Varfërí e Shqipëtarëvet e pakryesí e Shqipërisë

Shqipëria gjer ca kohë mê parë ka qënë mjaft e pasur’ e e begatë. Shqipëtarëtë roninë me rogat’ e ushtërisë e me rrembimet të luftësë, si edhe me disa mjeshtëri që kishinë. Mvishnin’ e mbathninë robën’ e plaçkën’ e tyre që bëhesh në vënt. Pagesat’ e qeverisë ishinë fort të paka e të lehta. Nga të hollatë që sillninë së jashtësmi në Shqipëri fort të paka delninë jashtë, të shumatë mbeteshinë në vëndit. Kjo sillte një begati të përgjithçme.

Sot s’është puna kështu; Shqipëtarëtë mê nukë venë ushtarë me rogë, pô futenë nënë një xgjedhë ushtërije; nukë kthehenë nga lufta të mveshurë n’ar e të farkuarë me armë të lara, pô lakuriq, të smurrë e të këputurë. Nonjë gjë s’bëhetë dot në vëndit, se punëtorëtë vëndës s’ja dalinë dot kuntrë fabrikavet t’Evropësë. Edhe ato dy pare q’u bjenë në dorë Shqipëtarëvet rjedhinë nga duart e tyre e rungullisenë n’Evropë. Pagesat’ e qeverisë janë të shuma e të rënda, sa me-zi i paguajnë. Fitimet’ e vjetërë u ngrinë, të tjerë të rinj s’erdhë në vëndit t’atyre. Për udhëra paguajnë veçan, udhë s’ka; lumënjtë mbytinë fushatë, ethetë që çpikenë nga këto baltëra bëjnë botënë të jenë gjithënjë të sëmur’ e të dobëtë, të mos punojnë dot e të vdesinë nga sëmundja e nga urija. Kështu një varfëri e madhe e e keqe e ka mbuluarë gjithë Shqipërinë.

Qeveri e Tyrqet në Shqipëri është vetëm për të mbledhurë pagesat’ e ushtarëtë: eja ti djalë Shqipëtar që shkele më të një-zettënë vit, të veç n’anët të dheut të mbyllesh në një keshlla lakuriq e urëtë! eja ti Shqipëtar i varfërë, të paguanç pesë grosh për një dhi, nga e cila s’nxjer dot as gjymësën’ e këtyre pareve në mot! Kjo është pun’ e qeverindarit tyrk; pô qeveri s’ka; pa dalë mirë zaptijeja nga kolumb’ e pshatarit të cilit i mori djalin’ a gjënë, i hyn kusari ta vjedhë a armiku ta vrasë, edhe ay qeverindar, që qe i zoti ta rjepë, s’ësht’ i zoti ta ruanjë nga kusari a ta mburonjë nga armiku! I gjori Shqipëtar ësht’ i shtrënguarë të rrijë dit’ e natë me armë në dorë që të munjë të ruanjë gjën’ e shpirtin’ e ti; pô në i lënçin’ edhe armë, se shumë herë armëtë ja mer, e le duar-lidhurë përpara hajdutëvet e armikëvet, nga të cilëtë nuk’ ësht’ i zoti ta ruanjë. Pa le që shumë herë qeverindari bashkohetë me hajdutnë për të rjepurë Shqipëtar’ e nderçure.

A munt të quhetë qeveri një qeveri e këtillë? Nuk kurrë. Shqipëria gjendetë nënë një paqeveri të keqe. S’ka nonjë qeveri. Shqipëtarëtë hajen’ e vritenë në mest të tyre për ditë; gjaku i Shqipëtarit derdhetë kot e pa punë, ay gjak i vjejturë që do të mos derdhesh as një pikë përveç për ruajtjet e për shpëtimt të Shqipërisë!

Varfërija, paqeveririja, paditurija sjellinë grindenë, ndarjenë mos-dashurinë. Shqipëtarëtë, të varfërë, të paditurë, të ndarë, armikë njëri me jatrinë, po vritenë në mest të tyre, po derdhinë gjakn’ e tyre kot e sa venë po humbasinë! Kanë rënë më një gjumë të thellë e të rëndë. Fqinjët’ e tyre ditë me ditë po xgjuhenë, po ndritohenë, po shtohenë e po hedhinë gjurma të mbëdha brënda në Shqipëri, të cilënë janë gati ta copëtojnë fare!

Kështu është sot Shqipërija!

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB