NYE I GJASHTËDHETEGJASHTËT
„Pûna luen shtegun.“
§.289. Pûna e largon udhen e madhe, porsè s’mund e qesë nd’ujë, kû mbytet bagtija, në shkallë (shkamb), kû then qafen bagtija» (Shif Nye LXIII, «Udha e madhe» § 271.)
§.290. Po të kaloi mun neper vend t’and udha e madhe e t’u mbush mendja me e çilë at vend, udhen mund t’a largojsh; porsè nuk mund e qesish neper prroje e rmore a buzë ujnash, as me e njitë shkrepave e shkambijve.
§.291. «Pûna e luen shtegun». Po t’u mbush mendja me pûnue at tokë, neper të cillen âsht shtegu i katundit, pûnoje, porsè shtegut do t’i gjêjsh vend.
§.292. Kanûja s’don qi t’i bâhet kuej dâm toka, e prandej thotë se «Shaterkazi e luen udhen», porsè udha e shtegu do të perligjen me nji vend tjeter.
NYE I GJASHTËDHETESHTATËT
Bulgu.
§.293. Bulg thirret njaj, i cilli hînë me pûnue token e njaj zotnije.
§.294. Zotnija do të kujdeset me ndertue nji ksollë, mdheskë a kullë per bulg e per shpijarët e tij.
§.295. Per qé, si të bâjë me zotnín.
§.296. Po pat qét e vet bulgu, pûnon token e, sá per hú, si të vendohet me të zo’n e tokës.
§.297. Po s’pat qét e vet bulgu, nuk mund t’i mârrë njeti, por te zotnija i tokës.
§.298. Almiset, hekurishtat e të prefunt e tyne, jânë në shpinë të bulgut.
§.299. Me dá e me reshtë ujët e vís, e me jau vû menden dasave, detyra e bulgut âsht.
§.300. Po theu ujët e vís në rend të huej e në mende të vet bulgu, dâmin e lán bulgu.
§.301. Me i çilë qerme (hendiqe) tokës, detyra âsht e zotnís e jo e bulgut.
§.302. Të thurmen e tokvet e ká bulgu e jo zotnija.
§.303. Lavrimin e tokvet, të mjellmen, të mifmen, t’ujtmen, të korrunt, të çveshunt i ká bulgu e jo zotnija.
§.304. Gjithshka të mbjellë bulgu në tokë të zotnís (çdo bîmë), do t’a dajë me zotnín mbas vendimit, qi të kenë bâ.
§.305. Pêmë (fiq, arra, shega, molla, dardha e këso tjerash) bulgu i shkundë e i mbledhë e i dán pergjymës me zotnín.
§.306. Bulgu ká tager me çilë nji copë kopshtë në tokë të zotnís e këtê per vedi, sá per lakna, qepë, hudra e per perime tjera.
§.307. Në vêftë edhè duhan n’at kopshtë, e ká per vedi.
§.308. Në vêftë bulgu a duhan a kertolla jashta kopshtit të caktuem, i ká pergjymës me zotnín.
§.309. Ne e pasët bulgu gjân e zotnís pergjymës, kashta i rrîn bulgut e me pleh do të plehnohen tokët. Mundin e pûntorís e hjekë bulgu.
§.310. Në pasët livadhe të njituna me tokë të bukës, bulgu i kositë e sânen e dán pergjymës me zotnín; porsè të thurmen e t’ujtmen i ká bulgu.
§.311. Kullosen e livadhevet e ndalë bulgu, qi i ruejti, i thuri, i ujti e i kositi e zotnija nuk mund t’i a apë tjeterkuej, porsè edhè gjâja e zotnís do të kullosë nder 'to.
§.312. Sânen e livadhevet bulgu e vên mullár, porsè të bajtmen e ká zotnija.
§.313. Të korrmen, të qiruemen e të shimen e misrit e ká bulgu, perposë ne e mbledhët zotnija nder koteca rrûm a kallzë edhè e grumbullon n’oborr të vet; atbotë bulgu i a bán e per të qiruemen mendon zotnija.
§.314. Per t’ujtun të perimevet të kopshtit, bulgu mêrr ujët në rend të tokve të zotnís.
NYE I GJASHTËDHETETETËT
Farketari.
§.315. «Farkës (si edhè Kishës, mullînit e perbûjtores) s’i pritet kush mik».
§.316. «Farka e ká me rend, si edhè mullîni».
§.317. Farketari do të farkojë me at rend, qi i bjen kush hekurishtat.
§.318. Farketari nuk do të shikjojë dashamirsín, as nuk do të veçojë të pasmin prej të papasmit, të largtin prej të ngiatit. Detyra e tij âsht me i a vû menden rendit.
§.319. Mundi i farketarit lahet koshiq per pendë të dheut.
§.320. Farketari âsht në detyrë me farkue, porsè hekurin do t’i a bijë se i cilli per vedi.
§.321. Rrshiqi, frŷsi, kullma e tjera vegla jânë të farketarit. Eshken do t’i a bijn të zotët e hekuravet.
§.322. Detyra e farketarit âsht me mbathë e me prefë hekurishtat rrokull vjetit.
§.323. Të zotët e hekurishtavet kan diten e vet të caktueme ka nji herë në vjetë; e në ket rend të farkimit i a kan detyrë farketarit buken e ditës e pûntorín. — Rrokull vjetit s’i kan detyrë.
§.324. Farketari âsht i lidhun me farkue per nji vjetë e nuk mund të kthejë kend.
§.325. Po shtoi gjâ prej hekurit të vet farketari, të zotët e hekurishtavet do t’i lajn të hollat per hekur, qi ká prishë per 'ta.
§.326. Per farkim të vargojve, të kurthave, të hekuravet të qênit e të hekurishtave tjera, qi nuk hîjn në bulkí, po desht kush me i farkue, mundin e farketarit do t’a lajë posaçe.
§.327. Rrogen e farkimit s’âsht në detyrë kush me i a çue farketarit te dera; do të dalë vetë me e mbledhë.
§.328. Farketarin me shpí të tij nuk i kapë detyra e ushtrís.
§.329. Detyra e farketarit âsht me farkue ka nji spatë krye dhetë vetësh të katundit të vet, qi dalin n’ushtrí.
§.330. Farketari, me gjith të shpís së tij, prej kurrnji zyres së katundit nuk âsht i jashtuem.
NYE GJASHTËDHETENANDËT
Mullîni.
§.331. «Mullîsi e perbûjsi do të flêjn në njânin brryl».[1]
§.332. Mullîsi do të rrîjë gadi nâtë e ditë sá per rojë të barrve, sá per të bluem, sá edhè mos t’u hupë gjâ barrtorve.
§.333. Gjithshka t’u dorëzojn mullîsve barrtorët, do t’a mârrin me pergjegje.
§.334. Po hupi gjâ, dâmi âsht i mullîsit e jo i barrtorit; aq sá u hupi mullîsi, do t’u lajë.
§.335. «Mullîni e farka e kan me rend.»
§.336. Me at rend, qi të vîjn barrtorët, mullisi âsht në detyrë m’u blue barrët, pá pasë para sŷsh mik e dashamirë.
§.337. Mullîni i lshuem katundisht ditët e rendit i ká të caktueme.
§.338. Po e pat të zo’n mullîni, blîmi shkon si të vîjn barrtorët, gjithnji si te farka, te kroni e te trapi. Të gjitha këto ndjekin rendin e t’ardhunit.
§.339. Po pate rendin e blîmit të caktuem, nji ditë a gjymës, shkove me blue edhè e gjete xânë, tager ké me ndalë gurin e me i a kputun blîmin, me i a hjekë millët e drithët e me blue vetë.
§.340. Nuk pate rendin e blîmit të caktuem, shkove në mullî edhè gjete njiqind barrtorë, do të rrîsh me pritë, a shko në mullî tjeter.
NYE I SHTATËDHETËT
Vija e Mullînit.
§.341. Vija e mullînit, po kje e bleme me plang, nuk mund t’a ulë kush, s’mund t’a luej e s’mund t’a thajë kush.
§.342. Kjo ví, po kje e bleme me âmë e me plang, thirret plangçore; prá, edhè në thaftë ara, gurët nuk mund t’i thajë kush.
§.343. Po kje nji ví, si e mullîjve si e arnâjeve, e me ujët e kësaj vije ujten arnâjet e bluejn mullîjt, gurët e mullînit do t’jesin në të thát e bîmët do t’ujten, per arsye qi «Po s’pate shka me korrë, s’ké as shka bluen.»
§.344. Sá per brimë të mullijsve, pse u thajn gurët e mullijve, qi ata kan veçanerisht, kanuja nuk u a gjegjë vajin edhè i thotë se «Per dugâjë e per mullî nuk giobiten shokët.»
§.345. «Vija e mullînit lypë udhen e vet.»
§.346. Udha do të jetë e gjânë tetë kambë, sá kû mund të kalojë kali me barrë.
§.347. Kjo udhë lypet, pse do të kalojë mullîsi per me dlirë vín e per me reshtun ujët.
§.348. Per të reshtun t’ujit, gjithsá mullîs të jenë, do të dalin zbashkut në ví; aj, qi të mungojë pá lêje të shokvet (të mullîsvet), do të lajë giobë permbas së premes së mullîsvet. Në ket giobë nuk mêrr pjesë tjeterkush posë mullîsvet.
§.349. Po i diq kush ndo’i mullîsit në shpí, kanuja e liron per tetë ditë prej çdo pûne, qi t’a két katundi perbashknisht, e nuk mund t’i shkojë kush te dera, per me i a lypë pûntorín as per katund as per mullî.
§.350. Mbas tetë ditësh do të çojë pûntorin, me kênë edhè i Derës së Gjomarkut.
NYE I SHTATËDHETEPARË
Vada.
§.351. «Vija e arnajeve nuk luhet as nuk ndalet.»
§.352. Vija do të jét qitë heret me nji farë tregut e të lidhun ndermjet të shoqnís; at treg tash nuk mund t’a luej kush.
§.353. Vendet, neper të cillat kalojn vijnajet, jânë të shkeluna me Pleq e me gjind: ajo e shkelme thirret e dame edhè e kputme e âsht bâ pleqní.
§.354. Pleqnija e ré s’mundet me shkelë të vjetren, sepsè «Plak mbí plak kanûja s’bán.»
§.355. Shka kan pá me udhë të parët, nuk mund e prishin të mbramët.
§.356. Edhepsè të kjahet kush per ví, vaji nuk i gjegjet, pse vija ká pasë kalue neper at vend para se ká fillue vaji: prá edhè n’u shkrîftë me pêgje, s’ká gjygj, qi mund t’a ndalë vín.
§.357. Vija ká rrjedhë, edhè e ká bâ vendin âmë; âma e bân vendin plang; prá atŷ do të rrîjë, do të hecë e do të pûnojë.
§.358. Prej plangut të vet nuk mund t’a luej kush kend; pûnen s’mund t’i a ndalë kush kuej, sepsè e ká bâ themel: «themeli nuk zhgulet», â’ në kanû.
§.359. Vija, si e arnâjeve si e mullijve, âsht per të mirë të shoqnís; doemòs do të kalojë nper nji vend. Kû t’i biej shesta, kanûja na vên detyrë me bajtë si të leten si të randen.
§.360. «Per nji shpí s’lêhet m’u thá nji katund». «E mira e perbashkët i paravêhet dâmit të veçanët».
§.361. «Vija e katundit të kalon rrâzë votret».
§.362. Tuj kênë se pûnohet per të mirë të perbashkët, kû t’i biej shesta vís, atŷ do të kalojë, edhepsè nuk ké rend ujit në ví.
§.363. Ujët nuk din të dredhun termal e teposhtë: n’i raftë kryet kah vendi i yt, s’mund e ndalish.
§.364. Si të shestohet të kaluemt e vís, e të mbushet mendja me trajtue shpín nder shêje të vís, nuk mund t’i luejsh, edhè votra me të rá atŷ; rrâzë kësaj do të kalojë vija.
§.365. Po rá vija neper truell t’and, ti nuk mund e ndalish, porsè shoqnija do t’a perligjë dâmin, qi të gjên, a tuj të bâ pjestár n’ujët e vís, a me çmim, a tuj të lshue nji vend tjeter.
§.366. Po të ngurroi mendja në kryeneçí, vija s’ndalet; e mira e bashkarís e lypë: po s’u ndreqe me shokë, gjygji t’a mêrr vendin e mundet edhè me t’a bâ giobë.
§.367. «Pûna e çon vín e ujit, por nuk mund t’a ulë».
§.368. Me ulë vín e vadës kanûja s’e bán, pse kishte me dalë mâ poshtë se i âsht kênë lshue masa, e kishin me mbetë në të thatë arët e hueja.
§.369. Aj, qi të vêhet me pûnue n’âmë a në plang të vís, a do t’a prishë, a do t’a ulë, a do t’a çojë vín.
§.370. Të prishmen e t’ulmen e vís kanûja s’e bán; prá do të çohet.
§.371. Atê, qi të perkasë në plang të vís per të mirë të shpís së vet, kanûja s’e ndalon, porsè do të shikjojë mos me i a sjellë dâmin kuej, qi mos të mêjë ujët, a mos të shkojë vonë e ardhmja e ujit prej dredhimesh.
§.372. Po e luejti kush plangun e vís per fitim të vet, në detyrë âsht me pûnue vetë me e çue më tê, pá i dhânë kush ndimë e krah me pûntorí.
§.373. Dâmi e fitimi jânë per shpí të tij.
§.374. Po i u mbush mendja kuej me e çue mâ nalt vín e ujit, por në truell të vet, per me trajtue a mullî a valanicë, âmen e ré të vís do t’a qesë vetë, porsè ujët do të hecë neper ví plangçore.
§.375. Po e prishi kush vín e kuej deshtas, posë qi do t’a ndreqë, aj do t’u láj edhè dâmin rendtarvet, e giobitet per mbas randsís së fajit.
§.376. «Vija e ré s’mund t’a thajë të vjetren».
§.377. Vija e vjeter e ká xânë plangun e vet; prá vija e ré nuk mund t’a thajë.
§.378. Kanûja ká vû ket leçí të mos shumohen vijnajet, se nuk kishte me u dalë në skâj padive e pêgjeve.
§.379. Nji ví ká xânë plang kush e din tash sá faqe nierit; s’ká prandej as plak as kanû, qi mund t’a thajë me ví të ré.
§.380. «Vija e katundit ká dasat e veta».
§.381. Aj, qi ká rendin e ujit e qi i duhet me ujtë a aren a livadhin a kopshtin etj., vetë âsht në detyrë me dalë e me xânë dasat.
§.382. Dasat e vís xêhen e hiqen me të rám a me të mârrun të diellit, a si t’a két kush ujët: krejt a gjymsen e vís a nji kerçik.
§.383. Me shterrë vija qyshë m’âmët, a prej shinash, a prej se u shperthye vetë, të gjith sá pjestarë të jenë në ví, do të dalin me e ndreqë e me e reshtun ujët.
§.384. Po u thye ujët në vend të ndonjanit, qi ká kerçikun në ví, do t’a ndreqë vetë.
§.385. Po u thye vija në vend të njanit, qi s’ká pjesë në ví, rendtarit t’ujit i perket me dalë e me e xânë.
§.386. Po thej ujët e vís bagtija, i zoti i saj do t’i a lajë dâmin të dâmtuemit.
NYE I SHTATËDHETEDYTË
Ujemi.
§.387. Ujemi i blîmit, qi mêrr mullîsi per se të cillen barrë, perbâhet prej njij babûnie.
§.388. Mullîsi ká tager n’ujem, si gjith i cilli pûntuer në rrogë të mundit. Pûntori don rrogen e vet, ashtû edhè mullîsi don ujemin e vet.
§.389. Barrtori âsht në detyrë me lá ujemin mbas së premes së kanunit.
§.390. «Kishës, mullînit, farkës e perbûjtores s’i pritet kush mik.»
§.391. Në mullî bluhen gjithfarë kokrrash edhè msŷn gjithnduer nieri, seicilli per pûnë të vet e nevojë të vet.
§.392. Tuj shkue në mullî, strajcen e bukës e mêrr seicilli me vedi e, sá të rrîjë në mullî, han buken e vet.
§.393. Mullîsi bluen jo per nderë, por per me mârrë ujem per fitim të vet.
§.394. Mullîsi mêrr pergjegje per barrtorë e per barrë mje qi të ngarkojë barren e blueme e t’u thonë «udha e marë».
§.395. Si të shtegtohet barrtori e, porsá të largohet prej hijes së mullînit, i duel kush para e, a e vret a i a mêrr kush kalin me gjith barrë, mullîsit as s’i pritet mik as s’i xêhet kryet, perposë n’i rafët ndore barrtori.
KRYE I KATERMBDHETËT
GJOJA
NYE I SHTATËDHETETRETË
Percaktimi i gjojës.
§.396. Kanûja nuk ká caktue ndo’i kohë per ndalim të gjojës; në çdo stinë gjoja âsht e lirë nder male t’ona.
§.397. Me ardhë kush me gjuejtë me langoj a me zagarë nder rrethe shpijash të hueja, i zoti i vendit ká tager me e ndalë e mos me e lânë me gjuejtë.
§.398. Mbrenda kufînit të huej nuk mundet me hî kush per gjojë; po muer ket guxim kush, gjoja i ndalet e kthehet në shpí pá gjâ.
§.399. Po duel katundi katundisht me gjuejtë, gjithshka të vrasin do t’a dajn rrethas.
§.400. Pêsëdhetë vetë me kênë tuj gjuejtë e nuk vrasin tjeter por veç nji leper, aq pjesësh do t’a dajn.
§.401. Me dalë 50 vetë me gjuejtë e me kênë gjymsa me armë e gjymsa tjeter pá armë, paraz mârrin pjesen e gjojës, per arsye se me nji qellim duelen në mal. Të pá-armatosunt u apin ndimë t’armatosunvet, kû me brimë kû me rojë e kû me rrethim të vendit.
§.402. Po e çoi ndo’i gjâ zagari i gjuetarvet, e kjo msŷhet me kapercye udhen e madhe, udhtari, qi ndolli atypari dredhë armen edhè e vret, nuk mund t’a mârrë.
§.403. Shpêzi i vrám âsht i të zot’t të zagarit e, udhtarit, qi e vret, i lahet dâmi i fishekut me fishek.
§.404. Aj, qi t’a pergjakë a t’a vrasë shpêzin, i a mêrr «Shengjeten».
§.405. Shengjeta perbâhet prej mushknísh, e kaptinet per shpêz, qi bahen.
§.406. Shengjeta e derrit (thiut t’eger) perbâhet prej kaptinet, mushknísh e prej njij shollit të lkurës, qi dorërasi do t’a ketë posaçe.
§.407. Aj, qi mêrr shengjeten, do të mârrë edhè shpatullen si të derrit si edhè të kaprollit e mbas kanunit do t’i a çojë Priftit të Famullís.
§.408. Dorërasi, posë shengjetet, ká pjesë në mish e në lkurë të çdo shpêzit të vrám, si të gjith gjuetarët tjerë.
§.409. Po duelen gjashtë gjuetarë me gjuejtë edhè vrasin nji derr, shengjeten e mêrr dorërasi e misht e lkuren e dajn zbashkut.
§.410. Po kjenë permbí gjashtë, dorërasi mêrr shengjeten e krejt lkuren e misht e dajn per krye gjuetari.
§.411. Po s’u hetue dorërasi, shengjeten e mârrin të gjitha pushkët e shtîme, misht e lkura dahen per krye gjuetari.
§.412. Mos qitët lkura e derrit aq parë opanga sá gjuetarë të jenë, do t’a presin e do t’a dajn copa-copa.
§.413. Aj, qi e shiton shpêzin, i lír âsht me e mârrë mbrapa neper çdo katund a flamur.
§.414. Me u vrá shpêzi i shituem prej gjuetarësh tjerë, shengjeten e mêrr aj, qi e shitoi, misht e lkuren e dajn të dyja lagjet e gjuetarve.
§.415. Shpêzi i shituem, po s’u ndoq prej atij, qi e shitoi, âsht i atij, qi t’a vrasë.
§.416. S’âsht kanû me e peshue në kandár misht e gjâs, por, si t’a coptojn aq pjesësh sá gjuetarë të jenë, e qesin short si t’i biej kuej; ase i a lâjn njanit edhè e dán si t’i vîjë per doresh.
§.417. Me ndollë gjuetarët në mal tuj gjuejtë e, porsá të qesin pushkë, bertet prej malit kush: «A e vrát, or juni?» — edhè u turren e erdhen, tuj e gjetë shpêzin pá u luejtë prej vendit e të rrxuem prej pushke, ata bâhen pjestarët e gjojës, si të gjith tjerët.
§.418. Po shpejtuen gjuetarët edhè e dynden shpêzin prej atij vendi në tjeter, s’kan tager n’at gjojë.
§.419. Po dole me gjuejtë, edhè t’u shoqnue ndokush me pushkë a edhè pá pushkë, në vrafsh gjâ, do t’i apish pjesë.
NYE I SHTATËDHETEKATERT
Shpêzi i ndjekun mbas gjurmësh.
§.420. Gjât e ndjekuna mbas gjurmësh, po u gjeten të hîme a në zgaver të lisit, a në shpellë, aj, qi i ndoq e i gjet, do t’a rrethojë me gjurmë trí heresh lisin a tre rreshta gjurmësh do të bâjë para shpelle.
§.421. Atŷ, kû të shifen gjurmë, sá per at herë nuk mund të hullet kush.
§.422. Njiqind dhelpna, shqerth a vjetulla të ndjekuna prej njij tjetri e të hîme mbrenda gjurmësh, nuk ká tager kush me u húll; tagri âsht i gjurmve të para.
§.423. E vûna per gjurmë nji shpêz e del tjetri edhè m’a pret rrugen, pá diejtë se ká kend permbrapa, edhè e mshilë në shpellë a në zgaver të lisit, tuj e rrethue trí herësh me gjurmë, e mbas do kohe behem un, qi e pata vû perpara, nuk kam tager m’at shpêz: âsht i atij, qi e mshili.
§.424. Po e vûna per gjurmë nji shpêz edhè e mshila a në shpellë a në zgaver të lisit e u vûna me pré lisin a e msŷna shpellen per me e xjerrë, ky më del e hikë, e mârr mbrapa edhè e ndjeki mje qi më futet në shpellë a në zgaver të lisit të gjurmuem mbas kanunit, nuk mund t’i shkapercej gjurmët: do t’ulem atŷ me pritë mje qi të vîjë i zoti i gjurmvet.
§.425. Si të vîjë i zoti i gjurmvet, mundin e së premes së lisit do t’a hjekin zbashku, e shpêzët e xjerrun do t’i dajn.
§.426. Me bâ me i kcye mendja të zot’t të gjurmvet të para e mos me lânë tjetrin me mârrë shpêzin e vet, qi i hiku e u mshil atŷ, kanûja i nep tager me mârrë shpêzin e hikun prej vathit të tij në vath të huej.
§.427. Shpêzi i ndjekun prej njanit, hikë edhè futet në shpellë a në zgaver të lisit të xânës a t’ograjës së huej, ky nuk mund të hîjë mbrenda xânës a ograjës pá lêje të zot’t. Po desht me xjerrë shpêzin, do t’a dajë pergjymës me të zo’n e xânës a t’ograjës.
§.428. Duel kush me gjuejtë e i u vû mbrapa zagari i huej, çdo gjâ qi të vrasë, i zoti i zagarit s’ká pjesë. N’e kapët me padí, pûntorín e ditës do t’i a lajë të zot’t të zagarit: 5 grosh.
NYE I SHTATËDHETEPÊSËT
Gjoja e peshkut.
§.429. Gjoja e peshkut, si edhè gjoja e gjâs, nuk ká ndalim të caktuem prej kanûnit. Në çdo stinë të vjetit gjoja e peshkut âsht e lirë.
1. Gjoja nder lume e prroje.
§.430. Per të giatë të rrjedhës së çdo lumit, mbrenda kufînit të katundit të vet, mundet me gjuejtë peshk kushdo i katundit e nuk mund t’a ndalë kush.
§.431. Mbrenda kufînit të njij katundi nuk mundet me ardhë e me gjuejtë nji i katundit të huej.
§.432. Neper prroje, qi jânë në nji lagje të katundit, nuk mund të shkojë kush me gjuejtë peshk veçmas, por do të dalë kuvendisht.
§.433. Sá peshk të xêhet, do të dahet per tym t’asaj lagjje.
§.434. Po u çuen pêsë-gjashtë vetë prej njij shpije e prej njij tjetre nji nieri kalli i vetem, peshkun e xânun do t’a dajn per shpí e jo per krye.
§.435. Në prrue, qi âsht râzë shpís së njanit, pá lêje të zot’t nuk mund të shkojë kush me gjuejtë atŷ peshk; por do t’a bâjë me dije të zo’n, e ky, a shkon vetë, a çon nji xêvendsë të vetin, a i ep lêje atij, qi e hetoi peshkun, qi të gjuej lirisht.
§.436. Po u beh kush — a mik a kushdo i katundit — mun në kohë të gjojës së peshkut, do t’i epet pjesa në gjojë. Kanû âsht mos me percjellë as mikun as shoqin pá gjâ.
§.437. Peshku, qi xêhet me rret, plûmç, me perzivoj e kariqe, të zotët e këtyne veglave mârrin ka dý pjesë të gjojës.
§.438. Peshku i xânun do të dahet me kokerr e aq pjesësh a grumbujsh sá gjuetarë të jenë, e mandej dahet me short, si t’i biej kuej.
2. Gjoja e peshkut me kosh a me kofen.
§.439. Kofna a koshi nuk mund të vêhen per báll t’arve të hueja, nen të cillat rrjedhë lumi.
§.440. Po i u mbush mendja kuej me vû kofnen a koshin per báll të tokve të hueja, do të mêrret vesht me të zo’n e tokës e, per ne e lashtë ky me i vû, si kofnen si koshin, do të gjuejn zbashku, ase herë njani, herë tjetri.
§.441. Si të vêjë kush kofnen a koshin, tjeterkush nuk mund t’i vêjë permbí ta, edhepsè në vend të vet.
§.442. Po muer guxim kush, tuj vû kofnen a koshin permbí tjetrin vetem prej mllefit, katundi ká tager me u hjekë kofnat të dyja lagjevet, e mos me i lânë me gjuejtë aspak.
§.443. Po pat kush per të lshue ndo’i landë (trenë) neper lum e i bâni me dije të zotët e kofnes a të koshit qi t’i hjekin mje qi të kalojë landa, po nuk i hoqen e i shgatrroi landa, dâmi âsht i të zot’t të kofnes e të koshit; i zoti i landës s’u ká ndo’i detyrë.
3. Gjoja e peshkut me rrjell.
§.444. Nder hurdha a nder vende t’ujit të ndêjun, qi gjinden mbrenda kufînit të huej, nuk mundet kush me lshue rrjell per me mbytë peshk.
§.445. Po i dha lêjen i zoti i hurdhës, gjojen e dajn pergjymës.
§.446. Në gjojë të peshkut me rrjell, mêrr pjesë vetun aj, qi bjen ngarkicen e rrjellit.
4. Gjoja e peshkut me bár.
§.447. Po u lshue bari neper hurdha, per të giatë të lumit, a neper prroje, peshku i mbytun âsht i atyne, qi lshuen barin.
§.448. Per njizetekater orë nuk mund të hullet kush me gjuejtë nder këto vende.
§.449. Peshkun e mbytun me bár, mund t’a mârrin mbrapa të zotët e barit per të giatë të lumit, pá muejtë kush me i ndalë, edhepsè shtŷhen per të giatë të katundeve të Flamurit të huej.
§.450. Krye 24 (njizetekater) orësh, tagri i atyne, qi lshuen bár, mbaron.
§.451. Si të jét lshue bari prej njânes lagje, lagja tjeter nuk mundet me lshue barin tjeter as mbí as nen ata, qi e lshuen perpara.
KRYE I PÊSËMBDHETËT
TREGTIJA
NYE I SHTATËDHETEGJASHTËT
Percaktimi i tregtís.
§.452. Kanuni i tregtís a blén e shet pá qyshke, d. m. th. me të kputun, a edhè me qyshke, faqe dishmitarve, a edhè me kapár.
§.453. Kapari âsht njaj grosh (të hollash), qi epet para se të mirret në dorë gjâja, qi blehet.
§.454. «Kapari t’a bân gjân t’anden, porsè do të lajshë shka të jesish pertej».
§.455. Po dhae nji a njiqind grosh kapár, ti jé i zoti i gjâs së kaparueme.
§.456. «Kapari i mârrun nji herë, nuk kthehet mâ».
§.457. Si t’epet kapari, njiqind blesë me dalë, shitsi nuk mund të luej mâ.
§.458. Po u pendue blesi, edhè njiqind grosh kapár me pasë dhânë, i hupin.
§.459. Me bâ me u rrêjtë shitsi, tuj i a shitë tjeterkuej gjân e kaparueme, pse i dha mâ teper aj tjetri, tregu âsht i paligjshem.
§.460. Po hîni pûna nder Pleq e pêgje, kanuni e bân shitsin qi t’a stermârrë gjânë e t’i a apë atij, qi e pat kaparue.
§.461. Me bâ me i rá moh shitsi, se nuk ká mârrë kapár, e dhânsi nuk ká dishmitár, kanuni e çon në bé: po bâni bé, kapari hupë.
§.462. Gjâja e bleme me qyshke, po duel e metë, i kthehet të zot’t.
§.463. Gjâja, qi blehet me frigë mos âsht e vjedhun, po i duel i zoti, mbasi u blé, blesi i çon te aj, qi i a shiti e çmimin, qi pat dhânë per at gjâ, do t’i a kthejë shitsi i gjâs së vjedhun. — Parimi i kanunit âsht: «Kûdo qi t’a gjêjë gjân e vet i zoti, e mêrr».
NYE SHTATËDHETESHTATËT
Tregu i tokës.
§.464. Para se të shitet ndo’i tokë, a rendi i vadës, a rendi i mullînit, do t’u çohet te dera kushrîjve, vllaznís e fisit.
§.465. «Kufîjari blén token e kufîjarit, po s’e bleu kushrinija, vllaznija e fisi.»
§.466. Po s’e blén të permendunt e as kufîjari, i zoti âsht i lír me i a shitë cillitdo në katund.
§.467. Po s’e bleu as katundi, atbotë jé i lír me i a shitë çdo blesit.
Oroe.
Gadi kurr nuk ká ndollë nder Malsí t’ona, qi âsht shitë ndo’i tokë a mullî a rendi i vadës jashta katundit. Po s’e xén kryet kushrinija, fisi e kufîjari per me blé at tokë a mullî a rendin e ujit, katundi do të shitet e të pershitet e nuk bán qi t’i blejë i largti e t’u hîjë nder hundë.
§.468. Po u çue kush edhè shiti token, mullînin a rendin e ujit, pá jau leçitë kushrîjve, vllaznís, fisit a kufîjarit, tregu âsht i paligjshem kah kanûja.
§.469. Të permendunt kan tager me bâ qi të shkmehet aj treg.
§.470. Blesi nuk mund të bâjë fjalë, tuj e dijtë se bleu jasht udhet, por do t’i mârrë të hollat e veta.
§.471. Po tha blesi, se i a ká vû ket oroe shitsit para se t’a blete token, e edhè e vertetoi ket pûnë me dorë në bé, shitsi permbas randsís së fajit do të giobitet, porsè tregu i tokës jet se jet i paligjshem e do të shkmehet.
§.472. Vllau i dám e kushrinija e ngiatë e blén token 100 grosh mâ lirë se vllaznija e fisi i largtë. (Dukagjini, Shala, Shoshi etj. 500 grosh mâ lirë i a ep t’afermit se të largtit.)
§.473. Toka e shitun me qyshke: Un po t’a shes ket tokë sot, por neser, t’u mbush mendja tý m’e stershitun, nuk mund t’i a epsh tjeterkuej, per pá m’a prû mue persrí te dera.
§.474. Ky qyshk e lidhë blesin e nuk mund t’i a shesë tjeterkuej, per pá i a çue te dera shitsit të parë.
§.475. Po u shit toka pá qyshke të permenduna, blesi âsht i lír me e shitë atëherë kúr t’i mbushet mendja.
§.476. Tokës së shitun e mullînit a rendit t’ujit kanû âsht m’u pí rakín.
§.477. Rakín do t’a qesë aj, qi blén.
NYE I SHTATËDHETETETËT
Tregu i armve e i kalit.
§.478. «Pushka e kali e kan kûj mbë kûj».
§.479. Po bleve armen, e të tha shitsi: «E bajshë me nderë!», e e vore në krrabë me dorë t’ande, të mbetë në derë, edhè n’i a gjetsh ndo’i gand mbrapa.
§.480. Arma blehet gjithherë e mbushun.
§.481. Po bleve kál, e lidhe në kûj me dorë t’ande, solle shpinen e e gjete cofët, dâmi âsht i yti, të zot’t do t’i epen të hollat.
§.482. Kali blehet gjithherë me kapister.
§.483. Po bleve nji ká a lopë etj. me qyshke: po duel kjo gjâ e kelbazët mjè diten e Shen Gjergjit, — e duel e kelbazët, i zoti do t’a mârrë e blesit do t’i a kthejë mje në të mbramin dýsh, qi muer per at gjâ.
NYE I SHTATËDHETENANDËT
Çmime në kanû.
§.484. Mbas kanunit:
| 1. | Plangu a trolli i shpís | bân | 500 | grosh |
| 2. | Nji copë tokë, qi qet 100 grosh dobí | „ | 500 | „ |
| „Njiqind grosh dobí pêsëqind grosh tokë“. | ||||
| 3. | Penda e dheut: per mbas toket; per detyrë xêhet në të randë. | |||
| 4. | Shortja e zabelit, rendi i mullînit e i ujit: si të jetë vendi. | |||
| 5. | Ullîni i mirë | „ | 100 | „ |
| 6. | Lisi per lândë a per trén | bân deri | 23 | „ |
| 7. | Barra e drithit «grosh e okë» | bân | 100 | „ |
| 8. | Rêmet xêhen në të randë: Kazâni | „ | 500 | „ |
| 9. | Kusîja 15 okshe | „ | 100 | „ |
| 10. | Tepsija e mirë | bân | 50 | grosh |
| 11. | Oka e leshit të palám | „ | 5 | „ |
| 12. | Oka e kmendës | „ | 3 | „ |
| 13. | Pashi i zhgûnit të shkelun | „ | 20 | „ |
| 14. | Zgjoni i bletës me mizë | „ | 50 | „ |
| 15. | Oka e mjaltës | „ | 5 | „ |
| 16. | Oka e dyllit | „ | 5 | „ |
| 17. | Oka e vênës | „ | 1 | „ |
| 18. | Oka e rakís së rrushit | „ | 5 | „ |
| 19. | Oka e djathit | „ | 5 | „ |
| 20. | Oka e tlyenit të pashkrîm | „ | 10 | „ |
| 21. | Oka e tlyenit të shkrîm | „ | 15 | „ |
| 22. | Oka e mishit | „ | 3 | „ |
| 23. | Oka e mishit të thiut të thatë | „ | 10 | „ |
| 24. | Oka e kafes | „ | 9 | „ |
| 25. | Oka e sânës | bân | 10 | pare |
| 26. | Nji parë opanga | bâjn | 5 | grosh |
| 27. | Delja a dhija | bân | 50 | „ |
| 28. | Kingji a edhi | „ | 20 | „ |
| 29. | Dashi a skjapi per ogiç kumbone | „ | 100 | „ |
| 30. | Viçi sá të lejë | „ | 50 | „ |
| 31. | Mzati | „ | 200 | „ |
| 32. | Kau i hullís | „ | 400 | „ |
| 33. | Lopa barrës | bân | 300 | grosh |
| 34. | Kali i barrës | „ | 590 | „ |
| 35. | Mushku | bân | 1000 mje në 1500 | „ |
| 36. | Gomari | bân | 300 | „ |
| 37. | Thiu | bân | 50 mje në 100 | „ |
| 38. | Thiu i mbajtun | bân | 500 | „ |
| 39. | Huta (Martina) | „ | 500 | „ |
| 40. | Pistole të bardha (të ngrîme) | bâjn | 1000 | „ |
NYE I TETËDHETËT
Udhtari i paguem.
§.485. «Bân rrugë, mêrr rrogë. — Kali me qirá ká lkuren mbë trá».
§.486. Udhtár thirret aj, i cilli bân rrugë per rrogë per nji pûnë të huejen.
§.487. Udhtari nuk shkon me ndore të derguesit, âsht ndorja e vetvedit.
§.488. Po e gjet gjâ në rrugë udhtarin, nuk i pritet mik derguesit.
§.489. Udhtari si edhè shkuesi bâjn rrugë per kpucë e me bukë të vet, prandej s’jânë ndorja e kuej.
§.490. Po duel udhtari fill prej shpís së vet, edhè e vrau kush, nuk i pritet mik as shpís, qi e dergoi per pûnë e as shpís, së cillës i dergohet.
§.491. Po duel udhtari prej shpís, qi e dergon a prej shpís, së cillës i kje dergue, e po e gjet gjâ me bukë të tyne, u pritet mik, si mbas Kanunit.
NYE I TETËDHETEPARË
„Gjâ çdo gjâ“.
§.492. Kanûja e hershme — si edhè e kohve të vona në shum rasë — nuk ká pasë njoftë çmime të hollash e detyrët laheshin me «gjâ çdo gjâ».
§.493. Kanuja nuk bán qi të ngushtohet kush me i lá me çmim të hollash:
a) dâmet,
b) gjoben,
c) gjaqet.
§.494. Po bâni dâm kush me gjâ n’arë, në kopshtë, në vêshtë a në livadh, i zoti i gjâs do t’a ndreqë të dâmtuemin me bimë per bimë të dâmtueme.
§.495. Po rá kush në giobë të katundit a të Flamurit, gioba lahet me bagtí: me lopë, qé e desh e jo me çmim të hollash.[2]
§.496. Po vrau kush kend, gjaku lahet me «gjâ çdo gjâ»: me bagtí, me tokë e me armë. — Sado qi në këto kohë të vona per gjak do të late dorërasi të holla, por edhè armë.
§.497. Gioba e vrasës lahet me „gjâ çdo gjâ“, si edhè gioba e fajeve të randa faqe katundit a Flamurit, si per trathtí, per mik të prém e tjera,
§.498. Mâ e ulta giobë mbrrîn mje në nji dash e mâ e nalta nuk mund të kalojë mbí njiqind desh.[3]
„Fr. 19. Nautae, caupones, stabularii quod cujusque salvum fore receperint, nisi restituant, in eos judicium dabo“. Fr. I. pr. de naut. comp. stab. (XIV.) ↩︎
Damnum alio nomine mulcta est dicta: et antiquissimis temporibus in ovibus et bubus dumtaxat constitit. (Rit. Rom. p. 257, A. Gellius, XI. I.)
Kanûni i Lekë Dukagjinit i ndertuar, por jo i trajtuar në shekull të XV, defton se bagëtija ish monedha e stergjysherve t’egjer t’anë. (Z. F. Konica, „Albania“, 1907, XI. Nr. 3. faqe 58.) ↩︎
Minima autem mulcta est ovis unius … suprema duarum ovium, triginta boum, pro copia scilicet boum, proque ovium penuria. (A. Gellius, Noct. Attic. XI, 1. ↩︎
Lekë Dukagjini