Bes’ e Shqipëtarit është edhe ka qënë gjithëmonë e ditur’ e e dëgjuarë ndër gjithë botët. Besënë, q’ep Shqipëtari, s’e mer prapë, s’e prish e e mban, gjer sa të ketë një reketim shpirti në kufomët të ti. Besa, q’e ka nderuarë gjer më sot Shqipëtarë, ajo besë do ta shpëtonjë sot nga gjithë reziket. Më parë se çdo gjë Shqipëtarëtë duhetë të lidhinë një besë të madhe e të përgjithçime në mest të tyre e të bëjnë një lidhje e një bashkim, që të pushtonjë të tërë Shqipërinë. Çdo Shqipëtar do të futetë në këtë lidhje e në këtë besë. Të lenë gjaqetë e armikëritë në mest të tyre; ç’është bërë gjer më sot, ta harojnë; kush ka për të marrë gjak, ta dhuronjë. Gjaku i Shqipëtarit është shum’ i vjejturë; pse të derdhetë kot? Pse të vritemi njëri me jatrinë, tek kemi nevojë të bashkohemi e ta derdhimë atë gjak kuntr’ armikëvet të mëmëdheut? Shqipëtarëtë, kështu të lidhurë me një besë të fortë e të bashkuarë me një lidhje, do të jenë si një njeri vetëm, trim e i fortë, i cili ka një dëshirë, një fjalë e një qëllim të vetëm. Kush i del kundreq atëhere Shqipërisë e Shqipëtarit e kush kuxon t’i rrëmbenjë a t’i shkelnjë të drejtën’ e ti, si ja bëjnë sot q’e gjejnë të ndar’ e të dobëtë?
O burra-ni, o Shqipëtarë! Zihuni me të dy duartë në besët, në lidhjet e në bashkimt, se kjo do t’ju shpëtonjë! Jo po në mos, ini të humburë. Mos vështoni bes’ e fe; myslimanë, katolikë, orthodhoksë, gjithë Shqipëtarëtë, sa jan’ e tek janë, janë vëllezrë. Gjithë duhetë të bashkohenë nënë flamurit të shenjtuarë të Shqipërisë!! Ay Shqipëtar, që le vëllezërit’ e ti e ndahetë nga Shqipëtarëtë, për të bashkuarë me armikët’ e Shqipërisë, duke hequrë pre bese, ay është tradhëtor, ësht’ armiku i kombit e i mëmëdheut. Të këtillë Shqipëtarë më mirë të mos jenë se të jenë. Këta duhetë të vështohenë si armikë e jo si Shqipëtarë.
Lëvdatë i qoftë Zotit! Lidhjeja po bëhetë në Shqipëri, besa po forcohetë, bashkimi po xgjerohetë. Nga një çip’ i Shqipërisë u zu lidhjeja edhe ditë me ditë po përhapetë nëpër të tërë Shqipërit. Në kryet kjo lidhje u duk si e ndryshme, si e huajë nga qëllim’ i Shqipëtarëvet; po sa vete, po del në shesht që s’ësht’ ashtu; qe nevojë të duketë ashtu në kryet, se ashtu deshn’ ata që e ngrehnë, pa treguar’ ashtu s’ngrihesh dot kurrë, se s’e kishinë për të lënë. Po një her’ e ngrehurë e e forcuarë do të muntnjë ta nxjerrë qëllimn’ e saj në shesht, e të bënjë atë që duhetë. Mbledhj’ e dytë e e tretë do të vërtetonjë këto fjalëtë tona.
Duamë të besojmë e të shpresimë që kjo lidhje, kjo mbledhje e kjo besë që po bëhenë sot në Shqipëri do të jenë krej i shpëtimit të Shqipërisë; se gjithë Shqipëtarëtë e muarrë vesh rezikn’ e madh të Shqipërisë, edhe e kupëtuanë ku ‘shtë shpëtim’ i tyre. Bes’ e sotme s’ngjan me beserat të shkuara; është një besë për rrojtje a për vdekje.
Lidhj’ e Shqipëtarëvet nukë bën të jetë për pakë kohë, po të jetë gjithënjë e kurdo gjer sa që t’u epenë Shqipëtarëvet ato që duanë, e të shpëtonjë Shqipëria nga reziku. Gjer atë ditë lidhja të qëndronjë, e të mbanjë vënt qeverije në Shqipëri, se qeveri e Tyrqet s’është një qeveri për ndërtim, po për prishje; qeveri e Tyrqet nuk’ e shpëton Shqipërinë, po e humbet. P’andaj lidhj’ e Shqipëtarëvet të zërë vëndin’ e asaj në gjith’ ato punëra që vështojnë kombërinë tënë e të drejtatë tona; këto punë t’i bënjë vetë a të shtrëngonjë qeverin’ e Tyrqet t’i bënjë me pa hir; e kështu të ruanjë gjuhën’ e kombërinë tënë e gjithë të drejtat’ e kombit Shqipëtar.
Lidhja do të ket’ aqë të ndara sa sanxhake ka Shqipëria edhe një mes. Në cilët-do nga këto do të jetë një këshill’ e përherçime që të mblidhetë një herë në javët, edhe një këshill’ e përgjithçime e e madhe që të mblidhetë një herë në mott edhe kur të ketë nevojë. Miset’ e këshillës’ së përgjithçime do të xgjedhinë miset’ e këshillës’ së përherçime, të cilëtë do të jenë: një krye, një shkronjës, një arketar edhe katr’ a pesë mise. Këta, kur të shohinë nevojë, do të mbledhinë këshillën’ e përgjithçime a do të kupëtohenë me të shkruarë me këshillet’ të madhe të mesit.
Sami Frashëri