Edhè hâna do t’a dije,
Edhè dielli do t’ketë pá,
Se per çark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká!
Fusha t’gjâna e kodra t’blera,
Zijes s’mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’Parrîzit t’larmet shtroja.
Nen nji qiellë perherë t’kullueme,
N’rreze e n’dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’kjarta e t’cemta gurra,
Tuj rrëmye per mriza hale,
Gurrgullojn nper rrâjë e curra.
Mbî ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’cillvet, p’rherë besnike,
Jânë permendë nder fise t’tâna.
Atje léjn, po, Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’flakë t’nji diellit:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qiellit.
Oh! po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rîjtun gjakut kah çeliku
N’dorë t’ktij shndritë per vend të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kan mûjtë me pá
Se sá forca e frigueshme
N’turr t’Shqyptarit pît ká rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshem, si termeti,
Atje rrmen kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhen dete e male;
Mbretent fjalen s’mund t’i a shkelin,
Turrin ferri s’mund t’i a ndale.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’gjí,
Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanat ká besë e Fé,
Per Lirí, per fron të Mbretit
Me dhânë jeten ká bâ bé.
Sŷ per sŷ, po, kqyr anmikun;
Perse djelmt, qi ti ké ushqye,
S’i ká pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’i ká thye.
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perendija t’fali i Amshueshem,
Sá 'dhe deka âsht per tý e shieshme:
N’gjí t’and vorri âsht i lakmueshem.
Po, edhè hâna do t’a dije,
Edhè dielli do t’ketë pá,
Se per çark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá, moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Per jetë t’jetës të rrnoftë tý ndera.
Gjergj Fishta