Nder njikto vênde per bukurí
Dhén t’êm i shuemi jam tui dishrue;
N’gjytete t’hueja, porsi n’shkretí,
Rrij tui gjimue.
 e bukur fusha kúr çilë prêndvéra,
Lulzim ká kopshti kúr lulet dalin;
E drandofilles nder fushë tret’ éra
E pertè malin.
Por gjith këto t’mira ngushllim nuk m’apin:
Per atdhé t’êmin zêmra po m’shkrihet;
Njatjè kúr mêndja lëshon ndo 'j herë vrapin
Shêndi i pertrîhet.
Nder lisa t’pýjve, bylbyl, tui këndue,
Per çérdhe tande po bân ankime;
Mue, i mjerë bylbyli, po m’pergián mue
Me kto dertime.
Sá herë nen hije t’nji farë çinarit,
Afer nji kronit qí i shkon per brî,
Per vênd mêndohem, kû ndodha s’parit,
N’váj tui u shkrî.
E pves tui kjámun éren e kronin
Per fush’ e male kû mêndja m’vret:
Por tui rrjedh’ uji, si e ká zakonin,
Gjimon e s’flet.
Prei mâjes t’malit shikjoj lerg fushen
Kah dij se â fisi qi jeten m’fali;
Por prei trishtimit me lot syt m’mbushen
E s’mund t’i ndali.
O bjeshk’ e male, fusha t’bekueme,
Kû vetë herherna per shetí shkoshe;
O Maranaji, o Buen’ e mbëlueme
Me bîmë gjellbroshe,
Kúr kam me u gëzue? Nder njato kësolla
Mâ e pagjt’ e e kandshme m’u dukte jeta;
Nder dhéna t’hueja, kû mbrapa u ndolla,
Veç trishtim gjeta.
Na dha né t’shkretve vetë Perendija
Mállin m’u pamun, me ndêjë n’nji votrë
Grueja me t’shoqin, me prinden fëmija
E vllau me motrë.
Njaj zêmrë nierit nuk ká qi udhtimin
Per mirakande merr me u bëgatue;
Lerg teje, o Shqype, kush lypë gjallimin
Po, do mallkue.
Do vorre t’réja ndodhë qi m’kallxojnë
Ndoshta tui kjámun prei dhimet gjindja;
Njitû, do t’m’flasin, t’rrijn e pushojnë
Vllaznit e prindja.
O Prind, o vllazen! te’j vorr me jue
E gjáll e i dekun une do t’rrij;
Sá do n’giûhë t’ême kan me m’urue:
“Dritë pastë n’lumní”.
Ndre Mjeda