NYE I NJIMBDHETËT.
Percaktimi e mëndyrët e Martesës.
§. 28. Percaktimi i Martesës në Kanû.
M’u martue më kanûn do’ me thânë m’u bâ shpí, me i a shtue shpís nji rob mâ teper, sá per krah të pûnve, sá per të shtuem të fmive.
§. 29. Mëndyrët e Martesës[1]:
a) Martesa me kunorë, e pelqyeme kah Feja e kanuja e Lekës; b) Grueja e mbajtne mbí kunorë, kundra Fejet e kanujet të Lekës; c) Grueja e vajza e grabitme, e jasht-zakonshme kahë Feja e kanuja[2]; ç) Martesa me provë kundra Fejet e kanujet.
NYE I DYMBDHETËT.
Tagri i djalit e i vajzës.
§. 30. Tagri i djalit.
„Djali ká tager me mendue per martesë të vet, po s’pat prind“.
Djali sá të két prind s’ká tager:
a) me mendue per martesë të vet;
b) me shênjue shkuesin;
c) m’u perzie në fejesë të vet;
ç) as në shêj, as në petka, as në këpucë, e as në të prém fejet.
§. 31. Tagri i Vajzës.
Vajza, edhè në mos pasët prindt, ajo s’ká tager me mendue per martesë të vet, tagri âsht në dorë të vllazenve a të kushrîjve.
Vajza s’ká tager:
a) me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë per atê, per të cillin t’a fejojn[3];
b) m’u perzie në shkuesí as në fejesë;
c) as në këpucë as në petka.
NYE I TREMBDHETËT.
Detyrët e burrit e të grues.
§ 32. Detyrët e burrit ndaj gruen.
Burri â’ në detyrë:
a) me u perkujdesë per veshë e mathë e per gjithshka të lypet per me mbajtë jeten;
b) me ruejtë nderen e grues e mos me e lânë me u ankue per kurrnji nevojë.
§ 33. Detyrët e grues ndaj burrin.
Grueja â’ në detyrë:
a) me i a ruejtë nderen burrit;
b) me i rrogue pá zhibla;
c) me i ndêjë nen sundim;
d) m’u pergjegjë detyrve të kunorës;
e) me rritë e me mkambë fmín me nderë;
f) me i ndêjë gadi me të veshmen e të mathmen (kah e qepmja);
g) mos me i u perzie në fejesë të të bijve e të të bijave.
§ 34. Tagri i grues.
Grueja ká tager me lypë prej burrit të mbajtmen, e veshen e mathen.
NYE I KATERMBDHETËT.
Tagri i burrit të vejë e i grues së vejë.
§ 35. Tagri i burrit të vejë.
Burri i vejë, po s’pat prind, ká tager me folë vetë per martesë të vet, (porse burri i Malevet të Shqypnís s’e bân ket pûnë, edhè në dijtë se do t’jesë pá u martue; dokja âsht me qitë nji tjeter qi të flasë per tê perkah martesa).
§ 36. Tagri i grues së vejë.
«Grueja e vejë flet vetë. — Grueja e vejë i kthen krushqt m’udhë».
Grueja e vejë ká tager:
a) me folë vetë kah martesa;
b) me zgiedhë per fat atê, qi t’i pelqejë per sŷ;
c) me dá me gisht shkuesin, qi t’i a biej shêjin.
KRYE I TRETË.
SHKUESIJA-FEJESA.
NYE I PÊSËMBDHETËT.
Shkuesija.
§ 37. Percaktimi i Shkuesit.
Shkues thirret njaj, i cilli rreket m’u bâ fjalë-mirë a te prindja e djalit a te prindja e vajzës, qi të mârrin a të napin vajzen per at djalë.
§ 38. Tagri e perlimi i Shkuesit.
1. Shkuesi âsht ndermjetsi te dhandrri e te nusja (te djali e te vajza), të mos të luejn fjalet as njana as tjetra lagje.
2. Shkuesi ká tager mbí 50 grosh të shkuesís, per kpucë, të preme prej kanuje.
3. Kpucët e shkuesit e kan vaden në ditë qi të mirret nusja.
4. Shkuesin e gjên a shpija e vajzës a shpija e djalit.
5. Kpucët e shkuesís i bân gjith-herë shpija e dhandrrit, edhè ne e shênjoftë shkuesín shpija e nuses.
6. Shkuesi ká tager me folë sá per prindt e vajzës, ashtû edhè per prindt e djalit.
7. Perlimi i shkuesit âsht me hecë per të mârrun vesht, per me çue paret me t’a’n a të vllán e dhandrrit te prindja e vajzës.
8. Shkuesi ká tager m’u perzie në çdo pûnë ndermjet prindës së djalit e të vajzës, mje në ditë të martesës.
NYE I GJASHTËMBDHETËT.
Fejesa.
§ 39. Të ndaluemt e martesës në Kanûn.
Në fejesë varzash do të shikjohet:
a) Të mos të jetë gjak e gjiní;
b) Të mos të jetë të njij fisit;
c) Të mos të jetë mesë fisit të djalit, qi do me e xânë;
d) Të mos të jetë grueja e lshueme;
e) Të mos të ketë kumarí: 1) në të peshuem në derë të Kishës; 2) në Kunorë; 3) në të mârrun të flokvet; 4) të mos të jetë vllaznue me gjak të pím.
Kanuja s’e bán fejesen e martesen, kúr të ndermjetsohen ndalimet e naltpermenduna, edhè në katerqind brêza me kênë[4].
Në fejesë të lirë âsht kanú qi të shkoje shkuesi e i ati — a i vllaj — i djalit te prindja e vajzës, per me çue shêjin në nâtë të dame.
Të hìmit n’ânë, shkuesi do të perpushë zjarmin, para se të lypë vajzen; si t’a perpushë zjarmin, flet.
Si të ketë hânger darkë, i ati i dhandrrit do t’i apë shkuesit në dorë si paret, si shêjin. Shkuesi si të njehë paret më qêthit, do të çohet më kambë, e lshon në dorë të t’et të vajzës si paret, si shêjin.
§ 40. «Nuse pá shkuesí s’bâhet».
Vajza e grabitne a e hikne, me gjetë burrë, nuk mund të stoliset si nuse; do të shkojë vajzënisht — me petka vajzënijet — per arsye, qi u muer e shkoi jashtë kanujet pá shkues.
NYE I SHTATËMBDHETËT.
Shêji.
„Shêji, mje ke të hjekish dorë, t’a bân nierin t’ândin“.
§ 41. Percaktimi i Shêjit.
Shêji perbâhet prej njij unâze të rêmët a t’argjanët (tash vonë), se arit s’i dihet fija nder malcí t’ona.[5] — «Unaza e dhetë grosh» jânë me kanún.
Shêji as ndrrohet as kthehet per të gjallët t’atij, qi e xên vajzen.
Me shêj perdorohet vajza, e, po duelen fjalet, prindja e vajzës shpís së dhândrrit i kan nji gjak.
§ 42. Tagri i djalit per me lshue vajzen e zânun.
Njatë herë kúr t’i teket djalit, âsht i lirë me lshue vajzen e xânun, porsè shêji e gjithsá pare të két lá per vajzë i hupin; arsyeja âsht: «Kush e lshon vajzen nder unazë, kanuja i a bân gjobë hêm shêjin hêm paret sá të két lá per tê.»
Para se t’a lshojë vajzen djali, do të bâjë me dije shkuesin e ky me dŷ shokë të katundit të djalit do të shkojë te prindja e vajzës, e nder sŷ të dŷ shokve të katundit të vajzës, u kallxon, se djali, qi e pat xânë vajzen e tyne, â’ tue hjekë dorë, e jânë lirë me e martue njeti.
§ 43. Vajza nen unazë nuk ká tager me lshue djalin.
Vajza e xânun nuk mundet me e lshue djalin edhè në mos e pasët per sŷ.
Po s’ndigioi vajza me shkue m’at fat, qi e ká xânë, e edhè prindja i perkrahen së bís, kjo s’mund të martohet mâ per të gjallët e dhandrrit me tjeterkend.
Prindja e vajzës jânë detyrë me i a kthye shpís së dhândrrit mje në mâ të mbramin dŷsh, qi kan lá per at vajzë.
Shêji e dhetë grosht e kanús, qi i jânë çue vajzës kúr u xû, do të jesin n’arkë të sáj deri diten e dekës së dhandrrit; e të dije si vajza, si djali, si prindja se aj shêj s’i lên me luejtë.
Kah kanuja, vajza jet e lidhun, e veç me lêje të dhandrrit qi e pat xânë e per në hjekët dorë ky, se s’mund të martohet, e s’â’ kanún qi të shkojë tjeterkush me e lypë, si të dijë se gjindet e pengueme.
Edhè po muer tjeter grue dhandrri vajza e xânun prej tij jet e lidhun se e lidhun.
Me dekë të dhandrrit, kanuja e liron vajzen, e, po desht, mund të martohet, per arsye qi «me dekë të dhandrrit, shêji xêhet i hupun».
— Po s’ndigioi vajza me shkue m’at fat, qi e pat xânë, edhè me perdhûni do t’i a apin atij, qi e ká xânë me «Fishek më shinë»; e per n’i raftë per sŷ vajza tue hikun, ky e vret me fishek të prindës së sáj, e gjaku i vajzës shkon hupës, per arsye qi me fishek të tyne e vrau.
NYE I TETËMBDHETËT.
„E premja e Fés“. - Dita më shêj.[6]
§. 44. Percaktimi i „Fés së preme.“
«Me pré Fén» do’ me thânë me dá diten e vaden e kputme se kúr me nisë krushqt per me mârrë nusen.
Si t’i «pritet feja» vajzës, tuj kênë ditë më shêj, krushqt do të nisen at ditë pá tjera fjalë, e ket ditë as kanuja s’e shtŷn, as bán qi të shtŷhet.
Krushqt do të shkojn me mârrë nusen at ditë, edhè me dijtë se â’ tuj dekë nusja, zhargas e rrshânas do t’a çojn në shpí të dhandrrit.
Krushqve s’u ndalet udha, edhè me pasë të dekmin në shpí, prindja e dhandrrit a prindja e vajzës.
I dekni në shpí, krushqt do të nisen; nusja hînë në shpí, i dekni del shpijet. Andej të vajtohet, këndej të këndohet. (Kjo thohet per me diftue se as deka ket ditë s’mund t’i ndalë krushqt, se me këndue nuk këndohet.)
NYE I NANDËMBDHETËT.
Çmimi, qi nepej e nepet per grá.
Çmimi, qi nepej per varza a grá, tash 50 vjetë e andej, perbâhej prejë 50, 100 200 mje 400 groshësh.
Çmimi i kanús së vonë perbâhet prej 1500 groshve, aq sá bân gjaku i grues.
NYE I NJIZETËT.
Trashigimi i grues Shqyptare.
Grueja shqyptare farë trashigimit s’ká te prindja, as më plâng, as në shpí, — kanuja e xên gruen si nji tepricë në shpí.
Prindja s’mendon per pajë as per kurrnji send per vajzë të vet; aj, qi e xên do t’i a baje kujdesin.
Prindja e djalit, qi e xûn vajzen do të mendojn per gjith shka duhet per martesë të saj.[7]
KRYE I KATERT.
DARSMA.
NYE I NJIZETEPARË.
Gatimi i darsmes në Kanûn.
§. 45. Per darsem do të gatohen:
a) Kau i darsmes do të qesë 100 okë mish e vjamë;
b) nji barrë miell kallamoqit;
c) 4 babûne grûnë — miell grûnit;
ç) 4 okë kafe;
d) 12 okë sheqer;
e) 8 okë oriz;
f) 4 okë mjalët;
g) 10 okë djathë;
h) 2 okë tlyen;
i) 3 okë voj të butë;
j) 70 okë rakí.
V. O. Heret në vend të rakís ishte vêna.
§. 46. Në darsem të Kanús hîjn:
a) 12 Krushq e 13 Krushka;
b) Thirca;
c) Strafuleca;
ç) Magjatore (gatojce);
d) Sherbtorë;
e) Kcimatare;
f) Desharët;
g) Kângë vallesh;
h) Dhandrri e Nusja:
i) Dy dishmitarë (Kumarët e Kunorës);
j) Kunora.
§. 47. Detyra e të zot’t të Darsmes.
Kater javë para darsmet i ati i dhandrrit a i zoti i shpís do të shkojë vetë me krye me thirrë krushqit.
Mâ para thirren krushqit miq, mandej krushqit shokë.
§. 48. „Âsht Kanún, qi mikut t’i shkohet në darsem me dash.“
Desh do të çojn:
a) Nipa e sternipa, edhè në djep me kênë e âma do t’a két dashin per doret e djepin më shpînë;
b) i ûngji i dhandrrit.
§. 49. Rendi kúr do të shkohet në darsem.
a) T’Êjten shkojn bijat e nipat;
b) Të Prenden mbrâma shkojn Thirrca, Strafuleca, Magjatore, Ujatore, Deshtarët, e Krushqit miq.
Deshtarët, të mrrîjtmit n’oborr të dhandrrit, do të qesin ka 'i pushkë per krye.
c) Të Shtunden nadje shkojn Krushqit shokë.
Të Shtunden, si të nisen Krushqit, do të theret gjedhi i darsmes.
NYE I NJIZETEDYTË.
Prîja e Krushqvet.
§. 50. «Prîjen e kryshqve lype e pvete e veç atij qi i perket, se s’ká burrë, qi mund të prîjë». — Âsht e rrebët kjo Kanû.
Prîja e krushqve s’luhet as ndrrohet.
Me bâ me hutue i zoti i darsmes, e me shênjue per krushk të parë atê, të cillit s’i shkon prîja e krushqís, posë qi bjen në giobë, edhè krushkaparin, qi aj e shênjoi, kanuja s’i a xên.
Krushkapari s’mundet me kênë:
a) Mik, por shoq i katundit të dhandrrit;
b) nuk do t’jét prej vllaznijet a fisit të dhandrrit, por prej fisit tjeter.
Krushkaparin kanûja s’e shikjon per dukë, por të cillit i perket prîja, e edhè fmí e shemtim per sŷ me kênë, shpija e dhandrrit do t’a pelqeje.
§. 51. Vargu i Krushqve m’udhë.
Rreshti i krushqve kúr të nisen me mârrë nusen, e tuj u kthye me tê, mbas kanûnit âsht njeky:
I. — Krushkapari, shoq, prîn
II. — Krushku mik
III. „ shoq
IV. „ mik
V. „ shoq
VI. „ mik
VII, „ shoq
VIII. „ mik
IX. „ shoq
X. „ mik
XI „ mik
XII. „ shoq me dash per doret.
XIII. Krushka tuj e reshtë dashin.
Mâ i mbrami do të shkojë i ati a i vllaj i dhandrrit me kál per doret.
Krushqit, tue u nisë per nuse, do të qesin ka nji pushkë per krye n’oborr të dhandrrit.
NYE I NJIZETETRETË.
„Krushqit pá e me nuse, e percjellsa me të deknin, s’mund t’i kalojn kuej per derë, posë me kênë shteku a udha e katundit a udha e madhe“.
§ 52. Udhen e katundit e udhen e madhe, s’ká burrë qi mund t’i a ndale kuej, edhè me kênë se i kalon para derës së shpís.
Aty, kû kalon nieri, kalon edhè bagëtija, kalon i gjalli, e kalohet me të dekunin.
M’u bâ rrênim m’udhë të madhe, zhyt e mbyt, aty do të kalojë shtektari e bagëtija, nusja me krushq, e percjellsa me të deknin.
Zâmêja e të zot’t lypet — pá ndryshim — per me i kalue rrâzë shpijet, e ky mundet me lirue shtekun, porse me fjalë, të mos t’i jesë aty udhë, e të mos t’i bâhet ndera dhûnë.
Me bâ me u trimnue kush, a krushqit a percjellësat me të deknin, me i kalue per derë, kanuja e ep me i këthye dalë, per arsye qi shtekun e shpís e të pronevet të veta e ká per vedi e jo per udhë të madhe.
Me qillue se shtŷhen me besat (forcade), ká ndollë, qi i jânë bâ shokë të deknit, e nuses i a vû futa më krye.
NYE I NJIZETEKATERT.
„Krushku i vendit t’i a lshojë udhen krushkut mik“.
Krushqit m’udhë, tue shkue per nuse s’mund të qesin pushkë, e kanuja vên leçí mos me i ngae kush.
Shtektarët, çfarëdo kâmbet e nderjet të jenë, qi ndeshen më krushq, do të shmangin udhen sá të kalojn krushqit.
Krushku i vendit do t’i a lshojë udhen krushkut mik; kjo âsht kanû detyret e burrnijet, qi e kan pasë malet t’ona që se mbahet në mend.
M’u ndeshë me krushq miq në katund a në Flamur t’êm, kanuja më vên detyrë m’u shmângë me krushqt e mí, sá të kalojn krushqt miq.
M’u ndeshë dŷ lagje krushq në katund a në Flamur të huej, kanû detyret âsht të shmangen sá njâna sá tjetra lagje, e të dahen me nderë e pá fjalë.
NYE I NJIZETEPÊSËT.
„Krushku - krushk, Miku - mik“.
§ 53. Kanuja s’na vên leçí mos me ngá mikun në shpí t’onë.
«Krushku â’ krushk» e kanuja na lên shtekun të lirë me e ngá, edhepsè na xên carânin e votres. — Me ngá krushkun s’i quhet kuej per marre.
Qe arsyeja:
Krushqt vîjn edhè biejn me vedi mish, meze, rakí (vênë) paret e së bûjtmes e tjera; kah kunûja krushqt hán buken e vet në shpí t’ême.
§ 54. Krushqit do të bijn me vedi:
1. — Dashin 12 okësh rrûmull; po erdh mengut, i ati i nuses ká tager me ngushtue Krushkaparin qi të blejë 'i dash tjeter si e lypë kanuja;
2. — Në ditë krezhmijet do të bjejn 8 okë peshk të thát;
3. — Djathë 2 okë;
4. — Vênë 8 okë;
5. — Rakí 2 okë;
6. — 12 grosh pare të s’bûjtmes; — këto pare jânë per bukë, qi u qet krushqve shpija e nuses okë e grosh;
7. — Djalit, qi u del krushqve perpara 5 grosh;
8. — Grues, qi e veshë nusen 5 grosh.
9. — 10 grosh ungjit të vajzës — vllaut të s’amës.
a) Krushqt vîjn si grabitçarë e si nji tubë cubash at natë, per me rá pré e me mârrë nierin si rob të xânun, e s’vîjn si miq;
b) Edhè i zoti i shpís, prá, e ká shtekun çilë me i ngucatë, m’u rá pré tuj u ndalë armët, e peng me tê s’mund të qesin, se kanuja s’jau gjegjë vajin.
§ 55. Darsma në shpí të nuses.
Në shpí, prejë së cillës del nusja, s’â’ kanûn me kndue, as me qitë pushkë.
Krushqt edhè në mrrîjshin heret në katund të nuses, s’â’ kanû m’u nisë kah shpija, pá prendue dielli e pá u muzgë.
Nji hollí kaut larg shpís së nuses, nji prej shokësh të katundit të nuses, i cilli s’do të jét as gjak as fis me nusen, do t’u dalë perpara krushqve.
Krushqt, tuj mrrîjtë n’oborr të nuses do të qesin ka nji pushkë per krye, ashtû edhè kúr të dalin m’u nisë me nusen.
Krushkapari vetem flet, krushqt tjerë s’â’ kanû qi të flasin, posë n’u thirrët a n’u pvetët kush me êmen.
Krushqt me krushken do të hajn bukë zbashkut më nji tryezë; s’â’ kanû me i dá dyzash.
Si të kryhet buka, do të lshojn darsmorët dhântít per nusen mbí bukë të pathyeme më tryezë.
Dhântija perbâhet prej nji groshit per krye, s’â’ kanû me dhânë as mâ teper as mengut.
KRYE I PÊSËT.
KANUNI I DHANDRRIS.
NYE I NJIZETEGJASHTËT.
„Me dekë dhandrri, prindja e nuses jânë në detyrë me i a kthye gjysen e çmimit shpís së dhandrrit“.
§ 56. Tagri i shpís së dhandrrit e detyra e mikut.
Me dekë dhandrri pá e mârrë nusen, mikut i jet në dorë Shêji (unaza) e dhetë grosh të kanús, se paret tjera do t’i a kthejë prindës së dhandrrit deri në mâ të mbramin dŷsh.
U martue dhandrri e veç nji natë e kaloi me nusen e diq, gjysen e çmimit do t’i a kthejë miku prindës së dhandrrit.
Me dekë dhandrri n’at vjetë qi u martue, gjysen se gjysen e çmimit i a kthen miku prindës së dhandrrit.
Me dekë dhandrri në krye të dŷ vjetve mbas marteset, dŷ pjesë të çmimit miku i ndalë per vedi, të treten i a kthen prindës së dhandrrit.
Me dekë dhandrri edhè vjetin e dytë, por tuj lânë fmí në carâ të voters, miku s’i ká farë detyret prindës së dhandrrit, per arsye qi bîja i a la shpín të perzieme e çmimin i a lau me fmí qi i a la në plâng.
Me dekë dhandrri në krye të trí vjetve, prindës së këtij s’i jet gjâ me mârrë te miku, per arsye qi bija e ktij i a bâni rrogen në derë[8].
NYE I NJIZETESHTATËT.
Deka e nuses.
§ 57. Tagri i prindës së nuses.
Me dekë nusja në krye të trí vjetve mbas marteset, pá lânë fmí në plâng të burrit, prindja e kësaj kan tager me mârrë petkat e rrgjânet, porsè arka me drŷ me nji palë petka do të jesin ke prindja e burrit.
Me dekë grueja, tuj lânë nji djalë a vajzë te burri, prindja e kësaj kan tager mbí rrgjânet e fytit, se tjera sende do të jesin në shpí të burrit.
NYE I NJIZETETETËT.
„Grueja s’bjen në gjak“. - „Grueja lshon më gjak prinden“.
Njimend se mbas kanunit t’onë «Gjaku shkon per gisht», porsè kjo kanû s’e pershîn gruen, per arsye, qi «Grueja s’bjen në gjak» edhè me qillue se vret kend.
Me vrá grueja burrin e vet a kêdo, prindja e kësaj do t’apin arsye per at gjak.
Burri e blén mundin e të jetuemt e grues, por jo jeten e saj.
Me e gjetë gjâ gruen per faj të burrit, prindja e kësaj i lypin arsye më kanú.
Me rrahë burri gruen, nuk bje në faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kerkojn të rrahmen.
Me plyrë burri gruen, e po bâni váj kjo ke prindt, burri do t’u apë arsye.
Me mbytë grueja burrin, e m’u çue i kunati me vrá të kunaten, pse i a vrau të vllán, kjo s’âsht e perligjme më kanún. — Gjaku i grues s’bâhet krahas me gjak të burrit; prá, tepricen e gjakut të burrit do t’a perligjin prindja e grues.
Sikursè jânë në detyrë prindja me dhânë arsye per çdo pûnë të ligë qi të bâjë në derë të burrit a kuejdo bija e tyne, ashtû çmimin e gjakut të saj e bán prindja e jo burri as djali i saj.
NYE I NJIZETENANDËT.
„Grueja âsht shakull per me bajtë“.
Grueja njifet si nji calikë per me bajtë sá të jetë në derë të burrit, se prindja së hjekin dorë prej sojet, e ndalin per vedi e mbí vedi të pergjegjmen per tê, por edhè me lypë arsye, me bâ me e gjetë gjâ.
NYE I TRIDHETËT.
Grueja e vejë.
Grueja, qi mbet e vejë e pá fmí, tuj u dá me shpí të burrit, petkat, qi pat prû si nuse e arken me drŷ i mêrr me vedi.
Grueja e ré, qi mbet e vejë, por me fmí, po desht me ndêjë në plang të burrit me fmí, do të dorzanitet me dŷ lagje dorzânë: dy dorzânë do të jenë të katundit kû mbet e vejë, se s’ká me pasë kush pûnë me tê, e se s’do t’i a korisin êmnin prindës as burrit të dekun; dy tjerë do të qesë prindja a kushrinija e saj se s’do t’a dajn prej fmive, veç në lypët vetë m’u dá e m’u martue.
Grueja, qi mbet pá burrë e pá fmí, e, pse e shtŷme në vjetë, i lutet prindës me e lânë në plang të burrit, s’guxon me e trazue kush prej vllaznís a fisit të burrit.
Grueja e vejë e pá djelm, per në pasët varza të martueme, ká tager me ndêjë e me jetue në plang të burrit. Mundet me shkue edhè ke prindët a ke ndonjâna bijë e martueme me gjallitë, e toka e burrit do t’i qesë buken e gojës — trí barrë drithë per vjetë deri në dekë.
Po u martue grueja e vejë, atbotë rrnesen e vet e gjênë te burri i dytë, se toka e burrit të parë s’qet bimë mâ per tê.
NYE I TRIDHETEPARË.
Theku i prém[9]
(Me lshue gruen)
Po s’u prû grueja si duhet te burri, kanuja i nep lêje me i pré thekun a flokun e me e lshue[10].
Kunora jet, e as burri as grueja nuk mund të martohen per të gjallët. — Po u qortue grueja, mbas së lutmes së dashamirve, qillon qi burri e mêrr persrí.
Per dŷ pûnë e ká fishekun në shpinë grueja e per nji pûnë i pritet theku e lshohet.
a) Per kurvní; b) per mik të prém.
Per këto dŷ pûnë të pabesijet i shoqi e vret të shoqen, e rrîn pá ndore, pá besë e pá kênë i ndjekun per gjak, se prindja e grues së vrame mârrin çmimin e gjakut, e këtij do t’i napin fishekun e do t’i qesin dorëzânët.
Per bracní a cubní burri e lshon gruen, porse tjeter dhûnë s’ká tager me i bâ grues[11].
Grueja, qi lshohet, tuj dalë shpijet të burrit, kurrnji send s’ká tager me mârrë me vedi posë petkash, qi ká në shtat. I hupin petkat grues së lshueme, persè çmimi, qi ká pasë lá burri per tê, i jet ke prindt[12].
Me pasë djalë prej gjiut grueja e lshueme, i shoqi, edhè pse e dán kathedret, âsht në detyrë me i a shênjue nji vend rreth plangut të vet, me i a dhânë djalin e me e mbajtë me veshë e mathë e me bukë.
NYE I TRIDHETEDYTË.
Grueja e pá-kunorë.
Aj, qi të mârrë gruen pá kunorë, jet i lidhun kah Feja edhè kah kanûja.
Grueja e pá-kunorë farë tagrit s’ká në shpí të burrit.
Kanuja i nep këto ndeshkime burrit, qi mêrr grue të pá kunorë:
a) shpija i digjet e toka i jet djerr;
b) xieret prej vendit, e s’mund t’a shklasë token e vet mje qi t’a largojë gruen e mbajtne pá kunorë.
c) në pasët fmí me grue të pá kunorë, njehen të pá-ligjë e prandej s’mund të bâhen kurr perkaes (trashigues).
KRYE I GJASHTËT.
PRINDJA. (Baba - Nâna - Djelmt)[13]
NYE I TRIDHETETRETË.
Baba - Burri.
§. 58. Tagri i burrit mbí gruen.
Burri ká tager:
a) me kshillue e me qortue gruen;
b) me rrahë e me lidhë gruen e vet, kúr të mbrrijë me i a perbuzë fjalen e urdhnit.
§. 59. Tagri i babës mbí të bijt.
Baba ká tager:
a) mbí jetë e mbí gjallnim të të bîjve[14];
b) me rrahë, me lidhë, me burgosë a edhè me vrá të birin e të bín, kanuja s’i lypë arsye, edhè i a xên se vret vedin: «Kush vret vedin shkon gjak-hupës»[15];
c) me njitë të birin në rrogë sá herë të duej, per arsye, qi «Sá të jét i ati gjáll, i biri njehet si bulgë[16]»;
d) mbí fitimet e të birit, të rrogës a sidò kjoshin[17];
e) me shitë e me blé, me dhânë e me mârrë;
f) me karmue të birin shpijet pá pjesë, kúr mos t’i rrîje nen sundim e ndigiesë[18]; — porsè, si të desë i ati, i biri vjen në trashigim të t’et.
§. 60. Detyra e babës.
a) Baba âsht në detyrë m’u rrekë per të mirë të të bijve si kah ndera si kah pasunija;
b) m’u blé armë djelmve, si të bâhen per 'to;
c) mos me bâ testamende, si të két të bijt;
d) trashigimin paraz m’u lânë djelmvet.
NYE I TRIDHETEKATERT.
Nana - Grueja.
§. 61. Paperlimsija e grues.[19]
a) Burri nuk ká tager mbí jetë të grues;
b) Grueja farë tagrit s’ká as mbí të bijt as në shpí;
c) Me vrá i biri t’âmen, bjen në gjak me prindt e s’âmës;
d) Me rrahë, me plyrë a me vrá gruen e burrit dora e huej, nderen i a kerkon burri, varren e gjakun prindja;
e) Me rrahë kunetija gruen e burrit, prindja e grues i a lypin nderen, në mos i raftë mbrapa i shoqi;
f) Me kênë nâna gergase (qi perzien shpín), i biri e qet t’âmen prej shpijet pá njesë e pá gjâ, veç se vjetin e parë do t’i apë buken e gojës (trí barrë drithë) e tjeter s’i ká.
NYE I TRIDHETEPÊSËT.
Djelmt.
§. 62. Detyra e perlimi i djelmvet.
a) Bijt jau kan detyrë prindës bindjen e ndigiesen;
b) do të rrîjn nen sundim të t’et mje qi të desë ky;
c) s’mund të sjellin doren më ‘ta, as m’u rá ndesh fjalës;
d) per çdo pûnë do të mêrren vesht me t’anë;
e) pá lêje të t’et s’mund të shkojn kund;
f) pá zamê të t’et s’mund të blejn as s’mund të shesin gjâ, e as farë mârrdhâniet s’mund të kenë me kend;
g) s’munden me hî dorëzânë, posë per aq, sá u bâjn armët e brêzit:
h) s’munden me qitë t’anë më rrugë të madhe edhè pse â’ plakë jetòs.
i) me pretue (me mârrë pré), me vjedhë a me vrá kend i biri, i ati do të pergjegjet per arsye qi «Fitimi e rreziku i të bijve i perpjesënohet t’et e vllazenve»;
j) me vrá i biri t’anë, fisi a grîn dorërasin ase e xjerrë vendit per gjith herë[20];
k) me i u mbushë mendja ndonjênit nder djelm me u dá prej t’et, del pá pjesë e pá gjâ.
§ 63. Tagri i Parbinís (i djalit të parë).
a) Djalit të parë i perket sundimi i shpís mbas dekës së t’et;
b) Vllau i parë do të pvetet per gjithshka mbrenda e jashta shpijet;
c) Me kênë derë Flamurtari, djalit të parë të vllaut të parë i perket Flamuri;
d) Me kênë derë Vojvodet, djalit të parë të vllaut të parë i perket prîja;
e) Me kênë Plak katundit, djalit të vllaut të parë i perket strapleqnija.
Oroe: Sá të jét pá u dá shpija, i ungji i të bijve të vllaut të parë del nder zyre të katundit e të Flamurit; si të dahen, s’kan tager m’u perzie nder zyre të naltpermenduna as i ungji as të bijt e tij, pse jânë të të bijve të vllaut të parë.
KRYE I SHTATËT.
TË DÁMT.
§ 64. Në Kanû të të damit pershîhen:
1. Shpija, troje e vithna. 2. Toka: a) arë, b) vneshta; c) livadhe; d) xâna, ograja; e) prozhme-zabele; 3. Vada (rendi i ujit); 4. Mullîni; 5. Fitim e të prishuna; 6. Armët; 7. Rêmet, hekurishta, almistra qésh; 8. Rraqe shpijet — shtroja e mbloja —; 9. gjâja e gjallë: lopë, qé, kual, dele e dhí; 10. Drithi e çdo bimë aret; 11. Bletët; 12. Djathi e tlyeni; 13. Vêna e rakija; 14. Pleqt e të damit.
§ 65. Shpija, troje e vithna.
1. Shpija me tokë, qi të ketë per rreth, i perket vllaut të mbramë.
2. Prroje e vithna dahen per vllá — aq pjesësh, sá zjarmijesh të dahen vllazent. —
§ 66. Toka.
1. Toka e të parve do të dahet me terkuzë — per vllá —.
2. Toka e bléme prej djelmve — mbas dekës së prindës — do të dahet per pushkë.
3. Vllau i ndermjemët ká tager me zgiedhë tokë kû të duej.
4. Ara, vneshta, livadhi, xâna - ograja, prozhme e zabele do të dahen me terkuzë — per vllá, sá njani tjetri.
5. Kujnija, mali e bjeshka s’dahen; do t’a kenë zbashkut, si per drû si per kullosë.
§ 67. Vada.
Rendi i ujit do të dahet me kerçik mbas oket.
§ 68. Mullîni.
Mullîni, si toka, dahet per vllá.
§ 69. Fitime e të prishuna.
1. Fitimet e të prishunat jânë të plangut: shpija i gzon e, pá u dá shpija, do të lahen.
2. Fitime të posaçta kanuja së veçon: «Shka të xânë të dámt në shpí, jet mbrendë.»
3. Paja e grues nuk hîn në pleqní të të damit.
4. Dhantít, qi i mblidhen nuses në ditë të martesës, si te prindja, si te burri, kanuja e të damit nuk i pershîn; jânë të grues.
§ 70. Armët.
Armët do t’i epen vllaut të parë.[21]
§ 71. Rême, hekurishta, almistra qésh.
Rêmet do të dahen per vllá, si edhè hekurishtat: spata, sheten, kosa, kmesa, kîza, sharra, thadra, dalta, etj.; ashjû edhè almistra qésh.
§ 72. Rraqe shpijet.
a) Shtroja e mbloja do të dahen per vllá:
b) vozga, govixha, fuçija, sheka, per vllá:
c) lugë, qêtha, vjedra (mjelca), mtîj, turren e drûve, vegsha, vorba, kuça, e shka të jenë ênë drûnit e dheut, i dán e zoja e shpís per mbas msimit të pleqve, ashtû adhè pulat.
§ 73. Gjâja e gjallë.
«Berret dahen per pushkë». — Në të dám të berrevet, të lopvet, të qevet e të kualvet mârrin vetun ata, qi jânë të zot me bajtë armë.
§ 74. Drithi.
1. «Drithi dahet per gojë». Burravet, gravet e fmivet do t’u epet buka e gojës në ditë të të damit.
2. Fmija — djalë a vajzë — pá e mbushë vjetin, s’kan tager në bukë të gojës. Si të mbushin vjetin, do t’u dahet pjesa e bukës si tjervet.
3. Jo veç drithi, por edhè çdo bimë tjeter e arve a e kopshtîjeve, do të dahet per gojë.
§. 75. Bletët.
1. Zgjojt e bletve do të dahen per vllá.
2. Mjalti dahet per gojë.
§. 76. Djathi e tlyeni.
Bylmeti e çdo melmesë do të dahet per gojë.
§ 77. Vêna e rakija.
Vêna e rakija, me nji fjalë, gjithshka hahet e pihet, do të dahen per gojë.
§ 78. Pleqt e të damit.
1. Pleqt e të damit do të jenë dŷ a kater, a si t’a lypë nevoja e shpís, qi dahet.
2. Pleqt e të damit kan tager me mârrë ka nji berr per krye plakut.
3. Kpucët e pleqve të të damit do t’i apin zbashkut vllazent, qi dahen.
Oroe.
§ 79. a) Plakut të shkretë do t’i epen të prishunat e drekve pá u dá shpija.
b) Vllaut të pamartuem do t’i epen të prishunat e martesës pá u dá shpija.
c) Granija s’hîjn në pjesë të të damit, posë per bukë të gojës — në të gjitha sendet, qi hahen e pihen —.
d) Grazhdi — sâna e kashta — dahen mbas gjâjet.
§ 80. Po u u mbush mendja vllazenve me u dá per të gjallët e t’et, këta nuk kan tager me u perzie as në tokë, as në pasuní, e do të shkojë seicilli n’at pjesë, qi t’u a shênjojë i ati.
§ 81. Mbas deket të t’et, kanuja e të damit nuk i veçon vllazent, por, sá të jenë, aq pjesësh do t’a dajn pasunín e t’et, si të tundshmen si edhè të patundshmen.
§ 82. Me kênë kater vllazen, e per në qitshin Pleqt per m’u dá, token e të parve do t’a dajn me terkuzë[22] per vllá. (Shif. Krye i VII, § 66, 1)
§ 83. Me u dá dy vllazen më nji krah e dy tjerë më nji tjeter, token e të parve e dajn per gjymës, token e bleme prej sish per pushkë. (Shif. Krye VII § 66, 2).
§ 84. Me dekë njani vllá prej dy të damve, pá lânë djalë në voter, toka, qi i pat rá në pjesë, do të dahet trísh, posë tokësh të bleme mbrapa e posë gjâsë së gjallë të pertrîme mbasi jânë dá.
§ 85. Paragrafi 83 e 84 pershîn edhè vllazen dŷ nanash.
§ 86. Vllazent e dám nji herë me gúr e kufî, po u perzien persrí, e mbas do kohe u mbushet mendja me u sterdá, tokët i dajn mbas kufînit të së dames së parë. Per në paçin blé tokë të reja e pertrî gjâ të gjalla permbasi u perzien, do të qesin në pûnë § 83.
§ 87. Me kênë dy a mâ shum vllazen, e me dekë njani tuj lânë djalë mbrapa, kúr të dahen, djali i vorfen dahet me t’ungjin si vllá, mêrr pjesen e t’et.
KRYE I TETËT.
TRASHIGIMET.
NYE I TRIDHETEGJASHTËT.
Tagri i trashigimit në Kanû.
§ 88. Kanûja njef per trashigues djalin e jo vajzen.
§ 89. Djalin të pakunorë kanûja s’e njef per trashigues.
§ 90. Nipit të trungut a të gjakut i perket trashigimi, e jo nipit të tamblit a nipit bijash.
§ 91. As te prindja as te burri grueja s’hînë në pjesë të trashigimit:[23]
a) të mos të dyndet nipnija me ngûlë në plang t’ungjit të dalë;
b) të mos ngrehen prindja e grues me ngulë në plang të dhandrrit të dalë fare;
c) të mos perzihen fiset e nji flamurit me fise të tjetrit flamur.
§ 92. Me dalë fare mashkullimi i njij shpije e njiqind bija me pasë dalë aso dere, s’kan tager me u perzie në trashigim të prindës as këto, as bijt e bijat e tyne. «Nip bije nuk mund të varet në krrabë t’ungjve.»
§ 93. Me mbetë nji djalë ferishte djepi, i pá tatë e i pá nanë, i pá vllá e moter, kushrinija e ngiatë jânë në detyrë me e rritë, gjânë e token me i a ruejt, porsè s’kan tager as me shitë e as me ndrrue gjâsend.
§ 94. Kushrinija edhè pse jânë në detyrë me rritë e me mkambë djalin e vorfen, me i a ruejtë gjânë e tokët, mundin e djersve të veta kan tager me e mârrë: «pûntori do rrogen e vet.» Bîmët i gëzon, e shtojet e gjâs do t’i dajë mbas kanûnit, si të bâhet i zoti i vedit djali.
§ 95. Si të bâhet 15 vjeç djali, kanûja e njef per burrë e per të zo’n e krahve të vet, atbotë edhè do t’i dorzohen pronet e pasunít e sundimi i shpís së vet.
§ 96. Me kênë shpija kushrîjsh, qi kan sá njana tjera, plangun e shuem do t’a dajn zbashkut.
§ 97. Po s’pat kushrîj të ngiatë plângu i shuem, vllaznija a fisi edhè më njiqind brêza në kjoshin, kan tager mbí gjâ, prone e pasuní të këtij plangu.
§ 98. Me mbetë plangu në bija, kushrini mâ i ngiati, a shkon te ato, a i mêrr në shpí të vet, e aty e m’at hov mêrr sundimin mbí gjâ, pasuní e prone.
NYE I TRIDHETESHTATËT.
Detyra e kushrîjve e tagri i bijave:
§ 99. Me mbajtë në shpí varzat e plangut të shuem, me i a bajtë kujdesin per kah vesha e mbatha.
§ 100. Me martue varzat e vorfna.
§ 101. Me i pritë në të pám e me i percjellë mbas kanûnit.
§ 102. Me u bâ drekët bijave, po diqne në shpí të vet para a mbas martese.
NYE I TRIDHETETETËT.
Vllau i shpifun.
§ 103. Vllá i shpifun, mbas Kanûnit, thirret njaj, i cilli i lén nânës me burrë të dytë.
§ 104. Vllau i shpifun s’ká tager trashigimi as perkasije në plâng të burrit të parë të nânës.
KRYE I NANDËT.
TË LÂNUNAT.
(Testamendet).
NYE I TRIDHETENANDËT.
Percaktimi i testamendeve.
Oroe: Kanûni i Lekës nuk njef testamende; e, per në dashtë kush me lânë gjâ prej pasunísh të veta per shpírt, duhet doemos pelqimi i kushrîjve.
§ 105. Percaktimi i të Lânunave (i Testamendeve).
Per të lânunat a të falmet a, si thotë goja e kombit t’onë «me lânë gjâsend per shpírt» mêrret vesht me lânë gjâ per kishë, si arë a livadh, kopshtë a vêshtë, prozhem a zabel, rendin e ujit, a edhè lang e plang me t’eger e të butë, do të két:
a) mendt e shndoshta në krye;
b) të jét i lirë kah e lânmja;
c) mos të jét i tutun prej kercnimit të ndokuej;
d) të két tager me lânë.
NYE I KATERDHETËT.
Mëndyrë të Lânunash.
§ 106. Të lânunat jânë dŷ mëndyrësh: me barrë e pá barrë.
a) Të lânunat me barrë (me detyrë) jânë ato kúr lânësi i cakton kishës nji detyrë, b. f. me thânë nji a dŷ Meshë në vjetë per shpírt të tij a të parvet të tij, per at pasuní, qi po lên.
b) Të lânunat pá barrë jânë ato, kúr lânësi lên gjâsend per kishë pá i caktue kurrfarë detyre, e xêhet si e falun.
c) Lânësi âsht në detyrë me mbledhë kushrinín e vet e Pleqt e fisit me dishmitarë, e, si lânësi si këta, do të vêjn gisht në leter si e lypë kanûni.
NYE I KATERDHETEPARË.
Tagri i të dalunit fare.
§ 107. Gjithkush âsht i zoti i pasunís së vet, e aj, i cilli don me lânë gjânë e vet per kishë, âsht i lirë e nuk mund t’a ndalë kush.
§ 108. Baba edhè në mos pasët djelm, nuk mundet me u lânë bijave as tokë, as plâng, as shpí.
§ 109. Baba, per të gjallë të vet, ká tager me u falë bijavet të holla, rraqe, çakla; permbas deket të t’et s’ká tager bija me lypë të falmet e të folmet e t’et.
NYE I KATERDHETEDYTË.
Tagri i kushrinís.
§ 110. Kushrinija e të dalunit fare kan tager me shperblye token e gjânë e të dalunit fare; porsè çmimin e kësaj pasunije do t’i a dorëzojn Kishës, mbas mendes së të dalunit fare.
§ 111. Me pasë lânë uhá e detyrë gjaqesh i daluni fare, do të lahen prej pasunísh të shperblyeme prej kushrîjsh, e tepricen do t’i a dorëzojn Kishës per shpírt të të dalunit fare.
§ 112. Me dekë në të papritun i daluni fare, kushrinija, kan teger mbí gjâ e pasuní të tij[24].
§ 113. Edhè në mos lashtë gjâ me shkrim i daluni fare, kushrinija jânë në detyrë me mendue per shpírt të tij; po s’e mueren në kujdes ket pûnë kushrinija, fisi e Pleqt e katundit, kúr t’a dajn pasunín e tij, u caktojn se shka do të lânë per Kishë.
§ 114. Në pasët bija të martueme i daluni fare, e per ne e shperbleshin pasunín e tij kushrinija, në detyrë jânë me i pritë e me i percjellë mbas kanunit.
§ 115. Po pat djelm, i jati nuk mundet me bâ testamend.
§ 116. Po diq i ati në të papritun, tuj lânë djalin ferishte djepi, kushrinija do t’a mârrë në kujdes pasunín e djalin mje qi të bâhet 15 vjeç[25].
NYE I KATERDHETETRETË.
Rrogtari.
§ 117. Zotnija ká urdhnesen, rrogtari ndigjesen.
§ 118. Rroga lahet mbas vendimit, qi të bâhet ndermjet zotnís e rrogtarit.
§ 119. Per ndo 'i faj, qi të bâjë rrogtari zotnija s’mund i a bâjë giobë rrogen.
§ 120. Po vodh a vrau kend rrogtari me bukë e me fjalë të zotnís, rrogtari bjen në faj e në gjak, porsè dâmi âsht i zotnís, e ky do t’a xjerrë së keq rrogtarin.
§ 121. Po ndolli cubnija a vrasa në katund të zotnís, do t’a largojë rrogtarin, porse do t’a percjellë me rrogë të motmotit per arsye qi faji kje i zotnís e jo i rrogtarit.
§ 122. Po bâni ndo 'i mbrapshtí rrogtari a në katund të zotnís a jashta këtij, porsè në mende të vet e pá dije të zotnís, dâmin e gioben do t’a hjekë rrogtari, e në dashtë zotnija me e percjellë, rrogen deri n’at ditë do t’i a apë.
§ 123. Me vrá kend rrogtari në mende të vet, gjakun e çon te shpija e vet.
§ 124. Me vrá kush rrogtarin, bjen në gjak me shpí të tij, por zotnís i pritet mik.
§ 125. Me i u mbushë mendja zotnís me e dá rrogtarin, veç pse nuk i pelqen e pá e gjetë në faj, rrogen e vjetit do t’i a lajë.
§ 126. Me u dyndë zotnija me plang prej njij krahine në nji tjeter, po s’e muer rrogtarin me vedi i a ká detyrë rrogen e vjetit; po s’u gjegj rrogtari me i shkue mbrapa, i a ká rrogen deri n’at ditë.
§ 127. Po i kcej rrogtarit me u dá prej rroget para vadjet, veç pse i merzitun, zotnija do t’i apë rrogen mje m’at ditë.
§ 128. Po s’heci mbas andes së zotnís rrogtari, mund t’a dajë, 'se me vû gojë keqas mbë tê e me vû dorë nuk mundet.
§ 129. Me shá keqas a me rrafë rrogtarin zotnija, e per n’u daftë ky para vadjet, per të rrafme e per të shame do t’i ligjohet.
§ 130. Brimen e qortimin e zotnís do t’i kaperdîje rrogtari.
§ 131. Me rrafë rrogtarin dora e huej, ky lypë gjŷgj e zotnija buken e dhûnueme.
Nuptiae contrahebantur tribus modis, Usu nempe, Confarreatione, et Coëmptione. — Usu vel usurpatione, contrahebantur nuptiae, cum mulier matrimonii causa anno integro et continuo cum viro fuisset. (Ovid. 395.; Gell. 2.) — Confarreatione, cum certis verbis adhibitis, testibus decem præsentibus, solemnique sacrificio (in quo farre utebantur) coram Pontifice peracto, mulier in manum viri conveniebat… Servius. D. in Virg. Georg. I. 3. I.; Tacit. Ann. IV. 16. — Coëmptione, hoc est imaginaria emptione et venditione fiebant nuptiae, quando nummis dicis causa adhibitis, mulier in potestatem viri transibat. Ser. d. l., Cic. pro Mur. 10. ↩︎
„Quando per forca si toglie alla paterna case una fanciulla che grida soccorso e piange dopo ucciso o ferito chi si oppone, e rotte le mura, dicesi il matrimonio dei gioganti“. Manava dharmasastra. Codice di Manû. Libro III Matrimonio, ecc. Nr. 33.
V. O. Nder doke darsmash kan m’u shtjellue mâ çiltas e mâ gjatë edhè mndyrët e martesave. ↩︎
Uxorem habebat Faunus, quae dicebatur Fatna vel Fanna, eadem de causa qua maritus eam appellationem sortita.“ Justin. XLIII. 1. — Rit. Romana. ↩︎
Me gabue kush kundra këtŷne ndalimeve, fisi i vet e giobitë, e qillon qi edhè shpín i a djegë. ↩︎
„Tum sponsus annulum pronubum quasi arhae, (L. 38. pr. ff. de ritu nupt. t. 3, Coa. de Sponsal.) sive pignoris loco (Juven. VI-V-27.) sponsae dabat; qui Plinii aetate ferreus, postea aureus fuit“, (ipse Plinius, H. N. XXXIII. — Rit. Rom. De Nuptiis, c. IV. 1. De Sponsalibus). ↩︎
„Placuit despondi, hic nuptiis dictus est dies“. (P. Terentii Comoediae, „Anadri“ Actus I, Scena I.). ↩︎
„Dotes filiabus suis non dant.“ (Prisc. I. 7). „Dotem non uxor marito, sed uxori maritus offert. (Tacit. Germania). „Anticamente alle figlie non davasi veruna dote“. (Plutarc. Apofteg. lacon. t. III. p. 149). ↩︎
Oroshi e ká: Nji ditë e mjè më nji vjetë po e kaloi nusja në derë të dhandrrit e diq ky, prindja e dajn të bín me gjith petka e rrgjânë, e nuk u jet farë detyret me i kthye gjâ prej çmimit shpís së dhandrrit të dekun. ↩︎
Thekat jânë skâjet e tufve, qi kan të njeshme grát e maleve — të Mirditës —. ↩︎
„Acrisis crinibus nudatam coram propinquis expellit domo maritus ac per omnem vicum verbere agit.“ C. C. Tacitus, Germania. 19. ↩︎
„Divortium lege Romuli viris non vero mulieribus permissum fuit: a) si mulier veneficio circa prolem usa fuisset; b) si alienam pro sua supposuisset; c) si adulterium fecisset (Plutarc. Romul. p. m. 31.; d) si inscio marito vinum bibisset.“ Gellius, X. 23; Plin. H. N. XIV. 13. — Rit. Rom. §. IV. c. IV. De Divort. et Repud. — ↩︎
„Hoc casu dos a marito reddebatur et tabulae sponsalitiae frangebantur. Juvenal, IX, 75. Divortii formula erat: Res tuas tibi habeto“ L. 2. §. I. ff. de divortio. Item: „Collige sarcinulas: exi, vade foras“. Vid. Brisson form. L. III. — Rit. Rom. §. IV. c. De Divort. et Repud. — Burri tuj e lshue gruen thotë: „Del shpijet, se nuk më duhesh gjâ. Udha e mbrapësht të voftë!“ ↩︎
Shif „Hyllin e Dritës“, N. 3, 1913. Tagri të zot’t të shpís. ↩︎
At Romanorum legislator (Romulus) omnem, ut ita dicam, potestatem in filium patri concessit idque toto vitae tempore, sive eum in carcerem conjicere, sive ad rusticum opus detinere, sive occidere vellet“… (Pars antiqua XII Tabular. Potestas patria et coniugalis.) ↩︎
Pater in filium habebat jus vitae et necis, ita ut, si eum occidisset, non teneretur lege Pompeia de parracidis, nec lege Cornelia de sicariis“. (G. H. Nieupoort, Rit. Rom. De potestate patria apud Romanos). ↩︎
„Si pater ter venumduit, filius a pater liber esto“. (XII. Tabul.) ↩︎
„Quidquid liberi ex operis suis, vel aliunde acquirebant, illud eo ipso momento patri acquirebatur, ideoque etiam non bona filii dicebantur sed Peculium“. (G. H. Nieupoort, de patria potestate; Dion. Halic. VIII. 79). ↩︎
„Paterfamilias uti legassit super pecunia tutelave sua, ita jus esto“. (XII. Tabul.) — „Pater poterat filium exheredare nulla causa adjecta“. (G. H. Nieupoort, de patr. potestate) ↩︎
„Mater enim liberos in potestate non habebat (G. H. Nieupoort, De familiis Romanor.) ↩︎
«Si quis non furiosus patrem vel matrem avum aviamve pulsare aut ferire audebit, verberibus mulctetur, et perpetuo exilio extra Imperii fines deportetur, et sacris arceatur». (Plato, Lib. 6 de Legibus.) ↩︎
Shif: «Hylli i Dritës», Nr. 3. 1913. — §. 3. N. 2.) ↩︎
Et ejecit a facie eorum Gentes; et sorte divisit eis terram in funiculo distributionis. (Psalmi LXXVII.) ↩︎
„Dotes filiabus suis non dant“. (Prisc. 1. 7. — C. C. Sallust. Frag. Histor.) „Non da la dote la moglie al marito, ma il marito alla moglie…“ (C. Cor. Tacitus, Germania.) — „Lycurgum quodam percontante cur virgines indotatas nubere praecipisset? Ut, inquit, neque propter egestatem aliquae relinquerentur innuptae, neque aliae propter divitias expetantur, sed juvenum quisque mores puellae spectans et virtutes eligat“. (Plut. Apoph. Aub. C. 22). ↩︎
Si intestato moritur, cui suus heres nec sit, agnatus proximus familiam habeto. (Ulpianus, Frag. II. § 14. — XII Tab., Tabula V.) Lex ex ea familia inquit, in eam familiam. (Idem, XXIX, § 1.) ↩︎
Quibus testamento tutor datus non sit, ex lege XII. Tabular. agnati sunt tutores, qui vocantur legitimi. (Gajus Just. comm. I. 155). ↩︎
Lekë Dukagjini