Shqyptarja e gjytetnueme

VEHTJE

ORA E SHQYPNIS
ZANA E MADHE
KALJOPE
TALIJA
KLIJE
TERSIKORE
URANJE
EUTERPE
SILJA
ERATO
BORA
BJESHKA
SHTRIGAT
FLOÇKAT
TË LUMET E NATËS
VALLJA

Puna ndollë n’Helikonë.

Kângë melodramatike

NË RASË TË PÊSDHETVJETORES SË NDERTUEMIT
TË SHKOLLËS SË STIGMATINEVET NË SHKODER

Mriz në mal të Helikonës. Kroni Hipokrene.
Pegazi tue kullotë rudinavet. Stinë Prendvere. Ndihet nji gurgullim bylbylit.

DUKË I

ZANA E MADHE

Ç’po vallzon njaj zogu i verës
N’p’r ato hije mbi çurila!
Se ç’po lot aj flladi i erës
Me ata lila e karajfila!
Se edhè mali ç’ âsht stolisun
N’gjeth e n’bár e n’gjithnduer bime:
Fusha n’lule âsht krejt qendisun,
Hupë ká bregu nder blerime.
Po shkojn flutrat tue flutrue,
Lvisin dejkat poshtë-perpjeta;
Ká nisë qyqja m’ rrem me kndue,
Lule m’lule kullofë bleta.
Neper rrâjë e neper curra,
Kahë dikohen kjartë si argjâni,
Gurgullojn prroje edhè gurra,
Turtlli n’mal ç’po i ndihet zâni.
Kep më kep po kecen dhizi,
Hidhen kingjat marrin shtoj’n
Mblidhen tok barít te mrizi
Se ç’po kndojn — se ç’po lodrojn,
Se ç’po i bijn, oh! fyllit-o,
Se ç’po i bijn zamares-o,
Tue u nzitë — tue u ngallitë’
Njani tjetrin tue mahitë
Herë me rromë tue u shpotitë,
Tash tue u lye mollzash me kingel,
Tash tue luejtë « dojke » edhè « cingel »:
Rreku malit, ndiqu zallit
Pá kujdes, pá kurrfarë hallit:
Menden flutur, zêmren ngi,
Me u a pasë nji mbret lakmí.
Nen nji qiellë porsi pasqyra
Sod galdon, po, t’tanë natyra,
Edhè njethet n’nji jetë ré
Gjithshka gjallë ngallitë mbi dhé.
Ani prá, edhè Shtozovallet
Të lâjn bjeshkët e të lâjn zallet
E të vijn ktû me prî vallet,
Dora-dora — bardhë si bora,
Me marrë kângen e me kndue,
Me këndue — e me lodrue,
Mali e fusha me jehue.
Prandej tash un po u piskati,
Qi ktû t’gjitha t’njehin gati,
Per me njitun vallen-o,
Per me marrun kângen-o,
Si njaj zogu i veres-o.

Ktû piskatë trí herë të madhe, mbasandej me zâ të naltë thotë:

Oj Zâna,
Kû t’jeni
Nder maje,
Nder zâje,
Nder gurra,
Nder curra
Të tana
Ktû eni,
E 'i valle
Të ré
T’a thomi
N’haré.
T’këndojm,
T’vallzojm,
Nder hije
Nper vrrîje:
Ditë kcimit
E gzimit,
Ditë kndimit
Âsht sot.

I a behin Orët, Zânat, të Lumet e Natës, Floçkat e Shtozovallet tjera.

Jo, po, prá, moj Orë e Zâna,
E ju Shtozovallet tjera,
Un, po, vete tash zâ u bâna
Me u mbledhë tok n’kto vise t’blera
Edhè n’valle tue këndue
Tue këndue — e tue lodrue,
T’i pershndetna stines s’ ré,
Qi e kerthnesët e t’tânë gjallní
— Si nder fusha Elizé —
Po lulzon per bukurí.
Eni t’kapna dora-dora,
Dora-dora — bardhë si bora,
E t’a thona ktû nji valle,
Qi t’jehojn bjeshkë edhè zalle.

SHTOZOVALLET

(tue kndue palë e palë)

Buloi molla, lulzoi ftoni,
Rrijn bylbylat tue këndue:
Burrë i fortë Agamemnoni
T’rrebtë nji ushtrí në kâmbë ká çue;

Vetë n’Aulidë edhè u ká prî,
Tue i ngarkue m’njimí galé,
Per me dalë tej pellgut t’zí,
Per me shâmë Trojen per dhé.

Akejt Troja pse i koriti
Edhè zî ftyren u a pat,
Lekë Paridi kúr grabiti
Menelaut Helenen fat.

Por tallaz gjithnji rri deti
Natë as ditë s’ pushon duhija:
Strukë n’lymâ pre’ atij sikleti
Me duer n’i ká ngelë ushtrija.

Vjen Kalkanti, dijs në zâ,
E Agamnonit thotë me gojë,
Se s’ do t’shuej erë e murrâ
Se edhè as Trojen s’ do t’pushtojë,

Po kje se aj asaj Zojës Djanë
T’bijn e vet nuk i a bân flîje:
Njat Ifigenín, si Zânë,
Të tanë jetë e të tanë hije.

Fort âsht vrâ Agamemnoni:
Si gúr vorri rrin e s’ flet:
Me sá gurret dahet prroni,
Prindja s’ dahen fmijvet t’vet!

Vojtë ká fjala Ifigenís,
Se kisht’ lypë dijsi Kalkante,
Qi per fat e nâm t’Greqís
Flîje Dianës ajo t’i u bânte.

Edhè vasha aty âsht çue m’ kambë,
Ká hjekë rubë e kacilitë,
E t’ká vû kshet e mahramë,
Mirë t’a veshë, mirë t’â kandritë:

Njet unaza e stringla arit,
E derdhë veshen palë e palë
— Si nji vashë, qi fat ven s’ parit -
Para t’et ajo ká dalë

Edhè i thotë plot amelcim:
«Tatë, o tatë! o i lumi tatë!
Shka jè zymtë e rrin n’mendim?
Shka rrin punës ti kshtû t’i u matë?

Mue per flí po m’ lypin zotat:
Pse nuk m’ mêrr e m’ vên n’therore,
T’kthielltë Atdheut per t’i a reshë motat?
Per t’i a shue çdo mní mizore?

Ti dér n’Trojë me shkue nisë jé
Edhè bâ ké bén e bâmë,
Me dikue, po, per Atdhé
T’gjakut t’and cirken mâ t’mbrâmë:

Po a nuk jam un jote bí?
Po a gjak Danajsh s’ kam nder dej,
Qi mos t’des sod per Greqí,
Per Hyi t’onë e per Akej?

Çohna, tatë, pse vonë ká shkue,
Pá u shkrî Troja n’flakë e n’shkndija,
Prîjmë m’ therore! Edhè pa mue
Kjoftë e rrnoftë per jetë Greqija!»

Kshtû ká folë e bija e nanës
Edhè nget n’nji rrash të blerë,
Kû m’ therore, kushtue Djanës,
Ká shtrî qafen per m’ e therë.

E ç’m’ atbotë rá paq tallazi,
U shêm Troja e u bâ krejt djerr,
Rrezet dija dheut i shprazi:
Nâmi i Grekut mort mâ s’ merr.

Duket së largu Ora e Shqypnís tue ardhë kah aj log Zânash, aty-ktû tue mbledhë bimë e lule.

ZANA URANJE.

Amanèt, moj Zâna e Madhe,
Shikjo ‘i herë ka’ ato livadhe
E, a thue e njef njat Hije të bardhë,
Qi tektej duket tue ardhë,
— Sikúr bân hâna me dalë —
Aty-ktû m’lule tu’ u ndalë?

Kputet vallja e të gjitha Shtozovallet kqyrin habitshem kah livadhet.

ZANA E MADHE.

Se kush âsht manà s’ e dí
Orë a Zânë a se hyjní.
Por, me gjasë, kishem me thânë,
Se kjo Orë nuk âsht as Zânë,
Veç se âsht zoja Qiteré,
Qi në buzë t’ksaj stine s’ ré
Vjen pre’ Olympit m’ Helikonë;

Perse s’lumes — si po i thonë —
Po i u kandshin kângë e valle,
Hije, vrrije, bjeshkë e zalle :
E blerime, gurgullime
T’cemtë currilash — e bylbylash :
Vjollcash, lilash — karajfilash :
E po i kandej me lodrue,
Me hypë shrregull, me këndue
Shpat e m’ shpat e prrue më prrue,
Hý e nieri me galdue.

ZANA KALJOPE

Jo, po; besa, mirë po thue:
Zojë Hyjneshë m’ dán edhè mue.
Shifni ‘i here ju, Orë e Zâna,
Si po shndritë nper lila e thâna
Porsi dielli e porsi hâna :
Si ajo bora krés s’ Cukalit,
Si ajo bryma e rudinës s’ malit.
Se un kund shoqen pá s’ i a kam
As në rrash as në rragam
Kahdo ardhë kam rrokullís.

ZANA KLIJE

Veç ne kjoftë Ora e Shqypnís,
Qi un nji herë veç e kam pá,
Por qi ndryshe dajtë nuk m’ ká,
Veç si drita tue ague,
Veç si rrezja tue flakue :
Si njaj flladi në prendverë,
Qi fershllon nper gjeth të blerë
E me ta, thue, dishka flet,
Kahë i njethë në jetë e shndet.
E veç m’ rrêjn, ndoshta, kta sye,
Se, ka’ e shof kshtû tue shkelzye,
Të tanë rreze e të tanë jetë,
Kish’ me thânë se âsht ajo vetë.

SHTOZOVALLET

(tue kndue palë e palë)

Kahë jé nisë? kahë don me shkue?
Moj t’raftë e mira!
Në log t’onë a don me urdhnue?
Moj t’raftë e mira!
Se ktû jem’ do Shtozovalle,
Moj t’raftë e mira!
Qi kndojm kangë e këndojm valle,
Moj t’raftë e mira!
Këndojm valle me haré,
Moj t’raftë e mira!
Neper ag t’ksaj stine s’ ré,
Moj t’raftë e mira!
Per të reshë augur mbi dhé,
Moj t’raftë e mira!
Shûjtë e paq edhè liri,
Moj t’raftë e mira!
Jetë e shndet e dashtuní,
Moj t’raftë e mira!

DUKË II.

ORA E SHQYPNIS

(me do sherbelë e rozmarí në dorë.)

Mirë se u gjêjë e zêmra u kndoftë!

ZANA E MADHE

Mirë se vien e njashtû kjoftë,
Si per né ashtû per ty

ORA E SHQYPNIS

Se un kam marrë-ó dhén me sý
Edhè dalë nder kto zabele
Per të gjetë nji rod sherbele
Me do shpêndme e rozmarí,
Qi nji lang me to me zí,
Per t’priskue do bjeshkë e vrrî
Dikû atje kû un rrí me bigë
T’u mbajtë larg çdo kob e t’ligë.

ZANA E MADHE

Amanet, moj rrezja e bardhë,
Kush jé ti? kahë jé tue ardhë?..
A jé brymë, moj, a jé borë?
A por jé Zânë, a se Orë?

ORA E SHQYPNIS

S’ dij, ju Motra, a do t’a dini,
Se si e quejn êmnit njat dhé,
Per mjedis qi e dán Shkumini
Si shogë arit vashet t’ré:
Qi njânës i Vardari e thuer,
Per t’gjatë s’ tjetres e puthë deti:
Poshtë Devolli i vjen terthuer
Gjerdan Drini i rrmen perkrejti?

ZANA E MADHE

A mos thue, moj, per Shqypní?
Per njat vend per bukurí,
Kû mâ gjallë ndritë hâna e dilli,
Kû mâ kandshim lulzon Prilli,
E kû male ká e kodrina
E ká fusha e ká rudina
Të tanë hije e t’tanë blerime
Pêmë e lule e gjithnduer bime,
Fllade t’amla e gurgullime:
Kû ká lume gurra e shé
Si kurrkund njeti mbi dhé:
Thue janë fushat Elizé?

ORA E SHQYPNIS

Per Shqypní, po, jam tue thânë:
Per njat vend t’plleshem e t’gjânë,
T’cillin vetë Natyra nânë
Me 'i mí t’mira e ká stolisë,
Thue me dorë se e ká qendisë.

ZANA E MADHE

Jo, po, e dijm, besa lum Hija,
Se nji vend porsi Shqypnija
Nuk e ká, jo, rrokullija,
Kahë do qi bie dielli e hâna
E prijn valle Orë e Zâna.
Se Shqypnín na, dikúr motit,
— N’ato kohët e Gjergj Kastriotit —
Me kta sŷ, po, pá e kemi,
Se edhè lá, maná, atje jemi,
Neper lume tue turfllue,
Neper gurra t’u freskue,
Neper mrize tue këndue,
Tue këndue — e tue lodrue
Qi mâ mirë s’ ké si i a thue.

ORA E SHQYPNIS

E pra, un jam Ora e Shqypnís;
«Gjeraçinë» êmnit më thonë,
Edhè rrí atje mbi Valbonë
Neper biga e hije blinit
Ke ato bjeshkët e Dukagjinit.

SHTOZOVALLET

(tue kndue palë e palë)

Kjosh e bardhë e kjosh me jetë!
Të shkoftë moti si do vetë,
Të shkoftë moti tue këndue,
Tue këndue — e tue vallzue,
Tue kecye — e tue shkelzye
Neper gurra — e neper curra,
Neper mriza — e qepariza
Bjeshkë e m’ bjeshkë e shpat më shpat:
T’u bâftë dita nji sahat —
Nji sahat t’u bâftë tý dita:
Êndu shtatit porsi drita:
Gjeraçinë mbi tjerë petrita —
Zojë e randë n’at krye t’Malcís
Siellsh mbi hasem të Shqypnís,
Siellsh ka pak e shitosh shum,
I rropossh t’gjith kulihum.

ZANA KALJOPE

Oh! e lumja per Shqypní!
Se atje ké besë e burrní,
Se atje ké zêmer e trimní,
Ké kuvend e bujarí,
Erz e nderë e fisnikí,
Si kan pasë burrat e dheut
N’ato kohët e Akil Peleut.

ZANA ERATO

Jo, po, prá: nji fis bujár
Po ishte 'i mend fisi shqyptár;
Perse un vetë atje kam pá
Djelm me u prekë, po, kryet më trá,
Ardhun shtatit si namlija:
Kam pá vashat si silvija,
Me u ndritë llâna — porsi hâna,
Me u ndritë dora — porsi bora:
Njana ixhí — ruejtun n’kutí,
Tjetra lule rritë n’saksí,
Kush fëllanxë, kush hajmalí
T’gjitha zoja per njerzí.

ORA E SHQYPNIS

Mirë, por s’ dij a thue u ká rá
Ndonji herë, Motra, me pá,
Se si lshohet m’ luftë Shqyptari,
Se si ndezet vendi zhari
Kúr t’a zjerrë aj t’prehët çelikun
E t’a msŷj per ballë anmikun,
Si ajo rrfeja tue gjimue,
Jo m’e pré, jo m’e shkurtue,
Jo per tokë dekun m’ e shtrî,
Por gjallë m’ kambë, thue, m’ e perpî?
Jo, po, po; Shqyptari i ngratë
Armë e besë i ká zanatë
Si kurrkush tjeter mbi dhé:
T’a bân deken si me lé.
Veç — kercuna, váj medet! —
Gati tash nja pêsqind vjet,
Çohet Turku e i bje Shqypnís
— Malukati i madh i Azís —
Edhè t’mjeren moj Shqypní
T’a shkretnon, t’a veshë në zí:
Me i u dhimbtë gurit e drunit.
Sá s’ po dij si m’ i a kjá hallet.

ZANA E MADHE

Shka po flet, moj — Shto-Zo’, Vallet!

ORA E SHQYPNIS

Jo, po, Motra, besa prá —
Lê se zêmren i a ká thá,
Tue e bâ t’mjeren me kjá,
Por dér shpirtin flligjë i a ká:
Sá qi, besa, o Motra t’mija,
As me u njoftë s’ njifet Shqypnija,
Per shka kênë ajo ká motit
E per shka âsht bâ n’ditë të sotit.

TË LUMET E NATËS

Atê e vraftë Zoti,
Atê e thaftë moti!
Qi kshtû — barbari —
At vend t’lulzuem,
Kû rrnon Shqyptari,
Paska shkretnuem
E lshue n’mjerim.
Per tê asnjihera
Mos çiltë Prendvera:
E ndjektë potera
M’ t’Lem e m’ Prendim.

ORA E SHQYPNIS

Por i urti e pat lânë fjalë
Dalë kadalë, moj zêmer-valë,
Se vjen moti per kadalë;
Edhè kshtû, mbas sa mjerimit,
Mbas sa lotsh e sa desprimit,
Shqypnís dita na i ká ardhë —
Na i ká ardhë — po, fati i bardhë,
Qi me dalë ajo zojë m’ veti…

TË GJITHA ZANAT S’ BASHKUT

Shqypnija ká dalë zojë m’ veti?

ORA E SHQYPNIS

Po, Shqypnija dalë ká m’ veti,
Si çdo tjeter Shtet mbi dhé,
Ligjë e pare ajo tue pré:
E me ushtrí — e qeverí:
Merr e nep me kê t’duejë vetë:
N’kuvend Mbretensh thirrë e pvetë:
Perposë Zeusit, s’ shtrohet kuej:
Me dorë m’ báll i rrin i huej’,
Qi dér dje ndêj tue kqyrë çark,
Edhè mbajtë i a pat gjûn’ m’ bark.

ZANA MELPOMENE

Po ti ashtû, moj vetull-njalë,
Na ngushllo pak gjâ me fjalë —
Na ngushllo, po, sado pak;
Se, maná, mue zêmra gjak
M’ ka pikue, per shka kam ndí
Per të mjeren moj Shqypní,
Si ká hjekë kjo keq e zí
Si i ká shkue moti tue kjá
Herë nen Turk e herë nen Shkjá,
— Eh kta Zeusi m’ i paste vrá!

ORA E SHQYPNIS

Jo, po, prá; në ditë të sotit
Shqyptarija â e lirë si motit:
Si pat kênë n’kohë t’Gjergj Kastrjotit,
N’kohë të Burrit, n’kohë t’Agronit,
T’cillt, si vala e nji përronit
Qi kah dkohet turra-turra,
Tue dermue shkon landë e curra,
Dermue e kan pá dhîmbë anmikun
Per t’mprojtë shpín, erzin e mikun.
E vertetë se sod n’Shqypní
T’tana punët nuk janë n’hullí,
Ke Shqyptarët shpesh marrin jashtë
E s’ shkojn t’gjith si kisht’ me u dashtë;
Por se foshnje enè âsht Shqypnija
E „ço e rrxo“ me hecë zên fmija:
Se, medjé, edhè Shqyptarís
Me i vue i duhet — porsi fmís —
T’gjitha Ingatët e foshnjenís.
S’ ngrehen Shtetet m’kambë e m’ dorë
Si me ngrehë bata nper borë!
Tash hecë moti, tash ndrron stina,
Ulen malet me çetina,
Çohen kodrat me rudina.
Edhè kshtû, moti tue ardhë
Dikúr dita ká me zbardhë
Qi Shqyptarët të bijn m’ hulli
E kjo e bukura moj Shqypní
Të lulzojë — të gazmêndojë
Zojë m’ vedvedi p’rherë t’lumnojë.

ZANA TERSIKORE

A din shka, moj Gjeraçinë,
— Mori bryma në ledinë —
A t’i lâmë kto derte e halle
E na prîj ti ktû nji valle. —
Prîjna 'i valle bukurí,
Si qi hecë vallja n’Shqypní?!

SHTOZOVALLET

(tue kndue palë e palë)

Edhè hâna do t’a dije
Edhè dielli do t’két pá,
Se per çark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká.

Fusha t’gjâna e kodra t’blera,
Vaditë n’lume, gurra e shé,
Me gaz t’vet ktû i veshë Prendvera,
Si kurrkund njeti mbi dhé.

Nen nji qiellë perherë t’kullueme,
N’rreze e n’dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme,
Si vigâj, shtiellen n’ajrí.

Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Djelmt skyferë po i bâte nana,
Armët e t’cillvet, p’rherë besnike,
Po u permendshin n’fise t’tana.

Atje léjn, po, Toskë e Gegë,
Si dŷ rreze n’flakë t’nji dielli,
Si dŷ rrfé, qi shkojn tue djegë
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.

TË LUMET E NATËS

(tue lodrue)

O Zojz i perjetshem,
Ti zín — e morín,
Ti t’ligat — e shlligat,
Ti damin e gramin
E boren — e breshnin,
E t’zín sŷkerveshnin
Shqypnijet mba larg.

Reshja t’mbaren,
Shtoja faren:
Bân qi p’rhera
M’ vise t’saja
T’qeshë Prendvera:
Kurr uzdaja
Mos t’a gnjejë:
N’tê t’shperthejë
Vedit Lili,
Karajfili,
Drandofilli,
Edhè dilli
Nder kto vise
Vedit t’rrise
Grunë, tagjí:
Si m’ hardhí
Qarri rrush
T’bâjë n’gajush:
Hîthi, lpusha.
Neper fusha,
N’mal, nper vrrîje
Mjaltë të rîje:
Bashkë të flîje
Kîj’ me bisha
N’pyllë nder pisha;
E kúr hâna
Balle-gjâna
T’nisë e t’shndrisë
M’ ato male — m’ ato zalle
Orë e Zâna
Njitun valle
Dora-dora,
Bardh si bora,
Të këndojm
Të lodrojm,
Fat e jetë Shqypnís t’i urojm.

ZANA E MADHE

(tue piskatë)

Oj Shtriga,
Qi t’liga
Njerzimit
I lshoni,
Kahë naten
Kerkoni
Nper tbana,
Nper stana,
Nper shpija
Të fqivet,
E fmivet
Në djep
Per t’madh gazep
Mushknít u a hani:
Kû t’jeni,
Ktû eni,
E me rizë hjekun
E gúr më gúr
M’ anmiq t’Shqypnís
M’ a lshoni 'i namë
Të madhe fort.

(Hîjn dy shtriga, tue lodrue, me nji fultere e me nji trikamç, (saxhak) në dorë. Mbas ktyne hîjn tjerat: do me faculeta lidhun m’ krye, si zingarelet, e do me faculeta të zhdredhuna e me ka dy gur në dorë).

SHTRIGAT

O Zojz i pushtetshem,
O Zojz i perjetshem,
M’ânmiq të Shqypnís
— N’dashtë t’huej, n’dashtë të shpís —
Lsho puçat e «lís»,
Lsho t’pîmt e «sergís»:
Lsho «gunga» — lsho «lunga»
Lsho rrebe — edhè «zgjebe».
«Gerbulen», «lulbardhen»:
E lshojau ti mardhen,
Lshou plajmin e zushen:
Krejt thajau ti fushen
Qi t’mbjellin, mos t’korrin:
Vorfnojau oborrin
Me dam nder bagtí,
Nder dhên e nder dhí:
Mos lên qi në voter
T’u rritet vllá a moter.
Lshou rreshme edhè ortiqe,
Lshou t’zeza e rreziqe,
E t’zhyten — e t’mbyten
N’gjak t’vet edhè n’jarg.

Çik! Rik! Çik!
Çiki! Riki! Çik!
Çiki — riki — çik — çik!
Çik! çik! çik!
Çiki — riki — tuk!
Tiki — taka — tuk!
Çiki — riki — tuk!
Çiki — riki — tiki tuk!
Qiripup!
Qiripup!
Tiki — taka — cuk
Çiki — riki — tiki — taka — cuk!

SHTRIGAT.

(tue lodrue)

«Pse edhè hana do t’a dije,
Edhè dielli do t’két pá,
Se per çark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká».

TË TANA SHTOZOVALLET SË BASHKUT

«Rrnosh e kjosh, oh moj Shqypní:
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me pagjë e me Liri
Per jetë t’jetës të rrnoftë tý ndera.»

DUKË III

(Hîjn dy Zânat, Bora e Bjeshka, me Silen, nji vajzë shkodrane nja trembëdhetvjeçe).

BORA

T’paçim, Zânë, sá gjithkto male! —
Porsà sod muer me vezllue
Hylli i dritës m’ at vetull mali,
E nper lugje e nper blerime,
Zogjt e verës shkrîheshin n’valle,
Edhè bulku, m’ krah parmenden
E vû para qét nen laver,
Dilte n’arë me kapë aj punen,
Un e Bjeshka — na dý shoqe,
U vûm m’ shtek fíll m’ anë prej Verit
Per me pá e me soditun
Se si toka n’ato vise
Bukur êndte gjeth e lule :
Se si rrmejshin prrojet malevet,
Si gurgllojshin gurrat krepavet
E si njethej bari fushavet;
Persè shpesh, moj Zâna e Madhe,
Kem’ ndie shoqet tue ligjrue,
Se as vetë Fushat Elizé
S’ po ishin t’bukra si njaj dhé.
Edhè, besa, prá ashtû po ishte :
Të tanë vêndi nji lulishte :
Borë në bjeshkë e voes në vrrî :
Fusha njethë per bukurí :
Gjith motmoti ‘i Shgjergj i rí.
Sŷnin kndellë e zêmren kndellë,
Atij vêndi shtŷ jem’ kthellë,
Edhè mrrî kem’ n’nji terthore
Kû po kishte ‘i lum t’madhnueshem,
Pertej lumit nji gjytet,
Brî gjytetit nji kalá,
N’báll të kalás nji liqê t’gjânë :
Prej si rriedhte edhè nji lum,
Neper tê êndeshin anijat
— Velat ndê per t’gjatët t’pajarit —
Si ato mjellmet neper glina.
Por po kishte edhè nji shé,
Kjarët qi rrmete krés së gjytetit:
Thue se argjân dikohej malesh,
T’u pershkue neper do suka,
Kû e kerthnestë êndte hardhija,
Njethej fiku e zerdelija,
Ftoni, pjeshka edhè qershija,
Me ato dardhat moskadele,
Me ato shegat tivaresha,
E me molla faqe-kuqe
E me kumlla bordarike,
Kypça, ullîj e gjithnduer pême,
Si kurrund njeti n’ket dhé.
Aty ‘i herë rám zhyt m’ at shé
— Mbasì u bânë cilat e mdhá —
E t’filluem mbrenda me u lá,
Dér qi dielli u çue n’mjesditë.
Mandej zên me na thekë ûja,
Edhè dalim shûjtë me gjetun.
Mjelim sutat hijes s’ malit,
Xjerrim mjalten jashta zgavrrash,
Mbledhim dredhza e urtyta bjeshkve
Gjêjm nji rrasë të lmuet mermeri
Per tryezës, e shi mbi stom
T’atij sheu, n’nji grykë t’blerueme,
Strukë nder badra të lulzueme,
Per anë rrase me ngranë u vûme.
Kúr, pá pritë e pá kujtue,
Qe, po vjen njikjo bí nierit
Edhè fíll na shklet mbi rrasë,
Qi per tryezës para ki 'm pasë,
E na derdhë kjumshtin per tokë,
Na shperdán mjalten per rrasë,
Edhè pêmët n’pluhen na i lshon,

ZANA E MADHE

Po pse n’vênd shitue s’e kini ?
Kushdo shklet mi tryezës të Zanavet,
Pá ndeshkim aj nuk don lânë,
Sikúr urdhnin qi u kam dhânë.

BJESHKA

Besa, po, moj Zana e Madhe ;
Njashtu âsht krejt si ti po thue.
Edhè un deshta m’e shitue :
M’ e bâ deshta garravâxh,
Qi mos t’kisht’ kush shka me pá ;
Veç kjo Bora — shoqja e ême —
M’ thotë: âsht fmî, e garravâxh
Mos t’a bâjm; por t’i lshojm zverdhcen
Dér n’ditë t’verës — sod nji motmot.
Aty u zûm shoqe me shoqe,
Edhè kthelltë na shkuem me fjalë:
Un e dojshe garravâxh,
Kjo veç ftyren me i a zverdhë —
Ftyrë e sŷ m’i a bâ çapî.
Qatje vonë rám t’dyja n’godi,
Ktû m’ e prû perpara teje,
Me i a dhânë ti vetë ndeshkimin.

SILJA

(vedi me vedi)

Zojë !.. Kû gjindem vetë ?.. Kto grá
Kush do të jén?

ZANA E MADHE

(Silja)

Pse s’ ké fishkllue,
Kahë ké rá atij bregu t’sheut?..
Kúr të bijsh vetmís s’ndo 'i vendi
E mos t’dijsh ti vetë me kndue,
Fishkllò atëhera rrugës, mos tjeter,
Per t’vûm n’beh, po, Shtozovallet,
Qi aty t’Mirat mund të ndollin
A t’u lá, ase m’tryezë tue ngranun.

SILJA

Me fishkllue m’ thue?.. un nuk jam djalë.
N’Shqypní varzat nuk fishkllojn.

ZANA E MADHE

Mirë; po ti, moj bijë, kahë jé?

SILJA

Prej Shqypnijet.

ZANA E MADHE

Prá, Shqyptare?

SILJA

Po, Shqyptare e bijë Shqyptarit,
Fis e besë e Fé t’të Parit
Qi dér m’ sod kurr s’ ká mohue.

ZANA E MADHE

Kênke e Kshtênë?

SILJA

Po; katolike.

ZANA E MADHE

Vashë o nanë, gjithmonë fisnike…

(Orës s’ Shqypnís, e cilla po rrite tue bisedue t’ultët me do Zâna tjera).

Po shikjo, moj Gjeraçinë!
Ktû po kemi 'i vajzë Shqyptari :
A thue e njef? a thue t’ká rá
Me e pá ti ndojherë n’Shqypní?

ORA E SHQYPNIS

(Tue i u avitë Siles e ne njanen dorë tue e lmue krejet).

Po a Shqyptare jé, moj bijë?

SILJA

Po; Shqyptare.

ORA E SHQYPNIS

Kû ké lé?

SILJA

N’at mollë Shkodre, n’krye t’Gegnís,
Prej kahë s’ pari Shqyptarís
Zû me i shndritë hylli i Lirís.

ORA E SHQYPNIS

Vajzë shkodrane, pra?.. Sa mirë
Âsht tue m’ardhë, qi edhè un po ndolli
Ktû me tŷ.

SILJA

Po ti kush jé ?

ORA E SHQYPNIS

Un jam Ora e Shqyptarís.

SILJA

Po kto varza kush, thue, janë ?

ORA E SHQYPNIS

Njana Orë e tjetra Zânë…
Këto janë, moj, Shtozovallet:
Njato t’Bukurat e dheut.

(Silja tmerohet e struket nen sjetull-t’Orës së Shqypnís).

Jam un ktû: s’ t’bâjn gjâ; mos druej.
Veç, si ti ké ndollë ktû, m’ thuej.

SILJA

Un? s’ e dij.

ZANA E MADHE

Po t’kallxoj vetë.
Bjeshka e Bora — kto dŷ Zâna
T’logut t’êm, ktû n’Helikonë,
Paskan dalë sod, tue zbardhë drita,
Edhè marrë kan dhén perpjetë,
Per me pá e me soditun,
Si lulzon asajt prendvera.
Kshtû t’u êndë kto bjeshkë e m’ bjeshkë
Shpat e m’ shpat, e mriz më mriz,
Kênkan kapë dér m’ at mollë Shkodre,
Jashtë gjytetit nder do suka,
Kû po rrmete i kjarët nji shé…

ORA E SHQYPNIS

Kiri.

ZANA E MADHE

M’ stom t’ktij sheu, m’ at hera,
Nen nji hije e strukë nder badra,
Jânë ulë Zânat per me ngranun.
Kúr, qe, vjen kjo bijë Shqyptarit
Edhè fíll me kambë m’ tryezë t’tyne.
Por, ke kto nuk mund rán n’godi,
Se n’ç’ mndyrë vajzen me e shitue,
— Sikúr né na nep zakoni
Kúr ndokush tryezen t’na shklase —
E kan prû ktû para meje,
Qi shi vetë un t’a shitoj.

ORA E SHQYPNIS

(si në kujdis)

Pse me dalë, moj bijë, n’Záll t’Kirit?.
A s’ t’ká msue jot-amë ndojherë:
Se 'i vajzë, qi ruen shpín, ruen shpirtin ?

SILJA

Jo, po, e dij; por disá shoqe
U bâmë bashkë e duelem n’Bardhaj,
Per të mbledhun atjè lule.

ORA E SHQYPNIS

Por aq larg persè me u shtŷ…
Shka u jânë dashtun ato lule?

SILJA

Besa, zojë, veç persè neser
Na kremtojm pêsdhetvjetorin
E t’ndertuemit t’njasaj Shkolle
Kû na zâm; e prandej deshtem
Sod t’i mbledhim nji tubë lule,
Per m’ e çue neser dhantí
— Pêng dashtnije e evarije,
Per shka psojn Msueset me né,
Qi t’ushtrohna n’dije e n’Fé,
E n’dashtní të flakët p’r Atdhé —
Kshtû na duelem dér nder Bardhaj,
Per të mbledhun do aso lulesh
Neper badra.

ORA E SHQYPNIS

Po a fmî shkolle
Jé, moj vajzë?

SILJA

Si urdhnon.

ORA E SHQYPNIS

Të cillen
Shkollë ndjekë?

SILJA

T’paren klasë Normale
N’shkollë fêmnore, qi mbajn n’Shkoder
T’ndertat Motrat Stigmatine.

ORA E SHQYPNIS

Oh! po, i njof e mirë e dí,
Se me ç’zéll e me ç’dashtní
Kto punojn per Fé e Adhé,
Qi me i rritë varzat fisnike,
Grá shqyptare e shpijanike:
Nderë e Fés e nderë e Atdheut,
Njimend mesa t’Skanderbeut.

ZANA E MADHE

A po ndien, moj Zâna e Madhe,
Shka po thotë kjo vajzë shkodrane?
Kjo po thotë, moj vetull-njalë,
Se dér n’Bardhaj paska dalë
— Nder ato rudina t’blera —
Bashkë me disá shoqe tjera,
Mbasi dielli u çueka m’ cila,
Per të mbledhun vjollca e lila,
Drandofille e karajfila,
Shebojë, iris e zymyla,
Gjithnduer lulje e gjithnduer bime,
Qi me ndreqë me ato blerime
Sá mâ t’kandshme ‘i tubë per sŷ,
Per t’i a çue mandej dhantí
— Pêng dashtnije — e evarije —
Njasaj s’ Pares s’ Shkollës femnore,
Qi n’gjytet t’Shkodres mizore
Aq me zéll, dashtní e dije
Stigmatinet mbajn per fije,
Kû kjo vajza âsht msim tue xâne.

ZANA E MADHE

Po a thue din, moj ti, me m’ thanë,
Stigmatinet se kush janë
Me kujdes qi kshtû t’nji nane
Msuekan n’shkollë varzat shkodrane?

ORA E SHQYPNIS

Janë Vestalet françeskane.
Qi t’kushtueme Nazareut,
Shpînen sjellë i a kan ktí dheut :
E t’kullueta porsi lili
Qi nper voes t’agimit çili
— Nji rahá ato e parrizit —
Bashkë me Arvalt e Sh’ Frano Asizit,
Me ata Etent Françeskâj,
— Kênë per Fé gjithmonë vigâj —
Ruejn n’Shqypní flaken e Unjillit,
Qi dikúr e prû prej qiellit
Fjala e Mendes s’ Perendís,
Prometeu i rí i nierzís;
T’cillin forcat kundershtare
M’ kryq mberthye e kan m’ Sukë Kalvare

ZANA E MADHE

Françeskâjt ke po i zên n’gojë,
Tash nder mend po m’ bjen, oj zojë,
Se disá nder këtà Freten,
Qi n’Shqypní kushtue kan veten
Fés e Atdheut, na njoftë i kina
Edhè m’ brej, aha e çetina,
T’Helikonës neper rudina,
Kthelltë më lvore tue i zgavrrue,
Êmnat na u a kemi shkrue,
Qi n’harresë kurr mos me u qitë.

ORA E SHQYPNIS

E vertetë. Malit t’u njitë,
Un kam pá shkrue m’ trup t’nji blini:
Át Leonardin De-Martini:
Êmni i atij në zâ vjerrshtarit,
Qi me shkrue nisi mâ s’ parit
Kângë në t’amblen gjûhë t’Shqyptarit;
E qi i pari pat guzimin,
N’shkrim Europës m’ i a lshue kushtrimin
Kundra dhûnës e padrejtsís,
Qi po i bâhej Shqyptarís,
Tue e lânë nen zgiedhë t’Turkís.

ZANA E MADHE

Po; por ká prap do êmna tjerë,
Shkrue mbi landë t’ktij vendi t’blerë,
E qi un tý, qatje mâ vonë,
Kúr të prîjë nper Helikonë,
Bigat t’ona per me pá,
Në shêj t’gjith kam me t’i dá. —
Veçse mue krejt po m’ habitë
Kahë po m’ thue, mori petritë,
Se kjo vajzë në shkollë âsht njitë :
Po a njimend se edhè n’Shqypní
Ká nisë grueja me u pertrí
Neper dije e gjytetní?

ORA E SHQYPNIS

Jo, po, prá, moj lum pinjolla,
Sod n’Shqypní 'dhé po ká shkolla,
Kû shkojn varzat shqera shqera
— Si ajo bleta kahë prendvera —
Edhè at msim thithin me dije,
Qi Shqyptares t’i két hije:
Edhè 'i shkollë, besa, lum Zâna,
Qi dán n’shêj n’Shqypní nder t’tana
Po ishte ajo shkolla fêmnore
Qi n’at Shkodren t’onë mizore
Stigmatinet çilë e kan,
Mbas programit françeskan:
Fé e Atdhé e mirë me t’hujë,
Per pá u bâ robi i kurrkujë:
Qi secilla n’shpí të vet
Të jesë zot e pashë e mbret;
Edhè bijavet shqyptare
Me u dhânë msimi n’gjûhë amtare.
Edhè fmija shqyp me u msue.

ZANA KALJOPE

Ky âsht program, taman program,
Bâ per trû e jo per dhâm:
Bâ per trû e t’mirë të zânsit,
Jo per dham e bark t’msimdhânsit.
Me u msue fmija shqyp po thue?..
E po ç’n’gjûhë posë në gjûhë t’t’Parit
Mund t’zânë n’shkollë t’bijt e Shqyptarit.

ORA E SHQYPNIS

E vertetë se mîfet n’ujë,
Fmít në shkollë tue i msue n’gjûhë t’hujë
Prej kahë fmija — shpresa e Atdheut —
Dalin si baktija e Ndreut :
Mos m’i u dashtun gjâ kurrkujë
E as Shqyptarë nuk janë, as t’hujë.
Veç n’Shqypní, si e dij un hollë,
Gjithshka mujt dikúr me ndollë
E prandej ç’do i huej krye-tollë,
Mlysh, a krap a mende-kubel,
Qi n’vend t’vet t’a bâne zhubel
Tue e gjuejtë m’ lvore e më voe sklluka
— Zêmer pus, majmun kahë duka —
E qi bâ ‘i herë pazarllek,
Shqyptarín m’ e bâ qifllek
P’r atà Çfutent e dheut t’vet
— Si t’kisht’ mbetë Shqypnija shkret —
Porsa e vuell deti n’Shqypní,
T’ngrefi plang e t’ngrefi shpí,
T’çili shkollë e t’grumblloi fmí
Kû t’u vûni ‘i mij leçí,
N’gojë Shqypnín kurr mos m’ e xânë :
Nji fjalë shqyp kurr mos m’ e thânë :
Librat shqyp — me i bâ nji gyp,
E tue frŷ erë e murrâ,
T’gjith me i hjedhun n’flakadâ:
Me mbajtë t’hujët per njerz bujarë:
Skanderbegun m’ e quejtë « Shkjá »
Të gjith boten m’ e mbajtë vllá,
Posë Shqyptarësh; e se Shqyptari
— Per me i hecë puna per s’ mbari —
Ai do t’kapej veç me fé,
N’t’cillen fat kisht’ pasë me lé,
Pá çá kryet, aspak p’r Atdhé :
Persè, thotë, ‘i Shqypní m’ veti
S’ mund t’a bâte as Krajli as Mbreti,
Mbasi mbrendë kisht’ muamedan
Rregresist, e pak kristjan
Primitiv, qi per kurrgjâ
S’ ishin t’zott, veç se me fâ
Me fiq barkun.

ZANA KLIJE

Çudë me bâ,
Si persritet historija !
Kshtû si psue paska Shqypnija,
Besa, psue ká rrokullija,
Ç’ se zû e Drejta me marrë m’ thue,
E m’ krye t’vendit hajni u vue,
Me pré ligjë, me dá kanue.
Kurdoherë qi i huej vû sye
Mos me lânë qi ‘i kóm t’çojë krye,
Të dalë m’ vedi e t’gzojë lirí,
Por të vuej gjithmonë n’robní;
Prej programit t’vet shkolluer
Jashtë fjalen «Atdhé» aj xuer.
Edhè shkollën, kopilani,
Në gjûhë të huej gjithmonë e bâni.
E perkundra: kúr nji i vendit
Desht aj lak me i bâ kuvendit
Edhè vllazent per nen kamë
Me i mbajtë rob në vajë e n’gjamë,
Qi t’kertyllej vetë në vjamë
Prej programit t’vet shkolluer,
Fjalen «Fé» perjashta xuer.
Prandej pra, kudo mbi dhé,
Shkolla e vendit nuk ká «Fé»,
Ajo âsht drejt kundra lirís ;
Ndersa shkolla e huej pa «Atdhé»
Âsht rreziku i pamvarsís
T’atij komi, kû âsht ndertue.

ZANA EUTERPE

Të lumët goja! Mirë po thue.
Edhè un tham — se nji program,
Bâ per hajr e jo per dam :
Bâ si vêndi e lypë, e stina
Âsht, po, njaj qi Gjeraçina
Tha, se atje n’Shkodren mizore
Kan qitë n’punë në shkollë fêmnore,
E e zhvillojn me 'i kujdes nane,
Tash dyzet e sá motmote
Njato Motrat Françeskane,
Stigmatine quejtë prej bote,
Fé e Atdhè, e mirë me t’hujë,
Per pá u bâ robi i kurrkujë
Qi seicilli n’shpí të vet
Të jét zot e të jét mbret ;
Edhè bijavet shqyptare
Me u dhânë msime n’gjûhë amtare.

ZANA E MADHE

At herë, prá, njikjo bijë nierit
Paska bâ po kjo mâ s’ mirit,
Ke mendue paska me veti
N’t’ kremte, qi siell neser vjeti,
Nji tubë lule me i dergue
S’ Pares s’ Shkollës, per t’i diftue
Evarí — e dashtuní.
Prand’ as vetë s’ due me i thânë gjâ,
Per at faj qi kjo ká bâ ;
Mu mâ teper un, po, vetë
Due at tubë lule me i a gjetë
E me vedi me i a dhânë,
Qi t’i a çojë së Pares Nanë,
Pêng dashtnije — e evarije
T’asaj vepre gjytetare,
Qi kto Motra rregulltare
Zhvillojn n’Shkoder xênmitare
Nda’ ato varzat shqypëtare. —
Po ndigjo, moj ti Klarinë,
Ti Culinë — e ti Dalinë,
Ulnju shpejt dér poshtë kahë vrrini
Shpejt do lule edhè t’m’ i gjini
E mâ shpejt khâ nalt t’m’ i bini.

ZANA E MADHE

(Siles)

A na thue, moj ti pinjollë,
Se shka u msojn Motrat në shkollë,
Kúr ju varza mbrendë të shkoni
Si ajo bleta mbrenda zgjoni ?

SILJA

Ato ‘i herë e pikë mâ e para
Në gjûhë shqype e me fjalë t’mbara
Né na msojn, se n’shekull nieri
Nuk ká ndollë aj, jo, pá hiri :
Se prandej detyrët duen krye
Qi na kem’ ndaj’ t’Naltin Hye,
Ndaj shokët t’onë e ndaj vetvetin,
Tue nderue prinden e mbretin :
T’u shmangë s’ keqes e me endirë
Herë perherë tue ndjekë shka âsht mirë.
Mbasandej na msojn per s’ mbarit,
Se Shqypnija âsht e Shqyptarit:
Se ktû i huej nuk ká shka bân:
Se t’krishtenë e muamedan
Nuk do t’rrijn t’u kqyrun çark
E me mende gjithmonë në bark;
Se gjithmonë fjala «Shqyptár»
S’do me thanë, besa «atdhetár»
Se n’ket shekull rrumbullak
T’gjith virtyti s’rri n’mustak:
Se nja s’janë «serm» e «teneqe»,
E se po isht’, po ‘i punë e keqe
Per nji plesht me djegë jorganin ;
Fé e Atdhé me pasë sahanin ;
Se s’ rrnon vendi me nji mik,
Me sá rrnon sorra me 'i fik,
E se shpesh mund t’jét rrezik,
Me mbajtë . . . . per fisnik.
. . . . . . . per besnik,
Per budall me mbajtë Inglizin
N’çashtje Atdheut me pvetë Af’zin

. . . . . . . . . . . . . .

ZANA POLINIJE

Me nám, besa ! Të lumët goja:
Sá mirë flitke !

SILJA

At herë, lum zoja,
Kû nper vepra poetike,
Na i shtrojn para ato Murgare
Bukurít e gjûhës amtare,
Tue na bâ qi t’shofim vetë
Se krejt nja nuk âsht n’ket jetë
Me shkrue shqyp a n’vjerrshë a n’prozë,
E me shitë «hallvë» a se «bozë» :
A se hatllavet me shì lpozë :
Se dikush ká lé per pendë,
Dikush tjeter per parmendë,
E se mirë tha ‘i plak i ngratë,
Krushka-madh, i hollë e i gjatë,
Rri n’zanát qi t’la yt-atë,
Edhè prap, nper mokna e vegla
Na diftojn nper t’cillat rreglla
Zhdrivillon vepren natyra,
E pse sŷn’ shpesh t’a rrênë ftyra.
Pse t’vjen letë shka m’ vedi âsht randë.
Na ligjrojn mbi gúr e landë,
Mbi lulqerblla e suta t’egra:
Prap aty msohet Algebra,
Msohet mbrendë Matematika,
Gymnastika — edhè Muzika:
Me Historí — e Geografí
Edhè zâmë na me ravisë,
Me ravisë — e me qendisë;
Zâmë me matë e zâmë me pré
N’trajtë të vjeter, n’trajtë të ré:
Me lá petkat, me arnue,
Bukë e shûjtë na me gatue:
Gjithshka hije ká p’r’i grue
Qi me zânë e me punue,
Zot e Atdhé per pá i harrue.

(Hîjn zânat me nji tubë lule në dorë)

ZANA E MADHE

Qe, pra, oj vajzë, lulet tek janë:
Mêrri e çoja s’ Ndertes Nanë,
S’ Pares s’ Shkollës, qi aq fort dishrue
Kishe pasë ti me i a çue,
Pêng dashtnije — e evarije
Per shka Motrat Françeskane
Me ‘i kujdes e ‘i zêmer nane,
— Tash po mbushen pêsdhetë vjet —
Veprue paskan në gjytet
T’asaj Shkodre n’zâ bujare,
Tue msue n’shkollë bijat shqyptare
Hyut e Atdheut si me u sherbye,
Si detyrët ato me i krye,
Si me vjeftë, si me punue,
Shpín dhe erzin tue shikjue:
Me kênë ndera e Fés e Atdheut
Njimend mesa t’Skanderbeut.
E mâ teper ké me i thanë
Asaj s’ Ndertes Moter-Nanë,
Se kto lule — kshtû si jânë —
S’ kan me u veshkë, as s’ kan me u thá,
Pse kto Zâna mbledhë i ká.

SILJA

(tue marrë tuben e lulevet)

T’falem nderës, o e ndritshmja Zânë;
Gjithsi urdhnon un kam me i thânë.

ZANA E MADHE

Veç, ti vajzë, a ké mendue
Shka me thânë, shka me ligjrue,
Kúr ti s’ Pares ké m’ i a çue,
Bashkë me njato shoqet tjera,
Njikto lule e bimë të blera?

SILJA

Jo, po, gadi i kam do fjalë.

ZANA E MADHE

Hajt, na i thuej ktû dalë-kadalë.

SILJA

(sjellë prej publikut)

Fort e Nderta e e dashtna Nanë!
N’rasë të s’ kremtes të ksaj dite,
Shum do fjalë kisht me t’i thânë,
Gjûha e mjerë me u shprehë po t’di’te.
Mbasi vetë, pra kam qillue
Enè fmí e me folë nuk dí,
Bashkë me shoqe jam mendue
Ket tubë lule t’ap n’dhantí.
Po, kto bimë me njyrë t’veta
Kan me t’thânë, shpnesoj, mâ s’ miri,
Shka me shprehë s’ din gjûha e shkreta
Ashtû mue si m’ don dishiri.
Njekto lule t’bardha-t’bardha
Kan me t’thânë se nderë e Fé
N’zêmer t’onë as zhegu as mardha
S’ kan m’ e shue, dér t’jem’ mbi dhé.
Këto t’kuqet do t’u thonë,
Se ajo flakë atdhedashtnije
Qi u ndez n’shkollë në zêmer t’onë,
Gjallë perherë nder né do t’rrije.
E kta gjeth, mandej, të blerë
T’asaj Shpnese janë dishmija,
Qi na mban, se herë perherë
Do t’lulzojë Shqyptarija.
Se na tý t’lidhna me besë,
Qi, shka bashkë ktû jemi vasha,
Kurr Shqypnín s’ qesim n’harresë,
T’dajë si t’dajë e dheut neshtrasha.
E se, mbledhë rreth voters s’ Parit,
Kém me u thânë breznivet t’reja:
Se Shqypnija âsht e Shqyptarit,
Se t’bijn n’luftë per tê si rrfeja.
Edhè ‘i fjalë m’ ká thânë mue Zâna,
Helikonës kahë un kam rá:
Se, dér t’lejë e të marrë hâna
Kurr kto lule s’ kan me u thá.
Eni prá, varza shkodrane,
S’ cillsdo fé e s’ cillsdo stine,
E t’brohrisim n’nderë t’ksaj Nane:
Rrnoshin Shkollat Stigmatine!

SHTOZOVALLET

Rrnoshin Shkollat Stigmatine!

ZANA E MADHE

(Kaljopes)

Hej, Kaljope!.. A ndien?.. Si thue
Shqyp kto vjerrsha janë punue?

ZANA KALJOPE

Si âsht mâ së miri! Tanë ndiesí
Per Fé Shêjte e per Shqypní. — (Siles)
Po ti vajzë, qi paske xânë
Me qitë vjerrsha, — thue, jé Zânë —
Mbasi s’ kem’ ktû tjeter rângë —
A na kndo tash shqyp nji kângë?

SILJA

(Orës s’ Shqypnis)

A t’u kndoj kângë t’Kastriotit?

ORA E SHQYPNIS

«Porsi fleta e Êjllit t’Zotit.»

SILJA

tue kndue

Porsi fleta e Êjllit t’Zotit
Po rreh flamuri i Shqypnís;

VALLJA

kapë e vijon kângen gjatë dŷ strofash.

Pjesa e radhës
Geni

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB