Dukes dhe Princit të ndritur, Francisk Ericit

DUKES DHE PRINCIT TË NDRITUR, FRANCISK ERICIT
si dhe senatit të madhërishëm Venecian (a),

FRANG BARDHI
Epishkop fatlumtur i Sapës dhe i Sardës.

Princ i ndritur dhe etër të madhërishëm!

Tek ju Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ dhe zot i Shqipërisë, ka pasë gjetur, sa ishte gjallë, ndihmë në çastet më të vështira të principatës së tij. Edhe tani, megjithëse po prehet në varr, — sepse jetën ia kemi borxh natyrës, — e megjithëse gëzon një lloj jete më fisnike, lavdinë dhe pavdekësinë, ai përsëri vihet nën patronazhin tuaj dhe i bën thirrje autoritetit tuaj. Me të vërtetë, nga dëshira e tij e fundit , — që të lë mënjanë provat e tjera të panumurta dhe të ndritura për këtë çështje, — mund të nxirret qartë se sa shumë e çmonte përherë senatin tuaj dhe çfarë stime kish për emrin tuaj ai princ i pathyeshëm. Sipas kësaj dëshire, ai principatën e vet me gjithë të varurit e tij, fëmijët, faltoret, vatrat e ç’kish e nuk kish tjetër, i la nën pajtorinë tuaj. Me të drejtë, pra, shpreson ai se edhe tani do t’i ketë mbrojtës të shquar po ata, të cilët i ka pasë provuar gjithmonë si njerëzit më humanitarë dhe autoritetin e të cilëvet e ka pasë çmuar për së tepërmi ngahera. Prandaj edhe kjo vepërzë, me gjithëse e varfër dhe e vogël, nuk do të mund t’i ofrohej ndonjë mbrojtësi tjetër më të drejtë e më të ditur se sa Ju; sepse Ju me besnikëri të përhershme e përkrahni lirinë e natyrshme të njerëzve dhe diturinë e tyre me drejtësinë dhe liberalitetin më të madh.

Nuk po flas tani për vehten time, me gjithëse të parët e mi kanë qënë të shquar edhe në luftë edhe në paqe, duke kryer pranë Jush detyra nga më të nderuarat dhe duke u treguar gjithmonë shumë të zellshëm në punët shtetërore. Unë do të mund të zinja këtu në gojë, përveç atyre, që në kohë të kaluara i kanë sjellë shërbime të shquara Republikës Suaj, shumë burra të përmëndur për trimërinë e tyre luftarake nga familja e Bardhëvet , të cilët luftojnë nën flamujt e Juaj, si Prengu, Pavli e shumë të tjerë, prijës të njohur në ushtërinë Tuaj. Por këto që, si të thuash, për asnjeri s’janë të fshehta dhe që qëndrojnë larg qëllimit tim, do t’i kaloj me kënaqësi në heshtje. Gjithashtu nuk kam ndërmënd të numëroj këtu një për një të pesë kryevalltarët e familjes sime, të shënuar për mitrën e tyre episkopale dhe shumë të lidhur me senatin Tuaj, veçanërisht Nikollë Bardhin, epishkop i Sapës dhe i Sardanjës, dhe Gjergj Bardhin. Ky i fundit, pasi administroi për një kohë të gjatë dhe në mënyrë të lavdërueshme epishkopatën e Sapës dhe të Sardanjës, s’ka shumë kohë që hypi në fronin arkiepiskopal të Kishës Antibareze . Pranoni, pra, o etër të madhërishëm, këtë vepër time, që ua detyroj për gjithë këto nderime , si shënjë të një shpirti të devotshëm ndaj Republikës Suaj, dhe mos e përbuzni këtë dhuratëze të vogël, sepse ajo do të bëhet e madhe me emrin dhe përkrahjen tuaj.

Pjesa e radhës
Lexonjësvet studiozë

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB