KRYE I DYTË.
NDERTIMI I FAMILJES.
NYE I NANDËT.
Familja e kuptueme në vedvedi.
§. 18. Percaktimi i familjes.
Familja âsht nji të mbledhun gjymtyrësh, të cillët gjallisin nen nji kulm, qellimi i të cillvet âsht të shtuemt e gjindes nper mjet të martesës, të mkambunt e tyne kah zhdrivillimi i shtatit e kah zhvillimi i mendes e i shises.[1]
§. 19. Pjestarët e Familjes.
Familjen e perbâjn gjindja e shpís; si të shtohen këta, dahen në vllazní, vllaznija në gjiní, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashkut permblidhen në nji Familje mâ të hapët, e cilla quhet Kóm, e kan nji atme, nji gjak, nji giûhë, e doke.[2]
§. 20. Tagri, perlimi e detyra e të zot’t të shpís.
Mbas Kanunit, sundimi i shpís i perket mâ të vjetrit nen kulm të shpís a se vllaut të parë; po s’paten ato vetí, qi duhen per me krye ket zyre si e lypë detyra, atbotë zgidhet kuvendisht prej shpijakve njaj, qi të jét mâ i mêçem, i urtë e mâ kujdestár.
Zot shpije mundet m’u bâ edhè nieri i pamartuem.
I zoti i shpís ká tager:
1) me ndêjë në krye të vendit në shpí të vet, edhè pse gjinden mâ të vjeter se ky në shpí;
2) mbí armët e veta, edhè njiqind qese n’i bâshin; mbí kál të shalës; mbí shtrojë e mblojë të veten; mbí veglat e kafes, e këto sende as kanuja e dahes s’i pershîn;
3) mbí fitime të gjindes së shpís, të rrogës a të të falmeve;
4) me blé, me shitë e me ndrrue tokë, si arë, livadhe, xâna (ograja), prozhme, rendin e vadës, gjâ të gjalla e rêmet;
5) me dhânë e me mârrë uhá e me hî dorzânë;
6) me ndreqë shpija, ksolla, vithna, etj.;
7) me çue në pûnë a në shtek gjinden e shpís;
8) me çue gjinden e shpís per pûntorë uhá a edhè falë;
9) mbí vênë e rakí, a me blé a me shitë a me dhânë uhá;
10) me ndeshkue gjinden e shpís, kúr mos të hecin si e lypë e mara e shpís.
Ndeshkimet jânë njikëto:
a) Me lânë pá hânger;
b) Me u hjekun armët e krahit a të brêzit per nji a dŷ javë;
c) Me lidhë e me burgosun në shpí;
d) Kryekcyemin me e dá shpijet me pjesë, qi i perket, per me shporrë shnjerzimin e rrezikun.
11) Me hî dorëzânë kush i shpís pertej se i bân arma; me shitë, me blé a me ndrrue gjâ pá lêje të zot’t të shpís, ká tager mos m’u pergjegjë, se Kanuja s’e xên per të zakonshme as të shitmen, as të blemen as të ndrruemen e as dorëzanín këso dore, e çdo send a gjâ do të shkmehet, se â’ bâ pá lêje të zot’t të shpís.
§. 21. Perlimi e detyra e të zot’t të shpís.
1) M’u perkujdesë per të marët e gjindes e të shpís;
2) Me mbajtë në frê gjinden e shpís të mos t’i sjellin ndo’i dâm a rrênim;
3) Me prî mâ i pari në pûnë, qi i perkasin vehtjes së tij;
4) Me mbajtë sŷ mbí tokët, të mos të jesin djerr; mbí tufë të gjâs s’gjallë, të mos praptohet e mara e sajë;
5) Me pûnue me mend e urtí mbrenda e jashta shpijet e të mos t’a çojë kah rrênimi e fika shpín.
6) M’u perkujdesë per veshë e mbathë të gjindes së shpís prej fitimeve të shpís;
7) Me mbajtë udhen e drejtsís në shpí, e mos me i a mbajtë krahin mâ teper njênit se tjetrit;
8) M’u blé armët djelmvet, kúr të shofë se jânë bâ per 'to.
§. 22. Tagri i së zojës së shpís.
E zoja e shpís ká tager:
1) Mbí të gjitha sendet, qi bâhen në shpí;
2) Me dhânë a me lypë uhá miell, bukë, krypë, djathë a tlyen;
3) Me i urdhnue grát e shpís, me i çue per ujë, per drû, m’u çue bukë pûntorvet, me ujët (me vaditë), me bajtë pleh, me korrë a me mihë a me qirue.
§. 23. Perlimi i së zojës së shpís.
E zoja e shpís ká:
1) Me bâ gati mjesditen e darken, me zie, me ndreqë tryezen e me dá haenat;
2) Me i a vû menden bylmetit të mos të shkojë dâm;
3) Mos me shitë, as me blé a me ndrrue gjâ pá lêje të zot’t të shpís. E zoja e shpís s’gatuen, s’shkon per ujë, s’bán drû, as pleh, as me ujët as me korrë a me qirue, as bukë m’u çue pûntorvet;
4) Me shikjue drejtsín në të ndrequn të gjindes e të fmive të shpís; mos me i a mbajtë krahin kuej mâ teper se tjetrit;
5) E zoja e shpís do të perkujdeset per fmí, sá të jenë në pûnë grát.
§. 24. Tagri i gjindes së shpís.
Gjindja e shpís ká tager:
1) Me hjekë të zo’n e shpís per në pashin se nuk pûnon per të marët e shpís a i çon kah fika;
2) Me hjekë të zojen e shpís, per n’u raftë per sŷsh se bracnon, a shet gjâ tinëz — edhè nji kokerr voejet me kênë — a n’u mbajtë krah fmîvet të vet mâ teper se të tjervet.
3) Mbí armët e veta seicilli; munden me shitë, me ndrrue, a me lânë pêng, porse s’kan tager me lypë tjetren në shpí;
4) Mbí qé ká tager bulku, qi i nget; me i ndimue kuej a uhá a falë pá pasë nevojë per lêje të zot’t të shpís;
5) Mbí tufë dhênsh ká tager bariu, qi i ruen; i zoti i shpís s’ká tager me i u perzie në ket zyre; para se të shese gjâ a të prese ndo’i kambë berri, bariut do t’i thotë, e ky e din se çë farë berri a lope âsht per t’u hjekë.
§. 25. Perlimi i gjindes së shpís âsht:
1) Mos me hî dorzânë pá lêje të zot’t të shpís;
2) Munden me hî dorëzânë edhè pá e pvetë të zo’n e shpís, porsè per aq, sá u bân arma, se kjo âsht e vehtja;
3) Nuk munden me i shkue kuej per pûntorë pá lêje të zot’t të shpìs;
4) Nuk munden me shitë as me blé as me ndrrue gjâ;
5) Gjindja e shpís nuk munden me mundshtue të zo’n e shpís në pûnët e shpís a të krahit;
6) Me ndigiue, e me shkue gjithkund t’urdhnoje i zoti i shpís;
7) Kuej t’i a njese gishtin i zoti i shpís me dalë n’ushtrí, do të dale;
8) Granija jânë në detyrë me pûnue per shpí: po u teproi koha, si të lirohen prej punve të shpís, munden me bâ punë doret të vetat.
NYE I DHETËT.
Familja e kuptueme në Katund e në Flamur.
§. 26. Tagri i Familjes.
1) Ka tager e zâ në kuvend të katundit;
2) Ka tager në pjesë të giobës së katundit;
3) Ka tager në kujrí të katundit;
4) Ka tager me mârrë më ndore kêdo;
5) Ka tager me prî me ûnë zjarmi e me spatë në të djegun të nji shpije në fis të vet;
6) Ka tager me u prî giobtarvet në vathë të fisit të vet;
7) Me rá në ndo’i faj të randë shpija, per të cillin i shkon ndeshkimi i ûnës së zjarmit e i spatës, as katundi as Flamuri s’mund vêjë dorë më rrênim pá prî vetë fajtori.
§. 27. Perlimi i Familjes.
a) në Katund:
1) I zoti i shpís do të pergjegjet per çdo dâm, qi t’i bâjn kuej gjindja;
2) Do të dalë në kuvend gjith sá herë të mblidhet katundi;
3) Do të çojë pûntorin në pûnë, qi ká katundi rrethas;
b) në Flamur:
1) Do të dalë në kuvend të Flamurit kúr të thirren «Burrë per shpí»;
2) Do të pergjegjet rrethas me katund per «dŷ hae bukë» djelmvet të Flamurit;
3) Do të lajë 400 grosh giobë Derës së Gjomarkut per çdo vrasë;
4) Do të dalë n’ushtrí të Flamurit.
Lekë Dukagjini