Ditën e të shuemvet

1913

I kuej do t’jetë njaj vorr, mí t’cillin mvaret
Kunorë lulesh e blertë e qi madhnueshim
Zotnon mí fâng t’mjeruem: porsi shatorrja
E njâj Tyrani zêmer-gúr, i cilli,
Mbí shegj Persijet pâ kujdes pështetun,
Nder kandje t’prûjtna të ksaj jete kndellet,
Mje sá besniku ushtari i tij nen t’randin
Hekur t’anmikut rrokullohet dekun
E zhytet n’gjak? — Nji djalë bujari
Mbrendë n’at vorr âsht konisë. Ky lé mí pupla
E rritë n’ár e n’mûndash, mbas epshit lodhun,
Qi fletët e jetës per nen krahnuer i a brejti
E kalbi gjallë, mbí pupla u shkim, si e tmershmja
Flakë e nji vorrit shkimet. Prej mermerit
T’dhênun mbí vorr njat pomendár t’madhnueshem
Prindja, shemtuemun deket t’tij, i a vûne
Pêng dashtnijet dér n’mâ të largtat mote;
T’hijshme kunoren, mbasandej blerimesh
Sod nji dorë alabastrit m’vorr i a prûne:
Nji dorë, e cilla, mje sá aj bâni hije
N’tokë e Prendvera çili per tê lule,
I a pat grabitun me perkjella t’prûjtuna
Gjân edhè nderen. Me at kunorë lulzimesh
Mâllin dishmon, qi ajo per tê ká n’zêmer.

E po n’vorre t’fatosavet t’nderueshem,
Qi m’kto t’egera male e bjeshkë t’thepisne,
Si ulâj t’pergjakun me trimní spartane
Rrebtë tu’ luftue per Atme e per Lirí
Shqypnís i u bâne flî, a thue m’kto vorre
Sod ndo 'i kunorë Atdheu ká per t’a u çuemun
Si pêng çmimit e bindjet e nderjet
Per shka ata psuene nper Lirí t’bekueme?
Jo, jo! Per burra, qi me gjak praruene
Nâmin e kombit e Lirín i a suellen,
Atdheu kunora s’ká. Per ta nuk dhênet
Gúr, as nuk ndezet qiri. Mbí vorr t’tyne
Shperthen rrushklli e fermâna, strukë nder t’cillat
Pret dhelpna e shqarthi, dér qi rrezja e diellit
T’shkimet e hâna per mas malit t’ngrefet
E zbét me shndritun në hapesirë t’Qiellvet,
E kshtû, pá droje t’ndo 'i anmiku t’mshefun,
Me rmue nder ato vorre, e me shpulpue
Eshtnat e tyne per Atdhé shkatrruemun.
Heu po! burrat e dheut, qi m’armë mizore
Rrokullín dynden per Lirí t’Shqyptarvet
E flakë ndezen Europen, e qi e shûma
As vorr nuk paten me u konisë per s’deknit,
Veç nper t’errshmet humnere e neper prroska
Kurmat e tyne shkaperderdhë per dhé
Prej orlash edhè korbash t’zez kjenë shkyemun,
Shqyptarët, po, i kan harrue; e mje sá orvaten
Kta fjalët me i gjetun t’ambela e t’kumueshme
Veshin e t’huejvet me lurtue me lavde,
E gjân n’ár e n’kremiz pá dhimbë e tresin,
Vashavet t’veta me u a shtuemun çmimin,
Kúr ktyne ndera neper t’huej t’u shitet,
Nder mend s’u bjen, jo, per fatosa t’vendit
M’ndo 'i rrasë t’latueme me i zgavrrue dý shkrola,
Abolla nipat, qi do t’vîjn t’u rritun,
T’shofin e t’njofin si p’r Atdhé qindrohet
E diset kah Shqypnija. Ah! nderpermysësa
Si 'i herë 'i herë Shqyptarët! Per kta terthorja
E barkut âsht, po, zêmer, Atme e Fé,
E nderë, burrní e nâmi i parë n’ket jetë.
Por t’shuej, n’dashtë, per fatosa t’vet Shqyptari,
Perse 'dhè gjûha e tij, msue me tregtue
Mbí Atme të vet, porsi mbí krye t’nji berri,
Nuk âsht, jo, e dêjë per me nderue fatosat,
Qi per Lirí t’Shqypnís u bâne flîje:
Nâmin e tyne per m’e kndue si duhet,
Omiri lypet, lypet Iliada.

Heu! ju burra të dheut, m’ t’dy gjûjt, po, un ulun
Perpara vorrit t’uej, po puthi bûcen
Endè me gjak t’uej t’rîme e qi mbí krye
U pret furín e motit, urë-pervûjtun
Un ktû po u falem, edhè juve u bindem,
Porsi martyrvet t’atmes s’onë t’derptueme,
S’cilles me gjak Lirín perligjë i a kini.
Oh po! mos t’vlote aj gjaku i juej p’r Atdhé
E gjŷgj mos t’lypte aj para fronit t’qiellvet,
Po, se kto bjeshkë e njikto male t’ona
Shqypní mâ s’ishin quejtë; as shqyp s’isht’ lutun
Mâ i Madhi i jetës, qi n’dorë ká fise e popuj:
N’ndo 'i gjûhë barbare t’Tyrkestanit t’eger
Nâna shqyptare gjûmin njellë u a kishte
Nipavet t’Skanderbeut: e Atme, e doke,
E fis, e êmen t’tâna djerrë i kishin;
Pse bén anmiku n’Salonik pat rrahun
Me i qitun dheut Shqyptarët, e t’fortë, mizore
Fuqí aj dyndi, per me çue barbari
At bé barbare n’vend. Grykës s’Kaçanikut
U derdh, po, anmiku ânekand Shqypnís,
Si shé, qi nisun prej ndo 'i mâjes s’eper,
Mbas krismes s’nji thellimi t’perfrigueshem,
Dirgjet rrmyeshim me shungllimë t’trishtueshme
E shkaperderdhet neper rrash të blerue,
Shpnesat e bulkut tue perpî nder gjire.
Kurdi, Qerkezi me Felah manova,
Me shka mâ t’mershem, t’eger e t’felgrueshem
Pat Anadolli, me furí mizore
I u rras mbrenda Shqypnís. E at herë kah qiella
U çue, po, tym, e shkndí, e vigem nânash,
E váj foshnjesh t’flakrueme n’zjarm, e ankime
E gjâmë t’varruemsh, e 'i zhurmë, e 'i krisme rrotash,
E kualsh, e topash, e ‘i bumbullimë e mnershme,
Thue po t’rroposet per nen kâmbë rruzllimi.
Trolli i Shqyptarit, Hyut e miqvet true,
Kulm e themel u shêm e rá per dhé;
E rrkajë vojt gjaku i trimavet t’fuqishem,
Qi atje nder megje t’Cernagores kjene
Uzdaja e Atdheut e e derës s’Alí Osmanit.
U hesht Shqypnija; skutavet Shqyptari
U struk, tue pritun me felgrim në zêmer
Mâ t’mbramen, ofshe! ditë t’Atdheut t’mjeruemun.
Por ju, m’at herë, si ulâni, n’vend ngujue
E pret anmikun, qi t’i qaset hovit;
E kúr nen turr t’i vîje, mbî tê lshohet
E m’dhâmbë e me çapoj pá dhimbë e shkyen
Kortarë-kortarë: njashtû, me besë ju lidhun,
M’ato male t’grista e fusha t’gjâna
Pá u tutë e pritët anmikun, t’rrebtë, mizuer,
Qi bé kisht’ bâmun me ju shkmye kso jete.
E kúr aj msyni me u poshtnuemun vendin,
— Kush din sá herë, po, me gjak t’uej shperblye! —
Per báll ju i duelt, t’shternguemun m’armë mizore,
E, porsi t’u perpiqshin n’ndesh dý male,
A se kerthîza e dheut n’moh t’u shperthete,
Mnershim toka gjimoi, shungulluen humneret,
U perzie deti me duhí t’frigueshme;
Shqypnija flakë u ndez, e prej trishtimit
Kjau fmija n’zêmer t’nânës. Habitun sheklli
Del e u kundron, e trimnís s’uej i bindet.
E: a jânë Titant, aj pvetë, qi kundra Jovit
Luftojn n’Shqypní? ase Leonidha s’dekunit
Me ata treqind Spartanas t’vet u njallka
E Ksersin rishtas n’Termopil e pritka?
E kqyrë nder jue me dá me sŷ Leonidhen
A se Briarén, a Gigen. Por Leonidha
Nder jue nuk ká, as ká Briarea, as Giga:
Veç, po, ká Dedë Gjo Lula — burra tjalet:
Ká Cokaj n’zâ per pushkë e bujarí,
E ká Pjeter Sokola e Llesh Nikë Daka,
Edhè Gjeto Mark Ujka — t’idhtë si helmi;
E jânë Nikë Gjelosh Lula — rê me breshen
E Kolec Marka e Gjelosh Gjoka rrfeja:
Jânë Kolë Marash Vata sŷ-kulshedra,
Vetun me i msy 'i qind vetë e armët m’u a mârrun.
E ká drangoj Tirane edhè Kosove,
E Orë prej Shale, e djelm, si Zâna Dibret:
Ká sokola prej Zhubet e Berishet,
E djelm e burra ká, e ká fatosa
Me brejtun hekur, t’thuesh, me shkulun lisat,
Malet me i dyndun per lirí t’Shqypnís.

O nâmi e ndera e jonë, burra çelikut,
Njimend Shqyptarë e nipa t’Skanderbegut!
Oh po! se para zbardhet penda e korbit
E e bardha rreze dahet, po, prej diellit,
Se jue n’harresë u qet kjo Zâna e ême.
Per jue do t’kndohet, po, m’LAHUTË T’MALCIS
Se shka vepruet, se sá dikuet ju gjakun,
Per me i a vûmun nji Shqypnís themelin.
E kúr Shqyptari nder mâ t’largtat mote
Neper t’cillat do t’endet jeta e nierit,
Kúr t’kndojë Shqyptari m’ato kangë kreshnike
Sá gjaku e mundi kje prej jush dikue,
Per me u ndertue Atdheu i tij — Shqypnija:
— O t’lumët ata, ká me brohritë me vedi,
Qi flîja e Atdheut u bân, e, tue dhânë jeten,
Lirí Atdheut e t’âmbel jetë i suellen. —
E aj rmajt t’ue, at herë, ká me kerkue,
E ká me i gjetë, e ká me i ruejtë, si ruhet
Elteri i Atdheut; e me kunora t’blerta
Ká me i lulzue, e mbasandej jue besen
Ká per t’u a dhânë mbí vorr, se kurr per s’gjalli
S’ká me e koritun nâmin t’uej e nderen:
Se ká me dekë p’r Atdhé si desin burrat,
Si diqët, qe, ju per nji Shqypní t’lirueme.

Pjesa e radhës
Nji gjâmë desprimit!...

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB