

S’del askush që ta shpëtonjë,
Roma do ta kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Larneti.

Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mi mangallin,
Kur e pa, u koll këndezi
Nga qymezi.

Dhe një shërbëtore i tha:
— “Je dhe ti një nga ata!”
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.

Kuspull mi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

“S’ka e s’ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S’ka si zjarri.”

— “Nga ata je!” — thot’ ajo,
E mohon Shën Pjetri: — “Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!”

Kuspull mi mangall mblidhet
Po djek mjekrën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

“Shkab’ e shkëmb me poz e fjalë,
Se ç’na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje.”

Thot’ ajo: — “Je, mos gënje!”
Pjetri e mohon me be:
“Jo, për Zotin, moj aman,
S’jam e s’jam.”

Kuspull mi mangall mblidhet
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

— “Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku”.

Seç e dogje, seç e fike,
Gjel me gjëm’ e këng’ armike,
Dhe ndërgjegjen se ç’ia çpove,
Seç ia zgjove.

Se ç’vajton Shën Pjetri hidhur,
Leshlëshuar, duarlidhur,
Tri her’ e mohoj pa gdhirë,
Faqenxirë.

Pjesa e radhës
Marshi i Barabbajt

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB