Libri i gjashtët - Të Dhanunat

NYE I TETËDHETEDYTË.
Uhaja.

§.499. Kanûja e malevet nuk njef uhá me shtojca fitimesh (Fajde).[1]

§.500. Kanûja njef uhá të fjeshtë: sá të dhaçë ké me më dhânë.

§.501. Per me shndoshë pûnen e uhás e per me largue çdo dyshim pabesije per uhá të dhânun, mund të mirret pengu.

§.502. Pengu perbâhet prej njij sendi, qi të két çmim a sá uhaja e dhânun, a edhè mâ teper.

§.503. Pengu, qi mirret per uhá të dhânun, mund të xêhet si «Peng hupës».

§.504. Pengu i hupun xêhet atëherë, kúr aj, qi mêrr uhá, i lidhet uhasit a me prû uhán në ditë të çaktueme, a me lânë pengun, qi të hupë.

§.505. Uhaja e prûme në ditë të caktueme e shperblen pengun.

§.506. Po s’u prû uhaja në ditë të caktueme e nuk erdh mârrsi me u pá me uhasin, ky ká tager me shitë pengun e me xjerrë uhán e vet.

§.507. Dita e caktueme vijon mje në prendim të diellit e uhasi do t’a presë detyrsin mje në prendim të diellit; po s’erdh, pengu i shitet.

§.508. Shka t’i dalë teper uhás së dhânsit prej pengut të shitun, do t’i a dorzojë të zot’t të pengut.

Oroe.

Mbas parimeve të permenduna e mbas kallximit të burrave të lashët, Shqyptarët e hershem të Malevet t’ona nuk kan pasë diejtë as me dhânë as me mârrë uhát me shtojca fitimesh; ky ves i mbrapshtë fort vonë do të két hî në két Shqypnín t’onë.

NYE TETËDHETETRETË.
Vadja.[2]

§.509. Vadja e uhave âsht nji kohë e caktueme, në të cillen detyrsi do t’i a çojë të zot’t uhán e mârrun.

§.510. Uhaja mund t’epet me besë e burrní, me dorzaní a edhè vetem tuj e shndrrue me peng. Mbí pêgje shif: Liber VI, Nye LXXXII, «Uhaja», f. 56.

KRYE I GJASHTËMBDHETËT
E FOLMJA, E FALMJA

NYE I TETËDHETEKATERT.
E Folmja.

„E folmja âsht në fund të kuletës“.

§.511. E folmja âsht prêmtimi i njij sendi, qi i bân kush kuej per nji múnd, qi do të hjekë.

§.512. E folmja prêmtohet: per nji pleqní, per nji udhtim a shtegtim, per pajtim të gjakut, per shkuesí a per mjek.

§.513. E folmja perbâhet prej njij çmimi, qi mund të mbrrîjë mje në 500 grosh.

§.514. E folmja prêmtohet edhè pá e permendë caktimin e çmimit me të holla, b. fj.: Ké nji parë opanga të holla, per në m’a marosh ket a at pûnë.

Opangat e holla kan çmim 10, 20 mje 25 grosh.

Opangat e trasha prej 50, 100 mje në 500 grosh.

Oka e kafes prej 50 mje në 500 grosh.

Oka e kafes kokerr xêhet e caktueme per 9 grosh.

§.515. Po s’e ndreqi pûnen plaku, udhtari, shkuesi etj., të folmet nuk epen, e as kanûja s’i a gjegjë vajin per pûnë të pakryeme.

§.516. Si t’a ndreqë pûnen, shka t’i két folë kush kuej, do t’i apë; sepsè «E folmja âsht në fund të kuletës».

NYE I TETËDHETEPÊSËT.
E Falmja.

„Fala, s’ta fala. Kanûja s’e kapë“.

§.517. Po i thae kuej, se don me i a falë ket a at send, e mbrapa e hangre fjalen t’ande, me «fala, s’t’a fala», kanûja nuk të nget me peng e me plak.

§.518. Jé i lír me mbajtë burrnín t’ande; jé i lír me u shburrnue.

§.519. Kanûja thotë: Ftyren e vrugnueme në daç laje, në daç zezoje edhè mâ.


  1. Nemini mutuum dare ad foenus liceat. (Plato, tom. II. Lib. IV. de Leg.) Olim apud Romanos fures condemnabantur in duplum, foeneratores vero in quadruplum restituendum. (Cato, apud Ciceronem. Lib. III. de Off.)

    Foenus agitare et in usuras extendere, ignotum. (Tacitus, Germania. XXXVI). ↩︎

  2. Me lypë vade; me dhânë vade; me shtŷ vaden — me ardhë vadja: Vades petere; vadimonium promittere; vadimonium deserere. — Labitur interea res, et vadimonia fiunt. (Rituum Romanor. succincta explicatio, G. H. Nieupoort, Sectio III. cap. I. De Judiciis. — Lucretius.) — ↩︎

Pjesa e radhës
Libri i shtatët - Fjala e gojës

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB