Libri i dymbdhetët - Shlirime e perjashtime

KRYE I NJIZETETRETË.
Pjestarët e perjashtimevet.

§.1221. Kanuni i Malevet të Shqypnís shliron e perjashton:

I. Kishen:

a) prej çdo teloznet;

b) prej dhetimit të tokvet e të gjâs së gjallë;

c) prej giobet e çdo ndeshkimit;

d) prej çdo angarije kah katundi e flamuri;

e) e bân pjestár në çdo giobë;

f) ndoren e ndermjetsín i a ruen.

§.1222. — II. Priftin, i cilli:

a) âsht i jashtuem prej ushtrije;

b) po u lyp në bé, vehtja e tij xêhet per 24 Poronikë;

c) po vrau kend, s’ndiqet per gjak; prindja e tij biejn në gjak;

e) s’ndjekë kend per gjak të prîndës.

§.1223. — III. Krenët e Flamurit:

Po u lyp per Poronik nji nder Pleq të mdhaj, vehtja e tij xêhet per 12 Poronikë të panjefun.

§.1224. — IV. Kasnecat:

Jashtohen prej ushtrije.

§.1225. — V. Farketarët:

Jashtohen prej ushtrije.

§.1226. — VI. Të vorfnin — djalë të vetem, qi i ká mbetë mbí krye shpija e e âma —: âsht i jashtuem prej ushtrije.

§.1227. — VII. Gruen: mos-pelqimi i saj kah kanûja:

a) per Plak;

b) per Kapucár;

c) per Poronik; as beja s’i gjegjet;

d) s’ká zâ as vend në kuvend;

e) s’ká trashigim as te prindja as te burri;

f) nuk ndiqet per gjak;

h) ndermjetsija s’i dhûnohet.

§.1228. — VIII. Virgjinat (fêmnat, qi veshen si burrë): S’veçohen prej grásh tjera, posë qi jânë të lira me ndêjë nder burra, porsè pá tager zânit e kuvendit.

§.1229. — IX. Deken:

Ata, qi kan deken në shpí, jashtohen prej çdo pûne si kah katundi si kah flamuri, si edhè kah të reshunt e ujit të mullîjvet. Ket tager e kan prej kanunit per nji javë ditë rresht. — Si të mbushet java, do t’u pergjegjen detyrvet si kah katundi si kah Flamuri, edhè në kjofët krye a Dera e Gjomarkut.

KRYE I NJIZETEKATERT.
Deka.

§.1230. Kanuni i Malevet nuk bán qi t’i shkaktohet kuej trazim mbí trazim.

§.1231. Kúr t’i desë kush njij shpije në katund, per nji javë ditë rresht — mbas deket — nuk mund t’i bzâjë kush te dera per kurrnji pûnë, qi t’a ketë vendi me e bâ katundisht.

§.1232. Jashtohet me gjith gjinden e shpís prej çdo angarije si kah katundi, si kah flamuri, si edhè prej vijash t’arve e të mullînit.

§.1233. Po desht kush me pritë per «krye shndosh» pertè javen, të presë; porsè krye tetë ditësh kanûja i a don pûntorin me kênë edhè i Derës së Gjomarkut.

§.1234. Si të desë kush, do të dergohen lajmtarët, per me thirrë në mort.

§.1235. Tuj bâ gjâmë burrnimi, grrishten edhè tundin krahnorin.[1]

§.1236. Grát vajtojn, por nuk grrishten.[2]

§.1237. Porsá të vêjn kamben në katund të të dekunit miqt, do të vêjn në krye jakzat e gjurdîjavet.

§.1238. Kanû âsht me bâ gjâmë mbë të dekunin trí herësh, tuj persritun fjalen «I mjeri un!» nandë herësh. (3)

§.1239. Burrnimi nuk bertasin mbë grá; por po i biri mbë t’amen e i vllaj mbë të motren.

§.1240. Kúr të niset kush per me shkue në mort, nuk thotë «Lamtumirë», as i thotë kush «Udha e marë».

§.1241. Tuj kalue rrâzë vorresh, pûntorvet, qi çilin vorrin, nuk u thohet «pûna e mbarë!»

§.1242. Në kjoshin miq, u shndoshin kryet; kjenë shokë, u thonë: «a u lodhët, or juni?»

§.1243. Si shokët e katundit të të dekunit, si miqsija, si të pijn kafen, kupzen e pshtesin në tokë, tuj thânë: «Zoti ju dhashët gajret!» — «Per të mirë» nuk thohet.

§.1244. Të treten ditë mbas deket, kushdò qi të vîjë per «Krye shndosh». si mbas kafjet, si edhè mbas buket thotë: «Zoti ju dhashët gajret! Per të mirë mbas sodit!» — Nuk thohet: «Ju shtrofët per të mirë!» —

§.1245. Gjâmatarët rreshtohen, tuj perbâ gjymës rrethit me ftyrë kah i dekuni.

§.1246. «Percjellsat me të dekmin nuk mund t’i kalojn kuej per derë, posë në kjofët udha e madhe a udhë katundi».

§.1247. Tuj dredhue prej vorresh, s’do të ndalet kush n’udhë, por do të shkojë fíll në shpí të të dekunit.

§.1248. Si të mbrrîjn n’oborr, u dalin perpara shokët e shpís së të dekunit, u mbajn armët, u qesin ujë duervet pá hî në shpí e u prîjn ke treveza, per me hanger Drekë.

§.1249. Pá krye së hangermit të gjith, nuk do të ngrehet kush prej buke.

§.1250. Si të çohen prej buke, do të dalin jashtë të gjith e lajn duert para derës së shpís në shekë, e cilla do të gjindet plot me ujë.

§.1251. Miqt, qi grrishten ftyre në dekë të mikut nuk do t’i lajn faqet e pergjakuna as në shpí, as në katund të të dekunit e as per udhë, por si të mbrrîjn në shpí të vet.

§.1252. Zija per të dekun të shpís (per burrnim, por jo per grá) do të mbahet nji vjetë.

§.1253. Per fmí nuk mbahet zija.

§.1254. Zija hiqet a per ndo’i të kreme, qi lutet me miq, a per ndo’i ditë të motmotit.

§.1255. Në drekë do të gatuej bukë grueja e vejë.

§.1256. Grueja me burrë nuk mund të gatuej në drekë, as me qitë ujë duervet, as me qitë rakí e as bukë me thye.

§.1257. Po ju desht grues me burrë të gjáll me gatue në drekë, në darsem nuk mund të gatuej.

§.1258. Grueja e vejë nuk mund të gatuej në darsem, as nuk mund të qesë ujë duervet, as rakí, as me thye bukë, as me veshë e me i u afrue nuses.

§.1259. Me ardhë në shpí të prindes në pasí bija e martueme e me dekë aty n’at kohë, drekët do t’i bâjë prindja. Të prishunat e drekvet do t’i bâjë shpija e prindës e jo e burrit.

§.1260. Po u dha ndo’i ndimë shpija e mikut, kjo xêhet nderë në kanû, por jo detyrë.

§.1261. Me u çue prindja e me bajtë trupin e dekun të së bís së vet në shpí të burrit, katundi e giobitë per at sjellje shnjerzimi.

§.1262. Në mos pasët me se me shtî në dhé të bín e vet prindja, vllaznija e fisi do t’i apin uhá.

§.1263. Të prishunat e uhát e drekvet do të lahen në krye të mojit, si të hîjë i dekuni në dhé, e nuk mund të shtŷhen pertej.


  1. Et feries pavida pectora fida manu… Parce tamen lacerare genas, nec scinde capillos. — In luctu enim veteres nec capillum nec barbam tondebant. — (Joan Minellius, in III. Eleg. lib. I. Ovid. Nason. Tristium.)

    …I Colti… tosto che son fatti uomini di lasciarsi crescere barba e capelli, se abbiano ammazzato un nemico, allora sopra quel sangue e quelle spoglie si tonton e scopron la fronte; e tengonsi d’aver soddisfatto all obbligo dell’esser nati e degni della patria e de’ genitori. (Tacit., Germania XXXI)

    Mulieres genas ne radunto… Mulier faciem ne carpito. (Cicero, de Legibus; — ne radunto i. e. ne lanianto, ne laceranto.)

    Shqyptarët e Malevet, kúr të kenë per të lypë mikun e prém, a ndo’i vrasë të pergjegjme, mjekrren s’e rruejn, mje qi të paguejn mikun a të mârrin gjakun. — Atbotë e rruejn mjekrren, bâjn gostë e bâjn gzim me miq e shokë gjithnji si në darsem. ↩︎

  2. Tum ter vel quater per intervalla mortuum inclamabant. (Ovid., Trist. III. 43.) ↩︎

Pjesa e radhës
Shtojcë - Shembuj në Kanûn të Lekë Dukagjinit

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB