Lamtumirë! — vendet e mija,
Qe, po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.
Kahë njaj diell, qi â tue flakue
Andej fíll un tash do t’veta…
Lamtumirë! o dhé i bekue!
Lumtumirë! per sá t’jét jeta!
Neser nade kúr mbi né
Rrezja e diellit ká me rá,
Kush e din sá ujë e dhé
Mue prej teje ká me m’dá!
E por n’pvetsha rêt mizore,
E por n’pvetsha zojt e detit;
Se per tý, moj tokë arbnore,
S’ká me m’folë mâ kush mue t’shkretit…
Tjera fushë e tjera zalle
Kam me pá, e tjera dete:
Kam me ndie, po, tjera valle,
Tjera gjûhë n’tjera gjytete;
Vendin t’êm, por, s’kam me e pá,
Kû kam lé e jam burrnue;
Sŷt e mí edhè kan me kjá,
Pá u gjetë kush, qi me i ngushllue.
Pá kend t’êmin, posë nji Zotit,
Tue shtektue per dhé të huej,
Kan me m’shkue mue ditt e motit
Shá e perbuzun prej gjithkuej.
Kam me pasë shkretín per voter,
E per shtrojë të ndezten rânë;
Kam me pasë ulkojen moter,
Kam me pasë, ehu! tigren nânë…
Nâna e mbetne per së gjallit
Ká me m’kjá, kushdi, ndo 'i ditë,
Dér sá motra, dekun mallit,
Kot ndo 'i herë mue ká me m’pritë.
Ká me i njehë, po, krushqt, e mjera,
Me i prû nânes n’shpí nji ré:
Por i vllaj, kushdi, m’at hera
Ká me u kalbun per nen dhé!
E, njaj dhé — ehu! kob prej qiellet! —
S’ká me kênë, jo, dheu i t’Parvet,
Kû mâ bukur qiella kthiellet,
Kû mâ âmel n’gjûhë t’Shqyptarvet
Para Hyut naltohet luta,
E kû besa âsht e shêjtnueshme
E kû zêmrat s’dijn shka â tuta,
E kû bjeshkët jânë të madhnueshme.
Oh! ju bjeshkët e Shqyptarís,
Kû mâ mirë shndritë dielli e hâna,
E kû logu â i bujarís
E kû rriten djelm si Zâna!
Un jú kurr s’kam me u harrue,
Kahdo t’m’jét gjykue me u êndë:
Dér sá t’muj me ligjirue,
Jú gjithmonë kam me u permêndë!
E ato halë e qepariza
Kam me i pasë nder mend gjithmonë,
E ato stâne e njato mriza,
E ato berre e ato kumbonë…
Por, oh váj! malet e mija,
Qe, po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.
Lamtumirë, prá, bjeshkë e male!
E ju krepa edhè ju curra;
E ju breshta e ju gjeth hale,
E ju prroje edhè ju gurra!
Lamtumirë, ju mrize e stâna!
Lamtumirë, kumbona e berr’e!
Lamtumirë, ju fusha t’gjâna,
Ju livadhe, enè ju djerre.
Lamtumirë! ti shpija e t’Parvet,
Kû mâ s’parit m’agoi drita
E kû strehë u dhaçë shtektarvet
Miqt e babës edhè kû i prita.
Lamtumirë, carâni m’voter!
Lamtumirë, ju armët e shkreta!
Lamtumirë, ti nânë e moter!
Lamtumirë, per sá t’jét jeta!..
O shtegtár, m’nji nji vorr të rí.
N’hassh ndo 'i herë ti, tue ndjekë shtekun,
T’çilun n’rânë nper ndo ‘i shkretí,
Atŷ vetë kam me kênë dekun.
Nji kryq drûnit, t’kjosha true,
Ziere e vênma permbi krye,
E, nemose, ti per mue
Lutju Hyut per shka t’kém’ fye.
Gjergj Fishta