Trina
I
Molla t’kputuna nji deget,
Dý qershija lidhë n’nji rrfanë,
Kû fillojnë kufît e Geget,
Rrijnë dý çika me nji nanë.
Krekcë e bré perzie me lisa
Rriten rrotull me çetinë,
Plepa t’but’ e qeparisa
Mbëlojnë e veshin at ledinë.
S’ushton mali prei baktijet,
S’fryn murrlani me duhí;
Paq i kthílltë prei Perendijet,
Paq prei nierit e qetí.
Gurra e lugut veç ushtote
Si lahutë me kângë kreshnike;
E nder pêmë bylbyli këndote
Valle darsmet e fisnike.
Ngreh, bylbyl, n’at hije valle,
Ushtò, gurrë trimneshë, n’shkâmbije;
Búlk i nates, kungallë, qi talle
Neper gêmba e per lamije,
Këndoni këndoni! Veç prei stanit,
T’ardhmen Trina mbrámje n’shpí,
Tui blegrue nji kîj mbas zânit
T’deles nanë keni me ndie.
Veç prei plehit gjel kokoti,
Me njat zâ qi s’ndrron kurr-herë,
Ká m’u gjegjë se â tui ndërrue moti,
Se â tui çue nji tjetrë érë.
II
U ndie nji zâ te shtegu:
Cicé! del se erdh murgjina,
E mbrapa po vjen Trina
Me 'j qingj te sykes ngryk.
E duel me mjelcë te burgu
Lokja, xuer viçin jashtë,
E shega, e létë, si kashtë,
Tui kcyemun u berlyk.
Ju suell oborrit rrotull
Tu’ u hjedhë me bisht perpjetë;
Deri sá plaka vetë
Rrshanë tu murgjina e çoj.
Moli, tui këndue lopen,
Tui pritun viçin prórë;
E tambli, bardh si bórë,
Permbrênda mjelcës ngufoj.
Mandej muer kîjin pezull
E u vû me syken n’sanë,
Sá çote tamblin anë
Zoga me xé do pak.
Muer edhè krânde e cokla,
E Trinken muer per brí:
Ish lodh: i dhimte nd’ ijë,
E kishte mollzat gjak.
Vûni do krânde n’votrë
E fryni n’zjerm qi ish ndalë;
Thej pshesh me tambel valë,
E mbushi kupet plot.
Pshesha me kollomoqe,
T’mirë edhè per zotní,
Kúr don per rob e shpí
Me i fal’ i madhi Zot.
E hangri Zoga shieshem,
Por Trina s’hangri gjâ,
As lokja, qi ishte vrâ
Mbas çikës, nuk hangri dot.
Por tìrte ndêjë te votra,
Tui kqyrë me zêmer t’plasun;
Tui nduk’ at shllungë te rrasun
Ju mbushshin sýt me lot.
Kúr nji mbas nji pranë zjermit
U lodhne gjûmit fëmija,
U çue, e t’dy, si kîja,
Mbî t’shtruemen i vêndoj.
E tírte prep te votra;
Pêj tírte per xhubleta;
E i dukej se tu këneta,
Se n’shpélla me drangoj,
Tírshin dhè shtojzavallet
Tui luejtë pá-mêjun gishtat;
Siellshin me pleq ferishtat,
Ndoshta edhè fëmijn’e vet?
E shkoj me i pá, tui pritun
Driten e pishës me dorë:
Ngrykas, si dy qellorë
Me krahë pá pupla, i gjet.
III
Cicé, shkâ ka sot Trinka
Qi po priton m’u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
Me lëshue baktín e vet.
— Bij’, mos e prek, se njomja
Tash â tui folë me Zojen;
Lên zân e mos çil gojen
Se e lumja Zojë t’bertet.
Qe prifti, nanë, qe dajat
Mbas tij me qíri n’dorë;
Katundca me malcorë
Sá shpija nuk i xê.
— Rri, bij’ se sunte Trinka
Po shkon me bûjtë te Zoja;
Merri këto lule e çoja
Së lumes dhuntí per tê.
Zoga
I
Nper ograjë po këndojnë bylbylat
Si tu’ u prrallë me shoqi shojnë;
Drandofilleve zymylat
T’kandshmen erë dhuntí ju çojnë,
E nalt n’qiell mâ e bukur hâna
Rreze t’paqta shkon tui shkrî;
Maje bjeshkve fillon Zâna
N’valle shoqeve m’u prî.
Lodhë prei végësh, prei rranjesh shpijet,
Si u bâ natë, ndêj Zoga n’votrë;
Ndêj m’u xé me drû dullijet
Qi kish bâ nper mal, pá motrë!
E kuvêndte me nanë locen,
Si pergjûmshem, ndonji fjalë,
Déri sá brî votrës gocen
E muer gjûmi dal ka dalë.
Fjet brî votrës; e kúr shkëndija
Shndritte at fëtyr’ te pá travajë,
Ejëll prei qiellet ulë te shpija
Dukej faret fëtyra e sájë.
Herë n’at gjûmë tui qeshun dukej,
Si m’u falë herë doren çote;
Herë permállshem n’védi strukej
E n’fëtyrë gjaku t’tân’i vëlote.
(Ngrîmun n’ár, mbî’j pullalí,
Nen balkue nji beg kish dalë;
Holl’e i giatë porsi silví
N’rrugë nen gardh ish dukë nji djalë.)
E nan-bardha tui shikjue
“Flêj me êgjuj, thotë, o bí,
Pushò shtatin me i ndimue
Lokes s’ate neper shpí”.
II
Prei nen nji tjegllet kish dalë si ‘j trá
Kû nji mij’ tésha vëloshin pá dá;
Permbî shpí ndîhej tui rrahun troka
E ushtote toka
Prei kâmbësh t’baktíve. Ká dalë Harapi
Heret, e shpatit delet ja hapi;
Ká dalun Mica me lopë te mëdhaja
Neper ograja.
Kúr u zgjue Zoga vojt te balkoni,
E pau se bleta vëlote te zgjoni;
Pau se n’at náde poshtë nji lavruer
Kish bâ nji shpuer.
Tui sjellun krahnin këndote me védi,
E i rridhte krahve si nji valë dédi,
Kû shndriçem dielli lëshote si zhgjeta
Rrezet e veta.
Rreze, flak’arit. Por rrotull fëtyra
E fushës kish ndrrue; kish ndrruemun zyra
E bímës e e pêmve; permbî balkue
Déri kish ndrrue
Érë filcigêni; po i vîte 'j tjetrë
Erë: makthit; e rruga e vjetrë
Nen shpí, mbas gardhit, por si nji dritë
Shkote tui qitë.
Nuk e kish vrûmun kurr nder dit t’veta
At rrugë n’balkue. Ktheshin me çeta
Asajt katundsit tui dalë pá prâ,
E ajò s’kish pá.
U nis te puna merziçem. Nisi
Nder pêj sovajken, e shpata krisi,
Cirlikue rrotllat posht’e perpjetë
Nen kâmbë te shpjetë.
E vojt n’dritore prap. Ndoshta begu
Ká mbërrîe te rruga e pret te shtegu
Veshun me t’arta, mbî 'j pullalí,
Per bukurí.
Nuk ishte begu: nen dielli t’valtë
Veç dý dallëndysha bájshin do baltë;
Balt’e kashtare per çérdhe t’vet,
Se shën Ejëlli â nget.
Ndoshta po avitet nji djal’ i rí,
I holl’ e i giatë porsi 'j silví,
Me rryp rreth brêzit, me nji gjashtore,
E 'j kacatore.
Nuk erdhi djali: veç dy bylbyla,
Nji n’drandofille, nji nder zymyla,
Permállshem thrrasin, e shoqi shojnë.
Me kângë gazmojnë.
III
Vîjnë dallëndyshat porsi éra
Pertè dét te çérdhja e vet;
Vîjnë bylbylat kû prêndvéra
N’pýje t’veshuna po i thrret.
Se qe pêmët kan êndun lulet,
E u vesh fusha me blerim;
Létas prroni malit ulet
Dá prei bórës qi i nep ushqim.
E, i dishruem, bje per fushore
Me rritë bîmen per gjithvênd,
Kû 'j érë akullit mizore
Kishte hupë lulzim e shênd.
Edhè ti prei asáj qi t’rriti
Dáju, vash’, e mos vajtó;
Me nji veshë, qi kurr s’ta shndriti
Paras, shtatin hijeshò.
Bashkë me lule lén dashtnija,
Me kângë t’shpêndit qi galdon;
E prêndvéres bukurija
Bashkë prei gjûmit t’tan’i zgjon.
Del, o bij’ prei shpijes s’ate,
Del prei t’vorfenit katund;
Njajò flakë qi n’zêmrë pate
Do t’percjellin tjeter-kund.
T’pret nji zêmrë flak’ e shkëndija,
Pret me tanden m’u bâ nji;
Sa jetë t’apin Perendija
Mos m’u dámun kurr prei si.
T’lypë nji bes’ e ta nep t’ndérshme
Dora e unâza qi t’vên n’gisht:
E ndermjet pr’ at besë t’gjíthhershme
 dorxan’i Lumi Krisht.
Sogjetarë, porsi furija
E nji rrfés qi qetat shpon,
Janë të qiellit nêlt ushtrija,
E n’dorë shpata ju veton.
E din idhun rregj Davidi,
E dijnë lott qi pá prâ qet
Kur shef morden se kositi
An’e mb’ anë krajlnín e vet.
IV
E kândshme âsht hâna
Kúr del me zâna,
E n’tokë me dritë perndaret.
Hyjzit qi shndrisin
E qi shetisin
Nper qiell, janë t’bukur faret.
Kúr del agimi,
E rruzullimi
Me 'j dritë kuqloshe mbëlohet,
E permbi kashta
Shndritë pika lashta,
Zêmra per máll gazmohet.
Âsht i madh shêndi
Kúr ndîhet shpêndi,
Nder pýje tui pingrue;
E knaqshme â 'j lule
Kúr ju perkule,
O fllad i lét, me e lmue.
Por s’i giet qielli,
Nuk i giet prílli,
As fllad qi shetitë lulet
E me érna veshet,
Foshnjes qi i qeshet
Nanës, kúr mbî 'te perkulet.
Lokja
I
E n’balkue mbaruene lulet:
Shurdh’ â vêndi e shpija tytë;
Jo, me loken nji e dytë
Neper shpí mâ nuk u gjet.
Vetun zbardh’ e vetun erret
Me krye n’hî e shumja plakë;
Nji dorë krânde me i bâ flakë
Permbî votrë kush s’ja qet.
E disprohet me vetvédi
Qi nuk bâni kurrnji djalë:
Sot e réja i kishte dalë
Bashkë me dritë per drû në shpat.
Kish mbájtë zjermin ndezë mbî votrë,
Ja kish njomë njat buk e mjera;
Edhè Lokja me gjith tjera
Kishte dalë me petka n’shtat.
Kish shkue motin sí prêndvéra
Me ndo’j fëmij’ tu’ e kalamêndun;
Ishte knaqë tui e permêndun
Tash e tash ferishta n’djep.
E disprohet ke i ve mêndja
Ór’ e ças te Trina e shkreta!
Ja lypë mórdës n’ankime t’veta,
Por mizorja nuk ja nep.
II
U shty vjeshta e krisantemi
Vetun vorreve lulzon;
Landët e pýje, gjith kû kemi,
Tui fry veri po i cungon.
Ndrron prei dimnit landa veshen,
E lëshon gjetht qi para pat;
E, per mëshier, duhít qi ndeshen,
Ja çojnë t’vorfnit me i bâ shtrat.
Bite bór’ e fryte véri
Tui çue akull per gjith vis;
Nêlt orteku ushton per mnéri
Tui fundue çetin’e lis.
Me dý cokla n’votrë plaka
Rri gjith naten e vajton;
Rri me duer kah ndezet flaka
Porsi nieri kúr uron.
E shikjon nji dritë t’venitun,
Vron pasqyren e jetës s’vet:
E lerg Mórden tui kositun
E kujton e pran’e thret.
U ndie 'j frymë permbrênda shpijet
Porsi érë qi vjen pá shkas;
E, n’at muzg, nji vegim hijet
Lokes n’votrë lét ju qas:
Permbî plaken krahët i uli,
E ngryk t’shuemen e shterngoj;
Buzët t’shpulpueme n’báll ja nguli;
U ndal drita e ajò mbaroj.
Ndre Mjeda