Kangë e parë
Nihmo, Zot, si m’ké nihmue!
Pesqind vjet kishin kalue,
Se të bukren ket Shqypní
Turku e mbate në robní,
Krejt tue e lá t’mjeren në gjak,
Frymen tue i zanun njak,
E as tue e lânë, jo, dritë me pá:
Kurr të keqen pa i a dá:
Rrihe, e mos e lên me kjá:
Me i u dhimtë, po, minit n’múr,
Me i u dhimtë gjarpnit nen gúr!
Veç si ‘i dêm, vû n’laver s’pari,
Qi, ka’ e vret zgjedha e kulari,
Kah nuk bán m’e thekë strumllari,
S’ndigjon me terhjekun m’pluer:
E tue dhânë kryq e terthuer,
Tue i dhânë bulkut shum merzí,
Me u vû s’ryset per hullí
E as me shoq aj pendë me shkue:
Kshtu Shqyptarët, të cillt mësue
S’i’n me ndêjë rob nen zgjedhë të huej,
Pagë e t’dhetta me i lá kujë:
Por të lirë me shkue atà motin,
Mbí vedi tue njoftë por Zotin,
E askurrkujë n’kto troje t’veta
Mos me i bâ kurr tungiatjeta,
N’braz me Turk kurr nuk kan rá
E as kurr pushken s’i a kan dá;
Por t’janë grî me tê e t’janë vrá,
Si me kênë tue u vrá me Shkjá.
E prandej, si pat fillue
Turkut Ora m’i u ligshtue,
E nisë pat m’i u thye atij hovi,
M’qafë per ditë tue i mbetë Moskovi:
E ato fiset e Balkanit
Zûn me i dalë dore Sulltanit,
Nisë Shqyptarët kan me u mendue,
Si Shqypnín me e skapullue
Zgjedhet t’Turkut: qi si motit
N’ato kohët e Gjergj Kastrjotit,
Krejt e lirë kjo t’ishte, e askujë
Nji Krajlit a ‘i Mbretit t’huej,
Me i bâ mâ kurr tungiatjeta,
Kurr me i lá mâ pagë e t’dheta:
Edhè flamuri i Shqypnís,
Si fletë Englli t’Perendís,
Si ajo flaka e rrfés zhgjetare,
Me u suvalë prap m’tokë shqyptare.
Kúr, qe, aj Knjazi i Malit t’Zí,
Knjaz Nikolla, ‘i gerxhelí:
Gerxhelí, por belaçí:
Na dyndë top, na dyndë ushtrí
Edhè del e bjen n’Shqypní,
Per me shtrue do bjeshkë e vrrî,
Shka mêrr Drinit per s’të giatit
Dér m’Kalá të Rozafatit,
Kû aj me ngulë do «trobojnicen»,
Do Shkoders m’i a vû «kapicen»:
Me bâ Shkodren Karadak,
Mbasì ‘i herë t’a kisht’ lá aj n’gjak!
Ká ndejë Turku e kqyrë harû,
Pika pika lott tue i shkue,
Kah s’ká Shkjaut: si me i qindrue;
Se Moskovi e ká rrethue:
Ká Stambollen muhasere!
Bâjn shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zí
—Si atà e zèza m’i pasët mblue!—
Per të bukren ket Shqypní,
Si m’i a lshue n’dorë Malit t’Zí.
M’ kamë Shqyptarët atëherë t’janë çue.
Sa mirë n’armë na janë shterngue!
T’ fortë kan lidhë nji besë të Zotit,
Si të Parët qi u a lidhshin motit
N’ato kohët e Gjergj Kastrjotit:
E 'i kamë mbathë e tjetren dathë,
Gjân e gjallë pá grazhd mbyllë n’vathë,
Dikû ngranë, dikû pa ngranë,
Harrue grue, moter e nanë,
Sŷ’n agzot, zêmren barot,
E si aj plajmi me furí,
T’kan rrâ n’ndesh Malit të Zí,
Per t’giatë t’Cemit n’at kufî,
Kû edhè trimat t’janë perlá:
T’janë perlá Shqyptarë e Shkjá,
Ballë per ballë atà tue u vrá,
Fytafyt, ofshe! tue u pré:
Tue mbetë shakull permbi dhé,
Mish per shpêz e kaçabeta,
Gjithkû kje ajo pikë e djalit,
Gjithkû kjenë sokola malit,
Pa kjá m’ta as nanat e shkreta.
Veç se, po, me parzme t’veta
Atŷ Shkjaut sulmin kan thye.
Mbasì Shkjaut sulmin kan thye,
Bâjn kuvend Shqyptarët n’mjet vetit
E ‘i fjalë t’madhe çuekan Mbretit:
Se jo veç qi Knjazë Nikollës
Nuk i lajn kurr pagë e t’dhetta,
Por se as Mbretit të Stambollës
S’duen me i bâ mâ tungiatjeta,
E se dore duen me i dalë:
Se Shqypnín nuk po e kisht’ falë
Perendija per çerkez,
Turq, manovë, likurazez;
Por per do sokola mali,
Qi «Shqyptarë» bota po i quete,
Per t’a gzue kta djalë mbas djali,
Dér qi jeta mos t’u shuete.
Turku fjalen e ká ndie:
Se ç’âsht mbushë aj me mëní!
Se edhè lshue ç’ká mbí Shqypní,
Gjallë Shqyptarët aj me i perpî!
Por Shqyptari gjallë s’perpihej
E as me u shkelë, besa, s’po lîhej,
Kúr po i mbushej mendja e vet,
Per Shqypní me bâ aj gajret,
N’dashtë t’a msŷjn Krajl edhè Mbret.
Edhè kshtû t’janë kaperthye
Grykë per grykë Turq e Shqyptarë,
Pa dhimë krenash tuj u thye
Si me thye kunguj nper arë.
T’i u dha zjarmi atëherë Balkanit.
Shkjau: kah drote se Shqypnija
Nji herë shkputë dore s’Sulltanit,
Mâ s’do t’bijte n’kthetra t’tija,
Si atij hanger i a kisht’ palla:
Mêrr e msŷn m’Turk fulikare,
E si derrat me çakalla
T’janë mberthye, t’janë kaperthye:
Haju, ngaju, çaju, vraju,
M’pushkë e m’top gjuju batare,
Gjaku rrmè nper rrahe e qare,
E nper fusha e nper gajusha,
Dér qi s’mbrami, n’p’r at zhumhúr,
Zgjedhe s’Turkut pshtoi Shqypnija
E duel m’vedi, si dikúr:
Si premtue e kisht’ Perendija;
Por si dashtë, besa, lum vllau,
S’do t’kisht’ pasë as Turku, as Shkjau.
Se s’ká dashtë Turku lirí,
M’a mêrr mendja; veç un s’dij
Knjazë Nikollës kah gjith kjo zêmer
Ardhë i paska, qi nen thêmer
Rob Shqyptarët po do me i shtrue,
Edhè at tokë aj me pushtue,
Per të cillen vetoi motit
Shpata rrfé e nji Gjergj Kastrjotit?
E qi s’paska dert aspak,
Se Shqypní edhè Karadak
Krejt me at punë po i late n’gjak?
Zêmra i ardhka prej Moskovit!
N’Petrograd Cari i Moskovit
Nji bé t’madhe po e kisht’ bâ:
M’e ndie plak e kalamâ:
Se aj natë t’madhe s’do t’kremtote,
Se aj kumarë as krushk s’do t’shkote:
Gostë as darsem nuk do t’ngrifte,
S’do t’u láte as do t’u krifte,
As do t’dilte n’log t’kuvendit,
Per pá i hî Stambollës permbrendit,
Per pá kcye mbi post të Mbretit,
Me u bâ aj zot i tokës e i detit:
Edhè Europës tregun m’i a pré,
Mos m’e lânë me shitë, me blé,
Mos m’e lânë me çilë kund pûnë;
Por me bâ qi ajo perdhûnë,
Per me çue ‘i grimë bukë te shpija,
Rob të ngelte n’kthetra t’tija:
N’ato kthetra me gjak zhye,
Msue gjithmonë n’gjâ t’huej me grrye!
Por, persè ishte ‘i shkile e vjeter,
Si per fjalë ashtû per leter,
Mos m’i u gjetë kund nji shoq tjeter,
Aj po e dijte mirë e hollë,
Se isht’ do pûnë me hî n’Stambollë:
Se isht’ do punë Turkun me e thye,
Pa sharrue vetë mbrendë me krye.
Prandej xên aj me trillue,
M’shpînë Shkjenín Turkut m’i a lshue:
M’i a lshue m’shpînë Shkjét e Balkanit,
Qi me i qitë kta pûnë Sulltanit:
Me i qitë punë kta ‘i herë mâ para
Me trazime e pûnë t’pambara,
E mandej vetë prej Rusijet,
Si harusha prej pusijet,
Me i rá Turkut fulikare,
M’e zhbî m’vend, m’e qitun fare;
Per pá bâ aj me mend pleqní,
Se me at pûnë boten unjí
Mujtte, ndoshta, m’e pshtjellë n’zí…
Kur ket punë e ká pleqnue,
Ká marrë trimi e n’odë ká shkue,
Ká ndêjë m’tryezë e âsht vû me shkrue,
Me u shkrue miqve kah Serbija,
Kah Zagrebi e kah Sofija:
Me lidhë besen shkaf âsht Shkjá,
Mbí Budin, m’Çanak-Kalá,
Edhè, tok kta ndermjet vetit,
Mos m’i a dá të keqen Mbretit;
Por m’e nzitë, por m’e merzitë,
M’i u vardisë si ‘i ditë per ditë,
Herë per shtek, herë per kufî,
Tash me pêng, tash me pleqní,
Por gjithmonë, po, pá kanû,
Veç si t’mujën n’teposhtë m’e vû.
Masandej, ky zogu i Shkinës,
Mêrr e i shkruen Knjazit t’Cetinës,
Mêrr e ‘i leter i a angllatisë,
Me dredhí tuj i a qendisë:
Ti, qi jé qaj Knjazë Nikolla,
Falmeshndet Cari i Rusis.
Se zâ t’madh per tý kam ndie
Qi jé trim e gerxhelí,
Qi jé burrë e kuvendtár,
Me t’a drashtë hijen anmiku.
Por, me giasë, kjo fjalë s’isht’ gjâ;
Pse, qe, ti m’at rrasë Cetine
Më ké ndêjë me ‘i gjymsë opinge,
E jé bâ, po, gazi i dheut,
Tue merzitë miq e kumbarë,
Veç e per bukë thatë në gojë.
Mje sa Turku, per brî tejet,
Dredhun çallmen m’vetull t’sŷnit,
Derdhë shallvarët aj pola-pola,
Rrin e bân kokrren e pallës,
E as m’e pá ti s’mund t’a shofish
Per mbas koders së pilafit…
Po a, thue, t’la tý kamba e dora,
A se njitë jé ndoshta, m’rrogë,
Jo se hî ké bulkë n’e huejen,
Qi s’po ndihesh kund per s’gjalli?
Mo’, bre burrë, se nuk ká hije,
Urtë me ndêjë Cubi i Cetinës,
Edhè n’shpí me e shkuem aj motin,
Tuj u ndeshë nper furka t’gravet!..
Po a s’t’a mbushë sŷnin Shqypnija,
Me ato male të madhnueshme,
Me ato fusha të blerueshme,
Qi kurrkund s’jé kah orvate,
Me i a shkye ‘i skundill per vedi?..
M’tê, krahthát, e mos rri fjetun!
Pse, pa luejtë ti kambë e dorë,
S’t’nihmon Zot as i Shên Nkollë:
Por, ti luej, nafaka luej,
Ká pasë thânë aj burri i huej,
Sá per bukë e per fyshekë,
Piqu m’mue, se t’i qes vetë;
Edhè ksulen vêne m’sŷ,
Se të nget Mbreti i Stambollës:
Nuk t’a lâ me t’prekë me pupel.—
Letren kshtû Cari e ká shkrue,
Edhè mirë e ka palue,
E e ka mbyllë me dýll të zí;
I a ká dhânë kasnecit t’rí,
Me i a çue Knjazit n’ Mal t’ Zí.
Letren n’ gjí ká qitë kasneci,
Ká thekë kambët aj sá mund heci:
Ká lânë mbrapa fushë e zalle
Kapercye ká bjeshkë e male,
Edhè dalë ká lum e shé:
Ká shtektue per ujë e dhé,
Dér qi ‘i ditë, tue marrun dilli,
Në Cetinë ká behë aj filli:
Shtjerrë opangat, grisun setren:
Knjazit n’ dorë kû ká dhânë letren,
Me dýll Cari si e kisht’ mshilë.
Ká marrë Knjazi edh’ e ká çilë,
E ká çilë edh’ e ká kndue.
Trí herë rresht aj e ká kndue,
Trí dit rresht edh’ âsht mendue;
Masandej aj fjalë ká çue
Njatij Vulo Radoviqit,
Kerkserdarit t’ Vasoviqit,
Qi me dalë me rá n’ Cetinë,
Pá kqyrë shtek, pá kqyrun stinë:
Me flutrue si gjeraçinë,
Per me u pjekë me «Gospodarin».
Njiky Vuloja Serdari
Kisht’ pasë kênë nji trim i çartun:
M’ e pasë randë toka m’ e bartun.
Pá të pré kund s’ishte marrë,
Pá fjalë t’ tij ngarkue s’isht’ barrë,
Pague s’ishte varrë as gjak,
S’kishte vû nuse duvak,
As s’isht’dá gjýgj a pleqní.
Pse edhe Turku i Malit t’Zí
Po e kisht’pasë shqype mbi krye,
Mos m’e lânë me pá me sŷ.
—Se edhè ‘i punë, ky zogu i Shkinës,
Po e kisht’bâ m’at udhë t’Cetinës.
Paska mârrë e shi në rrugë
Per terthuer shtrîka nji strugë,
Edhè i çueka fjalë terthores,
Qi shka âsht Turk i Cernagores,
Mos me mujtë m’e shkapercye,
Per pá lá ‘i dukat per krye—
Bre! kish kênë edhè ‘i farë burri,
Larg e larg me i dajtun turri.
Ftyra e tij porsi duhija,
Sŷni i tij, tanë zjarm e shkndija;
Vetllat trashë ngerthye kulár,
Porsi lesh derrit bugár;
Vesh e m’vesh dega e mustakut,
Si dy korba lidhë per lakut;
Edhe i mbrrîjte kryet më trá:
Burrë i atillë me sŷ m’u pá.
Veshë e mbathë e m’armë shterngue,
Kishe thânë se âsht lé drangue.
Se ktê Knjazi fort e dote,
Fort e dote edhè e ndigiote;
Pse edhè i urtë aj kishte ndollë,
Me i a pré mendja fort hollë.
Prandej Knjazi i çueka fjalë
Në Cetinë per ngut me dalë.
Edhè Vulja bjen m’Cetinë,
Pá kqyrë shtek, pa kqyrun stinë,
Tue flutrue si gjeraçinë.
N’at Cetinë kúr Vulja zbriti,
Atê Knjazi mirë e priti,
Mirë e priti e n’odë e qiti,
I qiti duhan e kafe,
Edhè nisi kshtû t’bâjë llafe:
Kû jé Vulo, eh kopilane!
Se ti ujk, po, né na u bâne,
Ke s’po duke kah Cetina,
Kû ké miq e probatina,
Qi s’të ndrrojn me sŷ të ballit?..
Po a ké mûjtë?.. a ké farë hallit?..
Si po t’shkon n’Vasoviq moti?—
Per jetë t’ande!.. si do Zoti,
Mêrr e i thotë Vulo Serdari;
Pse sivjet, lum «Gospodari»,
Nuk ká pasë toka valigë,
E ká ardhë nji kohë e ligë;
Sá nuk dij si ká m’i u bà,
Per me pshtue do rob e gjâ,
Pse edhè buka âsht tuj na lânë.
Hajt, eh qê’! Knjazi i ká thânë…
Se s’po gjên cubi me ngrânë…
Se s’po gjên skyferi mish…
Se ti e xjerrë koren dyfish!..
Mjaft t’i bijsh ndoj vendit pré,
Se po e bân me lopë e qé,
Sá me mbajtë njerzt e kujrís,
Jo se mâ gjinden e shpís…
A din shka, Vulo Serdari,
Ndiej shka t’thotë tý « Gospodari »;
Pshtilli bashkë nja disá cuba:
T’idhtë si gjarpni nder kaçuba,
T’letë e t’shpejtë si gjeraçina:
Edhè lshoj ti kah Vranina,
Per me vrá atà e per me pré,
Per me djegun gur e dhé,
Mbrendë tuj vjedhë e tuj plaçkitë,
Tuj grabitë e tuj robitë,
N’daç me natë e n’daç me ditë;
Se un prandej të kam çue fjalë,
Dér n’Cetinë nji herë me dalë,
Pse dishka mue tash m’ká kcye,
Prap me Turk me u kaperthye:
Prap me Turk, po, na me u vrá.
Pse edhè as hije, tham, nuk ká,
Urtë me ndêjun Turk e Shkjá.
E kështû, tue ligjirue,
Krye më krye tuj bisedue,
Hollë e giatë e ká qortue,
Si me u sjellë e si me u prue,
Per m’e lá Vraninen n’gjak.
E si vesht janë mârrë me fjalë,
Knjazi m’bukë atë e ká ndalë,
Edhè falë i ká do pare;
E i ká falë nji « xheverdare »,
Krejt n’argjan kandakut ngrí,
Mos m’i u gjetë shoqja n’Mal t’Zí:
M’e drashtë vjerrun në sergjí,
Jo mâ m’krah të nji luftarit,
Jo mâ n’krah t’Vulo Serdarit,
Qi isht’ me bré hekur me dhambë!
At herë Vulja âsht çue në kambë:
Ká bâ Knjazit « tungiatjeta »,
Edh’ âsht nisë malit perpjeta
Udhës me mend aj tuj perblue,
Si Vraninen me shkretnue,
Knjazi ashtû si e kisht’ qortue.
Gjergj Fishta