Bashk të dy krejt njitun rrishim
Tuj kuvênd mi koh qi shkoj,
Edhe mallin aq e kishim,
Sa çdo fjal n’at ças pushoj —
Tash n’ket kohe do t’kje bashkimi,
Qi do t’lidhte mu e ty,
E mjaftoj i ziu kujtimi
Ne t’dy me na mallëngjy —
Na ather u përqafume —
Oh se ç’ças i knaqësiës!
Ka nji fshâm te dy e lshume,
Dhe do pika lot t’dashtnîës.
N’dasht, se koha aq mizore
Se çdo lidhje na helmon!
Se nji fshâm e gjat dashtnore,
Helmin t’on e âmbëlson.
Hil Mosi