Libri i nandët - Damet

NYE I NJIQINDENANDËT.
Percaktimi i dâmevet.

§.735. «Dâmi ká çmim, por jo giobë».

§.736. Dâmi lahet permbas çmimit të pleqve a të dy shokve.

§.737. Po u gjet grueja tuj vjedhë drû në mal të huej, me dorë s’perkitet, porsè kmesa e terkuza (teja) i mirret; drût e bâme jesin aty.

§.738. Kmesa e teja e mârrun xêhen per shperblim të dâmit e tjeter detyrë s’ká.

§.739. «Dâmi ká çmim por jo pushkë».

§.740. Per çdo dâm i lahet dâmi të dâmtuemit, po kje per arë e livadh, per kopshtë a vêshtë.

§.741. S’ndeshkohet kush me giobë per dâm të gjâs.

§.742. Po u gjet në dâm kau a lopa, kali, mushku a gomari, delja a dhija, nuk mund të vriten, por do të çmohet dâmi i bâm prej 'tyne.[1]

§.743. Po vrau kush në dâm kán, lopen, kalin, mushkun, gomarin, dhín e delen, lán gjân.

§.744. Gjâja e gjetun në dâm, a kapet e i çohet të zot’t te dera, tuj i thânë se e gjete në dâm e të vîjë me e pá, ase e vên perpara edhè e çon te shpija e jote edhè e ndrŷn në burg e, si të pleqnohet dâmi, i a kthen gjân.

§.745. «Nji dhí thán nji vrrî». — Dhija âsht frymë e keqe; shka të perkasë me gojë, e thán.

§.746. Po u gjet dhija tuj bâ dâm në vêshtë, sá cûgj hardhije të ketë verbue, kanûja ká pré këto dâme:

a) Cungu i hardhís i verbuem prej dhije nuk bân rrush per trí vjetë;

b) nji cung hardhije bân rrush sá per dý okë vênë e per nji okë rakí në vjetë;

c) hardhija e verbueme prej dhije prá ká gjashtë okë vênë e trí okë rakí per dâm.

§.747. Sá per dâm t’arës, çmimi i kanunit âsht: «Njiqind kallzë kallamoqi: nji babûne drithë». (Per njiqind kallzë a bîmë të dâmtueme, do të lajë i zoti i bagtís nji babûne drithë.)

NYE I NJIQINDEDHETËT.
Thiu në dâm.

§.748. «Thiu në dâm ká pushkë. — Po e gjete thín në dâm, bjeri pushkë».

§.749. Po u gjet thiu në dâm pá verza (kulár-krrabza) në qafë, vritet.

§.750. Me nji të shtîme a me nji të sjellme, gjith sá thí të vriten, dâmi âsht i të zot’t të thive.

§.751. Pushka e dytë a edhè e sjellmja e dytë lán thín.

§.752. Porsá t’a vrasë kush thín në dâm, do t’i lshojë zâ të zot’t qi të shkojë me e mârrë, pse misht i a han aj.

§.753. Po e vrave thín në dâm e nuk e bâne me dije të zo’n n’at hov, qi të shkojë me e mârrë, e mbet thiu aty, sá të fillojë me u prishë do të lahet thiu.

§.754. Si të vritet thiu në dâm, dâmin e bâm e lán me krye e i dâmtuemi nuk ká shka lypë mâ, pse vaji nuk i gjegjet në kanû.

§.755. Po hîni në dâm thiu me verza, ká dâmin e jo pushken. Po e vrave, lán thín.

NYE I NJIQINDENJIMBDHETËT.
Kurtha e ngrefun a laku në kopshtë.

§.756. «Në kopshtë t’êm a ngrefa kurthen a lakun, nuk mund të më ndalë kush».

§.757. Në kopshtë të thurun mirë, po ngrefi kush kurthen a lakun, nuk âsht në detyrë me i u pergjegjë dâmit.

§.758. Po e ngrefi kush kurthen në kopshtë të shthurun e rá në 'tê berri, lán berrin.

§.759. Në katund e rreth 'tij, po e ngrefi kush kurthen, — mje kû kapen gjâja per kullosë — e rá në 'tê ndo’i kambë berri, i zoti i kurthës lán berrin.

§.760. Kurtha shtrohet (ngrifet) me të mârrme të diellit, e shkrefet a mblidhet a mblohet mirë me të rame të diellit.

§.761. Gjâja e dame e e mbetun në mal nâten, po rá në kurthë, rreziku âsht i të zot’t të gjâs; i zoti i kurthës nuk lán gjâ.

§.762. Po u la shtruet kurtha diten, çdo gjâ, qi të biej më 'tê, i zoti i kurthës do t’i pergjegjet dâmit.

§.763. Po rán në kurthë nâten qêni e mica, shkojn hupsë, sepsè kerkojn dhén.

§.764. Kurtha e ngrefun në mal, porsè neper shtigje kah kalon gjâja, në raftë ndo’i kambë berri në 'tê, bariu ká tager me coptue kurthen, e i zoti i saj nuk mund t’i lypë arsye.

§.765. Po e ngrefi kush kurthen në rrethinë të shpijave të hueja e rá në 'tê gjâja e të zot’t të vendit e mbet a me kâmbë të thyeme a edhè cofi në kurthë, i zoti i kurthës do të lajë dý per nji.


  1. „Si laeserit quispiam agrum vel vineam, et dimiserit jumentum suum ut depascatur aliena, quidquid optimum habuerit in agro suo, vel in vinea, pro damni aestimatione restituet.“ (Exodus, XXII., 5.)

    „241. Per altri campi il padrone del bestiame deve pagar… il prezzo del grano guastato… al proprietario… (Codice di Manú).

    „Si quadrupes pauperiem fecisse dicatur, actio ex lege XII Tabularum descendit, quae lex voluit aut dari id quod nocuit, id est animal quod noxiam commisit, aut aestimationem noxie offerre. (Tab. VIII. Fr. I. pr. D. si quadr. paup.) ↩︎

Pjesa e radhës
Libri i dhetët - Kanuni kundra mbrapshtivet

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB