Dy Fjalë, si Hyrje

Filip Kristoforidhi, i biri i Kostandin Kristoforidhit, i ka dhuruar në fotokopje, këtu e 5-6 vjet përpara, Bibliotekës sonë Kombëtare veprën që po përkthejmë të Bardhit. Në faqen e parë të saj dhuronjësi ka shënuar këto rrjeshta:

Për kujtim babajt tim, që më mësoi kangën e Skënderbeut, kur isha i vogël, po i fal Bibliotekës Kombëtare në Tiranë këtë libër të rrallë, (të) cilin (a) e nxora me fotografi nga «Bibl. Nationale de Paris». Shtypshkresa e vërtetë ka 38 fletë ose 76 faqe, po për me i dhanë kësaj kopje nji fytyrë të sakët e të kthjellët, unë e mora faqe për faqe.

Filip K. Kristoforidhi, i larguem prej atdheut që në kohë, kur Shqipnia ishte ndër thonjt të Turqisë.

Sandillon, Loiret (Francë) 25/6/1951.

Me qëllim i riprodhoj këto rrjeshta të dhuronjësit, së pari, sepse gjesti bujar i tij meriton të dihet nga ne të gjithë, dhe së dyti, sepse në to përmbahen disa nga karakteristikat më të rëndësishme të vetë veprës së Bardhit. Me të vërtetë, kjo vepër e Bardhit, e rrallë dhe e vyer për gjithë letërsinë tonë, e shkruar në gjuhën latine, është një «këngë» për Skënderbenë, por një këngë e thurur jo në vargje, po në prozë, me stilin dhe pendën e një apologjeti të flaktë, që e do thellësisht atdheun dhe kombin dhe që mbron me gjithë fuqitë e shpirtit dhe të mëndjes së tij të drejtat kombëtare. Pas «Fjalorit», «Apologjia» për Skënderbeun është vepra e dytë e rëndësishme e Bardhit, me karakter të theksuar patriotik. Bardhi mbron këtu një çështje kombëtare me rëndësi kapitale: Nacionalitetin e Skënderbeut, «Shqiptarësinë» e heroit tonë kombëtar, kundër Jan Tomkut, që e pretendon për të tinë.

Jan Tomku, sllav nga kombësia, është një bashkëkohës i Bardhit, që pretendon se zbret nga familja princore dhe mbretërore e Margnavëvet apo Margnaviçëvet, njeri, siç thotë vetë Bardhi, i shquar si askush tjetër në dituri. Ky, në një libërth prej 55 faqesh, ka marrë përsipër të provojë, dhe kujton se e ka provuar, që Skënderbeu nuk është bir i Gjon Kastriotit, por i një të quajturi Juanis Margnaviç, bir i mbretit të Sërbëvet Vukashin (1366-1371), i cili, nga ana e tij, është bir i princit Marko Margnava dhe babë i mbretthit legjendar Marko Kraljeviç etj. etj.

Ndërmarrja e tij «e kobëshme», që të flasim me gjuhën e Bardhit, ka, pra, për qëllim, as më shumë e as më pak, t’i rrëmbejë kombit tonë yllin më të ndritur të historisë së tij, mishëronjësin, simbolin më ideal të vetiavet mendore, shpirtërore dhe fizike të tij, — vetia këto që, në një nga momentet më të vështira të jetës së popullit tonë shpërthyen me gjithë fuqinë dhe dinamizmin e tyre të madhërishëm dhe habitën tërë botën, — dhe t’ja mveshë tjarës[1] së vet, gjoja, prej Margnaviçi.

Por Tomku e gjeti ustanë. Bardhi, i cili ishte në nisje e sipër nga Roma për të marrë në dorë skeptrin episkopal në atdheun e tij Zadrimë, ngrihet kundër këtij «gënjeshtari e përrallaxhiu» me tërë fuqinë e pendës së tij dhe e bën copë e thërrime. Siç duket nga vetë fjalët e tia, Bardhi e pat shoshitur mirë libërthin e Tomkut, të botuar tre vjet më parë, dhe prandaj ai është plotësisht i pregatitur për t’i dhënë kundërshtarit përgjigjen e merituar. Pregatitja me kohë, që pat bërë Bardhi për kët përgjigje, shpjegon edhe faktin se si mundi ai, brënda 15 ditëve para se të nisej për në Zadrimë, të hartojë këtë vepërzë, në të cilën, përveç të tjerave, citohet edhe një numër i madh burimesh.

Karakteristika e parë, që bie në sy në këtë vepër, është ndjenja e krenarisë kombëtare që ka Bardhi në shpirtin e tij, e ushqyer sidomos nga figura e heroit tonë kombëtar, e Skënderbeut. Kjo e mbush atë me një indinjacion të thellë kundër tentativës së kobëshme të Tomkut, të shfaqur në format më të ndryshme të ironisë dhe të apostrofimit, të ironisë së hollë, thumbuese, përbuzëse disa herë, por gjithmonë të pamëshirshme, dhe të apostrofimit të justifikuar e qortonjës. Bardhi rrëmbehet aqë fort në disa çaste nga kjo ndjenjë e krenarisë kombëtare, nga dashuria dhe adhurimi për heroin e tij, sa që i vjen mirë ta quajë, me gojën e mbretit Ferdinand, si

«të dërguar nga Zoti e thuaj të zbritur nga qielli, që bën kaq vepra të ndritura e gati të pavdekëshme për çështjen e Krishterimit»

e të nxjerrë fjalët më të rënda kundër sakrilegut Tomko. Por kush vallë, do të mund të bënte ndryshe në një rast analog? Dhe pikërisht kjo është karakteristika themelore e veprës së Bardhit, karakteri thellësisht patriotik i saj, që zbulon në sytë e mëndjes dhe të zemrës sonë dashurinë e fuqishme të tij për atdheun e vet.

Por fuqia e mëndjes dhe e pendës së Bardhit bëhet edhe më e madhe nga që ai është plotësisht i bindur për drejtësinë e çështjes që mbron. Ai thotë hapur se «këto ne i kemi lënë mënjanë gjer tani, me qëllim që këtë çështje ta shqyrtojmë me kujdesin dhe vëmëndjen më të madhe, pa u shpërndarë në shumë drejtime, duke patur, sigurisht, më tepër parasysh të vërtetën se sa atdheun». (shiko shënimin nr. 149). Kjo tregon se Bardhi nuk do t’i shërbejë atdheut në baza të rreme, t’i japë atij atë që s’i përket, por as që lejon t’i rrëmbejnë atë që i takon. Në këtë mënyrë ai e mbron edhe më me forcë atdheun e tij, sepse e drejta është e pamposhtur, ajo gjithmonë triumfon. Dhe figura e këtij shqiptari epishkop, që me shkopin epishkopal në dorë mbron të drejtat e kombit të vet me fuqinë e së vërtetës, merr një shkëlqim e peshë morale të pakrahasuëshme, dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aqë sa është e lartë dhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës. Prandaj Bardhi, për të cilin dashuria për atdheun, e ushqyer nga ndjenja e së vërtetës, përbën esencën, thelbin e shpirtit, e karakterit të tij, thotë:

Unë nuk do të kisha mundur kurrsesi ta shtyp dëshirën për të shkrojtur, veçse po të donja t’i tradhtoj me turp vehten time dhe atdheun tim.

Një nga idetë e tjera karakteristike, që peshon fort për të njohur personalitetin e Bardhit, është edhe besimi i madh që ai ka në popull. Ai e thotë fare qartë se:

Është aq e pabesueshme, sa edhe qesharake të pohosh se, sikurse gabojnë fare lehtë pak njerëz në çështje shumë të vjetra të lashtësisë, po ashtu gabon një popull i tërë i një krahine, që të mos them i një mbretërie shumë të gjërë.

Dhe duke vazhduar të theksojë edhe një herë, në formë konkluzioni e me ironinë e tij karakteristike, mungesën e bazavet në argumentimin e kundërshtarit të tij, shton:

Nga të gjitha këto që kemi thënë, del patjetër ky konkluzion: nëse s’gabon Tomku, kur thotë që Skënderbeu ka qënë sllav, atëherë gabojnë kaqë shkrimtarë, princër dhe mbretër, kur pohojnë se Skënderbeu ka qënë Epirotas apo Shqiptar. Por nëse gabojnë tërë këta shkrimtarë shumë të rëndësishëm e të dëgjuar, tërë këta princër të shkëlqyer dhe të shquar e gjithë këta mbretër të ndritur e të fuqishëm, që kemi përmendur, dhe mbi të gjitha, nëse gabon mendimi i përgjithshëm i kombit tonë, apo Tomku që punon për qëllimin e vet, këtë s’ka njeri që të mos e shohë.

Dhe Bardhi nuk lë pa përmëndur e theksuar në këtë drejtim edhe «dashurinë e ushtarëvet dhe të fshatarëvet» për Skënderbeun, «që e donin sa s’ka ku të vejë më», as edhe adhurimin e popullit për kryetrimin e vet, që i ka ngjitur emrin dhe e thërret kudo Kuçedra e Arbënit dhe të cilit vajzat shqiptare i këndojnë trimëritë, si të vjetrit nëpër gostitë heronjvet të tyre mitike, etj. Të gjitha këto tregojnë besimin e math në popull dhe janë një anë tjetër plot kuptim e dashurisë së Bardhit për popullin dhe atdheun e tij. Sepse populli, më mirë se kushdo tjetër, ruan në shpirt dhe në mëndje dhe shpreh me gojën e këngën e tij dashurinë, admirimin dhe kujtimin adhuronjës të heroit, që e ka lindur nga trupi dhe gjaku i vet, që e ka pjellën më të denjë, më përfaqësuese të burrërisë dhe të virtutevet të tjera të shquara të tij dhe që sakrilegu Tomko guxon t’ja prekë!

Jo më pak kuptimplote në këtë drejtim është edhe ideja e përbashkët e shkrimtarëvet tanë të parë, që u bë objektivi dhe arma kryesore e rilindasvet në luftën e tyre për të mbrojtur interesat kombëtare, se gjuha është shënja, karakteristika dallonjëse e një kombi. Dhe këtë argument Bardhi e përdor kundër kundërshtarit të tij në mënyrë shumë të qëlluar. «Pastaj», thotë, «në rast se kombet dallohen nga gjuha, siç e pretendon këtë edhe vetë Tomku në një letër që ja drejton lexonjësit në krye të një vepre të tij, atëherë unë nuk e di, sigurisht, se me ç’sy e faqe e shkëput ai Shkodrën nga Shqipëria».

Por në këtë vepër zbulohen edhe anë të tjera gjithashtu të rëndësishme për tërësimin e personalitetit të Bardhit. Bardhi, siç u tha, e shkruan veprën brënda 15 ditëve dhe me kondita jo të favorëshme, që i nevojiten përqëndrimit në një punë mendore, në kohën d.m.th., kur ishte i zënë me telashet e nisjes për në atdhe, si epishkop i ardhëshëm i Zadrimës. Me gjithë këtë ai ia arrin plotësisht qëllimit për hir të pregatitjes që ka, duke ja rrëzuar poshtë pretendimet kundërshtarit me argumente të shumta dhe të gjithanëshme. Bardhi mbështetet e citon këtu një mori shkrimtarësh të ndryshëm, bizantinë, italianë, sllavë, gjermanë, etj. historianë ose më mirë kronikanë, gjeografë, akoma edhe poetë, që kanë kënduar trimëritë e Skënderbeut tonë. Ai përdor e citon shpesh si burime të rëndësishme Analet e Venetisë, të Raguzës dhe Analet turke, të cilat ai i konsideron, dhe, siç dihet, janë materiale me vlerë të madhe për shqyrtimin dhe kthjellimin e çështjevet të historisë sonë kombëtare të kohës së mesme. Përveç këtyre, Bardhi nuk lë pa e goditur kundërshtarin me argumenta gjuhësore, duke shpjeguar drejt emra sllavë etj. Të gjitha këto tregojnë një anë tjetër të personalitetit të Bardhit, për të cilën ne nuk mund të mos e mburim, tregojnë erudicionin e tij, dijenitë e tij të thella e të gjera që zotëron, por edhe aftësinë që ka për t’i përdorur me lehtësi e mjeshtëri të rrallë kundër armikut të pendës dhe të kombit të tij. Gjuha e veprës, latinishtja, është e pastër dhe e rrjedhëshme, e lidhur me rreptësinë klasike, stili i mprehtë dhe thumbonjës e i pamëshirshëm, siç është vetë zemra dhe mëndja e Bardhit në mprojtjen e heroit të tij kombëtar, që aqë shumë e do dhe e adhuron.

Në këtë mënyrë Bardhi ka realizuar më së miri në veprën e tij atë që thotë në fillim të saj, se «dy gjëra, d.m.th. e vërteta dhe metoda, rekomandohen veçanërisht në histori si dy parimet themelore të saj, (megjithëse ne shkruajmë këtu më tepër apologji se sa histori … etj)». Sa për të vërtetën, Bardhi s’ka lënë vënd pa e kërkuar, siç e pamë dhe pa e respektuar me rreptësinë më të madhe. Kjo i jep të drejtën veprës që të quhet gjer diku historike. Bardhi prek këtu disa nga çështjet kryesore, që s’mund të mungojnë në një histori të vërtetë të Skënderbeut, siç është, p.sh., çështja e origjinës dhe e vetë emrit të familjes së Kastriotëve, (Bardhi shpreh këtu mendimin se Kastriotët rrjedhin nga Kastrati, katund në rrethin e Shkodrës), kthimi i Skënderbeut në Shqipëri, aleanca e tij me Huniadin, fushata në Itali etj., dhe mbi të gjitha burimet historike, gjeografike etj. pa të cilat s’mund të bëhet një vepër historike e vërtetë. Këto dhe fakte të tjera si këto, pa dashur, na e shpien mëndjen te F. Noli, që i pari pas Bardhit, 285 vjet më vonë, u muarr me historinë e Skënderbeut, pa i shpëtuar edhe ky, në disa raste, tendencës emotive në paraqitjen e figurës së kryetrimit tonë, jashtë «gjakftohtësisë së rreptë historike, shkencore». Por siç thotë vetë F. Noli, «fajin e ka vetë Skënderbeu, i cili ua rrëmben mëndjen edhe historianëvet me gjakftohtë». Në këtë mënyrë Bardhi mund të konsiderohet gjer diku një paraardhës i F. Nolit. Por vepra e Bardhit s’ka për qëllim të shkruajë historinë e Skënderbeut, po të mbrojë shqiptarësinë e tij; prandaj ajo është një «Apologji» e mbështetur në të dhëna historike. Nga kjo anë metoda e Bardhit del plotësisht e goditur. Ai e ndjek këmba këmbës kundërshtarin e tij pretencios, gjersa më në fund e shpie dhe e fut në «birucat e Boshnjakëvet», ku e mbyll si ndonjë mi të lagur! Dhe ky është fundi, kulmi i ironizimit të pamëshirshëm dhe i suksesit triumfonjës mbi kundërshtarin sakrileg. Bardhi është i pari apologjet, i pa shoq, i Skënderbeut.

Në këtë mënyrë, pra, dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe për traditat e tij të bukura, janë nga idetë më kryesore, që spikasin me forcë në këtë vepër dhe që, mjaftojnë për të formuar, në esencën e saj themelore, figurën e personalitetit të Bardhit. Krahas këtyre, mendjemprehtësia, erudicioni, horizonti i gjërë i diturivet, aftësia për t’i përdorur me mjeshtëri, me një gjuhë të rrjedhëshme dhe rreptësisht të lidhur e me një stil thumbonjës e tërheqës, që të bën të ndjesh, të adhurosh, të enthusiazmohesh për Skënderbeun, për popullin dhe atdheun, por edhe të qeshësh e të tallesh me një kundërshtar pa këllqe, por pretencios e mëndjefryrë, me një fjalë, të jetosh e të kuptosh në thellësi e gjërësi mëndjen dhe shpirtin e Bardhit tonë, janë gjithashtu karakteristika të kësaj vepre dhe të vetë autorit.

Për ta kuptuar më me lehtësi veprën, duhet patur parasysh se ajo ndahet në dy pjesë: në pjesën e parë shqyrtohet çështja e lashtësisë së familjes princore të Margnaviçëvet. «Kjo punë», thotë Bardhi, «shumë pak ka të bëjë me Epirotët apo Shqiptarët e mi», prandaj s’e quan të nevojshme për problemin që shqyrton. Në pjesën e dytë shqyrton kryesisht origjinën e familjes së Kastriotëvet dhe të vetë Skënderbeut.

Me të vërtetë, për të provuar shqiptarësinë e Skënderbeut, nuk është e domosdoshme që të merresh me lashtësinë e familjes së Margnaviçëvet. Bardhi e bën këtë duke plotësuar sidomos kërkesën dhe dëshirën e miqvet të tij. Por duke bërë këtë, ai e nxjerr nga ana tjetër qesharak Tomkun dhe pretendimet e tij. Kështu të dy pjesët e veprës nuk duhen shikuar si të shkëputura, sepse ato janë të lidhura në një unitet të plotë me qëllimin që arrijnë, d.m.th. me faktin se e dërrmojnë kundërshtarin mëndjefryrë, duke lënë kështu të pacënuar shqiptarësinë e Skënderbeut.

Në përkthimin e veprës jemi drejtuar nga mendimi që të respektohet auktori sa të jetë e mundur më tepër. Prandaj jemi përpjekur që të ruajmë sa më tepër të paprekura konstruktin, stilin dhe figurat, që përdor auktori, duke ndryshuar gjer diku pikësimin. Kjo mënyrë veprimi ka të metat e saj, por edhe të mirat e saj, po të nisesh nga nevoja që në përkthim duhet të duket, të dalë e të njihet vetë auktori dhe jo përkthenjësi. Ndoshta, në një botim të dytë, mund të bëhet një përkthim më i lirë dhe më tërheqës për lexonjësit.

Gjithashtu, për të ruajtur karakterin historik të veprës dhe për ta bërë lexonjësin që ta ndjejë më fort se ka përpara Bardhin e shekullit të XVII, (a) janë ruajtur të paprekura, me disa përjashtime, termat e kohës lidhur me emrat e qytetevet, të kombësisë etj., megjithëse kjo ja zvogëlon veprës fuqinë tërheqëse dhe e ngadalëson lëximin.

Më në fund, vepra shoqërohet me shënime, të ndara në dy pjesë. Në pjesën e parë hyjnë sidomos shënimet, që kanë të bëjnë me ngjarje historike, me persona etj., që përmenden në vepër. Këto janë, në disa raste, të zgjeruara, duke menduar se mund t’u shërbejnë në radhë të parë studentëvet, që studjojnë me hollësi letërsinë shqipe, por edhe kuptimit më të plotë të veprës nga çdo lexonjës. Në pjesën e dytë hyjnë shënimet, që lehtësojnë, në ndonjë rast, aty për aty kuptimin e pjesës që lëxohet; prandaj këto shënohen nën tekstin, në fund të çdo faqje. Me shënjën e pikëpyetjes (?) shënohen rastet, kur s’ka qënë e mundur të jepen sqarime.

Vepra nuk është e vështirë për t’u kuptuar, për lexonjësin me kulturë të mjaftë historike. Por ajo bëhet e vështirë vetëm për faktin se në të preken çështje e ngjarje historike, sidomos të shekujvet XII-XV, për gjithë popujt, që loznin atëherë rolin e tyre në skenën e historisë së Europës, periudhë historike kjo tepër e koklavitur. Prandaj leximi kërkon pak durim.

Duke lexuar këtë vepër të Bardhit, me gjithë të metat që mund të ketë, natyrisht, përkthimi, rinia dhe populli ynë do ta njohë edhe më mirë këtë patriot të flaktë, që me aq guxim e dashuri mbron interesat e kombit të tij nga lakmitë e huaja.

Tiranë, Tetor 1956
Prof. S. Prifti

Redaktor N. JORGAQI
Redaktor teknik J. GJINO
Korektor letrar H. KOKALARI
Kopertina nga H. AGOLLI


  1. Tjara — fjalë persiane = këtu mitër episkopale. ↩︎

Pjesa e radhës
Dukes dhe Princit të ndritur, Francisk Ericit

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB