Tragjedi apo komedi?

Gjini njerzuer asht një kitarë e gjallë, mbi të cilën një dorë pasionale përfton të dridhunat e telave ndër lodina… tragjike a komike?

Gjini njerzuer asht një kitarë e gjallë, nëpër të cilën Shejti dhe Katili arrijtën shprehjen e… tragjedisë apo komedisë së vet.

Gjini njerzuer asht një kitarë e gjallë, ku perëndia ndër melodina madhshtore të… të tragjedisë apo të komedisë së vet? Kushedi?..

Ting-tung-tang… janë tingujt e kitarës – e zemrës desha me thanë – të cilët sajojnë një melodi (ndoshta) të pikëllueshme, një melodi (ndoshta) t’idhtë, siç asht e idhtë bota jonë (Dheu) në majë të gjuhës së Kozmosit. Ting-tung-tang… tungtangting asht (ndoshta) gaz, asht (ndoshta) një të qeshun gëzimi, hovahov, siç asht të qeshunit e të marrit në kryqëzimin e udhve. Ndoshta? Kushedi?.. Dora, me pasion të ndezun, lëmon telat e kitarës, ngadalë-ngadalë, pak shpejt, shpejt ma shpejt, shumë shpejt, e thojtë epshkapërthyese plagosin [ki]tarën, jo por gjinin! zemrën… gjaku pikon, pikon… teli u këput melodia vdiq - edhe njeriu!

Një krijesë e dorës së mbrame i shpalli përdhimtimet e veta kufomës t’ish-njeriut, ndërsa në sy shkëlqente një lot krokodili, ku u pasqyronte tragjedia e kufomës. Një krijesë tjetër, e dorës së parë, u qesh, u qesh aq fort, saqë iu zhgatrruen qejnat e ftyra merr një të dukun të shëmtuem. Ishte të qeshunit e njeriut përpara fatalitetit komik. E Mira, e Keqja, Perëndia, prej territ, nëpër njeriun, erdhën në dritë, edhe nëpër njeriun kanë me u zhdukë në terr. Mbrapa tyne ka me mbetë një nënshtypje e pacaktueme, e cila ka me u fundosë në gjinin e jetës me harresë të plotë. Por tash, gjini njerzuer asht skena ku e Mira, e Keqja, Perëndia shfaqin dramë mnie e dashunie, përbuzje e simpatie, dëshirash e apatie, adhurimesh e mallkimesh… e tue shfaqë dramën luftarake, me një shkathtësi artistike dhe me një madhështi teatrale ngulin thika të mprehta, lëshojnë shëgjeta të helmueme e vjedhin plumbin e vluem ndër gji njerzore dhe bërtasin me brimë ngadhnjyese. Lufta e fitueme, tragjedia përfundohet me një “Te Deum majestoso”, me një “Te Deum Laudamus” plot sinqeritet të qelbsuem. Kjo “Te Deum” asht aventura e një operës komike që quhet pagja: Tragjedi - komedi… e kështu gjithnjë. Ku tragjedia lindet aty asht komedia mik i grishun, kumar, dhe përkundrazi: ku komedia lindet, aty asht tragjedia mik i grishun, kumar. Kësaj i thonë Tragjikomedi; ose: tragjedi komike-komedi tragjike. A e kuptoni? Në mos e kuptoni, t’u bije ndër mend ajo “Qeshu, paljaço, ndërsa zemra të pëlcet!” - atëherë do ta kuptoni.

“Qeshu paljaço, ndërsa zemra të pëlcet!” - Njeriun - paljaço e krijoi absurditeti për me argtue hyjtë e natës, dritën e ditës dhe krijesat e dorës tjetër. Të gjithë këta presin prej njeriut të qeshunt e tij dhe qashtu me ia fillue një të qeshuni universal, me ia fillue një të qeshuni që ka për të tundë Kozmosin me planetat dhe sferat ne te… - ndërsa njeriut zemra do t’i pëlcasë, zemra do t’i pëlcasë se jeta i mvaret nga ai të qeshun, mvaret nga mshira e planetave të pamshirta, mvaret nga ndjesa e sferave të pandjesi, mvaret nga absurdi i cili e krijoi. Kjo asht gja shumë e vështirë - e aspak ngushlluese – për “un roseau”, çka asht njeriu përpara Kozmosit. Tragjedia e njeriut asht në ndjenjën e madhnisë së tij e komedia asht në ndjenjën e imtësisë së tij, prandej: “Qeshu, paljaço, ndërsa zemra të pëlcet!” Kjo asht një Tragjikomedi!.. ose, prralla e ndjenjave njerzore, po ju pëlqeu.

Pjesa e radhës
Një refren i qytetit tem

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB