Shqipëtarëtë gjithënjë për botën' e kurrë për vetëhe

Sindëkur thamë mê siprë, Shqipëtarëtë gjithëmonë janë vrar’ e përpjekurë e kanë çpërkaturë të tërë faqen’ e dheut me gjakt të tyre; pô nga gjaku i Shqipëtarëvet të tjerë kanë fituarë, Shqipëria s’ka parë nonjë të mirë. Shumë Shqipëtarë janë çquarë e kanë treguarë vetëhenë në dituri e në të tjera gjërëra; pô me këta të tjerë mburenë e jo Shqipëtarët’ e Shqipëria.

Me Pyrron’ e me Aleksandrinë mburenë Grekëritë e i quajnë Grekër. Maqedonasitë që, me trimërit të tyre muarrë gjithë botënë në pakë kohë, nuk’ i suallë nonjë të mirë Shqipërisë, pô Grekëritë, q’ishinë armikët’ e tyre, u ranë pas e i rrethuanë, edhe këta fituanë nga gjaku që derdhë ata. Se Maqedonasitë përndanë nëpër gjithë vëndet që muarrë gjuhën’ e qytetërin’ e Greket, e jo të tyrenë, q’ish shqipja. E shum’ e botësë edhe sot Maqedonasitë i zënë për Grekër. Vërtet, të mos ishinë Maqedonasitë gjuh’ e Greqet e qytetëri e tyre do të mos kish marrë dot kurrë këtë bujë që ka sot, edhe mbase do të kish humbur’ e t’ish haruarë fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të dituritë q’arrinë n’Egjyptë në kohët të Ptolemenjet e bënë gjuhën’ e qytetërin’ e Greqet të përndahetë e të dëgjohetë mi gjith’ anët të dheut. Ptolomenjtë q’ishinë fjeshtë Shqipëtarë nga Çamëria e gjithë Maqedonasitë lanë gjuhën’ e tyre shqipenë më nj’anë të haruarë e të paditurë, e vunë përpara greqishtenë, gjuhën’ e Dhimosthenit që ka folurë aqë kuntrë Maqedonaset.

Pas Grekëvet erdhë Romanëtë; edhe këta fituanë shumë nga Shqipëtarëtë: trimëri e Shqipëtarëvet e mendj’ e tyre shërbente mburjen’ e Romanëvet e jo të tyrenë. Shumë njerës trima e të diturë kan’ arriturë edhe në kohët të këtyre në mest të Shqipëtarëvet, pô bota i ka njohurë si Romanë e jo si Shqipëtarë.

Pas Romanëvet u erth radha Tyrqet. Shqipëtarëtë duke përzjerë me Tyrqitë kanë marrë anë në gjithë luftërat që bëninë e që fitoninë këta kuntrë gjithë botësë; edhe mê të madhenë trimëri e mê të miratë punëra i bëninë Shqipëtarëtë, pô emëninë e kishinë Tyrqitë, edhe gjithë bota i dinte Tyrq, e njeri s’i njihte si Shqipëtarë. Mê të mbëdhenjt’ e mê të mírët’ e Vezirëvet të Tyrqisë ishinë Shqipëtarë, si Sinan-Pasha që ka marrë Jemenë e ka shpënë Fjamurin’ e Tyrqisë gjer në detet t’Indisë, si Qyprilinjtë q’e kanë shpëtuarë mbretërin’ e tyrqisë nga një rezik të math e e forcuan’ aqë këtë mbretëri sa van’ e rrethuanë Vjenënë. Edhe shumë të tjerë njerës të mbëdhenj e burra trima kan’ ardhurë prej të cilëve Tyrqia ka fituarë shumë, pô Shqipëria as pakë.

Në kohërat të pastajme Shqipëtarëtë myslimanë kanë punuarë e janë vrarë për Tyrqitë, e Shqipëtarët’ e krishtenë për Grektë, për këta dy kombe, të cilëtë, as njëri as jatri, s’ua dinë të mirënë, e ja u çpërblejnë me të keqe duke përpjekurë për humbjen’ e kombit shqipëtar. Boçari, Xjavella, Miauli e të tjerë mê të shumët’ e trimavet që janë përpjekurë për ngjalljen’ e për dlirin’ e Greqisë kanë qënë fjeshtë Shqipëtarë e jo fare Grek; pô nga trimëri e tyre ka fituarë shumë Greqia e jo fare Shqipëria. Në syt të botësë lëftoninë Greqtë me Tyrqitë, pô në të vërtetë lëftoninë Shqipëtarët’ e krishtenë me Shqipëtarëtë myslimanë. Kur muntnin’ ata, fitonte Greqia; kur muntninë këta, fitonte Tyrqia; pô gjaku që derdhësh nga të dy anëtë ish gjak Shqipëtari. Shqipëtarëtë vritenë vëlla me vëlla, të tjerë fitojnë. Shqipëtari e ka derdhurë gjithënjë gjaknë pa kurcim, pô e ka derdhurë kot; kurrë Shqipëria s’ka fituarë nga gjaku i Shqipëtarëvet: gjithënjë të huaj edhe armikë të Shqipërisë kanë fituarë nga ay gjak i vjejturë e i derdhurë pa mendim!

Jo vetëm me kordhë e me gjak, pô edhe me pëndë e me mënt Shqipëtarëtë kanë shërbëtuarë gjithënjë të huajtë. Me të mos shkruarë gjuhën’ e tyre janë shtrënguar të shkruajnë greqisht, llatinisht, shqahisht, tyrqisht a arabisht; edhe me emënit të tyre mburenë të zott’ e këtyre gjuhëve, e Shqipëtarëtë pandehenë t’egër’ e të paditurë, gjith’ i qeshinë duke thënë se ja u ka ngrënë buallica livrën’ e tyre. Pô Aristoteli m’i madhi’ i filosofëvet të Greqis’ së vjetërë ishte maqedonas, do-me-thënë Shqipëtar e jo grek. Vërtet në Stagjyrë, tek ka lindurë, ishinë edhe ca Greq t’ardhurë, pô fytyr’ e Aristotelit që shohímë n’agalmet të ti edhe gjuha greqísht q’e ka shkruarë të përtuarë e jo aqë të drejtë si edhe miqësia që kish me Filipnë, anëmikn’ e Greqet, e të tjera shënja tregojnë që ky filosof i math nukë ish lindurë prej nonjëj nga Greqtë që kishin’ ardhurë në Stagjyrë, pô prej një stagjyraku vëndës, e ish maqedonas, do-me-thënë shqipëtar i fjeshtë.

Në kohët të Tyrqet kan’ ardhurë shumë Shqipëtarë të diturë që kanë shkruarë livra e vjersha tyrqisht a arabisht. Vetëm vjershëtarëtë shqipëtarë që kanë shkruarë vjersha tyrqísht janë aqë të shumë, sa emënat’ e tyre munt të mbushinë një livrë të tërë. Jahja-Beu, q’është një nga mê të mbëdhenjt’ e nga mê të dëgjuarët’ e vjershëtarëvet tyrq, është shqipëtar.

Shqipëtarët’ e kanë treguarë gjithë jetënë që janë të zottë edhe me kordhë edhe me pëndë, edhe me trimëri edhe me mënt e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njerës të çquar’ e me nam të math, pô nonjë nga ta s’ka punuarë për Shqipërit, e cila ka mbeturë gjithënjë e varfërë e e padëgjuarë, e me djemt’ e saj mburenë të tjerë vënde e të tjerë kombe.

Është ndodhurë një shqipëtar i zoti të ngjallnjë Egjyptënë, e të bënjë prej këti vëndi të humbur’ e të prishurë, si ish atëhere, një vënt të pasur’ e të ndrituarë, si është sot. Një Mehmet-Ali, shqipëtar i pamësuarë, u ndoth i zoti të shpëtonjë kështu një vënt të huaj e të largë; pô kurrë një shqipëtar s’është ndodhurë t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë.

P’andaj duke mbaruarë këtë fjalë, themi prapë me hidhërim zëmre që: Shqipëtarëtë kanë punuarë gjithëmonë për botënë, e jo kurrë për vetëhe. Vetëm një Skënder-be ka punuarë, në kohërat të shkuara, për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB