Libri i dhetët - Kanuni kundra mbrapshtivet

KRYE I NJIZETËT.
HJEKSIJA.

§.766. Hjekës thirret aj, i cilli me ndermjetsí të mbrapshtë e per nen dhé i ep ndimë tjetrit per me bâ ndo’i rrênim a ndo’i faqe të zezë tjeter në katund të vet.

§.767. Hjeksi i shokve:

a) per të hikun të grave bjen në gjak e 500 grosh do t’i apë katundit per giobë;

b) per vrasë bjen në gjak e 500 grosh giobë katundit;

c) per cubní e per çdo send, qi të vidhet në katund me bukë, me prîje e me msim të hjeksit, 'si të hetohet, do të lajë gjân mbas kanunit.

KRYE I NJIZETEPARË.
VJEDHNIJA.

NYE I NJIQINDEDYMBDHETËT.
Percaktimi i vjedhnis.

§.768. Në vjedhní pershîhen:

a) Cubi; e âsht aj, i cilli vjedhë me dorë të vet nji kafshë të huejen.

b) Simahorët, qi jânë ata, të cillt i bâhen ndimë e krah cubit në nji vjedhní a në çdo mbrapshtí; e diten e mbrame, po u hetue vjedhnija, do të lajn gjân e huej si mbas kanunit e mbas pjesës, qi kan mârrë.

c) Buka âsht njaj plang, kû cubat me gjâ të vjedhun hán bukë, ase marrin me vedi bukë, edhè perciellen me gjâ të vjedhun. — «Cubi e bukdhânsi jânë nji».[1]

d) Kjori; e âsht aj, i cilli e strofullon gjân e vjedhun. — «Paras cubi, paras kjori».

e) Edhè në mos mârrët pjesë në vjedhní kjori, aj bâhet fajtuer si vetë cubi, pse bâhet strofull cubash e vjedhnísh.[2]

f) Gjurma âsht ferkemi, qi bân gjâja, permbas së cillës udhton i zoti i gjâs së vjedhun, tuj e çue gjurmen: a mbrenda kufînit të njij katundi a të njij lagjje, a mbrenda rrethit të njij shpije, t’njij oborri a të njij vathi. — «Gjurma e vûme, gjâja e gjetun».

g) Fmí, brraca e biramela.

h) Grabitçori; e âsht aj, i cilli ballas e me perdhûni i a mêrr kuej nji gjâ per ndo’i detyrë.

§.769. Po i u duer gjurma në mal të zot’t të gjâs së vjedhun, nuk mund të kapë as katundin e aferm, as flamurin; porsè, n’i kjafët zêmra mb’at katund, t’a mundojë qi t’i lahet me bé.

§.770. Gjurma e prûme mbrenda katundit; po s’mund e hetoi cubin, i zoti i gjâs e lypë mbë katund, e katundi do t’i pergjegjet.

§.771. Gjurma e prûme mbrenda njij lagjje të katundit, po s’u hetue cubi, ajo lagje do t’i a lajë gjân të zot’t.

§.772. Gjurma e prûme mbrenda rrethit të shpís, t’oborrit, a të vathit, ajo shpí do t’i a lajë gjân të zot’t.

§.773. Gjurma e prûme mbrenda rrethit të shpís, t’oborrit, a të vathit, ajo shpí do t’i a lajë gjân të zot’t.

§.774. Çdo dâm, vjedhní e bracní të bâme prej fmísh, bracash e biramelash, po u hetuen, shpija, së cillës i perkasin, do t’a lajn.

§.775. Parimi i kanunit âsht: «Shka të bâjn të mêtujt (mêcat), burrnimi i shpís do t’a lajn».

§.776. Fmít, bracat e biramelat, edhè ne u gjêshin me bracní në dorë, dora e huej nuk mund t’i perkasë (nuk mund t’i rrafë), por do të bâhen me dije prindja, e këta do të pergjegjen per 'ta.

NYE I NJIQINDETREMBDHETËT.
Grabija.

§.777. «Udha e Zotit s’lán gjâ».

§.778. Kanûja s’bán qi të trazohet kush në shteg të vet. Udha e madhe s’i a ká ndo’i detyrë kuej.

§.779. Po i pat kush ndo’i detyrë kuej e nuk i ep arsye, vajin do t’a bâjë në katund uhasi, e ky do të biejë në mend detyrsin.

§.780. Po u çue kush edhè thei udhen e madhe, tui i a ndalë shtegtarit a kalin, a mushkun, magjarin a ndo’i kâmbë berri, — po s’u vrán aty-per-aty — grabitçari bjen në giobë të katundit mbas randsís së fajit e gjân e grabitun do t’i a kthejë të zot’t.

§.781. Po u çue kush, e vetem prej hamendjet, edhè i grabiti kuej a kál, a mushk, a magjár, e së mbrami i del i pá-detyrë i grabituni, grabitçari bjen në giobë të katundit per të thyem t’udhës së madhe e të zot’t do t’i a kthejë gjân e çmimin e ditve të hupuna.

NYE I NJIQINDEKATERMBDHETËT.
Preja (Pretimi).

§.782. «Preja mirret me pré».

§.783. Me rá pré, me pretue, me mârrë pré don me thânë me mârrë a me pershî nji tufë gjâje në mal, në vrrî a edhè në vath.

§.784. Preja të shumen e herës shkaktohet kúr mos të gjegjet me i ardhë n’arsye lagja lagjes.

§.785. Preja nuk shndrrohet ndryshej, por a me pré tjeter, a me pushkë.

§.786. Preja ndollë a katund me katund, a flamur me flamur, a edhè nder shpija të veçanta.

§.787. Preja shkaktohet a per kufîje mali a bjeshke, a per kullosë, a per ndonji dhûnë tjeter, me të cillen fyhet nji katund, nji flamur, a edhè nji shpí e veçantë.

§.788. Preja, qi bâhet në mal, ká gjân të zot’t, pá tjeter.

§.789. Preja, qi bâhet në vath, ká gjân të zot’t e 500 grosh giobë per nderë të vathit.

§.790. Preja e pá-rrugë ká gjân të zot’t e 500 grosh giobë. Permbas ndermjetsís së dashamirvet e të burravet të dheut gioba falet.

§.791. Po u pretue nji tufë e huej në rrugë, në mal e në bjeshkë per kufî, atbotë si katundi si flamuri i perkrahen pretarit.

§.792. Prés së pá-rrugë, bâni e i u perkrah katundi e flamuri, ndermjetsija u mârrin pêgje e do të peshohen prej Pleqsh si mbas kanunit.

§.793. Si mbas randsís së fajit do t’i lahet gioba e gjâja të zot’t.

§.794. Po i u perkrah pretarit katundi e flamuri, i pretuemi ká tager me i rá pré kuej të mundet n’at katund a flamur, per me mkâmbë nderen e vet e me shperblye gjân e vet.

§.795. I pretuemi nuk mund t’a pretojë as katundin as flamurin, 'si t’a leçisë pretarin e t’a lâjë shpí me shpí. — Kanuni thotë: «A gjân të zot’t, a rrugen të lirë».

§.796. Gjâja e pretueme në mal a në bjeshkë nuk ká dý-per-njahen, por gjân të zot’t.

§.797. «Kumbona e tufës nuk mund të mirret pré».

§.798. Po u muer pré kumbona e ogiçit në mal a në vath, kjo ká nderen sá tufa marë e sá vathi; pretari do të lajë 500 grosh giobë per nderë, edhepsè nuk muer kurrnji kambë berri.

§.799. Ogiçi, hanori e vergani e qêni i hekuravet, nuk mund të mirren pré as per detyrë.

§.800. «Preja per detyrë nuk mirret». Po ndolli kjo pûnë, katundi e flamuri e leçisin pretarin, po s’u gjegj me kthye gjânë.

§.801. Po e prishi gjânë e pretueme pretari, diten e lahes do t’i a kthejë të zot’t krye per krye edhè tuj e zgiedhë në tufë të tij.

NYE I NJIQINDEPÊSËMBDHETËT.
Faji i kobshem.

§.802. Kush vjedhë shpín e strajcen e mikut, kanûja i ká caktue per giobë «faqen e zezë» e âsht i hjedhun prej kuvendit e gjyqit.

§.803. Po e vodh mikun e njij shpís dora e tjeterkuej — i shpís tjeter — i lypet miku i prém e shpija e thyeme.

NYE I NJIQINDEGJASHTËMBDHETËT.
Dypernjahja.

§.804. Nder të gjitha vendet, kû mbahet kanûja, çdo gjâ e vjedhun ká dypernjahen: «Dý per nji, mjaft qi të hecin me kâmbë».[3]

§.805. Dypernjahja do t’epet jo veç per bagtí të trasha, por edhè per bagtí t’ima, e per send të vjedhun.

§.806. Dypernjahja do të shperblehet edhè per nji të djegun të dhûnshem të shpís, të ksollës, të tbanit, të mullarit të sânës a të kashtës, të gjethit edhè të gardhit.

§.807. Kopshti, vêshta e ara e vjedhun kan dypernjahen.

§.808. Gjeli (knduesi-kadoci) i vjedhun a i vrám, ká gjygjin e prém: 500 grosh të zot’t, per arsye qi: «Knduesi âsht herori (sahati) i të vorfnit».

§.809. Thiu i mbajtun, i vjedhun a i vrám (posë se n’u gjet në dâm) ká 500 grosh, per arsye qi: «Thiu i ushqyem âsht mbaja e njij shpís».

§.810. Dý kafshët e permenduna nuk e kan dypernjahen e as gjelin gjel, as thín thí, por 500 grosh pare të thata.

§.811. Per vegla bulkijet, bj. fj. per um të vjedhun e të hetuem cubi do t’i lajë të zot’t aq pûntorë sá ditë i shkuen hupës, e umìni umî.[4]

NYE I NJIQINDESHTATËMBDHETËT.
Tagri i të zot’t të gjâsë së vjedhun.

§.812. «Kû t’a gjêjë gjân e vet i zoti, e mêrr.»

§.813. Mbas këtij parimi i zoti i gjâs së vjedhun nuk âsht në detyrë të rrafgohet, sepsè, kûdo qi t’a hetojë e t’a gjêjë gjân e vet, aj ká tager me e mârrë.

§.814. Po u vodh gjâja nper mjet të bukës, buka do t’a lajë.

§.815. Po u vodh gjâja nper mjet të kjorit, kjori do të lajë.

§.816. Po u ndoq per gjurmë, aty kû të jesë gjurma, i zoti i gjâs ngulë e do t’i epet arsyeja më kâmbë e më dorë.

§.817. Po bleu kush nji gjâ të vjedhun, edhè pá diejtë se âsht e vjedhun, i zoti i gjâs ká tager me e mârrë e shitsi (cubi) do t’i a ktheje blesit deri në të mbramin dýsh të çmimit, qi muer per at gjâ të shitun, e të zot’t të gjâs dypernjahen.

§.818. Posë se per vjedhní të bâme në Kishë e në Qelë, cubi nuk ká giobë as faqe katundit as faqe flamurit.

§.819. Po u vodh gjâja në vath, cubi do të lajë dypernjahen e 500 grosh giobë per vath të thyem.

§.820. Po u vodh gjâja në mal, cubi do të lajë dypernjahen.

§.821. Po u vodh gjâja në shpí, cubi do të lajë dypernjahen e 500 grosh per shpí të thyeme.

KRYE I NJIZETEDYTË.
VRASA.

NYE I NJIQINDETETËMBDHETËT.
Prita.

§.822. Prita âsht nji sjellje, me të cillen malet e fushat e Shqypnís u vêjn pusijt gjaksorvet a kuejdo, qi të két menden me vrá. (Me dalë në pritë; me ndêjë në pritë, me vû priten, me rá në pritë.)

§.823. «Së keqes i pergjegjet aj, qi prîn ase rrethas».

§.824. Mbrenda flamurit të vet nuk mund të mârrë kush shokë, per me i dalë kuej në pritë; e, po duel kush, edhè vrán kend të flamurit, të gjith biejn në gjak.

§.825. Jashta flamurit të vet, po duel kush në pritë per me vrá kend të flamurit të huej, prîsi bjen në gjak e jo simahorët. «Aj, qi prìn, e mêrr gjakun mbí vedi».

§.826. «Kush e ep fishekun, gjakun e bân të ve’n».

§.827. U çue kush edhè mblodh shokë e dashamirë edhè i duel në pritë kuej, tuj u thânë: të gjithsá pushkë, qi të shprazen, jânë të mijat, po u vrá kush, gjakun e mêrr mbí vedi prîsi.

§.828. «Pushka e çon gjakun te shpija». — «Pushka të lshon në gjak».

§.829. Po e uhajti kush pushken e kuej e pá dieje të zot’t të pushkës shkoi ky e i duel në pritë kuej edhè vrau nierin, tëhjeksi bjen në gjak e jo i zoti i pushkës.

§.830. Po i muer kush pushken e kuej, tuj i kallxue të zot’t, se ká nder mend me dalë në pritë e me vrá nierin, edhè e vrau, i zoti i pushkës bjen në gjak, sepsè «Pushka e çon gjakun te shpija».

§.831. «Simahori i pá-gjak bjen në gjak».

§.832. Po duel nji edhè mblodh shokë e dashamirë e i duel në pritë kuej, pá i pasë ky as gjak as varrë, edhè e vrau, prîsi me gjith simahorë biejn në gjak.

§.833. Po duel kush në pritë per me vrá gjaksin e vet, me gjithsá shokë e dashamirë të jét, e mêrr gjakun e vet e nuk biejn në gjak.

§.834. Po duel në pritë nji tubë burrash, krisi pushka prej ânet të pritëtarvet, porsè nuk vrán kend; e n’at hov krisi pushka edhè prej ânet t’atyne, qi rán në pritë, n’at të perziem vritet nji prej atyne, qi rán në pritë, por nuk u vrá prej pushket të pritëtarvet, këta biejn në gjak mbas kununit, sepsè e filluen pushken.

§.835. Prita do të fillojë pushken mbë burra e jo mbë grá, fmí, mbë shpí e mbë bagtí.

§.836. Po qiti pushkë prita mbë grá, fmí, shpí a mbë bagtí, pûnon kundra kanunit e, po nuk e muer në kujdes ket dhûnë Flamuri i pritëtarvet, qi t’i ndeshkojë mbas kanunit, atbotë do të hîjë pushka shpí me shpí, mandej fis me fis, katund me katund e së mbramit flamur me flamur.

§.837. Aj, qi dán me dalë në pritë, do të mârrë bukë me vedi si edhè per simahorë.

§.838. Po hinë kund, pá xânë vend prite e pín kafe, a hangern bukë, a mueren me vedi buken në ndonji shpí të huej, shkuen në pritë edhè vrán nierin, shpija e të vramit e kerkon per gjak shpín, qi u dha bukë.

§.839. «Pushka e buka e dhânun me dieje të vrasës, i sjellin gjakun atij, qi e ep».

§.840. Po u çue kush me i dalë në pritë shoqit të vet e per simahorë mbledhë shoqnín, po vrán kend, si prîsi si shokët simahorë biejn në gjak me at shpí, po kje se duelen faqe.

§.841. Po u çue kush prej Mirdite me i a vû priten ndokuej në Thkellë a në Malsí të Lezhes a njeti e per simahorë mêrr shokë e dikend prej flamurve të permendun, aj, qi u prîni, bjen në gjak.

§.842. Po i tha kush kuej qi t’i dalë në pritë ndokuej e t’a vrasë, tuj i folun besen, se në ditë të pajtimit t’atij gjaku do të láj çmimin e gjakut, e aj permbas besës së dhânun, shkoi edhè vrau shi atê, qi i tha aj, e së mbramit e lên në qúll e nuk i u pergjegj me të holla, dorërasi jet në gjak, e atij, qi e shtîni, i digjet shpija per presë, qi i bâni e 100 desh e nji ká giobë.

NYE I NJIQINDENANDËMBDHETËT.
Dorërasi.

§.843. Dorërás thirret aj, i cilli vret kend me dorë të vet.

§.844. Dorërasi, porsá t’a vrasë nierin, do të çojë fjalë se e vrau aj e mos të hutojn mendsh prindja e të vramit.

§.845. Dorërasi do të çojë me lypë besë.

§.846. Dorërasi, po muejt vetë me e sjellë marë të vramin, mirë; perndryshej mbë kêdo, qi të ndeshet, do t’i thotë qi të shkojë me e sjellë marë e armen me i a pshtetë te kryet.

§.847. Dorërasi nuk guxon me mârrë armen e të vramit; po bâni ket faqe të zezë, aj bjen në dý gjaqe.

§.848. Dorërasi i prindës së vet grîhet prej fisit a katundisht.

§.849. Dorërasi e ká të luejtmen nâten e aty, kû t’a çilë drita, do të struket.

NYE I NJIQINDENJIZETËT.
Simahori.

§.850. Simahuer âsht aj, i cilli i ep dorë dorërasit, tuj i ndimue a në vrasë a në vjedhní a në të kryem të çdo mbrapshtije tjeter.

NYE I NJIQINDENJIZETEPARË.
Bestari.

§.851. Bestarë jânë ata, qi hîjn te prindja e kushrinija e të vramit, per me xjerrë besë per dorërasin e per shpí të tij; jânë mprojtarët e dorërasit e të shpís së tij, qi mos t’i gjêjë gjâ në vade të besës.

§.852. «Dorzânë e bestár nuk hîn kush me pare».

§.853. Tuj kênë nji nevojë uhazishte, kanuja nuk don qi të mârrin opanga ata, qi hîjn dorzânë e as ata, qi xjerrin besë per ndokend.

NYE I NJIQINDENJIZETEDYTË.
Besa.

§.854. Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj mos i ndjekë per gjak perkohsisht e mje në vade të caktueme.

§.855. Me çue gjind per besë âsht kanû; me dhânë besë âsht detyrë e burrní.

§.856. Shpija e të vramit, po i dha besë dorërasit, ky edhepsè e vrau, do të shkojë në mort e në gjâmë me percjellë të vramin deri në vorrim e me ndêjë per drekë. — Kjo besë ngiatë 24 orë.

§.857. Po s’shkoi dorërasi në gjamë e në drekë permbas besës së dhânun, nuk i xêhet per shburrnim shpís së të vramit, edhè në mos i dhashtë besë, tuj kênë se dorërasi i a shtoi dhûnen mbí dhûnë.

§.858. Permbasi të hîjë i vrami në dhé, katundi ká tager, mbas kanunit, me i a xjerrë besen dorërasit e shpijarve të tij.

§.859. Besa e katundit âsht tridhetë ditshe.

§.860. Po ngurroi shpija e të vramit e s’u gjegj me i dhânë besë katundit, dorërasi me gjith shpijarë e kushriní të damë zjarmit do të rrîjë mshilë.

§.861. Kurrkush tjeter nuk mund të hîjë me i a xjerrë besen dorërasit e shpija e të vramit nuk mund t’i apë kuej besë, per pá ndreqë katundin e vet.

§.862. Si t’a ndreqë katundin e vet shpija e të vramit, atbotë u çilet udha miqvet e dashamirvet per me lypë besë per dorërasin.

§.863. Po e çili besen e fisit shpija e të vramit, gjith sá fiseve të jenë në katund të tij do t’u apë besë as mâ pak as mâ teper.

§.864. Po u çue nji mik edhè i shkoi shpís së të vramit per besë e kjo e percjellë me «Mos m’eja mâ» e nuk i dha besë, s’ká pse i shkon mâ.

§.865. Po u çue nji mik tjeter edhè i shkon per besë shpís së të vramit, e kjo e percjellë me «Per tash s’t’ap besë, 'se nuk e shof giasen»; mâ të paren besë, qi danë me dhânë, këtij do t’i a apë, tuj lânë m’ânesh miq e dashamirë zêmret.

§.866. Po pat besë shpija e dorërasit, të rrîjn me mend e me nierzí në pûnë të vet, të ruhen si burrnimi si edhè granija e mos t’i shkaktojn dâme as trazime, per në kjoshin ngiatas me shpí të të vramit e mos të shesin krení.

§.867. Po u prû keqas shpija e dorërasit ndaj shpín e të vramit, katundi bashkë me dorzânë t’a qortojë e, n’e lypët nevoja, të ndeshkohet me giobë e t’u kputet besa.

§.868. Kanû burrnijet por edhè detyret âsht të mos perbuzet kush në shpín e të vramit, edhepsè e mjerë e e thame krahësh.

§.869. Mos të trimnohet kush me i prî gjaksit e me luejtë me 'tê neper katund të shpís të të vramit; kanûja thotë: «Gjaksin rueje e mos e perciell faqe shoqit të shpís së të vramit». «Gjaksi e ká të luejtmen nâten, e aty, kû t’a çilë drita, të struket». — «Si të biej në gjak nieri, të hikmen e të mshefmen i ká per detyrë».

§.870. «I dami zjarmit jashta 24 orvet nuk i ruhet mâ gjaksit».

§.871. Kushrinija e dame me zjarm prej dorërasit mbrenda 24 orve të vrasës do të ruhen, sepsè, po i vrau shpija e të vramit, e mêrr gjakun e vet.

§.872. Po pshtuen pá u vrá mbas 24 orësh, do të dorzaniten me shpí të të vramit e do të jenë të lirë në pûnë të vet.

§.873. Po vrán kend prej kushrinís së dame shpija e të vramit mbasi të kalojn 24 orët, ajo nuk mêrr gjak, por bjen në gjak.

NYE I NJIQINDENJIZETETRETË.
Besa e gjâsë e e çobanit.

§.874. Besa e gjâs e e çobanit âsht ajo, qi dý a mâ flamure vêjn nder vedi me pelqim të njani tjetrit.

§.875. Tuj vû ket besë, flamurtarët me Krenë e djelmní, i caktojn udhen udhtarit, lajmtarit, si edhè bariut me gjâ.

§.876. Udhtari e lajmtari i njij flamuri, qi ká pûnë në flamur të huej, nuk mundet me i kalue caqet të kufizueme prej dy flamurve në të lidhun të besës së gjâs e të çobanit.

§.877. Udhtari e lajmtari, posë se nuk mund të shmangin udhen, ata as mund të hîjn në shpí tjeter, 'si të vêjn kamben në flamur të huej, por do të shkojn fíll e te shpija e Flamurtarit të vendit.

§.878. Po pat per të krye pûnen e vet udhtari, a pûnen e flamurit lajmtari, ata nuk mund të dalin neper flamur të huej vetem, por do të jenë të percjellun a prej Flamurtarit të vendit a prej ndonjij nierit, qi t’u apë vetë Flamurtari.

§.879. Si tuj shkue, si tuj dredhue urdhtari e lajmtari do t’udhtojn per udhë të madhe e pá shkapercye caqet e dame prej flamurve me besë të gjâs e të çobanit.

§.880. Po e gjet gjâ udhtarin, lajmtarin a barín, pá dalë prej flamurit të huej, a tuj kullotë gjân nder copë të dame, ata priten në besë të gjâsë e të çobanit.

§.881. Presa në besë të gjâsë e të çobanit ká këto ndeshkime e giobë:

a) dorërasi do t’i lajë shpís së të vramit 22 qese per gjak;

b) flamuri i dorërasit i djegë trí kulla dorërasit; po s’pat trí kulla të veta dorërasi, do të digjen: kulla e dorërasit e dý kulla tjera të kushrîjve të ngiatë të dorërasit; po s’pat kushrîj të ngiatë, edhè njiqind brêzash në kjoshin, do t’u digjen kullat.

§.882. Flamuri i dorërasit e sodumë pasunín e dorërasit me bìmë e me dhé, me gjâ e me gjithshka të két.

§.883. Po e shmangu udhen udhtari a lajmtari, a i kaloi caqet bariu me gjâ, ne i vrafët kush, s’i priten miq besës së gjâs e të çobanit, por atij, prej shpís së të cillit duelen, e me shpí të tyne bjen në gjak dorërasi si mbas kanunit.

§.884. Po preku kush tufen e gjâs në mal e nder caqet e shênjueme, cubi bjen në ndeshkime e giobë të permenduna, pse e preu në besë të gjâs e të çobanit.

§.885. Dorzânët e besës së gjâs e të çobanit, jânë Flamurtarët, Krenët e Djelmnija e Flamurve të lidhun në ket besë.

Oroe: Mbas tregimeve, qi diftohen prej popullit të Malevet të Shqypnís (mbí të cillat tash flasim në rreshtim të tregimeve të ndryshme), dán kjartas se «Besa e gjâs e e çobanit» âsht shum e vjeter, e se do të jét kênë mbajtë para se ká fillue me vjellë flakë grykëholla (pushka).

Vende-vende edhè sot mbahet besa e gjâs e e çobanit; si bj. fj. nder Malet e Gjakovës: Nikaj, Mertuer, Gash, Krasniqe e njeti. Nder Malet e Dukagjinit: Shalë, Shosh, Kír, Gjâj, Plan e Toplanë; nder Malet e Pukës, të Merditës, të Thkellës, të Malsís së Lezhes e kah Kurbini; edhepsè sot nuk mbahet mâ kjo dorë bese, permbas tregimevet, qi na kan diftue Pleqt e këtyne vendeve, heret edhè këto krahina i ká pasë pershî besa e gjâs e e çobanit.

NYE I NJIQINDENJIZETEKATERT.
Gjaku.[5]

§.886. Në kanû të Malevet të Shqypnís gjithsá djelm të lejn, njehen të mirë e nuk veçohen njani prej tjetrit.

§.887. Çmimi i jetës së nierit âsht nji, si per të mirin si edhè per të keqin.

§.888. Seicilli mbahet i mirë edhè i thotë vedit: «Jam burrë» e i thonë: «A jé burrë!»

§.889. Me kênë veçim gjaqesh, kanûja nuk kishte diejt me i a gjetë vangun pûnës prej pleqnísh e pêgjesh në peshim të të mirit e të keqit, tuj kênë se seicilli mbahet rrumbull katerqind derhêm n’okë të vet.

§.890. Me pasë lânë shtegun e veçimit të gjaqevet, të keqin per dukë e per fisnikí — firukun — kishin me e vrá edhè pá pûnë; ishin shtue vrasët, 'si mos të kishte dalë kush me lypë arsye per vrasë të të keqit e të firukut.

§.891. Prandej «Gjaqet i la Leka si nja-nja: del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit». — «Shpírt per shpírt, 'se duken e falë Zoti».[6]

§.892. Kush të vrasë nierin prá, kje burrë a grue, djalë a cucë a edhè ferishte djepi, i mirë a shemtim per dukë, krye, plak a sterplak, i pasë a i pá-pasë, fisnik a firuk, ndeshkimi âsht nji doret: per vrasë të mashkullit 6 qese, 100 desh e gjysë kau giobë.

§.893. Kush të shitojë nierin, çmimi i permendun nen § 892 pergjymsohet si per mashkull si per fêmen.

§.894. «E shituemja shkon mbas kerçikut, a si t’i a prejë mjeku» (Çmimin e mjekimit si t’a prejë mjeku).

§.895. Pajtimi i gjakut a i varrës, qi bâhet me krenë e djelm, nuk ká tjeter per posë 6 qese per gjak e 3 qese per varrë. — Pajtimi i gjakut a i varrës, qi bâhet me ndermjetsí të dashamirvet, permbí 6 a 3 qese lypin edhè të prishunat e mjekimevet.[7]

§.896. Të rámt në gjak, po u bâ vrasa në katund, dorërasi me mashkullim të shpís edhè ferishte djepi në kjofët do të bahen e do të dalin prej katundit e do të shkojn nder miq, per me i u shmangë rrezikut të vrasës.

§.897. Me graní të dorërasit s’ká pûnë shpija e të vramit, sepsè „Grueja e Prifti nuk biejn në gjak“.

NYE I NJIQINDENJIZETEPÊSËT.
„Gjaku shkon per gisht.“[8]

§.898. Në kanû të vjeter të Malevet të Shqypnís vetem dorërasi bijte në gjak, ase aj, i cilli tëhiqte, shkrepte e shprazte pushken a çdo armë kundra nierit.

§.899. Shpija e të vramit nuk mujtte me ndjekë as me vrá tjeterkend prej vllazensh, nipash a kushrîjsh të gjaksorit, posë gishtit — dorërasit —.

§.900. Kanûja e vonshme pershîn mashkullimin e shpís së dorërasit mje në ferishte djepi; kushrinín e nipat e ngiatë, edhepsè të damë, por per 24 orë, në valë të gjakut; e mbas 24 orësh do t’u qitte dorzânë shpija e të vramit.[9]

NYE I NJIQINDENJIZETEGJASHTËT.
„Gjak per gjak me mbetë.“.

§.901. Kúr të vrasë shoqi shoqin dy vetët, qi u fjalisen, e biejn të dy dekun, jesin krye per krye, ase gjak per gjak.

§.902. Shpijat e të vramvet nuk mund të shtŷhen në fjalë, as nuk mund të lypin shperblime lagjja lagjes. — Do të dorzaniten mbas kanunit.

§.903. Po mbet njani i vrám e tjetri i shituem, atbotë i shituemi do t’i a kthejë tepricen e çmimit të gjakut të vramit.

§.904. Po m’a vrau kush t’êm vllá un u çova edhè e gjuejta nji të shpís së dorërasit, tuj e shitue nji herë e mje në njizet herë; së mbramit drodha pushen edhè e vrava të vllán e këtij a mun dorërasin e t’êm vllá, të gjitha varrët do të pleqnohen e do të lahen, e i vrami jet krye per krye me t’êm vllá të vrám.

§.905. Po vrava atê, qi paçë shitue njizet herë, varrët hupin, e jesin gjak per gjak me të vramin.

§.906. Po qita mbë kend edhè vetem e gervishta në krye, i kam 3 qese per varrë.

§.907. Po i rashë kambës i kam 750 grosh.

§.908. E shituemja në brêz e perpjetë ká 3 qese; në brêz e teposhtë ká 750 grosh.

NYE I NJIQINDEJIZETESHTATËT.
„Gjaku per faj nuk jet.“[10]

§.909. Çdo faj, qi t’i bâjë Shqyptari Shqyptarit, tager ká me e mundue me pleq e me pêgje, porsè nuk mund t’a vrasë, 'se «Gjaku per faj nuk jet».

§.910. Po më shau kush, e un e vrava, i a kam gjakun.

§.911. Po erdh kush me m’i dhânë zjarrë shpís, a ksollës, a tbanit, un e prita edhè e vrava, i kam gjakun.

§.912. Po erdh kush me të vjedhë, edhè e shef tuj t’a zhberthye deren, e vrave, i ké gjakun.

§.913. Erdh kush me t’a dlirë vathin, e shef tuj t’a vû tufen e gjâsë perpara, rrâne me xjerrë gjânë t’ande e atij s’i lodhet mendja me t’a lshue, po e vrave, bjen në gjak.

§.914. T’u mbat kush a të rá, ti e vrave, bjen në gjak.

§.915. Të hypi kush në qafë, edhepsè jânë dý duer per nji krye, po e vrave, i ké gjakun.

Oroe: §§ 914 e 915 peshohen mbas randsís së fajit.

NYE I NJIQINDENJIZETETETËT.
„Gjaku s’bâhet giobë.“

§.916. «Gjaku gjak, gioba giobë, thotë kanûja».

§.917. Gjaku s’hupë kurr.

§.918. Në çdo faj me i rá shpís së dorërasit shpija e të vramit, do të gjygjohen e do të pleqnohen edhè me pêgje, ne e lypët nevoja; porsè faji jet gjithherë faj, e shpija e të vramit do t’a perligjë shpín e dorërasit, 'si t’a shofin me udhë pleqt.

§.919. Në çdo giobë me rá shpija e të vramit, gioben e lán giobë, porsè gjakun s’mund t’i a hupin e giobë s’mund t’i a bâjn edhepsè shpí e ligë edhè e lânun.

NYE I NJIQINDENJIZETENANDËT.
Gjaku per pûnë të ligë.

§.920. «Ata, qi kan shtat e dhûnë bashkë, po u vrán të dy në pûnë të keqe, shkojn gjak-hupës».[11]

§.921. Parimi «Gjaku per faj s’jet», në dhûnim të gravet e bjerrë fuqín e vet.

§.922. «Mikun e prém, armët e gruen e dhûnueme, kanûja s’i perket.»

§.923. I marruemi e e marruemja vetem atbotë shkojn gjak-hupës, kúr të vriten në pûnë e në mndyrë të keqe e me nji pushkë.

§.924. Prindja e të marruemve nuk mund t’i kerkojn per gjak por do t’i apin dorërasit fishekun e prishun me «Të lumët dora»!

§.925. Do të qesin dorzânë, se gjaqet e të marruemve nuk do t’i kerkojn per jetë.

§.926. Po i kjau zêmra prindes së të vramve, se dorërasi nuk i ká vrá në pûnë të dhûnshme, gjygji i shênjon bén mbas kanunit.

§.927. Po e la Porota mbrendë, dorërasi jet në dý gjaqe e në giobë mbas kanunit.

§.928. Po pshtoi njana lagje pá u vrá edhe hiku, dorërasi, qi i gjet në pûnë të keqe, nuk mund t’a vrasë mbrapa, 'se bjen në gjak, e lagjes së vrame gjakun do t’i a lajë.

§.929. Po duelen me marre grue e vajzë a cucë, e po pshtuen pá u vrá — hiken — në dhé të largët, ata i leçitë Flamuri per jetë.

§.930. Po u hetue aj, qi i koriti edhè i vûn rrethin si këtij si edhè të marruemeve, fisi, katundi e Flamuri i grîn të dy, tuj jau bâ gjakun giobë.

§.931. Grueja e vejë a cuca, qi delshin me marre, do të digjeshin per së gjalli në grumbull të plehit. — Ase i vêjshin ndermjet dý turrave drûsh të ndezuna e a i bâjshin me kallxue simahorin, a i lêjshin të shkrîhen per mnderë ndermjet dý zjarmesh. — Me kênë se mbrrîjshin me i a xjerrë fjalen se cilli e koriti, atbotë i vêjshin rrethin edhè simahorit, edhè i grîjshin bashkë.

NYE I NJIQINDETRIDHETËT.
Vrasa pà hiri.

§.932. Vrasa pá hiri nuk e ká të ndjekmen me pushkë. — Dorërasi lán gjakun e dorzanitet.[12]

§.933. N’at gjak të xét dorërasi do të largohet e të rrîjë mshefët mje qi të mirret vesht pûna mirë.

§.934. Hîn gjindja e urtë e, 'si të vertetohen se pernjimend kje pá hiri vrasa, qi u bâ, dorërasi lán çmimin e gjakut edhè dorzanitet.

§.935. Me vrá kush — edhè pá hiri — gruen me shtat xânë, posë 3 qesevet të gjakut të grues, i a presin edhè barrës 3 qese.

§.936. Po u perpush dorërasi per 3 qese të barrës, kanûja e ep me çilë të vramen, per me pá pale a pat djalë a vajzë.[13]

§.937. Po pat djalë, dorërasi do të lajë 3 qese per gjak të grues e 6 qese per gjak të djalit: po pat vajzë, posë 3 qesevet të grues së vrame, do të lajë edhè 3 qese të vajzës.

§.938. Vrasa pá hiri nuk ká giobë.

Oroe: Vrasë me ndore, Shif: l. VIII, k. XVIII, n. XCVII, f. 68, «Të prémt e mikut».

Vrasë me ndermjetsí, shif: l. VIII, k. XVIII, n. IC, f. 69, «Ndermjetsija».

NYE I NJIQINDETRIDHETEPARË.
Vrasë me dorzâni.

§.939. Me bâ me u ngatrrue nder vedi shpija e dorërasit e shpija e të vramit mbas gjakut të pajtuem, dorzânvet u duhet me hî në flakë e nuk do të bajn qi t’u dhûnohet êmni e dorzânija.

§.940. Po krisi pushka ndermjet tyne, dorzânët do të kerkojn mikun e prém prej lagjes, qi nisi pushken. — Tjera shif: l. X. k. XXII. n. CXXV, «Gjaku shkon per gjak».

NYE I NJIQINDETRIDHETEDYTË.
Pushka ndjekë gjaksin.

§.941. «Pushka e nisun ká giobë». — «Pushka e parë ká giobë».

§.942. «E shkrepmja ká giobë».

§.943. Po u fjalisen dy vetë e njâni e dredhë pushken mbë tjetrin e e shkrepë, por s’i ndezë, po s’u vrán n’at valë, i pari, qi shkrepi pushken, bjen në ndeshkim të giobës.

§.944. Po e shkrepi i pari pushken e nuk i ndezi, i dyti i ndêj gati edhè e vrau, ky bjen në gjak, por jo në ndeshkim të giobës, se «Pushka e mbrame nuk jet me të paren».

§.945. Me shkrepë pushka pá hiri, i zoti i pushkës bjen në gjak, po vrau a shitoi kend.

§.946. Po hîni kush në shpí të kuej e, porsá t’a vjerrë pushken në krrabë, i kputet rrypi, shkrepë pushka edhè vret ndonji të shpís a kêdo, i zoti i pushkës bjen në gjak.

§.947. Po e la miku pushken të ngrefët edhè shkrepi e vrau kend, i zoti i pushkës bjen në gjak.

§.948. Po e vuer miku pushken në krrabë e kjo u thye e rá pushka në tokë, shkrepi edhè vrau kend, i zoti i krrabës bjen në gjak.

§.949. Kûji e krraba jânë vû per të vjerrun të pushkvet, prá i zoti i krrabës a i kûjit do t’u vête menden e mos t’i lête t’u brejshin prej krîjet.

§.950. Po u vrá kush e mbet dekun në nji krah e në tjetrin u shituen dy vetë, jesin gjak per gjak; nji gjak, dy varrë.

§.951. Po vrau kush gruen me shtat xânë, kanuja e ep qi të çilet e, po pat djalë, dorërasi, posë gjakut të grues, do të lajë 6 qese per gjak të djalit; po pat cucë, do të lajë 3 qese per fmí e 3 qese per t’âmen.

§.952. Pushka e shtîme per mik të prém të lshon në gjak, por jo në giobë.

§.953. Pushka e shtîme per grue a cucë të dhûnueme s’ká as gjak as giobë.

§.954. Pushka e shtîme per armë të mârruna, bjen në gjak, por jo në giobë.

§.955. Pushka, qi vret pá hiri, ká gjakun gjak, por s’ká giobë as të ndjekmen.

§.956. Pushka e shkrepun mbë kêdo ká giobë.

§.957. Per çdo vrasë: 6 qese per gjak, 100 desh e 1 ká giobë Flamurit e 500 grosh derës së Gjomarkut t’Oroshit (per Mirditë).

NYE I NJIQINDETRIDHETETRETË.
Kush vret vedin, shkon gjak-hupës.

§.958. Po vrau kush vedin, gjaku i shkon hupës.

§.959. Shpija e vetvrasit bjen në giobë, 'se giobitë vedin me të bjerrun të njij njerit e me të prishunat e drekvet.

§.960. Po vrau i vllaj të vllán, gjak-hupës shkojn, porsè gioben e Flamurit do t’a bajn si mbas kanunit.

§.961. Po vrau i biri t’án, s’e ndjekë kush, porsè i biri, dorërasi, grîhet a prej fisit a edhè katundisht.

§.962. Me vrá i biri t’âmen, bjen në gjak me prindët e s’âmës.

§.963. Me vrá i shoqi të shoqen, bjen në gjak me prindt e grues.

§.964. Me vrá e shoqja të sho’in, prindja e kësaj biejn në gjak. (Ká ndollë qi prindja e ká grî të bín, qi bâte ket shemtim).

NYE I NJIQINDETRIDHETEKATERT.
Shkuesija e gjakut.

§.965. Shkues i gjakut thirret aj, i cilli perpiqet te shpija e të vramit, per me e pajtue dorërasin.

§.966. Shkuesi i gjakut, po i duel në krye pûnës, ká tager në kpucë.

§.967. Kpucët a opangat e shkuesit perbâhen prej 500 groshësh.

§.968. Kpucët e shkuesit të gjakut i lán shpija e dorërasit.

NYE I NJIQINDETRIDHETEPÊSËT.
Pajtimi i gjakut.

§.969. Pajtimi i gjakut bâhet dý mndyrësh:

a) me të hîmë të dashamirvet të shpís së të vramit e të Famullitarit;

b) me të dalun të Krenvet, të Derës së Gjomarkut e të djelmvet të Flamurit. — Në ket rasë per çdo vrasë Dera e Gjomarkut t’Oroshit mirrte 500 grosh.

§.970. Në të dyja këto rasë dorëzánët e kanunit jânë të domosdoshem.

§.971. I zoti i gjakut, posë çmimit të caktuem per gjak, ká tager me lypë nji hutë (martine) në krah të cillitdo, qi t’a ngulë sŷnin; e dorërasi âsht në detyrë me i a prû aty.

§.972. Pá u ndreqë pûna e gjakut, pá hî dorzânët e duhshem, pá u caktue vadet e të hollavet të gjakut, trevezat e bukës nuk shtrohen e buka nuk hahet.

NYE I NJIQINDETRIDHETEGJASHTËT.
Dorzânët e gjakut.

„Dorzânë e bestár nuk hîn kush me pare“.

§.973. Dorzânët e gjakut i zgjedhë shpija e dorërasit.

§.974. Dorzânët e gjakut jânë ata, qi hîjn per me mbajtë larg çdo të persritun mnijet e zjarmit, qi kishte me muejtë me u ndezë ndermjet shpís së të vramit e dorërasit.

§.975. Dorzânët e gjakut, 'si të hîjn nji herë, nuk dalin mâ.

§.976. Dorzânët e gjakut kan tager me i mbajtë në frê ata, per të cillt kan hî; e, po nuk vjeften kshillet e qortimet miqasore, kan tager me u a rrudhun pêjt edhè me kercnim, po luejten.

NYE I NJIQINDETRIDHETESHTATËT.
Dorzânët e të hollavet të gjakut.

§.977. Dorzânët e të hollavet të gjakut i zgiedhë shpija e të vramit.

§.978. Vadet e të hollavet të gjakut i caktojn Pleqt e burrat e urtë, qi ndollen aty.

§.979. Vadja e caktueme e të hollavet të gjakut as shtŷhet, as luhet.

§.980. Me bâ me dalë mendësh dorërasi e me nisë me luejt me dorzânët e të hollavet të gjakut e me i sjellë me sot-neser, do t’i a çojë të zot’t të gjakut të hollat në vade të caktueme e detyrsin e qesin në katund, i cilli do t’a ngushtojë lasin e keq me i u pergjegjë detyrës e, po e lypi arsyeja, mund t’a giobisin.

§.981. Të hollat e gjakut do t’i epen shpís së të vramit nper dorë të dorzânvet e jo kurr drejt-per-drejt prej dorërasit.

NYE I NJIQINDETRIDHETETETËT.
Buka e gjakut.

§.982. Buka e gjakut âsht ajo, kúr ndermjetsit e pajtimit të gjakut me disá prej gjinijet, shokësh e dashamirësh të zot’t të gjakut t’i shkojn në derë dorërasit per pajtim të gjakut e të hajn buken e gjakut të pajtuem.

NYE I NJIQINDETRIDHETENANDËT.
Kryqi në derë.

§.983. Kanû âsht, 'si të vêhet per fije pajtimi i gjakut e, 'si të bahet buka, të hîjn dorzânët si të gjakut si edhè të të hollavet e të bâhet kryqi në derë të dorërasit prej të zot’t të gjakut.

§.984. Kryqi në derë âsht shêji i gjakut të pajtuem.

§.985. Kryqi xieret në gúr të prakut t’eper të derës së shpís a nder pregjet e krahvet të derës.

§.986. Kryqin në derë do t’a xjerrin dora e të zot’t të gjakut.

§.987. Hekurin — sqeparin —, me të cillin u xuer kryqi, kanû âsht me e hjedhë mbí pullaz të shpís së dorërasit.

NYE I NJIQINDEKATERDHETËT.
Vllaznimi (Me pí gjak).

§.988. Si t’u pajtohen zêmrat shpijavet të dorërasit e shpís së të vramit, pijn gjakun e shoqi-shoqit.

§.989. Mârrin dý gota të vogla, i mbushin pergjymsash me ujë a me rakí; çohet ndonji prej dashamirësh e u lidhë dy gishta të vogjel, i shpojn me gjylpanë, tuj bâ me lshue ká nji pikë gjak veçmas nder dý gota.

§.990. Mbasi t’a perziejn gjakun ase, mbasi t’a tundin mirë, i shndrrojn gotat, e, me duer kryqzue, i a kojn shoqi-shoqit, tuj e pí gjakun e njâni-tjetrit. — Nder njimí pergzime qesin pushkë e bâhen si vllazen të rí njij nânet e babet.


  1. Quelli che porgono ai ladri fuoco od alimento, armi o ricovero, o nascondono gli oggetti involati, devono esser puniti come ladri. (Codice di Manú, libr. IX. N. 278). ↩︎

  2. Si quis rem furto sublatam, volens, sciens reciperit, eandem poenam, quam ille qui furatus est, subeat. (Plato, de Legib. Libr. 12) ↩︎

  3. Draco legislator in fures mortis poena, Solon legislator dupli poena vindicandum existimavit. (A. Gellius, Noct. Attic. libr. XI. c. XVIII.) ↩︎

  4. Per furto di stromenti d’agricoltura… il re punisca secondo il tempo e l’utilità degli aggetti. (Codice di Manú, lib. IX. Leggi civili e criminali, Nr. 293.) ↩︎

  5. Shif: l. VIII, k. XVII, § 593 e 594. ↩︎

  6. — „Animam pro anima…“, Levitiku, k. XXIV. vv. 18-20. „È legge, che goccie (di sangue), sparse per omicidio, altro sangue domandino…“ (Aesch. Coëph.)— ↩︎

  7. „Si rixati fuerint viri, et percusserit alter proximum suum lapide, vel pugno et ille mortuus non fuerit, sed jacuerit in lectulo… innocens erit, qui percusserit, ita tamen ut opera ejus et impensas in medicos restituat“. (Exodus, XXI. 18. 19.).

    „Quando fù ferito un membro, da cui derivò piaga od emorragia, l’autore del male deve pagar le spese della cura, e — se rifiuta, deve la spesa ed — una multa“. (Codice di Manù, Nr. 287. Libro VIII). ↩︎

  8. „Non occidentur patres pro filiis, nec filii pro patribus, sed unusquisque pro peccato suo morietur“. (Deuteronomii, k. XXIV. 16.) ↩︎

  9. Nder Malcí të Mdhá të gjith ata, qi vêjn ruben e zezë në shêj të zís, biejn në gjak ase kerkohen per gjak. — Ky kanû âsht edhè në Dukagjin: Shalë, Shosh etj. ↩︎

  10. Parimi: „Gjaku per faj nuk jet“ u bân báll këtyne parimeve:

    „Si effringens fur domum, sive suffodiens fuerit inventus, et accepto vulnere mortuus fuerit: percussor non erit reus sanguinis“. (Eksodi, k. XXII. 2.)

    „L’uccidere chi ha tentato assassinio in privato od in pubblico; e il furore alle mani col furore, non rende colpevole per verun modo l’omicida.“ — (Codice di Manú, Nr. 351. Libro VIII.)

    „Non era colpevole chi uccidesse per difendere la vita, l’onore e la libertà…“ (Stato politico di Atene. — Leggi civili e criminali.)

    „Furem nocturnum, sed non diurnum, nisi telo se defendat, licet occidere.“ — In decreto Gratian. Glossa Decret.) ↩︎

  11. „Si dormierit vir cum uxore alterius, uterque moriatur, id est, adulter et adultera, et auferes malum de Israël“. (Deuteronomi, XXII, 22. — Levit. XX. 21.) „Si quid perverse tetreque factum est a muliere, mulctatur; si vinum bibit, si cum alieno viro probri quid fecit, condemnatur. — De jure autem occidendi ita scriptum est: In adulterio uxorem tuam si deprehendisses, sine judicio impune necares“. Aulus Gellius, Noct. Attic. Liber X. c. XXIII.)

    „Incestum Pontifices sopremo supplicio sanciunto“. (Cicero, De legib. IX.). ↩︎

  12. …„Qui percusserit proximum suum nesciens, et qui heri et nudiustertius nullum contra eum odium habuisse comprobatur…, hic ad unam supradictarum urbium confugiet, et vivet; (Urbes refugii, shif L. VIII, k. XVIII, n. XCVII, f. 68, or. 1) ne forsitan proximus ejus, cujus effusus est sanguis, dolore stimulatus, persequatur… percutiat animam ejus, qui non est reus mortis…“ (Deuteroromi, XIX, 4, 6. 6.)

    „…L’omicidio involontario ebbe tribunale apposito, e chi l’avesse commesso non poteva esser tenuto reo, ma doveva allontanarsi da’ luogi testimoni di tale sventura: la religione doveva purificare il versato sangue e riconciliarlo cogli Dei“. (Stato politico di Atene. Leggi civili e criminali)

    „Ictus quippe fortuitus et consultus, non cadunt sub eiusdem talionis similitudinem.“ (A. Gell. Lib. XX. c. I.) ↩︎

  13. I nipi i Herkulit, Aristodemi, mbreti i Mesanasve (742 para Krishtit) e mbyti të bín edhè e çili, per me diftue se ishte i rrèjshem zhgarkimi i dhûnshem, qi u fol prej njij Mesanasit kundra fjeshtsís së vajznís së saj. (La Grecia, M. Pouqueville, Venezia 1836. — Assedio d’Itome, pag. 42) ↩︎

Pjesa e radhës
Libri i njimbdhetët - Kanuni i pleqnis

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB