Hyjo, hyjo! të marroftë zoti! Hyjo! të hangërt dreqi! - Por më kot… Kali s’ec. Asnjë hap s’mund ta bajë para. Barra ishte tepër e randë.
Fishkllonte kamzhiku nëpër ajër, binte dhe u njitte për trup të kalit; fishkllonte, binte dhe u njitte pa pra. Kali, ku prej të rrahunit e ku prej peshës, ishte bam dhe përgjysmë ma i vogël. Trupi i djersitun iu ba si një lamsh dejesh, të cilët kërcejshin nën lëkurën e trupit të tij. Kryet, në vuejtje i shtrime përpara, ngjante se tashti po shkëputet nga trupi dhe po rrokulliset në pluhun nën kambë, të cilat rraheshin përtokë, përkuleshin, dridheshin… Kot! Se barra ishte tepër e randë.
— Hyjo! hyjo të pasha hajrin, - filloi njeriu me të butë ta ngasi kalin dhe e muer për zengji. Kalit i dridheshin vrimat e hundës, i mbylleshin ngadale syt dhe përsri hapeshin pa fuqi, për ta pa mjerimin e vet dhe njeriun.
N’ata dy sy, q’aq u ngjajnë syve të njeriut, ishte i shkruem fundi i jetës së tij. Nga ata dy sy pikojshin (në mënyrë si ke njeriu!) dy pika të një langu ndërpamës… Si t’ishin lote. Ata dy sy, të një lande pa ngjyrë, pa lëvizje, pa jetë, flitshin për një barrë që then kurrizin, flitshin për mjerimin e krijesave të kësaj bote, flitshin për një kufomë. Kali, bota e mjerueme - e fundit: kufomë. Një kufomë e gjallë që si fantom i rri kundruell përgjegjsisë së ndërgjegjshme. Kali, bota e mjerueme - e fundit: kufomë… e cila gjithnjë flen në tru të njeriut të ndërgjegjshëm dhe ai zu të qelbet. Të githë eksperimentet e bamë deri sot vetëm që shpejtuen kalbsinën e kufomës.
Më dhimbsej kali që pësonte gith’at barbarizëm prej njeriut. Më dhimbsej, se edhe ai ndjente si unë, vetëm që nuk dinte ta thoshte dhimbjen e vet. E këtë ndoshta pritte njeriu që t’i ndalojë mizorinat e tij. Shokut tem, që u gjet pranë meje, i thashë me dëshprim: - Ai njeri, që aq e mundon at kafshë, a meriton t’i hudhen në shpinë të gjithë ata gurë që janë barra e kalit të mjerë?
— Jo! - ish përgjegja e shokut tem - se edhe ky njeri ka kamxhikun e vet që fishkllon dhe e rreh ndër ndjenja, asht kamzhiku i pamshirë i jetës; ti harron se ky njeri mundet me pasë te shtëpia katër-pesë palë duer të vogla që nuk dijnë asgja tjetër, veç bukë me lypë. Mbas këtyne fjalve mjaft, por jo krejt t’arsyeshme të shokut, unë shikojshe njeriun, kalin, karrocën, të gjithë të kryqzuem në një gjendje mundimi e dhimbjeje të jashtëzakonshme dhe nuk dijshe kush ka të drejtë: kali apo njeriu, unë apo shoku i em? Ndoshta dhe kali, dhe njeriu, dhe unë, dhe shoku i em, ndoshta asnjeri.
Migjeni