Libri i katërt - Shpi, Gja e Pronë

KRYE I DHETËT
SHPIJA E RRETHI I SAJ

NYE KATERDHETEKATERT
„Shpija e thyeme ká 500 grosh giobë e dý per nji të zot’t“.[1]

§.132. Në themel xêhet shpija, po kje kullë, mëdheskë a ksollë, mjaft qi të két carânin e votres e të qesë tym.

§.133. Çdo ndertesë qi të gjindet n’oborr, âsht e njitun me shpí, pse gjindet në hije të saj; po u tye, ká giobë e dý per nji.

§.134. S’i hîhet kuej në shpí, per pá i bâ zâ n’oborr.

§.135. Thirre e, s’t’u pergjegj kush, a rrî e prit, a nisu në pûnë t’ande.

§.136. Po u shtŷne e çile deren, shpija xêhet e thyeme edhè e pruejtun, e cilla ká 500 grosh giobë, e rraqet e hupuna dý per nji.

§.137. Kanuni thotë: kush t’i a thejë shpín kuej, per nderë të mârrun ká 500 grosh giobë Flamurit (Bajrakut), e prej sendesh të vjedhuna dý per nji të zot’t.

§.138. Vathi e gjâs ká 500 grosh giobë e dý per nji të zot’t.

§.139. Vathi i bletve ká 500 grosh giobë e dý per nji të zot’t.

§.140. Çerraniku i tamblit ká 500 grosh giobë e dý per nji të zot’t.

§.141. Koshari i drithit ká 500 grosh giobë e dý per nji të zot’t.

§.142. Me i a thye kuej shtegun e oborrit, t’arës, të livadhit a të kopshtit, qi i ká para shpije, ká 500 grosh giobë, e të zot’t pûnen të ndreqme.

KRYE I NJIMBDHETËT
GJÂJA E GJALLË

NYE I KATERDHETEPÊSËT
Bariu.

§.143. Barí thirret aj, qi i prîn tufës-gjâs në kullosë.

§.144. Bariu-rrogtár âsht në detyrë me i a vû menden tufës të mos t’i damtohet as mos t’i bâje dam kuej.

§.145. Po i bâni dam kuej bariu me gjâ, i zoti i tufës e lán e jo bariu.

§.146. Me i tretë ndo’i kambë berri bariut, do t’a bâje me dije të zo’n e tufës, e, si i zoti si edhè bariu do të perpiqen në hetim të tij.

§.147. Po i treti bariut ndo’i berr pá shêj e pá dukë, i zoti i tufës ká tager me e çue barín deri në bé; po i u lá me bé, s’i ká tjeter detyrë.

§.148. Po thej qafen a u kafshue prej bishe ndo’i berr, bariu â’në detyrë me i a çue shêjin të zot’t e tjeter detyrë s’i ká.

§.149. Po i a vodh kush ndo’i berr bariut, detyra e këtij âsht me e bâ me dije të zo’n e tufës, tuj i a kallxue vendin e kohen se kû e kúr u vodh; tjeter detyrë s’i ká.[2]

§.150. Po duel cub bariu vetë, gjânë e vjedhun do t’i a kthejë të zot’t në mëndyrë të kanunit, edhè e percjellë në pûnë të vet. Në mos e pasët krye vjetin, rroga do t’i epet mje në ditë, në të cillen u gjet në faj.

§.151. Me vrá bariu cubin tuj vjedhë a tuj pretue tufen, gjakun e çon te shpija e vet, e sá per berr a tufë të pretueme, i zoti do të krepatohet.

§.152. Bariu âsht në detyrë me ruejtë gjân, e nuk do të pshtetet në të thurun a të pá thurun, sepse «gjâja do rojë, 'se hecë, e toka nuk luen».

NYE I KATERDHETEGJASHTËT
Skjapi a dashi i kumbonës (Ogiçi).

§.153. «Ndera e vathit âsht në kumbonë».

§.154. Po u muer pré, per dhûnë a prej ndo’i marazit e faqe bariut skjapi a dashi i kumbonës, e po s’u vrán n’at hov, 500 grosh giobë i mirren pretarit e gjâja dý per nji.

NYE I KATERDHETESHTATËT
Gjâja per gjymës.

§.155. Kryegjâja âsht e të zot’t; me cofë ndo’i kâmë, dâmi âsht i të zot’t. Per vertetim do t’i çohet të zot’t shêji prej atij, qi e ká per gjymës.

§.156. Po u dhán per gjymës dhí a dele, pjella, këmenda e leshi dahen per gjymës ndermjet zotnís e bariut.

§.157. I zoti s’âsht me detyrë me mendue as per krypë as per kësollë, por bariu qi i mêrr per gjymës.

§.158. Po u dha viçi fêmen e u rrit në derë të bariut, si të pjellë, pjella e parë âsht e bariut, qi e rriti, e bylmeti per gjymës.

§.159. Po e prishi bariu bylmetin e gjâs, qi ká per gjymës, detyrë i a ká të zot’t a pjesen e bylmetit a pjellen.

§.160. Gjâja per gjymës nepet e mirret gjithherë në vjeshtë.

§.161. Lopa per gjymës i sjellë të zot’t 4 okë djathë e 2 okë tlyen.

§.162. Në dhetë krenë dhí, i zoti mêrr 5 okë tlyen — gjymës oke per krye.

§.163. Në dhetë krenë dele, i zoti mêrr 5 okë tlyen — gjymës oke per krye.

§.164. Në djathë s’ká tager i zoti as në të dhive, as në të deleve.

NYE I KATERDHETETETËT
Kryegjâja.

§.165. Kryegjâja âsht e të zot’t, e cilla as nuk shtohet, as nuk dnohet kurr.

§.166. Kryegjâja kurr s’cofë.

§.167. Lesht e kmenda e kryegjâs âsht e të zot’t.

§.168. Pjella âsht krejt e bariut, mje qi t’i rrîje në derë kryegjâja.

§.169. Bylmeti dahet si të bâhet ndermjet tyne. — Vende vende bylmeti nuk nepet aspak. —

§.170. Po u damtue ndo’i kambë berri, dami âsht i bariut, e do t’a pertrîjë per me e mbushë numrin.

NYE I KATERDHETENANDËT
Gjâja me pergjegje.

§.171. «Gjâja me pergjegje nuk mirret».

§.172. Po more gjân per gjymës, detyra e pergjegjes nuk të lidhë; dami âsht i të zot’t.

§.173. Po u shkaktue dami prej pákujdesit të bariut, dami âsht i tij e gjânë e damtueme do t’a pertrîjë.

NYE I PÊSËDHETËT
Dosa per gjymës.

§.174. Po u muer derku fêmen per gjymës e porsá t’a daje dosa, edhè e rriti aj, qi e muer, pjellen e saj do t’a dajë per gjymës me të zo’n.

§.175. Dosa i jet bariut, qi e rriti, per të cillen do t’i apë të zot’t nji derk mâ teper.

§.176. Po s’u mbarrs dosa n’at vjetë, bariu nuk mund t’a shesë as s’mund t’a presë, por do t’a lâjë qi të pjellë nji herë.

§.177. Po u kervis dosa e puell e i shkuen dam dirqt pá i dá e âma, do t’a ruej bariu mje qi të mbarrset e të pjellë së dyti, e dirqt dahen si në § 174.

§.178. Dirqt dahen 'si t’i dajë e âma e jo para.

§.179. Po u dha per gjymës dosa e rritun, pjella dahet per gjymës, e dosa i kthehet të zot’t, per të cillen do t’i lêhet bariut nji derk mâ teper.

NYE I PÊSËDHETEPARË
Steli i qênit.

§.180. Qêni i hekurave ká stelin e vet.

§.181. Steli âsht tbâna e rojsit të shpís e të vathit.

§.182. Po vrau kush qênin në stel të vet, i ká 500 grosh të zot’t të qênit.

§.183. Qêni i hekurave lshohet mbas darkësh të mdhaja, e rrîn zgidhë mje qi të dalë drita.

§.184. Të shkrepunit dielli, qêni i hekurave do të gjindet në stel me hekura në qafë.

§.185. Po t’u turr qêni n’udhë të madhe, 'si të dalë drita, e nuk mund i pshtove pá e vrá, edhè e vrave, peng e plak nuk mund të lypë i zoti i qênit, per arsye qi «Udha e madhe nuk lán gjâ».

§.186. Po t’u turr qêni në çdo kohë të ditës, i drodhe pushken edhè e vrave, tuj i rá a ballit a krahnorit, qêni shkon hupës.

§.187. Qêni në dam vritet, por at-botë veç kúr të gjindet me «mish në gojë» b. f. tuj të bâ dam ndo’i kambë berri në tufë.

§.188. Qênit në mal, tuj shkue mbas tufës së vet, s’i pritet gjygji; po e vrave, lán qênin.

§.189. Prifti nuk mundet me mbajtë qên hekurash te Qela (Kisha), per arsye qi Prifti do të gjindet gadi natë e ditë per çdo nevojë të popullit.

§.190. Po desht me mbajtë qên hekurash Prifti, as natë as ditë nuk mund t’a lirojë prej hekurash.

NYE I PÊSËDHETEDYTË
Kau më hú.

§.191. Kau më hú po e dimnoi bulku, ká nji barrë drithë; po e dimnoi i zoti ká nji barrë e gjymës.

§.192. Po u vodh kau më hú, bulku e i zoti i kaut do të rreken në hetim të tij.

§.193. Kapucarín do t’a lajn zbashkut, sá njani tjetri.

§.194. Po i vojt mendja të zot’t, se bulku i a ká damtue kán, ky do t’i lahet me bé.

§.195. Po e kaptoi kán bisha a e xû’ gjarpni në mal e bulku e gjet cofët, do t’i a çojë të zot’t lkuren a ndo’i shêj tjeter.

§.196. Po hupi kau pá shêj e pá dukë, bulku do t’i ligjohet të zot’t me bé, se nuk ká gisht në dam të kaut.

§.197. Po s’e ngau kán bulku, aj pasët e grazhdofët; porse të zot’t i a ká hûnin.

§.198. Bulku do t’i a çojë të zot’t bimen te dera.

NYE I PÊSËDHETETRETË
Bleta.

§.199. „Vathi i bletës i thyem ká 500 grosh giobë e dý per nji të zot’t.“

§.200. Vathi i bletve, kah Kanûja, i parazohet shpís së thyeme, vathit të gjâs, kosharit të drithit e çarranikut të tamblit.

§.201. Kush të vjedhë nji zgjue bletet në vathë, vathi xêhet i thyem, prá ká 500 grosh giobë, e të zot’t dý zgjoj per nji.

§.202. Po i rá mohit, bén e ká me 12 poronikë, 6 të njehun e 6 të panjehun.

§.203. Zgjoni i bletës me miza mbrendë, mbas çmimit të Kanûs, bân 50 grosh.

§.204. Oka e mjaltit bân 5 grosh, oka e dyllit 5 grosh.

§.205. Bleta e hikun, qi xên vend në pêmë a gardh të huej, âsht e të zot’t, qi i vêhet permbrapa, e i zoti i pêmës a i gardhit nuk mund t’i a ndalë.

§.206. Bleta e hikun prej vathit të vet, po zû’ vend në pêmë a gardh të huej pá e mârrë mbrapa kush, i zoti i pêmës e i gardhit ká tager mos me i a dhânë kuej, e me e ndalë per vedi.

§.207. Bleta, qi lshon, do të mirret mbrapa kambë me kambë e do të ndiqet mje qi të zatesë kund, e, kûdo qi të ndalet, e mbledhë i zoti.

§.208. Po lshoi bleta edhè shkoi me zatetë kund pá e mârrë mbrapa kush, aj qi t’a gjêjë mâ i pari, e mbledhë per vedi.

§.209. Po u çue kush atje vonë, edhè i duel zot bletës së hikun, pá e pasë mârrë mbrapa, kanûja nuk i a gjegjë vajin e bé per bletë nuk i epet kuej, per arsye qi nuk mundet kush me thânë se kjo bletë âsht e êmja, po s’e pat mârrë mbrapa kambë me kambë kúr i hiku, 'se «Bletë kjo, bletë ajo».

§.210. Bleten e gjetun nder kopshtîje të hueja a në rrethînë të shpís së huej nuk mund t’a mbledhë kush; âsht e atij, në kopshtë a në rrethînë të të cillit u gjet.

§.211. Bleta e gjetun në mal a nder prozhme të hueja, po kje larg shpijash, âsht e atij, qi e gjet.

§.212. Bleta e gjetun nder shpella të shkambîjve të vendit të huej, po kje larg shpijash, âsht e atij, qi e gjet; per ndryshej âsht e atij, në rrethînë të të cillit u gjet.

KRYE I DYMBDHETËT
PRONET

NYE PÊSËDHETEKATERT
Caktimi i pronevet.

§.213. Shkaf â’ shpí, qi qet tym, do të két pronet e veta.

§.214. Plangu i shpís ká oborr e kopshtë, ká vêshtë e arë, ká livadh e xâna, ká udhë e shteg, ká kufîj si në mal, si në vrrî, si në fushë.

§.215. Të gjitha tymet kan pjesë në kujrí.

§.216. Ara, vêshta, kopshti e livadhi, xâna, prozhme e zabele, jânë të dame me kufîj.

§.217. Kujrija, mali e bjeshka jânë të perbashkta si per të ngulun të tbanave, si per landë e almiste, si edhè per drû.

§.218. Shpijat plangçore munden me pasë mâ se nji per tekë (thuper), qi u kan mbetë trashigim prej të dalunve faret.

§.219. Aj, qi të shkojë me ngûlë vathë a tbânë në bjeshkë, me truell, kopshtë a ndo’i copë arë, po desht me i çilë, i çilë e jesin të tijat, e nuk mundet kush as me e ndalë e as me e xjerrë prej atij vendi.

§.220. Mrizat a lisat, qi lên kush per me mrizue gjân, nuk mund t’i a presë kush, pse jânë t’atij, qi nguli mâ i pari n’at vend.

§.221. Me u dyndë nji shpí e me u zhgulë fare prej katundit të vet, po s’e shiti trollin e token, ashtû do t’i rrîje e nuk ká tager kush me ngulë mbë 'to.

§.222. Po shiti token me lang e me plang, vendi i tbânës âsht i tij, e mje qi të qindrojë shpija e tij, nuk mund t’i pushtojë kush.

§.223. Se e cilla shpí e katundit në Flamur ká tager me shtî në pûnë aq tokë në kujrí sá të pershîje rreth e rreth me gúr të hjedhun me dorë të majtë.

§.224. Atŷ, kû të fillojë me mifë do t’ulet kambkryq, do të mârrë nji paperdhok në dorë të majtë, edhè e hjedhë në kater ânë kryq e rreth vedi: aj vend âsht i tij. Heret kan pasë doke me hjedhë latushen (spaten).

§.225. Token e çilne nji herë a per kopshtë, a per arë, a per tbânë, edhè ne e lashtë djerr i zoti per qinda vjeç, tjeterkush i katundit as i flamurit nuk mund të hîjë me e pûnue. Djalë mbas djalit jet e tija, qi e pat çilë i pari. (Malcija e Lezhes).

§.226. Aj, qi mos t’i biej mbrapa tbânës së vet per 10 vjetë, mbas 10 vjetësh i del dore e i jet atij, qi t’a xâjë i pari. (Oroshi)

NYE I PÊSËDHETEPÊSËT
Me bâ vllá kend në katund.

§.227. Me bâ vllá kend në katund, don me thânë me pelqye nji shpí të flamurit të huej, qi të mundet me ardhë e me ngulë në katund të flamurit tjeter.

§.228. Si t’a bâjë vllá at shpí katundi, kushdo i këtij katundi mundet me i a shitë token, porse nder kater kufîjt.

§.229. Në bjeshkë, në vrrî e në kujrí, si të katundit si të flamurit gjâ s’i shitet e pjesë zotnimi nuk mundet me pasë kurr; sá per kullosë e per drû e almiste i nepet lirija e perdorimit per nderë.[3]

§.230. Zyrevet të perbashkta të katundit do t’u pergjegjet.

§.231. Mort e darsem, peng e giobë e uhán e miellit e ká uhazisht me katund. Do t’apë giobë, ashtû edhè në pjesë të giobës ká tager.

NYE I PÊSËDHETEGJASHTËT
Kujrija.

„Kujrija shkon per tym“.

§.232. Kujrija âsht vendi, qi e ká perbashknisht nji katund a nji flamur per kullosë, per landë, per drû, per gjojë e per tjera nevojë.

§.233. Kujrija nuk dahet; por, sá shpí a tyme të jenë në katund, kan tager në kujrí të katundit, e sá tyme të jenë në flamur, kan tager në kujrí të Flamurit.

§.234. Visarin e kujrís s’mund e shesë nji pá tjerë; dâmi e fitimi âsht i të gjitha tymeve të katundit a të flamurit.

§.235. As arë, as vêshtë, as kopshtë s’mund të çilë kush në kujrí, pá u pushue pûna prej gjith katundit a prej flamurit.

§.236. Kush vên ndo’i pêmë në kujrí, aj, qi e vûni, ká tager mbí landë të sajë e mund t’a presë kúr t’i mbushet mendja, porse tjeterkush nuk mund t’i a ngulë spaten.

§.237. Pêma a landa e vûme në kujrí, âsht e atij, qi e ká vû, porse kokrrat i han kush të mundet pá muejtë me i ndalë aj, qi e ká vû.

KRYE I TREMBDHETËT
KUFÎNI

NYE I PÊSËDHETESHTATËT
„Kufîjt e tokës nuk luhen.“

§.238. Kufîni perbâhet prej gurësh të mdhaj e picigiatë edhè ngulen sá nen, aq mbi dhé. Per kufî mund të sherbejë edhè ndo’i landë e motnueme.

„Guri i kufînit ká dishmitarë mbrapa“.

§.239. Guri i kufînit ká per rreth dishmitarë. Këta jânë a gjashtë a dymbdhetë paperdhokë (gurë të vogjel), të cillt vorrohen nen dhé rreth e rreth gurit të kufînit.

§.240. Në të ngulun të kufîjve, posë shpijave nder fjalë, duhet të jenë edhè pleqt e katundit, pleqt e flamurit e sá mâ shum prej të rísh e fmísh e edhè prej katundesh të rrethit, qi të mbahet në mend kufîni.

§.241. Se e cilla tokë, po kje arë a livadh, kopshtë a vêshtë, prozhem a zabel, xânë a ograjë, a rrethi i shpís, katundi me katund a Flamuri me Flamur e shpija me shpí, kan të damet me kufî.

§.242. «Kufîni i ngulun nji herë, nuk luhet mâ».

§.243. Eshtent e vorrit e guri i kufînit faqe Kanunit jânë paraz. Me luejt kufînin âsht nji si me luejt me eshtent e të dekunve.

§.244. Aj, qi të hîjë me dá kufîj, a me drejtue ndo’i kufî të harrue, do t’a mârrë në shpírt, do të ngarkojë në cup të krahit nji gúr e nji bûcë dheu, e do t’u prîje dý shpijave a dý katundeve, a dý Flamurve, tuj ngulë kufînin e rí a tuj kallxue shêjet e kufîjve të vjeter.

§.245. Me gúr e dhé në cup të krahit, plaku, qi prîn në të dám të kufîjve të vjeter, do të perbehet para se të niset.[4]

§.246. Mëndyrët e bés mbas Kanunit jânë njekëto:

1) «Per ket gúr e dhé (ase per ket peshë), me të cillat e ngarkova vedin, per shka kam pasë ndie prej së parësh, vêset e kufîjve jânë kênë sikurse do të ju diftoj tash, e më sá m’â mêrr mendja e shpirti, s’do t’i randohem kurrnjanes lagje».

2) «Per ket peshë, këtû e këtû kan kênë kufîjt e hershem e këtû po i nguli edhè un. I bajsha n’at jetë, në kjosha tuj ju rrêjtë.»

3) «Per ket peshë, e cilla m’u randoftë n’at jetë, njekëtû jânë kênë shêjet e vjetra të kufîjve, si më ká pasë kallxue tatgjyshi, kúr ishe camerdhok e barí dhizësh me 'tê. Aj e ká pasë mârrë n’at jetë, se kufîjt jânë këtû e këtû, e per mbas fjalës së tij edhè un po e mârr në shpírt.»

4) «M’u randofët në ket e n’at jetë kjo peshë, mos shkosha me shpírt kah kufîjt e vjeter.»

§.247. Si t’a mârrsh me peshë (si t’a mârrsh gurin e kufînit në krah), s’ká burrë, qi mund t’a luej.

§.248. Po i u dha plakut guri e plisi, i vûni në krah e u vû per me diftue kufîjt, nuk mund të dalë kush me e ndalë, por i thohet: Prîj prá, e mos pûnojsh me të drejtë, kjo peshë t’u randofët n’at jetë!

§.249. Si t’a ngulë kufînin plaku, do të mbajë doren mbí 'tê edhè thotë: «Aj qi e luejtët ket gúr, atij i u randofët n’at jetë!»

§.250. Kush t’a luejë kufînin me qellim qi me ngatrrue a shpín me shpí, a katundin me katund, a Flamurin me Flamur, i shtŷm prej së folmesh e së falmesh, po u hetue, posë giobet e faqes së zezë, atij i randohen edhè damet, qi do të shkaktohen prej këtij ngatrrimit.[5]

§.251. Po u bâ ndo’i vrasë mbas ngatrrimit të kufînit të luejtun, ngatrrestari do të lajë per giobë 100 desh e 1 ká, e grîhet katundisht.

NYE I PÊSËDHETETETËT
„Kufîni nuk bân lak.“

§.252. Per me shporrë çdo pamarrveshtje, kufîni s’do të lakojë e s’do të shkojë dredha-dredha, por do të çajë drejt.

NYE I PÊSËDHETENANDËT
Kufîni i fituem me gjak.

§.253. Me u shtŷ kush mbrenda kufînit të huej pá diejtë se âsht vendi i huej, e kush s’i shkoi te dera as s’i bâni zâ, per me i thânë se ká kalue ne e huejen, edhè në pasët bâ ndo’i dam në landë a në shkado diten e pengut, s’i vêhet me lá gjâ per dame të bâme, veç se del vendit, mbasi duel i huej.

§.254. Po u kapen per kufîj vllazen, a kushrîj, a fisi me fis, a katundi me katund, njiqind me u vrá, veçse fiken, se kufîjt nuk luhen. Pengjet e Pleqt do t’i shgatrrojn.

§.255. Me ndollë vrasa mund në kohë të të damit të kufîjve, a me qillue vrasa nder barí në mal, tuj u shtŷ nder vedi per kahë kufîjt e kullosës në mal a në bjeshkë, atbotë kputet çdo pleqní per kah vendi i kufînit. «Aj më lypi pashtrakun, un i a ktheva hekurin e çarkun». Atŷ kû t’u ngulen muranat, jet vendi i kufînit.

§.256. Gurët e muranave jesin per kufîj per gjithmonë.

§.257. Me qillue se vriten dy vetë flakë per flakë e bukur larg prej shoqi-shoqit, kufîni i njanës lagje jet ke murana e njanit, e i tjetres ke murana e tjetrit.

§.258. Vendi, qi âsht ndermjet dý muranave, jet i të dyja lagjeve.

§.259. Me ndollë se i vrami nuk rrxohet prej pushket, i ep zêmer vedit e shtŷhet, kû tuj u çue, kû tuj u rrxue rrshanas kah kufîni i huej, sado kthellët me hî, atŷ kû të rrxohet, e i lodhun prej varret, des, i vêhet murana; ajo muranë jet per kufî, edhepse në vend të huej.

§.260. Vendi i jet atij katundi e Flamuri, të cillvet u perkitte i vrami, qi u shtŷ, e s’ká burrë, qi guxon me luejt muranen, qi mbet per kufî, pse u muer me gjak e me rradake të lamun.

§.261. Ky tager âsht vetem kúr të vriten per kufîj e jo per çdo vrasë.

NYE I GJASHTËDHETËT
Kufîni i fituem me „Gurapesh“ a me rrasë të ngarkueme.

(Heret-heret, kúr s’ká kênë pushka ndoshta, në të dám të kufîve qitej në pûnë gurapeshi per kufîje t’aferta, e per të lartat bâhej gadi nji rrasë a gúr sá bindi me nji «kush i del!» d. m. th. me u ngarkue me tê.)

§.262. Dý flamuret e ngatrrueme do të gjêjshin ka nji burrë të fuqishem e të dámt e kufîve do t’u lêhej atyne.

§.263. Me gurapesh: Aj, qi mbrrijte me hjedhë gurin kah vendi i huej mâ larg, aj vênd i jitte flamurit të tij. Mâ çiltas: po e ferfllova gurin un mâ larg, t’a mirrshe at vend tý; po e ferfllove ti, m’a mirrshe vendin.

§.264. Me rrasë a gurë të madh në shpinë: tuj ngarkue rrasen a gurin, shtŷheshin mje qi jitshin nen tê. Aj, qi shtŷhej mâ larg, vendi i kufînit të flamurit të tij do t’jitte atŷ. (Si i Nen-nderfandori në Fusha të Lugjeve në Mal Shêjt të bjeshkve t’Oroshit.)

NYE I GJASHTËDHETEPARË
Kufîni i ngulun me „spatë“.

§.265. Po më ngushtoi nevoja me xjerrë ndo’i landë a prej se s’kâm bjeshkë, ase nuk mund të gjêjë aso lande, qi më lypet, rroki latushen (spaten) e hîj në bjeshkë të huej. Mbas krizmes së spatës, vînë rojtarët e bjeshkës edhè më gjêjn tuj trupue arrnej të perhjedhun.

§.266. Po u shterngue me të shpejt damçori, e i punoi fuqija e krahve, edhè i dha spatës tuj e ngulun mje më tû në trup t’arrnênit, e po s’mund e xueren rojtarët e bjeshkës, kufîni i flamurit të këtij, qi e nguli spaten, jitte atŷ. (Si i ká pasë ndollë Gjokë Buçës s’Kaçinarit me Kushnê.)

Oroe: Kufîjt e fituem me gjak, me gura-pesh e me të ngulun të spatës, do të njehen nder kanune Vigâjsh, per arsye qi per të fituem të tyne ká pûnue fuqija per të shporrë marren e korín. Do të kuptohen edhè mâ kjartas, kúr të fillojm me îmtue doket e Maleve t’ona.

NYE I GJASHTËDHETEDYTË
Udha e katundit.

„Udhët jânë dejt e tokës“.

§.267. «Udha e shtegu ndermjet dý megjeve lypë pashin e vet».

a) Udha e lagjeve të katundit do t’jét e gjânë tetë pllâmbë; kater pllâmbë njani, kater tjetri.[6]

b) Per të ngulun të gardhit ndermjet dý arnajve, do të lêhen tetë pllambë: sá njâni sá tjetri.

c) Po s’kje udhë katundi, por udha e dý kufîjarve, këta, në laçin rrugë ndermjet, do të lânë ka nji pllambë per shoq, ashtû qi kufîni të jesë në mjedis; po s’lân rrugë, gardhin do t’a thurrin zbashkut.

d) Po u rrethue vendi me ledh, aq larg kufînit të huej do të fillohet, sá âsht trashsija e ledhit.

e) N’u ndertoftë shpija, do të ndertohet larg kufînit të huej sá xên vend streha.

f) N’u çilët pusi, do të çilet aq larg, sá mos t’a thithë ujët e pusit të kufîjarit, ase sá âsht e gjânë gryka. «Ujët âsht gjaku i tokës.»

g) Po u vû ullîni a fiku a çdo landë e dobishme, do të vêhet pêsë kambë larg kufînit të huej; po s’u bajtë, do’ vû dhetë kambë larg kufînit.

h) Po bîni landa mbrenda kufînit, porsè teper afer kufînit të tjetrit, po s’e shkmesi i zoti, kufîjari ká tager me e shkmesë e me largue damin: «Jezullín e huej shkmese, mje kû të mrrîje kmesa».[7]

i) Po desht kush me vû ndo’i landë çfaretdo, dhetë kambë do t’a largojë prej kufînit të huej.[8]

j) Landa a pêma, qi i bân dam arës së huej me hije, a do t’a zhgulë i zoti, a do t’i a lajë damin e pervjeçem të zot’t t’arës (Malësija e Lezhës).

k) Kush t’i presë kuej a landë a pêmë rreth shpijet, veç prej mnijet, 500 grosh do t’i lajë të zot’t të landës a të pêmës së preme.[9]

NYE I GJASHTËDHETETRETË
Udha e madhe.

§.268. Udha e madhe do t’jét e gjânë aq, sá mund të kalojë kali me barrë e qét me zgiedhë.[10]

§.269. Udha ndjekë dellin, e s’ndalet as mund pritet.

§.270. E mira e perbashkët i paravêhet dâmit të veçanët.

§.271. «Pûna e largon udhen e madhe, porsè s’mund e qesë n’ujë, kû mbytet bagtija, as në shkallë (shkamb), kû then qafen bagtija».[11]

§.272. Po e largove udhen e katundit prej vendit t’and, nuk do t’a terthorzojsh shum, edhè mundim e së ndreqmes do t’a hjekish vetë.

§.273. Po e ndreqe keq, në të gjet dami tý, e paç per vedi; po e gjet dami tjetrin, tý të zhgarkohet, e do t’epsh arsye permbas damit.[12]

§.274. «Udha e Flamurit do të jét e gjânë aq, sá âsht e gjatë shtîja e Flamurit».

NYE I GJASHTËDHETEKATERT
Udha e verbët.

§.275. Shtegu a kapercyelli a, mbas kanunit, udha e verbët, po kje në kater kufîj t’ue, ndrŷje e token pûnoje.

§.276. Po kje shtegu i kênë gjithherë, kû kan kalue kambsorët (shokët e katundit), porsè tuj t’a shkaktue dâmin nder arnajë, kopshtîje, nder vêshta e nder pêmajë, ne e mbyllsh, do të çilish nji tjeter, por jo teper në të rrethuem.

§.277. Po kje shtegu i lshuem per nderë e me fjalë, e të del dhûnë, ké tager me e ndrŷ, e me i lshue fjalë katundit të mos të bije mâ atŷ pari.

§.278. Po kje shtegu kû kan kalue shokë, krushq me nuse e percjellsa me të dekun, a kah Kisha a kah vorret, e kênë atŷ motit, nuk mund e ndrŷsh.

§.279. Per të luejtun të çdo shtegut duhet, doemòs, pelqimi i katundit.

NYE I GJASHTËDHETEPÊSËT
Pashtraku.

§.280. «Pashtrakun epe vetë, perndryshej t’a mârrin edhè me perdhûni».

§.281. Pashtrak thirret vendi i kullosës mbrenda kufînit të njij flamuri, në të cillin nuk mund të hîje me kullotë tufa e njij flamurit tjeter.

§.282. Po u xû nji tufë e hueja në mal a në vrrî të flamurit tjeter, i zoti i tufës do të lajë pashtrakun.

§.283. Dâmi i pashtrakut do të lahet me krye berri.

§.284. «Kumbona e ogiçit nuk mund, të mirret pashtrak; âsht ndera e tufës.

§.285. I zoti i malit nuk ká tager me prekë tufen e as me mârrë me dorë të vet berrin; dora e të zot’t të tufës do t’i a apë vetë berrin per dâm.

§.286. I zoti i malit nuk ká tager me zgiedhë berrin, por do të mârrë at berr, qi t’i apë dora e bariut.

§.287. Njiqind herë në ditë në hîfët tufa e huej në mal të huej, aq berre do të lajë i zoti i tufës.

§.288. Po s’u gjegj bariu me lá pashtrakun, e u çue i zoti i malit me disá shokë edhè i rá pré tufës në mal të vet, atbotë si katundi, si flamuri i perkrahen pretarit, e lypin arsye prej të zot’t të tufës. Katundi e flamuri i bariut a do t’a ngushtojn me lá pashtrakun, a do të hjekin dorë prej si.


  1. Per shpí të thyeme mirret kúr çohet nji nieri bàkeq tinëz e pá e pá kush, shkon e çilë deren e shpís së huej me mende të keqe, a bân ndo’i birë në múr sá me mujtë e me hî mbrendë per me pruejtë a me vjedhë gjâsend. ↩︎

  2. Po u vodh shtâsa, bariu do t’a bâjë me dije të zo’n, kû e kúr u vodh, e tjeter detyrë s’i ká (Kanuni i Manu-it, Li. 8. Zyre gjygjtarësh). ↩︎

  3. „Adversus hostem aeterna auctoritas“. Peregrinus (hostis) nihil quod est civis Romani acquirere et usucapere potest. (Lex. XII. Tabular.) ↩︎

    1. „Questi uomini, mettendosi della terra sul capo, portando ghirlande di fiori rossi, giurato sulla futura ricompensa delle loro opere buone, fissono esattamente il confine.“ (Codice di Manu).

    Oroe: Kanuni „Manava Dharmasastra“ ká shum pika mbí kufîje, qi thue se i kan perbashknisht me Shqyptarë t’onë. ↩︎

  4. „Maledictus qui transfert terminos proximi, et dicet omnis populus: Amen“. (Deuter. XXVII. 17). ↩︎

  5. „Viae latitudo ex lege XII Tabularum in porrectum 10 pedes habet. . . . ↩︎

  6. „Kmesa e kanunit nuk mundet me e pasë bishtin mâ se trí pllambë e gjymës të giatë.

    „Quod ait Praetor, et lex XII. Tabularum efficere voluit, ut quindecim pedes altius rami arboris circumcidantur, et hoc idcirco effectum est, ne umbra arboris vicino praedio noceret.“ (Termini est spatium legitimum). ↩︎

  7. Sciendum est in actione finium regendorum illud observandum esse, quod ad exemplum quodammodo ejus legis scriptum est, quam Athenis Solone dicunt tulisse; nam illic ita est:

    Si quis sepem ad alienum praedium fixerit infoderitque, terminum ne excedito; si maceriam, pedem relinquito; si vero domum, pedes duos;… si puteum, passus latitudinem, si vero oleam aut ficum, ab alieno ad novem pedes plantato, caeteras arbores ad pedes quinque“. (Termini et spatium legitimum). ↩︎

  8. Fuit et arborum cura legibus priscis: cautumque est XII Tabulis, ut qui injuria cecidisset alienas lueret in singulas aeris XXV. ↩︎

  9. „Lege XII Tabularum constitutum est, ut inter viciniorum praedia constitutis finibus, quinque pedum spatium relinqueretur, qua ire, agere uterque dominus posset, itemque ut circumverti aratrum posset“. (Cicero, de Leg. lib. I. XXI.) ↩︎

  10. „Si via sit immunita, jubet Lex qua velit agere jumentum.“ (Tabula VII. — Cicero, pro Coecina C. XIX.) ↩︎

  11. „Fr. 61. In via publica itinereve publico facere, immittere quid quo ea via, idve iter deterius sit, fiat, veto. (Fr. 2. § 20 eod. LXVIII).

    „Fr. 62. Quod in via publica itinereve publico factum, immissum habes, quo ea via, idve iter deterius sit, fiat, restituas. (Fr. 2. § 45. eod. LXVIII). ↩︎

Pjesa e radhës
Libri i pestë - Puna

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB