Nga gjithë sa thamë merretë vesh fort mirë se qysh munt të qeverisetë Shqipëria e se sa vënt i bukurë do të bëhësh me një qeverí të këtillë! Sa do të vinte mbroth e të prokopsetë! Në pakë kohë do të bëhësh një nga mê të bukuritë vënde t’Evropësë e të gjithë dheut. Me këtë mëndyrë kombi shqipëtar në pakë kohë do të bëhësh një nga mê të xgjuarët’ e nga mê të qytetuarëtë kombe të dheut, e Shqipëtarëtë, që kanë kaqë qínt vjet që po rojnë në robëri, në varfëri e në shtrëngim të math, do të bëhëshinë gjithë të pasur’ e të lumturë e të roninë si njerës!
Ç’duhetë për të shpëtuarë ky i gjorë komp e ky i varfërë vënt nga kjo zi e madhe q’e ka mbuluarë, e nga gjithë këta rezike q’e kanë rethuarë, e për të luluzuarë ashtu si thamë? Fort pakë gjë: Vetëm dëshirë! Arrin të duamë; pô që të duamë, e kemi në dorë ta bëjmë Shqipërinë si thamë e ta shpëtojmë nga gjithë reziket’ e nga gjithë myxyratë. Kur është në dorët tënë, të na Shqipëtarëvet, ta shpëtojmë a ta humbasimë Shqipërinë, atëhere të mendohemi sa faj i math është të rrim’ e të mos bëjmë gjë! Kjo është të vrarë mëmëdhenë tënë me dorë tënë. Kur e kemi në dorë ta shpëtojmë, e të mos ta shpëtojmë, do-me-thënë që e vrasimë me dorë tënë!
Pô ç’të bëjmë? — Ja se ç’duhetë të bëjmë:
Duhetë që ç’do Shqipëtar të ketë gjithënjë, nat’ e ditë, ndër mënt e në zëmrë shpëtimn’ e Shqipërisë e mbrodhësin’ e kombit Shqipëtar. Kjo me se bëhetë? — Ç’do Shqipëtar që do këtë duhetë të dojë bashkimn’ e Shqipëtarëvet; gjithë Shqipëtarëtë janë vëllezrë, kanë një gjak në rëmbat të tyre; s’ka turk e kaur, pô janë gjíthë Shqipëtarë! Ay q’është Shqipëtar i vërtetë duhetë t’i vështonjë si vëllezrë e t’í dojë nga zëmra Shqipëtarët’ e vërtetë, pa le të mos jenë në besët të ti. Shqipëtari ka qënë Shqipëtar përpara se të bëhetë i kríshterë a mysliman.
P’andaj Shqipëtar’ í vërtet’ e i mírë edhe ay që do shpëtimn’ e Shqipërisë vë gjithënjë e kurdo kombërinë përpara besësë; nukë ka vëllezrë ata që ka në besët të tî, pô ata që ka në kombërít të tî. Shqipëtarët’ e vërtetë janë veçan vëllezrë në mest të tyre; vëllazëri e këtyre duhetë të jetë aq’ e shtrënguarë sa gjë të mos ta ndanj’ e ta çanjë dot, e gjë të mos hynjë dot në mest të tyre. Qysh janë Frankmasonët’ e Bektashitë vëllezrë në mest të tyre, kështu duhetë të jenë edhe Shqipëtarët’ e vërtetë.
Shqipëtar është ç’do njeri i pjellë prej Shqipëtarësh e që flet shqip, pô Shqipëtar i vërtetë ësht’ ay që ka mëndjen’ e zëmrënë shqipëtar. Këta Shqipëtarët’ e vërtetë janë me të vërtet’ e fjeshtë Shqipëtarë. Duanë gjuhën’ e kombin’ e tyre, edhe përpiqenë për mbrodhësit të mëmëdheut. Kur të bëhenë gjithë Shqipëtarëtë a mê të shumët’ e tyre kështu Shqipëtarë të vërtetë, Shqipëria atëhere ësht’ e bërë e e shpëtuarë nga ç’do rezík. P’andaj ç’do Shqipëtar duhetë të parënë të jetë vetë a të bëhetë Shqipëtar i vërtetë, e pastaj të përpiqetë të bënjë edhe të tjerë shokë, që ca nga ca e njerí pas tjatërit të bëhenë të gjithë Shqipëtarë të vërtetë.
Sot shumë Shqipëtarë, nëntëdhetë për qint, munt të themi, s’janë Shqipëtarë as me mënt as me zëmrë; kombín’ e tyre e gjuhënë s’e duanë as e nderojnë; s’duanë të këndojn’ e të shkruajnë në gjuhët të tyre, edhe shumë kanë turp edhe të flasinë shqip! Pô në kan’ ata turp të thonë që Shqipëria është mëma jonë, Shqipëria ka mê shumë turp e dhuní të duketë që ka të tíllë bij! Kombi Shqipëtar s’është komp për të pasurë turp prej ti; të qënët’ e një njeriu nga një komp kaqë trím e kaq’ i xgjuarë s’është turp, pô është nder i math. Në ka mbeturë pas kombi ynë, s’është faj’ i tí, pô është faji ynë; në ka mbeturë gjuha shqip e pashkruarë, s’ka mbeturë se është gjuh’ e ligë a e metë, pô vetëm se s’jemi kujdesurë na ta shkruajmë. S’na ka faj kombi, s’na ka faj gjuha, faji ësht’ yni. Jemi m’i vjetri komp í Evropësë edhe m’i fisçimi e mê trimi; flasimë mê të vjetrënë e mê të mirënë gjuhë të farësë arjane.
Ata Shqipëtarë që s’dinë të çimojnë kombin’ e gjuhën’ e tyre, e s’i pëlqejnë, e s’kanë turp të duanë të quhenë Tyrq, Greq, Shqeh a të tjerë, ata janë tradhëtorë të çmëndur’ e të paditurë. Qënj’ e tyre është një turp i math për Shqipërín’ e për kombinë Shqipëtar. Sa i math turp kur një Shqipëtar, në rëmbat të cílít leçin gjaku i Skënderbeut e i shokëvet të ti, të poshtonjë kombin’ e ti e gjuhën’ e mëmës’ së ti, e të nderonjë një gjuhë të huaj, të cilënë përpiqetë ta vëndosnj’ e ta përndanjë në vëndit t’asaj! Përpiqetë që djemt’ e ti e niprit’ e stërnipritë të mos dinë shqip, e të mos quhenë Shqipëtarë! I math turp për Shqipërinë të ketë pjellë të këtillë djem! I math turp qënja e rojtj’ e të këtillë njerësve mi faqe të dheut! Kush munt të jetë m’i lík e m’i pështirë se ay që s’do e s’nderon mëmën’ e ti, pô e heth më një çiçip, e i vjen turp të thotë q’ësht’ i bir’ i saj?
Turp’ i të këtillëve njerës është turp për mëmëdhenë tënë! Përveç dheut tënë nonjë vënt në botet s’ep të këtillë pemë të hidhurë! Kaqë të pasurë Shqipëtarë kanë prishurë gjithë gjën’ e tyre për mbrodhësit të një kombërije q’është armiku i kombëris’ së tyre; për të bërë djemt’ e tyre e të të vëllezrëvet të harojnë shqipenë e të mos quhenë Shqipëtarë! Këta s’janë armikë, s’ka fjalë për të quajturë këta tradhëtorë të liq e të fëlliqurë! S’ka Shqipëtarë, thonë, Shqipëtarëtë s’janë komp më vetëhe, janë Greq thonë ca, Tyrq thonë të tjerëtë, Shqeh, thonë ca të tjerë. O! sa fjal’ e rëndë për gojët të një Shqipëtari! O qysh ua nxë goja këtë fjalë faqe-zesvet!
Të këtillë njerës duhetë të mos jenë në Shqipëri, as mi faqet të dheut; dheut i rëndojnë teprë këta tradhëtorë; s’i mban dot; të çporenë! Ç’do Shqipëtar i vërtetë duhetë të përkujdesetë që të mos mbesë as një i këtillë Shqipëtar, se i sjellinë dëm e turp të math gjithë Shqipërisë e shqipëtarërisë. Ç’do Shqipëtar duhetë të parënë të bëhetë vetë Shqipëtar i vërtetë, pastaj të bënjë të tjerëtë, sa të muntnjë mê teprë. Të kujdesetë që të vejë mbarë e të përhapetë gjuha shqip, do-me-thënë të shkruarët’ e të kënduarët’ e gjuhës’ sanë, e të shtohetë mësimi e diturija në gjuhët tënë. Me një fjalë, të përpiqetë që të jet’ edhe kombi ynë një nga kombet’ e qytetuarë e të ndrituarë. Pô të përpiqemi gjithë për këtë punë, kombi ynë, me të qënë në naturët i xgjuar’ e trim, në pakë kohë do të bëhetë një nga mê të ndrituarët’ e nga mê të qytetuarëtë kombe t’Evropësë.
Një komp i vjetërë, m’i vjetër’ i kombevet t’Evropësë, Pelasgët’ e qëmoçim të mbajtur’ e të qëndruarë që nga kaqë mijë vjet e tëhu sikundr’ ishinë, një komp kaq’ i vjet[ërë] e me gjithë këtë fort i ri që tani po zë të luluzonjë për së parë herë, një komp trim e i zoti me një kokë e me një ballë që s’i ka edhe tjatërë, me një gjuhë të gjer’ e të plottë, të bukur’ e të lehtë, q’e mëson që me sisë të s’ëmësë, një kombi të këtillë kush munt t’i dalë kundrejt, e kush munt t’i shkonjë përpara?
O burrani ô Shqipëtarë! se në dashçim’ e në u përpjekçimë, do të jemi një nga mê të mirët’ e nga mê të ndrituarët’ e kombevet t’Evropësë, që të na kenë nakar gjithë bota. O burrani! të mos na mbulonjë gjum’ i mefshtërisë e i paditurisë, se në ndënjçimë kështu, jemi të humburë. O! sa dëm i math e sa turp i rëndë të humbasë sot, në këtë kohë që edhe më të dobëtit’ e kombevet po xgjuhen’ e po luluzojnë, një komp si Shqipëtarëtë q’është mbajturë që kaqë mijë vjet e tëhu në kaqë kohëra t’egëra! Një komp kaq’ i mënçim e me një gjuhë kaqë të bukurë të humbasë nga padija e nga të mos pasurë gjuhë të shkruarë! Një komp kaqë trim e që s’e kurcen gjaknë fare të humbasë duke copëtuarë prej kombeve të dobët’ e të frikçimë! Mënt kemi, trimërí kemi, gjuhë të bukur’ e të lehtë kemi, e të mos dimë a të mos duamë t’i përdorimë gjithë këto për të mirën’ tënë, pô të rrimë me duar lidhurë a, ajo q’është m’e keqe, të punojmë për humbjet tënë, të nxjerrimë themelet’ e kombit tënë me paditurit e me verbërit të vet!
A jemi Shqipëtarë? Besa, feja, puna, kujdesa, dëshira jonë, mendimi ynë të jenë për Shqipërinë e për shqipëtarërinë. Të shpjemë gjuhënë përpara, ta xgjerojm’ e ta xbukurojmë me shkronja e me dituri; të hapimë shkolla, të mësojmë, të mos mbesë nonjë Shqipëtar i paditur’ e që të mos dijë të këndonj’ e të shkruanjë; të ngremë shkollat’ e huaja nga Shqipëria e ta mbushimë mëmdhenë tënë me shkolla shqip; djemtë tanë në pakë kohë të mësojnë të këndojn’ e të shkruajnë gjuhën’ e tyre edhe dituritë q’u duhenë; me të qënë që gjuhënë e dinë vetiu, e mundinë ta mësojnë në pakë kohë, do të kenë voli të mësojnë mjaft dituri; edhe bariu edhe bujku edhe mjeshtr’ i murevet do të mos jenë pa dituri.
Këto punëra janë nga të drejtatë tona; kush të mos na lerë të punojmë në këtë udhë të së drejtësë e të mirësisë, na ka rëmbyerë të drejtënë nga dora jonë; ësht’ e drejta jonë të përpiqemi me fjalë, me punë, me gojë, me dorë, me pendë, me armë, që të çkëputimë të drejtënë tënë nga thonjt’ e atyre që na e kanë rëmbyerë. Nukë duamë të rëmbejmë gjën’ e tjatrit, pô s’duamë të lemë edhe gjënë tënë e të drejtën’ e sheshit të na i rëmbejnë me pahir. Të përpiqemi për të drejtët tënë, për gjuhët tënë, për kombërit tënë, për të mirët të kombit tënë; kush të na qëndronjë përpara, e të na ndalonjë në këtë udhë të shënjtuarë, ta shtyjmë, ta rëzojmë, ta shkelim’ e të shkojmë tutje! Të nxjerrimë zënë, të thëresimë, të na dëgjonjë bot’ e qytetuarë, të na ndihin’ edhe ata në të drejtët të bekuarë që duamë të mburojmë. Të mos trëmbemi nga gjëkafshë, të përpiqemi e të mos pushojmë gjer sa të fitojmë atë që kërkojmë, jemi në të drejtët, Perëndija është gjithënjë ndihmës’ i të drejtëvet, Perëndija ësht’ e drejta vetë!
O vëllezrë Shqipëtarë! Të mos na gjenjë si ata t’egërtit’ e Avstralis’ e t’Afrikësë, që ven’ Evropjanët’ e i gënjejnë me ca ruaza e me ca dragole të qelterta a pasqyra të pafillta, e u marrinë vëndet’ e tyre nga dora. Të mos gënjehemi edhe na ashtu me ca copa pafillesh e qelqesh që s’vlejnë gjë fare, e të lemë të drejtat’ e kombit e të mëmëdheut tënë në duar të të huajet e t’armikëvet tanë. Të thyejmë xgjedhënë [që] po na rëndon mi xverkut që kaqë qint vjet e tëh[u], të këputimë hekuratë që po na shtrëngojnë këmb[ëtë], të hedhimë së sipërmi hijen’ e rëndë që po na shk[el] e na shtyp e s’na le të marrënë frymë! Të mos [rrimë] të mpit’ e të ngrirë, të lëvizimë duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, t’ecimë dlirë n’udhët të Perëndisë, n’udhët të së drejtësë:
PERËNDIJA, E DREJTA, KOMBI, GJUHA!
SHQIPËRIA, SHQIPËTARËRIA!
Ja qëllimi ynë! Ja puna jon’ e shënjtuarë! Ja besa jonë! Gjith’ ata që kanë këtë qëllim janë vëllezëritë tanë! Në mest të Shqipëtarëvet të vërtetë s’ka nonjë ndarje, nonjë çarje, nonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezrë, të gjithë një trup, një mëndje, një qëllím, një besë!
Sami Frashëri