NYE I NJIQINDEKATERDHETEPARË.
Tagri e detyra e Pleqvet.
§.991. Plaku i pengut nuk mund t’i lypë të falmet e të premet e kanûs, pá e ndreqë pûnen. —
§.992. Pleqt jânë a të parët e vllaznive a Krenët e fiseve, zyra e të cillvet âsht e pshtetun në themel të tagrit kanunár.
§.993. Pá këta nuk mund të bâhet ndo’i kanûn i rí e as kurrnji gjygj a pleqní, qi do të pershîjë a nji vllazní, a nji fis, a edhè nji katund e Flamur.
§.994. Pleq thirren edhè burrat më zâ per urtí e qi jânë regjë nder gjygje e pleqní.
§.995. Per pûnë të veçanta e per të kapme të posaçta, edhè të permendunt mund të mirren per pleq pêgjesh e gjygji i bâm prej 'tyne âsht i njoftun prej kanunit, mjaft qi të pleqnojn mbas këtij.
§.996. Pleqt e Kanûs kan tager me shmangë çdo rragë e kercnim dâmesh e vraset, kû me urtí, kû me fuqí bashkë me katund e nder kercnime të randa fort do të lypin krahin e Krenvet e të djelmvet të Flamurit, per të prûm në mend të dalunin mendësh.
§.997. Pleqt kan tager me mbledhë katundin, kúr mos të duej kush me i ndêjë gjygjit të folun mbas kanunit e pá krahambajtje.
§.998. Per pleqní të vogla do të mirren Pleqt në katund permbas vllaznijet e fisit.
§.999. Pleqt e mârrun per me bâ ndo’i pleqní, aty e n’at hov, qi t’u apin zâbuken të fjalisunt, tager kan me bâ gjygj e me e çue deri në mbarim.
§.1000. Jo veç Pleqt ase Krenët e Kanunit kan ket tager, por edhè Pleqt e çashtjevet të veçanta, si t’i ketë zgiedhë kush per pleq, kan tagrin e permendun.
§.1001. Si t’u epet Pleqvet në dorë pengu i pelqimit, edhè ne u pendojshin të fjalisunt, nuk mund t’u a stermârrin pengun, as nuk mund t’i ndrrojn ata Pleq.
§.1002. Parimi i kanunit âsht: «Plak mbí Plak, gjygj mbí gjygj e bé mbí bé kanûja nuk bán».
§.1003. Pûnët e randa, qi e vrugnojn nderen e katundit a të Flamurit, do të peshohen prej Pleqvet të katundit e prej Krenvet të Flamurit.
§.1004. Pleqt e Krenët e Flamurit nuk mund të kpusin kurrnji gjygj e nuk mund të giobisin kend në katund, pá i pasë me vedi Pleqt e Strapleqt e katundit, në të cillin gjindet fajtori.
§.1005. Po ndolli se duel mendsh nji katund marë me gjith Pleq e Vogjlí, atbotë ngrehen Krenët e Flamurit me Pleq e Strapleq vllaznísh e fisesh e me gjith Vogjlí edhè e biejn në mend katundin e dalun dore.
§.1006. Po u çue nji katund per me u ngrefë luftë Krenvet, Pleqvet, Strapleqvet e Vogjlís së Flamurit, nen të cillin gjindet, atbotë do të bâhet me dieje Dera e Gjomarkut, në zâ të së cillës do të çohen edhè Flamurt tjerë e nen prîje të kësaj Dere do të msŷhet katundi i dalun dore, edhè e biejn në mend me ndeshkime giobësh, me të xjerrun prej vendit, a edhè me të grîme katundisht, në pasët bâ kush ndo’i faj per të grim.
§.1007. Sjelljet e ndeshkimet e permenduna i veshen edhè njij Flamuri, kúr të dalë dore; me ndryshim qi Flamuri marë nuk mund të xieret prej vendit, porsè leçitet prej Flamursh tjerë mje qi të shtrojë pengun.
§.1008. Kanunet, qi vên nji katund me Pleq e Vogjlí per vedi, bj. fj. per hjeksí, pabesní, per vrasë a cubní, as Flamuri e as Dera e Gjomarkut nuk mund t’u a luej, mjaft qi mos të trillohen pûnë të reja, qi të jenë kundra vendimevet jetike të kanunit të Malevet.
§.1009. Nder gjygje e pleqní, qi i perkasin katundit marë a njij Flamuri, Pleq të veçanët nuk kan tager me mârrë neper dorë. — Këto do të peshohen prej Pleqvet e Krenvet të kanûs së Katundit e të Flamurit.
§.1010. Po rá në faj nji Plak katundi, do t’a lshojë pengun në dorë të Vogjlís.
§.1011. Po s’u gjegj me shtrue pengun, Vogjlija thrret Krenët e Flamurit e zbashkut e biejn n’arsye.
§.1012. Po rá në faj kush i derës së Gjomarkut, gjygjin do t’i a bâjn Krenët e Vogjlija e të gjith Flamurvet. —
§.1013. Po rá në faj ndonji prej Flamurtarësh, do të peshohet prej Krenvet e Vogjlís; e Kreu i Flamurit në faj do të peshohet prej Flamurtarit, Krenvet tjerë të Flamurit e prej Vogjlije.
§.1014. Edhepsè Plak, a Krye, a i Derës së Gjomarkut, pengun do t’a lshojë në dorë të Pleqvet e të Vogjlís, po bâni kush váj mbë 'tê.
§.1015. Pleqt do të bâjn gjygj pá krahambajtje e pá u thye prej nendoresh a të folmesh prej njânit a tjetrit.
§.1016. Po u hetue ndo’i Plak se e bâni gjygjin me krahambajtje e kundra kanunit, veç pse i thyem prej nendoreve t’ânës kundershtare, posë faqes së zezë, s’e mêrr kush mâ per Plak.[1]
NYE I NJIQINDEKATERDHETEDYTË.
Pêgjet.
§.1017. „Pengu i lshuem nuk mirret mâ“.
§.1018. Pengu âsht nji shêj i landët, qi epet në dorë të Pleqvet gjygjtarë me tager qi të bâjn gjygj mbí ankimet e dy kundershtarvet.
§.1019. Pengu thirret «Pengu i pelqimit a i zâbukës», qi don me thânë se, tuj e dhânë pengun në dorë të Pleqvet gjygjtarë, këta gjinden gati me i ndêjë gjygjit e pleqnís.
§.1020. Pleqnija e gjygji i bâm pá pêgje, faqe kanunit s’ká vjeftje.
§.1021. Para se të fillohet gjygji, pêgjet do të jenë në dorë të Pleqvet, e të kapunt në padí, posë qi nuk mund të luejn mâ, ata lidhen edhè me lá opangat, ase Pleqnín e preme prej kanunit.
§.1022. Per peng xêhet arma, fisheku, ortari a edhè kutija e duhânit, mje qi të biejn pêgjet, qi t’i parasohen vjeftjes, per të cillen kapen.
§.1023. Nder pleqní ankimesh, zhgarkimesh a shpifjesh fjala e gojës nuk pelqehet per peng; duhet shêji.[2]
§.1024. «Fjala peng» jet vetem atbotë, kúr t’i flasë kush kuej kaq e kaq, per n’i a ndreqët nji pûnë.
§.1025. Po i a ndreqi pûnen, të folmen i a ká detyrë burrit të huej.
§.1026. Po ngulen Pleqt e pêgjevet njani në mende të vet e tjetri në të ve’n, do t’u siellen Pleqve tjerë, porsè per të prishuna nuk mund t’u randohen të fjalisunvet (të zotvet të pêgjevet).
§.1027. Opangat e Pleqvet do t’i lajn të zotët e pêgjeve, sá njani aq tjetri.
§.1028. Opangat e Pleqvet lahen jo mbas andjes së Pleqvet, por mbas randsís së pleqnís: «Mbas pengut shkojn opangat». — «Mbas gjâjet shkojn opangat».
§.1029. Pleqnija e njij paradites ká pasë pêsë grosh. — (Heret nuk bâheshin pleqnít mbasdite.)
§.1030. Per pleqní të dame me «gúr», të kapunt do të lajshin ka 10 grosh per pleqní.
§.1031. Para se t’i a hîjn gjygjit Pleqt, do të bâjn ket bé: «Per ket të mirë të Perendís (mbí nji shêj Besimi) e si e bâjsha mue më ndimofët, gjygjin nuk do t’a bâj me dredhí e me krahambajtje e, mje ke të m’a mârrë mendja e shpirti, nuk do t’i bâj lak kanunit e gjygjit të drejtë![3]
§.1032. Jashta katundit nuk ká tager kush me gjetë Pleq.
§.1033. Po duel kush me lypë Pleq në Flamur, nen të cillin gjindet, do të mârrë per Plak nji prej Krenësh e jo prej Vogjlijet.
NYE I NJIQINDEKATERDHETETRETË
Shtim Pleqsh.
§.1034. «Gjygj mbí gjygj e Plak mbí Plak kanûja nuk bán».
§.1035. «Në mos të pelqefët gjygji, tek â’ Sh. Pali». — «Në mos të pelqefët gjygji, tek â’ Gryka e Oroshit». — Dera e Gjomarkut themeli i kanûs».
§.1036. Po i a dorzove pengun Plakut, e ky t’a bâni gjygjin, s’ké pse lypë mâ Plak e gjygj.
§.1037. Po s’t’a mbushi menden gjygji i Pleqvet, qi ti i zgodhe e i pelqeve, tager s’ké me e stermârrun pengun t’and as me zgiedhë Pleq tjerë.
§.1038. Po u vojt mendja të zotve të pêgjeve, se u âsht bâ gjygji pá rrugë e me krahambajtje, kan tager mos me i ndêjë pleqnís.
§.1039. Pleqt e parë nuk i lshojn pêgjet, porsè këta jânë në detyrë me dlirë vedin, tuj jau lshue pêgjet e veta në dorë Pleqvet të dytë të zgiedhun prej sish; e mbasi të jau shtrojn gjygjin e bâm, do të peshohet prej Pleqvet të dytë.
§.1040. Po e bân të keq gjygjin e Pleqvet të parë, këta të dytët u mârrin pêgjet të fjalisunvet e, posë qi jesin pá opanga, këta do të lajn opangat e Pleqvet të dytë.
§.1041. Pleqt mund të shtohen mje në trí lagje: po s’e kputen gjygjin, atbotë do të hîjn nder krenë deri në Derë të Gjomarkut, qi âsht themeli i kanûs. Pertej kësaj Dere s’ká gjygj.
§.1042. Po duel i mirë gjygji i Pleqvet të parë, pêgjet e para do të lajn dý lagje opangash: Pleqvet të parë e të dytvet.
§.1043. Po ndollen gjygje a pleqní të randa, zhvillimi do të lypet në Derë të Gjomarkut.
NYE I NJIQINDEKATERDHETEKATERT.
Porota.
§.1044. Porotë a Poronikë me gojë të kanunit thirren ata nierz, të cillt shênjohen me gisht prej gjygjit, per me bâ bé e me xjerrë së keq ndokend.
§.1045. Poronikë do të jenë asish:
a) qi mos të jenë gjetë në bé të rrêjshme;
b) qi mos të kenë ndo’i mllef as kundra lagjes, qi bân bé, as kundra asaj, qi veshtron bén;
c) qi mos të jenë gjind lloftarë, qi vjerrin shpirtin në krrabë per nji mullë bukë;
d) qi, nemosè me hamende, mund të diejn ndo’i pûnë, a mund t’a hetojn mâ letas;
e) s’do të jenë grá, se kanûja s’i xên;
f) qi mos të jenë të betuem e mnisa.
§.1046. Pergjithsisht beja pá Porotë s’bâhet.
§.1047. Parimi i kanunit âsht: «Beja ká Poroten, Porota ká mundin nder hetime e të lidhmen».
§.1048. Prifti s’çohet në bé; por, me qillue se i lypet beja, si per me lá vedin, si edhè per Poronikë, ky xêhet per 24 vetë.
§.1049. Nji krye i Flamurit, po u thirr në nji bé 24 vetësh, 12 i a njef gjygji e per 12 të panjefun âsht vetë.
§.1050. Aj, qi u prîn Poronikvet në bé, nuk njifet per Poronik. Parimi i kanûs âsht: «Njiqind Poronikë por i zoti s’njifet».
§.1051. «Porota nuk shkon në bé, pá i u lidhë i zoti i bés».
§.1052. Aj, qi i prîn bés, do t’i lidhet Porotës, qi, po duel beja e rrêjshme, të lajë gioben e Kishës per dhûnim të bés së rrêjshme; gioben e Flamurit a të katundit, si mbas numrit të Poronikvet e dypernjahen të zot’t.
§.1053. Gjygji do të njefin per Poronikë gjind prej vllaznijet e prej katundit t’atij, qi do t’i prîjë bés.
§.1054. I zoti i bés do t’u shkojë Poronikvet të njefun per derë, per me i bâ me dieje se gjygji i ká njefë per betarë.
§.1055. Poronikët e panjehun, qi i gjên vetë i zoti i bés, në gjygj e para Pleqvet do t’i kallxojë êmen per êmen, si i u kallxuen atij të njefunt.
§.1056. Edhè Paronikvet të panjefun do t’u shkojë per derë i zoti i bés per me u kallxue, se i ká zgiedhë per betarë.
§.1057. Gjymsen e Poronikvet i njefë gjygji, e gjymsen tjeter i gjên i zoti i bés.
§.1058. Pleqt, mbasi t’a njefin Poroten, do t’i thonë të zot’t të bés qi, per në pasët dyshim prej ndonjanit nder Poronikë të njefun, se kishte me e lânë lidhë prej ndo’i reset a mllefit, të kallxojë aty.
§.1059. I zoti i bés, si të diftojë arsye të themelta per njanin a tjetrin nder Poronikë të njefun, Pleqt e gjygjit jânë në detyrë me i ndrrue.
§.1060. Ndrrim Poronikësh mund të bâhet mje në tre vetë, por jo mâ.
§.1061. Dita e bés i caktohet Porotës, e i zoti i bés âsht në detyrë me e mbledhë.
§.1062. Porota, para se të shkojë në bé, do të perpiqet me bâ hetime kû të mundet, e me shqyrtue të zo’n e bés, qi mos të shkojë në bé të rrêjshme.
§.1063. Porota ká tager me bâ hetimet e veta e, po kje çashtja e padís teper e ngatrrueshme, ká tager me e shtŷ bén mje në gjashtë muej, tuj vijue nder hetime.
§.1064. Per ngatrrime të randa fort e qi kapin hapët, Porota ká tager me e shtŷ bén, edhè me vjetë.
§.1065. Si të két bâ hetimet e veta Porota e, si t’i két hullë fjalët haj per me e lirue me bé të shpifunin, haj me e lânë lidhë, s’ká pse shtrydhet; a njânen a tjetren do t’i a kallxojë të zot’t të bés.
§.1066. Edhè nji nder Poronikë, si mos të ndigiojë me e bâ bén, i zoti i bés jet lidhë.
§.1067. Kanû âsht, qi nji Poronik a edhè mâ, qi nuk don me bâ bé, do t’i a shndoshë zêmren të zot’t të bés, edhè me bé, ne e lypët, se nuk e lâjn lidhë prej ndo’i mllefit a mnijet, por vetem prej drojet e dyshimit të mos shkojn në bé të rrêjshme.
§.1068. «Po hangri bukë Porota, bén e ká të bâme».
§.1069. Po u mblodh Porota, edhè hangri buken e bés, i zoti i bés del i pafaj; Porotës s’i jet tjeter veç me shkue në bé.
§.1070. Po e la buken pá hanger Porota, i zoti i bés jet në faj.
§.1071. Po s’u gjegj zhgarkuesi me ardhë në ditë të caktueme, per me pá bén, i shpifuni mundet me fjetë në qetsí, se me bukë të hangerme prej Porotet, aj duel i pafaj.
§.1072. Porota do t’i thotë zhgarkuesit a të vîjë me pá bén, a të qesë kapucarin.
§.1073. Zhgarkuesi, edhè ne u perpushët ndo’i ditë, së mbramit, a do të shkojë me pá bén, a do të qesë kapucarin.
§.1074. Porota, per ne u mbledhët me bâ bén jashta ditës së caktueme, s’ká tjeter bukë, por shkon në bé e derdhet në pûnë të vet seicilli.
§.1075. Në ditë, qi do të bâhet beja, do të pranojn edhè Pleqt e gjygjit të bâm.
§.1076. Beja do të bâhet me ket rend:
a) prîn në bé i zoti, per me i a shndoshë zêmren Porotës;
b) mbas këtij do të bâjn bé ata, qi e kan mâ afer me gjak;
c) mandej bâjn bé Paronikët e njefun prej gjygjit.
d) së mbramit Poronikët e panjefun.
§.1077. Fjalët e bés do të shqyptohen pá ndrrim e sikurse i ká njefë e rreshtue gjygji i Pleqvet.
§.1078. Të gjith sá Poronikë të jenë, do të bâjn bé, tuj e pshtetun doren mbë shêj të besimit, perposë në falët a në jashtofët kend per nderë vetë i zoti i gjâs.
Oroe: Dukagjini, Malsija e Gjakovës e sá krahina tjera Poroten e njefin disá per «dorë bejet» në Kishë, e disá tjera e lâjn per «me ndigiue bén». —
NYE I NJIQINDEKATERDHETEPÊSËT.
Kapucari.
§.1079. Kapucár thirret aj, i cilli difton fajin e ndokuej, si bj. fj. ndo’i vjedhní të mshefne, a ndo’i vrasë të hupne permbas hetimeve, qi bân.
§.1080. Kapucari pergjithsisht nuk del faqe, a ndollë se del edhè çiltas.
§.1081. Kapucari do të két kpucët e veta permbas të folmevet të zot’t të gjâs së vjedhun a të gjakut të hupun.
§.1082. I zoti i gjâs së vjedhun a i gjakut të hupun, para se t’i flasë kpucë kapucarit, do të shkojë në katund të pandehunit, do të mârrë dy shokë të tij e, bashkë me 'ta, do t’i shkojë te dera, per me lypë arsye prej 'tij.
§.1083. Si mos t’i vêhet kurrsesì i pandehuni, i zoti i gjâs do t’i kallxojë, se do të flasë kapucarin në shpînë të tij.
§.1084. Po i tha i pandehuni, se âsht i lirë të flasë kapucari sá të duej, po duel në faj, kpucët e foluna kapucarit do t’i lajë ky.
§.1085. Po i foli kush kpucët kapucarit pá e bâ me dieje të pandehunin, edhè në dalët fajtuer ky, kpucët e foluna prej të zot’t të gjâs pergjymsash do t’i lajn.
§.1086. Kpucët e kapucarit jânë me dorë në bé, qi mos të randohet i pandehuni me teprime të foluna, edhè në dalët në faj.
§.1087. Kanuni i pergjithët âsht, qi kpucët e kapucarit nuk mund të kalojn çmimin e gjâs së hupun.
§.1088. Gruen s’e xên kanûja per kapucár.
§.1089. Kapucarija e hershme me dorë në bé kishte 50 mje në 500 grosh.
§.1090. Kapucari i gjetun në rrênë do të late gjân e huej në vend të cubit. (Dukagjini)
NYE I NJIQINDEKATERDHETEGJASHTËT.
Pagesa e Kapucarit.
§.1091. Kapucarit i nepen kpucë:
| Per gjak të hupun | 1500 | grosh |
| „ vath, shpí etj. të thyem | 500 | „ |
| „ mushk | 1000 | „ |
| „ kál | 500 | „ |
| „ ogiç | 500 | „ |
| „ ká hullijet | 400 | „ |
| „ thí të mbajtun | 500 | „ |
| „ lopë barrës | 150 | „ |
| „ gomár | 150 | „ |
| „ mzat | 100 | „ |
| „ dele e dhí | 25 | grosh |
| „ viç të njomë | 25 | „ |
| „ thí | 23 | „ |
| „ edh e kingj | 10 | „ |
§.1092. «Kapucari hjekë bén». Po duel kapucár nji burrë i ndershem, beja nuk i epet të pandehunit; do t’apë arsye.
§.1093. «Kapucari xjerrë gjân e hupun». Si të tumiret kapucari prej Pritëtarvet, i pandehuni jet në faj, e do t’i a kthejë gjân të zot’t si mbas kanunit.
NYE I NJIQINDEKATERDHETESHTATËT.
Pritëtarët e Kapucarit.
§.1094. Pritëtarë jânë ata, zyra e të cillvet âsht me bâ hetimet e duhshme, tuj e rrethue kapucarin me të pvetuna të shpeshta, tuj i a vû menden, mos po bân lak nder diftime e mos t’i zhgarkohet kuej.
§.1095. Pritëtarët do të jenë nierz të ndershem, t’urtë e veshtakë, e të rregjun nder shqyrtime e hetime.
§.1096. Pritëtarët do të jenë prej asish, qi gjygji i ká njefë per Poronikë.
§.1097. Si s’â’ kanû, qi kapucari të dalë çiltas, ashtû ká tager kapucari me lypë me êmen disá prej Poronikësh, të cillvet u xên besë mâ fort se nuk e qesin.
§.1098. Parase të fillojn me bâ hetime, Pritëtarët do t’a vêjn në bé kapucarin, qi do të kallxojë drejt, pá krahambajtje e pá mllef.
§.1099. Mje në trí lagje Pritëtarësh mund t’a shqyrtojn kapucarin.
§.1100. Gjithsá herë të flasin Pritëtarët me kapucarin, msheftas do të flasin.
§.1101. Po tha kapucari, se ajo gjâ e vjedhun âsht shitun, Pritëtarët do të dergojn gjinden per hetime.
§.1102. Po tha kapucari, se gjâja e vjedhun âsht pré, Pritëtarët do të lypin nji shêj prej tij; bj. fj. nji copë lkurë, brynat, a ndonji gjymtyrë tjeter.
§.1103. Si të tumiren diftesat e kapucarit prej Pritëtarvet, mohimet e cubit a të gjaksit, edhepsè të rrêjshme, nuk mund t’i ndalin kush deri te beja: por Porota ká tager me i ndalë doren e mos me e lânë me shkue në bé të rrêjshme.
§.1104. Po duel kapucari i dyshueshem faqe Pritëtarvet, tuj kênë ky në të drejtë; e duel edhè e kapi per krahi cubin a gjaksorin, kpucët i ká të preme 500 grosh mje në 1500 grosh.
§.1105. Pritëtarët do të bâjn bé mos me qitë kapucarin per të gjallë, posë se në dashtë me dalë vetë.
NYE I NJIQINDEKATERDHETETETËT.
Burrat e Malevet të Shqypnis në kuvend.
§.1106. Kuvendi âsht nji bashkim fisit a fisesh me Krenë, Pleq, Sterpleq e Vogjlí a Djelmní të dheut, qi kan qellim me rrahë ndonji çâshtje a me lidhë ndonji besë.
§.1107. Kuvendet bâhen pjesnisht a edhè pergjithsisht.
§.1108. Kuvende të pjesshme jânë ato të katundeve, në të cillat mârrin pjesë Pleq, Sterpleq e Vogjlija e njij katundi.
§.1109. Të pjesshme thirren edhè ato kuvende, në të cillat bashkohen të gjith Pleqt e Sterpleqt e Vogjlija e Fiseve të ndryshme, qi sundohen prej njij Kreut.
§.1110. Kuvende të pergjithshme jânë ato, në të cillat bashkohen Pleq, Sterpleq, Vogjlí me Krenë e me Derë të Gjomarkut.
§.1111. Nder kuvende, gjygje e peshime mârrin pjesë:
a) Dera e Gjomarkut t’Oroshit;
b) Krenët e fisevet;
c) Pleqt e fisevet e të katundevet;
d) Sterpleqt e fisevet e të katundevet;
e) Djelmnija e Vogjlija e të gjitha fisevet;
f) Kasneca fisesh;
g) Giobtarë.
NYE I NJIQINDEKATERDHETENANDËT.
Vende kuvendesh.
§.1112. Bashkime kuvendesh mbahen a nder oborre Kishësh, a nder rrênime të vjetra faltoresh, a në zêmer të vendit.
1. Mirdita në Sh. Pál a në Grykë t’Oroshit.
2. Lura tu Kisha në katund të vjeter.
3. Thkella tu Kroni i Fikut në Perlataj.
4. Matja në Lis.
5. Malsija e Lezhes (Zhuba) në Molung, ke Dardha Kerbucë.
6. Dibra?
7. Malsija e Krues në Bendë.
8. Malsija e Tiranës në Martanesh.
9. Malsija e Elbasanit?
10. Labërija (Arbërija)?
11. Arbënija në Larushk.
12. Kurbini në Djerr të Selitës, në Laç-Sebaste.
13. Luma në Bicaj.
14. Hasi?
15. Malsija e Gjakovës tu Vorret e Shalës.
19. Dukagjini në Koder të Shen Gjergjit (Shosh).
17. Puka tu Qyteti i Pukës.
18. Postripa në Qytet tu Xhamija (Drishtë).
19. Mbishkodra tu Kisha e Brigjes-Rapshë.
20. Kelmendi në Qafë të Berdelecit.
21. Capa (Zadrima) në Dajç.
— Nikaj e Mertuer tu Kisha e Nikajvet.
Mertuer e Krasniqe tu Blîni i kuvendit (Selimaj).
§.1113. Burrat e bashkuem në kuvend rrîjn në gjymës rrethit: ashtû qi të mund të shofin shoqi shoqin e, po u thirr kush, të két shteg per me u dukë nder Krenë e Pleq.
§.1114. Burrat e dheut në kuvend rrîjn t’armatisun.[4]
§.1115. Sá të jenë në kuvend burrat e dheut, s’ká tager kush i huej me u perzie nder 'ta.
§.1116. Nder gjygje e peshime Krenët e Pleqt rrîjn në vedi e Vogjlija në vedi.
§.1117. Krenët e Pleqt rrîjn në kuvend mbas prîjet e tagrit.
§.1118. Në kuvend, sá të flasë njani, tjerët do të ndigiojn e të heshtin.
§.1119. Çâshtjet e vogla e të kapmet, qi ká katundi shoq me shoq, Pleqt e katundit bashkë me Sterpleq e Vogjlí kan tager me i zhgarkue.
§.1120. Çâshtjet e randa, qi i perkasin njij fisi mbarë, do të peshohen e do të pleqnohen prej Krenvet të fisit bashkë me Pleq, Sterpleq e Vogjlí.
§.1121. Çâshtjet, qi i perkasin njij krahine marë — ase shtetit, — do të peshohen nder kuvende të pergjithshme: «burrë per shpí».[5]
§.1122. Fjala e randë nuk bâhet në kuvend.
§.1123. Kanûja s’bán qi të shahet kush në kuvend; po bâni kush ket pûnë, do të giobitet mje në 5 desh.
§.1124. Po i tha kush kuej, se rrênë në kuvend, do të giobitet mje në 500 grosh.
§.1125. Po i a shkrepi kush kuej armen në kuvend, shpija i digjet e sjellsi i armës grîhet kuvendisht e shkon gjakhupës.
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETËT.
Dera e Gjon Markut.[6]
§.1126. Dera e Gjomarkut âsht themeli i kanûs.
§.1127. Xên kryet e vendit në çdo vend e kuvend.
§.1128. Nuk mund të leçitet.
§.1129. Nuk mund të sodumet.
§.1130. Nuk mund të xieret prej vendit.
§.1131. Pertej kësaj Dere s’ká vazhdim çâshtjesh.
§.1132. Ká tager me mledhë krenë e Vogjlí në rasë të kuvendevet të pergjithshme.
§.1133. Sá herë t’a lypë nevoja ká tager me derdhë kasneca per të grishun të dheut «burrë per shpí» e me i mbledhë në Sh. Pál.
§.1134. Në çdo gjygj a pleqní ká tagrin e fjalës së kputne.
§.1135. Ká tager me sodumë e me xjerrë prej vendit.
§.1136. Ká tager me dnue per dekë: «kortarët jânë të fisevet, kryet âsht të Gjomarkut».
§.1137. Ká tager me i a hjekë prîjen a parín atij, qi të xêhet në hjeksí e trathtí të vendit. — Porsè nuk mund t’i epet kuej jashta vllaznijet, tuj kênë trashigim plangçuer-tagruer.
§.1138. Ká tager pjese në çdo giobë.
§.1139. Ká tager mbí 500 grosh per çdo vrasë.
§.1140. Para se të dalë me krenë e Vogjlí të fisevet, per zbatim të kanunevet ndeshkimore, do t’a shtrojë pengun; e po u gjet në ndonji faj, do të pergjegjet si mbas kanunit.
§.1141. Do t’i vêhet giobës si çdo nenshtetas.
§.1142. Kúr del per pajtim të dheut, ká tager mbë «Razogj» (dý hae bukë).
§.1143. Po u lyp per Poronik cillido i kësaj Dere, xêhet per 12 të panjehun.
§.1144. Kúr të dalë n’ushtrí, ká tager prîje e urdhnimi.
§.1145. Per faje, qi jânë per ûnë zjarmi, edhè ket Derë e perket lima (sá me bâ shêj).
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETEPARË.
Krenët e fisevet.
§.1146. Krenët jânë të parët e fisevet
§.1147. Krenët jânë me plang.
§.1148. Se i cilli krye ká tager mbí fis të vet:
«Kortarët jânë të fisevet, kryet âsht të Gjomarkut».
§.1149. Nder gjygje e pleqní mbrenda rrethit të njij kreut, nuk mund t’i perzihen krenët e fisevet tjera.
§.1150. Kreu i fisit, bashkë me Pleq e Vogjlí të vllaznive ká tager me mbajtë kuvende, me lidhë besë, me bâ gjygje, me giobitë e me leçitë.
§.1151. Kreu i fisit nuk mund të paditet nder krenë të fisevet tjera e nuk mund t’a ngushtojë kush per gjygje e pleqní të bâme.
§.1152. Kreu i fisit nuk mund të bâjë vendime a pleqní mbí vendime të kanunit.
§.1153. Po bâni kush váj mbë krenë, këta do të peshohen prej Pleqvet e Vogjlís së vendit, a edhè prej Deret të Gjomarkut.
§.1154. Kreu i njij fisi s’ká tager me djegë, me sodumë, me grî, me xjerrë prej vendit. — Lypet Dera e Gjomarkut me krenë e Vogjlí të fisevet tjera. —
§.1155. Per të giobitun e të leçitun të njij kreu, mjaftojn Pleqt, Sterpleqt e Vogjlija e fisit.
§.1156. Me u çue kush prej Vogjlijet e me vrá ndonji prej krenësh a Gjomarkajsh, bjen në gjak si per vrasë të çdo njerit.
§.1157. Kreu i fisit, si çdo njeri prej Vogjlijet, mund të giobitet, mund të digjet, mund të leçitet, mund të sodumet, mund të grîhet e mund të xieret prej vendit.
§.1158. Kah pronet e pasunija, kje në fushë, në bjeshkë e në vrrî, do të shikjohet tagri plangçuer i se të cillit.
§.1159. As dera e Gjomarkut, as krenët e fisevet e as Pleqt e katundevet s’munden me pasë ndonji tager mbí gjâ e pasuní të tjervet.
§.1160. Vogjlija e fisevet s’i ká detyrë as kreut e as Derës së Gjomarkut të dhetë e telozen.
Oroe: Krenët (Flamurtarët) e Malsís së Gjakovës: Nikaj, Mertuer, Gash e Krasniqe, kan tager mbí nji rend t’ujit (vadë) prej kujrijet, posë atij, qi kan si çdo shpí.
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETEDYTË.
Pleqt e katundevet.
§.1161. Se i cilli katund ká Pleqt e fisit.
§.1162. Pleqt e katundit kan tager me mbledhë katundin në kuvend.
§.1163. Pleqt e katundit nuk kan tager me giobitë as me leçitë kend, pá pelqim të Sterpleqvet e të Vogjlís.
§.1164. Pleqt e katundit nuk perjashtohen prej zyrevet të katundit, as prej angarijet e prej pûnve të perbashkta.
§.1165. Pleqt e katundit nuk perjashtohen prej ushtrijet.
§.1166. Me rá në faj Plaku i katundit, do t’u a shtrojë pêngun Sterpleqvet e Vogjlís.
§.1167. Po i u randue katundi me Pleq ndonjij fisi, Plaku i të randuemit ká tager me e mprojët edhè me krenë të fisevet tjera.
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETETRETË.
Sterpleqt.
§.1168. Sterpleqt mbajn ânen e Vogjlís,
§.1169. Sterpleqt kan tager me çue zânin, kúr të shofin se po randohet Vogjlija me gjygje e pleqní kundra kanunit.
§.1170. Sterpleqt bashkë me Vogjlí a Djelmní fisesh jânë giobtarë.
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETEKATERT.
Giobtarët.
§.1171. Giobtarë thirren ata, të cillt n’êmen të kuvendit mbarë reshten në vath të gjâs së të giobitunit, per të mârrë aq krenë desh a qé si mbas së premes së gjygjit të krenvet, të Pleqvet, e të Vogjlís.
§.1172. I zoti i vathit nuk guxon me i ndalë giobtarët qi mos t’i hîjn në vath.
§.1173. Po bâni ket pûnë, burrat e kuvendit dynden të gjith edhè i brumbullaksohen në derë.
§.1174. Po bâni se bâni fjalë i zoti i gjâs, kan tager me i a shtue gioben.
§.1175. Giobtarët zgiedhin vetë desh e qé per giobë e i zoti i gjâs nuk mund t’i ndalin.
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETEPÊSËT.
Zâni i Vogjlis nder gjygje.
§.1176. Po s’i pelqej Vogjlija të damet e krenvet e të Pleqvet, kan tager mos me u ndêjë në 'to.
§.1177. Krenët e Pleqt do të vêhen rishtas në peshim të pûnvet.
§.1178. Po e tumiren gjygjin e krenvet e të Pleqvet Vogjlija, kanû âsht qi të bertasin njij zâni: «kamba e huej, kaptinat t’ona».
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETEGJASHTËT.
Leçija.
§.1179. Me leçitë, me gojë të kanunit, don me thânë: me dá, me lânë mbas dore e me shkepë nji shpí, tuj i a hjekun çdo tager, hír e nderë, si kah katundi, si kah Flamuri.
§.1180. Katundi ká tager me leçitë, por jo me xjerrë prej vendit.
§.1081. Kapucari do të két kpucët e veta permbas të folmevet të zot’t të gjâs së vjedhun a të gjakut të hupun.
§.1182. Me djegë, me sodumë e me grî s’ká tager as katundi pá flamur e as flamuri pá katund.
§.1183. Rasët per me leçitë kend jânë:
a) Kúr mos të duej kush me u lidhë me besë me katund a flamur;
b) kúr të shesë kush katundin e vet me hjeksí e trathtí;
c) kúr t’i pervaret kush njij gjygjit a vendimit të folun kuvendisht prej katundit a flamurit;
d) kúr të bâjë kush ndo’i faj të dhûnshem në katund, në flamur a jashtë këtyne e mos t’i shtrohet gjygjit;
e) per dhûnë të bâme jashta katundit a flamurit; po s’u gjegj fajtori me shtrue pengun në katund e në flamur të vet, këta hjekin dorë prej 'tij, tuj u a lânë shtegun të lír gjithnjatyne, qi kjahen mbë 'tê e të bâjn shka të duen me 'tê.[7]
§.1184. Po nguli katundi edhè i a ndali doren flamurit në të djegun a në të sodumun të njij faqeziut, qi vrugnoi katundin a Flamurin me ndo’i dhûnë teper të shemtueme, flamuri ká tager, a me leçitë at katund, a me mbledhë flamurt tjerë, per me e prû në mend.
§.1185. Po e la veç me të leçitun, as mêrr e as nep me 'tê, mje qi t’i shtrohet gjygjit e giobës.
§.1186. Si t’i a shtrojë pengun flamurit katundi i pervarun, flamuri e giobitë mbas peshimit të fajit.
§.1187. Shpín e fajtorit e djegin, e sodumin me bîmë e me dhé e shkaktarin e fajit të dhûnshem e grîjn kuvendisht me gjak-hupës e robët i a xjerrin prej vendit.
§.1188. Po kje mbrapshtí teper e dhûnshme e e shemtueshme, posë të djegunit, të sodumunit, të grîmunit e të xjerrunit prej vendit, flamuri edhè shpín i a pret.
§.1189. E premja e shpís âsht, kúr t’i zhgulin gurët e kater skepeve të shpís per rrâzë themelit. — Kjo bâhet, mbasi të digjet shpija.
§.1190. E premja e shpís në kanû shênjon, se gjindja e asaj shpije jânë të xjerrun prej vendit me lang e plang e pergjithmonë, e perkah flamuri xêhen të dalun fare.
§.1191. Pasunija e tundshme u bâhet giobë e e patundshmja do të jesë zmojle (djerr), per kullosë të flamurit.
§.1192. Me të leçitun nuk mundet kush i katundit me mârrë e me dhânë; e, po muer e dha kush, jet i leçitun edhè aj e bjen n’ato ndeshkime si i leçituni.
§.1193. Trajta e të leçitunit âsht njikjo: «Me dá kend per mort e per gjellë». — «Me leçitë kend per mort e per darsem e per uhán e miellit».[8]
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETESHTATËT.
Zjarmi, të sodumunt e të grîmunt.
§.1194. Digjet, sodumet, grîhet katundisht e xieret prej vendit me lang e plang:
a) aj, i cilli i shpifet në pûnë të randë a vên dorë a vret Priftin;
b) kush vret mikun në besë, grîhet, giobitet, digjet e xieret prej vendit;
c) kush vret per fis, digjet, giobitet e xieret prej vendit;
d) kush vret mbas pajtimit të gjakut, digjet, giobitet e xieret prej vendit;
e) kush vret «Vra e hup», digjet, giobitet e xieret prej vendit;
f) kush vret gjaksin në besë të vet, grîhet, digjet, giobitet e xieret vendit;
g) kush vret të kushrînin, per me u bâ i zoti i pasunís së tij, grîhet, digjet, giobitet e xieret prej vendit;
h) kush t’i lâjë mbrendë fajtorët e Flamurit, digjet, giobitet e xieret;
i) aj fis, qi nuk prîn mbë fajtorët, giobitet e leçitet.
§.1195. Po rá kush në ndonji këso fajesh, grîhet katundisht, giobitet, digjet, pêmët i prehen, kopshti e vêshta i sodumen e xieret prej vendit me lang e plang.
§.1196. Per Prift të vrám gjaksi xieret prej vendit per gjithherë e per faje tjera, qi i permendem, xieret per 5-15 vjetë.
§.1197. Ûnen e zjarmit e spaten nuk mund t’i qesë kush në pûnë (as katundi, as Flamuri e as Dera e Gjomarkut) per posë doret të zot’t të shpís, qi rá në faj.
§.1198. Dora e fajtorit do të bâjë shêj në të djegun e në të sodumun, tuj i shqyptue fjalët e dokshme: «I mârrsha të ligat katundit e Flamurit».
§.1199. Po s’u gjegj ky me bâ shêj me zjarm e askush tjeter i shpís së fajtorit, Plaku i fisit do t’i thotë ndokuej, qi e ká fajtorin mâ ngiat e detyra e këtij âsht me mârrë ûnen e spaten e me i prî katundit e Flamurit në rrênim, permbas të cillit katundi e Flamuri marë do të vêjë dorë n’at rrênim.
Oroe.
E djegmja e shpís per çdo vrasë nuk ká kênë: kjo pûnë ká hî në veprim vonë. — Qeverija tyrke e qiti në veprim e kasnecija e sá shpijave të forta me të zi qi e priti ket pûnë. — E kerkuemja e gjakut prej shpís së dorërasit marë nuk ká kênë; ket e dishmon edhè fjala e kanunit «Gjaku per gisht»: por, per me mârrë gjakun má letas, e pershînë mashkullimin e shpís marë deri të damët zjarmit n’ato 24 orë. — Vende-vende qiten në pûnë edhè «LEÇÍN» e gjakut, tuj pershî vllaznín marë. Per çdo vrasë shpija e dorërasit do të late giobë, do t’u epte bukë djelmve e Flamurit e në Mirditë do të late dorërasi 500 grosh Derës së Gjomarkut.
Lakmimi i pares i disá krenve e Djelmve të Flamurit në shoqní të Pleqvet i shtuen edhè i rriten disá pûnë, sá per me mbushë kuleten e mullen.
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETETETËT.
Lajmtari.
§.1200. «Lajmtari nuk bán faj, nuk xêhet.»
§.1201. Lajmtár thirret aj, i cilli çon në vend porosín e derguesit.
§.1202. Lajmtari dergohet:
a) prej njij shpije të veçanët te tjetra;
b) prej njij katundi te tjetri;
c) prej njij flamuri te tjetri.
§.1203. Lajmtari bán fjalen e njij shpije, të njij katundi a të njij flamuri.
§.1204. Lajmtari nuk e mêrr pergjegjen mbí vedi as te lagja, qi e dargon, as te lagja, së cillës i dergohet; âsht bajsi i fjalvet të porosituna.
§.1205. Lajmtari do të jét i lír n’udhë të vet.
§.1206. Lajmtarit nuk i xêhet per faj fjala e folun, sepsè flet n’êmen t’atij, qi e dergon.
§.1207. Lajmtari âsht miku i derguesit e, po e gjet gjâ sá të jét në ket zyre, i pritet mik derguesit.
§.1208. Me u pré lajmtari i njij shpije, pretari bjen në gjak me shpí, qi e dergon.
§.1209. Me u pré lajmtari i njij katundi, pretari bjen në gjak me katund.
§.1210. Me u pré lajmtari i njij flamuri, pretari bjen në gjak me flamur, qi e dergon.
§.1211. Me u pré lajmtari permbas fjalës së njij flamurit tjeter, bjen në gjak flamuri me flamur.
§.1212. Me e pré lajmtarin nji i katundit të tij, pretari grîhet katundisht.
NYE I NJIQINDEPÊSËDHETENANDËT.
Kasneci.
§.1213. Kasnec a i lajm thirret aj, i cilli hapë e lajmon urdhnat e Kreut të fisit a per derë, a prej njij patalokut të caktuem prej Kreut, prej Pleqsís e prej Vogjlijet.
§.1214. Zyra e kasnecís âsht plangçore e trashiguese.
§.1215. Kasneci i fisit do t’i a derdhë zânin e ftimit marë fisit prej Patalokut të caktuem.
§.1216. Kasnecat e katundevet do të shkojn per derë, kúr të lypen «burrë per shpí».
§.1217. Në çdo rrezik a kercnim kasneci do të gjindet gati me i dhânë «kushtrim» fisit.
§.1218. Kasneci me gjith shpí âsht i perjashtuem prej ushtrijet.
§.1219. Kasneci nuk mund t’u mnjanohet pûnvet e zyrevet të perbashkta të katundit të vet.
§.1220. Edhè në ndollët Kasneci i xânun nder zyre të fisit a të katundit, gjindja e shpís së tij do të dalin në pûnë të katundit.
Maledictus qui accipit numera, ut percutiat animam sanguinis innocentis, et dicet omnis populus: Amen. (Deuter. XXVII. 26.) ↩︎
„Oppositus est prignori“. — Publ. Terentius, Phormio, alt. IV. Scena III. — Opponere interdum significat deponere, hoc est contra alium provocantem pignus ponere. — ↩︎
„Judices citati jurabant se ex lege judicaturos“. (Rit. Rom. c. II. De judiciis publ. fr. 150.) ↩︎
…Quando vi son tutti, seggono armati…. (Tacit., Germania XI) — Nè pubblica nè privata cosa fanno, se non armati. (Idem, ibid. XII.) ↩︎
I. Kúr, me 17.III.1903, Esad Toptani, Kurt Beg Çela me ushtarë e gjendarmerí e Ndoc Ndreca me Mirditas e msŷn Pëshkashin e Thkellës per me rrethue e me prû në mend Marka Kulin e Kurbinit, i cilli i pat dalë doret qeverís tyrke, Kurt Begu i pat thânë Ndocit: „Prîj Mirditë, e t’i biejm Markut!“ — Ndoci i pergjegjka: „Të presim Esadin qi të na prîjë.“ — Kurti i a pritka „Prîj Mirditë, sikurse i ké pasë prî gjithherë Shqypnís, se tý të perket prîja, e mbas tejet do të vîjë Toptani a kushdo kjofët“.
II. Në vjetë 1911, në nji rasë të kuvendit me Dedë Gjolulin e Traboinës i permenduni Deda pat thânë: Që se mbahet në mend, Shqypnís i ká pasë prî Dera e Gjomarkut me Mirditë, e, me nji herë mbas Mirditet, ká pasë shkue Hoti“. ↩︎
Le cose importanti deliberano tutti; le piccole il principale. — (Idem, ibid. XI.) ↩︎
Ad uomo o donna citati dalla città come ingiusti, nessuno rechi ajuto o conversi con essi; se lo farà, rimanga vituperato per esser simile a quelli con cui pratica. (Leggi di Caronda) ↩︎
Atque in ipsa formula condemnationis, poena plerumque etiam exprimebatur hoc modo, egr. Videtur vim fecisse, eoque nomine aqua, igni — et tecto — ei interdico. (Dyon Halic. IV. 11.) ↩︎
Lekë Dukagjini