Jo, po: a s’desht djalli Shqypní?
Jo, po: a s’desht hasmi Shqyptár?
Qe, prá, sod po ká Shqypní;
Qe, prá, sod po ká Shqyptarë.
Jo, po: ká Shqypní, per Zotin!
Ká Shqyptarë, qi n’çark agzotin
Ata e bâjn p’r 'i kurrgjâsend.
Ç’merr prej kreshtet t’Veleçikut
E dér poshtë në Kep të Shtiellit,
P’r inád t’djallit e t’anmîkut,
Sod, si shkrue kje m’liber t’qiellit,
— Shkrue me gisht t’nji Perendije —
Flamri kuq e zí lshon hije:
Anë e kand Shqypní â ky vend.
Po, por neser, me ndimë t’Zotit,
Do t’a bâjm prap Shqypní t’lír
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivarit m’Monastír;
Edhè Flamuri i Shqypnís,
Si flakë mnijet t’Perendís,
Do t’valvitet m’Kaçanik.
M’Kaçanik, po, do t’valvitet
Kuq e zí Flamri i Shqyptarvet,
Perse toka, shqyp kû flitet,
Ajo vetë âsht, qi prej t’Parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo, mâ s’do t’shklasë,
Posë at herë, kúr vjen per mik.
Jo, po: na sod ktû sundojm;
Ktû s’hecë fjala e tjeter kuej;
Gjallë Lirín na nuk e lshojm,
S’njofim mbret as krajl të huej.
Zoti n’qiellë e na mí tokë;
Me gjithkend vllazen e shokë,
Por se i cilli m’cak të vet.
Prande’ i huej, n’anderr m’e pá
Se vjen kurr e shklet nder né,
Drue se keq kishte me i rá;
Pse Shqyptarët kan bâ nji bé —
Bé të madhe ata kan bâ:
Per Shqypní në luftë me rrâ,
Me rrâ n’luftë me krajl e mbret.
E kúr bjen në luftë Shqyptari
Lidhë me besë aj ndermjet veti,
E din hasmi se aty pari
Shungllon toka e gjimon deti:
Se bijn krenat fushës s’mejdanit,
Si ato kokrrat e bastanit:
Shkulma-shkulma gjaku rrmen.
Edhè, besa prá, Shqypnija
Trup në kâmbë ajo na âsht çue;
Asht dyndë fusha edhè Malcija,
Kan njeshë armët e janë shterngue,
Kan dalë n’luftë per t’drejta t’veta
— Zêmren flakë, synin si zhgjeta —
Hovin deka s’mund t’u a then.
Kqyrë Europa n’mend habitun,
Edhè besë nuk don me e xânun,
Se kta djelm n’Shqypní janë rritun,
Se kta besen e kan dhânun,
Gjallë ke shpija mos me kthye
Nji herë hasmin per pa e thye,
Per pá e shty perdhûni m’cak.
Po, por na, me arrsye m’njânë dorë
E me pushkë në tjetren ngrefë:
Pá fuqí nji kóm s’ká Orë
E as nder t’gjallë s’ká pse me u njefë:
N’rrashtë perdhûni kem’ m’i a shtì,
Se pá i vû Shqypnís kufî,
Prap Balkant do t’lahen m’gjak.
Ká nji Zot, po, qi pre’ Empirit,
Me sŷ t’drejtë e t’shquet perore,
Vren mí fise t’rodit t’nirit,
Qi edhè t’ligshtin s’e lshon dore:
Qi mâ t’fortin n’mend harlisun,
Rrebtë m’furí i Lumi tue krisun,
Per nen kambë t’ligshtit i a shtron.
Ky, po, ujë shkallmes s’Shqyptarit
Ká me i dhânun n’lum t’Parrîzit,
Qi sá herë per dhé të Parit
A per dhûnë t’pleqnís s’Parizit,
T’a vringllojë nder moshë të reja,
T’i ndrisë n’dorë, si njajo rrfeja,
Qi per mnerë qiellvet veton.
M’kâmbë, prá, nipa t’Gjergj Kastriotit,
Me lidhë besë e armët me njeshë!
Kem’ nji Atdhé edhè na n’ditë t’sotit;
Kem’ Shqypnín na Rregjineshë,
Per Shqypní na të jetojm;
Gjallë Shqypnín na mos t’a lshojm:
N’mend t’a kem’ per jetë e mot.
Po, por ndolli se vjen dita,
Qi me faj Shqypnín e darni,
Qi e Lirís u erret drita
Edhè m’ t’huejë Atdhén e mvarni
A per pare a marrí tjera,
Si nder kohë, qi shkuen, atëhera,
U marroftë i Madhi Zot!
Gjergj Fishta