Artikull i parë.
PJESA QYTETNORE.
KRYE I PARË.
Hija e Kishës, Vorret, Pronet e pasunija e Kishës, Famullitari, Rrogtari, Puntorija e Kishës.
NYE I PARË.
Hija e Kishës.
§. 1. Kuptimi i Hijes së Kishës.
Per hije kishet xêhet rrethi mje kû mrrîn kufîni i tokës, në të cillen âsht ndertue:
a) Kisha, b) bâna (qela) e famullitarit.
§. 2. Tagri i Kishës.
„Kisha bân tym në famullí.“
1. — Kisha ká tager pasunijet si per gjâ, si per tokë e shpija mbrendë e jashta famullijet.
2. — Kisha ká pjesë në mal, në vrrî, nd’ujë e në mullî të kujrís së famullís.
3. — Kishës i duhet bâ pjesë në giobë të famullís.
4. — Kisha ká tager me blé e me shitë, si edhè me mârrë e me mbajtë të falunat, qi i vînë prej bujarís së bâmirve e me i vendue si t’a shofë vetë me udhë.
§. 3. Paperlimsija e Kishës.
„Kisha nuk giobitet.“
„Kisha s’ká pêng me kend.“
1. — Kisha gjindet e vendosne nen sundim të të Parit të Fés e jo nen lìgjë të Kanunit: prandej Kanuni s’mund t’i vêjë kurrnji barrë kishës, veç se ká detyrë me i dalë zot, kúr kjo hupë ndihmen e tij.
2. — Me bîjtë ndonji kundershtim ndermjet kishës e famullís, famullija s’mund t’i lypë pêng kishës; veç do të bâjë váj te i Pari i Fés — te Ipeshkvi — e gjygjit të këtij, si kisha si famullija, do t’i rrîjn pá fjalë.
3. — Per çdo mungesë, qi kisha mundet me bâ në sŷ të famullís, kishës s’mund t’i mirret gioba, vetun i vêhet me lá damet, qi t’jenë bâ per shkak të saj.
4. — Kisha s’ep pagesa, as del n’ushtrí, as u qet buken djelmve të Bajrakut, as shkon angarí nder pûnë të famullís. Veç se kúr famullija dán me bâ ndo’i pûnë per me mbajtë a per me shtue pasunín e kujrís së vendit, në të cillen kisha të két pjesë, kjo, atëherë, âsht në detyrë me lá pare, me qitë buken e me çue pûntorin në pûnë, mbas mndyret qi famullija t’i a u ketë dá të gjithve per tym.
§. 4. Ndera e Kishës.
„Kisha shpatë e konop s’ká.“
„Kush dhûnon Kishen, dhûnon Famullín.“
„Nderen e Kishës e lypë Famullija.“
„Kishës, mullìnit, farkës e tregtores nuk i pritet kush mik.“
1. — Kush dhûnon kishen, ká detyrë gioben a) kishës, b) famullís, c) Flamurit (Bajrakut). — Dhûnon kishen njaj, qi fjaliset, shán a i kercnohet kuej, qi rreh a vret kend në Hije të kishës.
2. — Gioben fajtorit i a mêrr famullija e jo kisha; pse kisha shpatë e konop s’ká.
3. — Kush vritet a rrihet a në çë farë-do mndyre koritet prej kuej, tuj hî a tuj dalë prej Hijes së kishës, marre kishës nuk i lên; pse kishës s’i prîtet kush mik.
4. — Por, me pasë me krisë pushka jashta Hijes së kishës e me i rá kush ndore kishës, atëherë aj njifet miku i kishës; e me pasë me i a çartë kush ndoren kishës, famullija âsht në detyrë me e çue nderen e saj në vend (Vinctum, si aedes ejus (Dialis Flaminis) introierit, solvit necessum est. — Gellius, b. 10. c. 15. —)
NYE I DYTË.
Vorret.
§. 5. — 1. — Në vorre të njij vllaznije a të njij fisi s’hìn i dekuni a i vrami i vllaznís a i fisit tjeter. — Po e bâni kush ket pûnë pá lêje të vllaznís a të fisit, të cillit jânë vorret, Kanuni i vên detyrë me xjerrë të deknin prej vorrit të huej.
2. — Me ardhë me ngulë në katund nji shpí, qi s’ká vllazní as fis, mbas të pelqyemit të katundit, i caktohet vendi i vorreve nder vorre të famullís, tuj i a vû detyrë me lá si 'i vjetë nji vjetë, nji çmim kishës per me blé qira a ndo’i send tjeter per ltér.
3. — Kush fjaliset, a shán e i kercnohet kuej, e kush vret a rreh kend nder vorre, bjen në giobë si per Hije të kishës.
NYE I TRETË.
Pronet e Pasunit e Kishës.
§. 6. Pronet e pasunija e kishës jânë të paprekshme.
1. — Pronet e pasunija e kishës jânë të paprekshme e s’mundet kush me vû dorë më 'to.
2. — Pronet e pasunija e kishës jânë nen rojë të Meshtarit të kishës e të famullís.
3. — Atê, qi guxon me u shtŷ kah pronet e pasunija e kishës, e bjen në mend famullija, tuj e bâ, mbas Kanunit, me hjekë dorë prej sosh.
4. — Kúr ndokush t’i bâjë dâm kishës kah pronet e pasunija, famullija çmon dâmin, qi do t’a lajë dâmçori.
5. — Kush vjedhë gjânë e kishës, posë se do t’a kthejë at gjâ mbas Kanunit të vêndit, kû gjindet kisha, ká edhè detyrë me i lá gioben kishës per nderë të mârrme, e gioben famullís per ndore të çartne, pse kisha âsht ndorja e famullís.
6. — Kúr cubi e njef gabimin e vet e, pá u mârrë vesht dhûna, qi i ká bâ kishës, i bjen në dorë Meshtarit të Famullís, tuj i a kthye gjânë e vjedhme, s’ká detyrë kurrfarë giobet: Meshtari ká tager me e falë.
7. — Me pasë me i rá cubi në dorë Meshtarit mbasi ky t’a két leçitë vjedhsin në famullí, famullija ká tager me i a mârrë gioben si per vedi si per kishë, edhè pse famullitari t’i a két falë gabimin, me gjith gjâ të vjedhne.
§. 7. Rregullimi i pasunís së Kishës.
1. — Pronet e pasunín e kishës e rregullon Famullitari, e famullija nuk ká tager me i lypë arsye Famullitarit per perdorim të frytit të xjerrun prej pasunís së kishës.
NYE I KATERT.
Meshtari i Famullis, ase Famullitari.
§. 8. T’êmnuemt e Famullitarit.
1. — Famullitarin e vên Ipeshkvi në Famullí, edhè Ipeshkvi vetun ká tager me e hjekë prej Famullije.
§. 9. Tagri e detyrët e Famullitarit.
1. — Famullitari ká tager me mësue e me qortue Famullín e me i krye zyret e Fés gjithsi t’a lypë pûna e shpirtit, e kurrkush i famullís s’ká pushtet me i u perzie nder detyrë të Meshtarís.
2. — Famullitari, per sherbim, qi i bân Famullís, ká tager me mârrë të dhettat e kishës, mbas Kanunit të vendit kû gjindet kisha.
3. — Famullija nuk ká detyrë me i a çue famullitarit të dhettat te dera; por Famullitari do t’i xjerrë e do t’i bajë me pûntorë të vet.
4. — Famullitari ká tager me mârrë frytin e pasunís së kishës si të tokve, ashtû edhè gjâve të gjalla, e kurrkush per tê s’mund t’i lypë arsye perposë të Parit të vet.
5. — Famullitari ká detyrë me i bâ Famullís gjith at sherbim shpirtit e Fejet, qi atij i a vên barrë Kanuni i kishës; e mâ teper edhè do sherbime tjera të posaçme nder do ditë të shênjueme, si me thânë: me bekue shpijat, me thânë Meshë ndo’i herë në motmot nder vorre të largta prej kishës së Famullís etj.
§. 10. Vehtja e Famullitarit âsht e paprekshme.
„Prifti âsht ndorja e Famullís.“
„Prifti s’bjen më gjak.“
„Prifti s’çohet në bé.“
1. — Kush vên gojë në Famullitár, a e shán e i germushet, e vên dorë më tê e e rreh, ase e vret aj do t’i perligjet Famullís në mëndyrë të Kanunit të vendit. Famullija âsht në detyrë me e lypë nderen e Famullitarit të vet.
2. — Me vrá kush Famullitarin, gjaksin e ndjekë Famullija, Bajraku e shpija e të vramit.
3. — Me u vrá dorërasi prej Famullije a prej Bajrakut, shpija e Meshtarit nuk mund të vrasë tjeterkend prej shpís së gjaksit; pse ndryshej e çon gjak te shpija.
4. — Me vrá kend Meshtari, as kisha as Meshtari s’giobiten, edhè Meshtari nuk bjen në gjak: gjakun e bán shpija e Meshtarit.
5. — Rrallë e gadi kurr s’çohet Meshtari në bé[1] e vetun per pûnë të madhe fort.
6. — Me ndollë qi Meshtari çohet në bé, a per me dlirë vedin a per Poronik, ky vetem do të njehet e do të zêhet per njizet-e-kater vetë.
7. — Kúr Meshtari bân bé, tuj kênë se xêhet per nieri i drejtë e i kushtuem së Drejtës së pasosme, nuk lypet qi aj të perkasë Unjillin me dorë; por mjafton qi të shqyptojë fjalët e bés para Unjillit.
8. — Me rá Famullitari nen giobë s’e kapë Kanuni: âsht pûna e të Parit të vet.
9. — Po kje teper i randë faji i Meshtarit ndaj Famullín, Meshtari do t’i shtrohet gjygjit të Kanunit. I Pari dergon nji Meshtár tjeter me shtrue pengun në Kanû n’êmen të Famullitarit.
10. Meshtari i Famullís mundet me i u mâtë edhè me i rá ndokuej e me gjith këta s’i lshon marre as të rrahunit as vetë nuk bjen në faj para Kanûnit.[2]
NYE I PÊSËT.
Rrogtari i Kishës.
§. 11. — 1. — Rrogtari i kishës âsht lirë me pûnue në shtek të vet.
2. — Rrogtari i kishës kûdo të shkojë e per çë do fjalë qi do t’i trokllojë kuej te dera mbas urdhnit të zotnís së vet, aj shkon e tregon n’êmen të Famullitarit.
3. — Me e tundue kush rrogtarin e kishës me fjalë a me pûnë, zêhet se tundon Famullitarin, e bjen në giobë të kishës mbas Kanunit.
4. — Gioba, qi mirret per pûnë të rrogtarit të kishës, nuk i perket rrogtarit, por kishës e katundit.
5. — Me vrá kush rrogtarin e kishës, dorërasi per në kjofët i Famullís së vendit, ndiqet vetem prej shpís së të vramit; por, në kjoftë se âsht i katundit të huej, atëherë e ndjekë edhè Famullija, në të cillen rrogtari kje vrá.
NYE I GJASHTËT.
Pûntorija e Kishës.
§. 12. — 1. — Me ngá kush pûntorët e kishës, bjen në giobë të Famullís.
2. — Sado pûntorë me pasë per të kênë në pûnë të kishës gergasi lán vetem nji giobë, por mâ të randë.
3. — Gioba, qi mêrret per ngase të pûntorís së kishës, dahet ndermjet kishës e pûntorve.
Artikull i dytë.
PJESA NDESHKIMTARE.
NYE I SHTATËT.
Amtyra e ndeshkimeve.
§. 13. Kuptimi i Ndeshkimit.
Per ndeshkim kuptohet nji e keqe, qi prej pushtedit të ligjshem i pertrîhet kuej per faj të bâm.
§. 14. Të caktuemt e Ndeshkimeve.
Vetem Bajraktari me krenë, e ndo’i herë edhè me të Parë të kishës, ká tager me i a caktue ndeshkimin fajit të bâm kundra kishës.
§. 15. Të dhânunt e ndeshkimit.
Fajtorit, qi ká fye kishen, ndeshkimi i epet prej krenve e prej vogjlijet.
§. 16. Cilltija e Ndeshkimeve kundra fajtorve të kishës.
Ndeshkimet, qi nepen per faje kundra kishës, jânë njikëto:
a) të gjykuemt per dekë;
b) të xjerrunt prej Bajrakut me rob e robí;
b) të djegunt e shpís;
c) të lânunt e tokës djerr a të prémt e pêmve;
d) gioba me gjâ të gjalla;
e) gioba me pare.
V. O. Mbas Kanunit gioba me pare mundet me u lá me do gjâ, tuj dhânë oken e drithit 1 grosh, oken e rakís 5 grosh, e kán e hullís 400 grosh.
NYE I TETËT.
Caktimi i Ndeshkimit mbas cillsis së fajit.[3]
§. 17. — 1. — Kush then kishen, âsht i djegun e i pjekun e i qitun me rob e robí jashta Bajrakut. Fajtori — dorërasi — bâhet batare prej Bajrakut, e shkon gjakhupës. Vllaznija a fisi mâ i afermi i bâkeqit e blén token e tij, e çmimi i saj i shkon kishës së thyeme.
2. — Kush vjedhë gjân e huej, e shkon e e mshehë në kishë, pá dije të Famullitarit, i ká detyrë kishës 1000 grosh giobë per nderë të mârrme, e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut, posë gjâsë, qi do t’i a kthejë të zot’t në mëndyrë të Kanunit.
3. — Kush të vjedhë gjânë e gjallë të kishës, më rreth kû pershîn Kanûni, ká me lá dŷ per nji, si gjithkuej.[4]
4. — Kush të vjedhë në qelë a bânë të Famullitarit, do të lajë dŷ per nji gjân e vjedhne, 100 grosh kishës per nderë të mârrme, e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut.
5. — Aj, qi shán a vên gojë më Meshtár të Famullís perpara popullit, ká 100 grosh giobë kishës, e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut.[5]
6. — Aj, qi i kercnohet a i germûshet Famullitarit, do të láj 10 desh giobë.
7. — Kush t’i shpifet Meshtarit në pûnë të randë kah ndera, ká shpín e djegun e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut.
8. — Me vû kush dorë më Meshtár, me e rrahë, me e shtŷ a se me e pshtŷ, aj digjet e piqet e qitet jashta vendit, tuj i a lânë token bár (djerr) per disá vjetë.
9. — Aj, qi vret Meshtarin, bâhet batare prej Bajrakut e gjaku i hupë. Mâ teter i digjet shpija, toka i lîhet bár, pêmët, vneshta e kopshtîjet i priten e i rrênohen. Toka e pronet e dromet e tija jesin per kishë; por vllaznija munden me i shperblye me pare.
10. — Me i folë ndokush keq, a me ngá rrogtarin e kishës, aj do t’apë 10 desh giobë Bajrakut, a se edhè mâ, mbas randsís së fajit.
11. — Aj qi vret Rrogtarin e kishës, po kje dorërasi i katundit, i digjet shpija e i mirren 100 desh e 1 ká per giobë.
12. — Me ngá kush me fjalë a me pûnë puntorët e kishës, fajtori do të lajë gioben e 10 deshve.
13. — Aj, qi s’i vêhet ndeshkimit të kishës e të Kanûnit, Bajraku do të mblidhet tok te shpija e tij e do t’i mârrë gjithshka të két në vathë.
Flamimi Diali non licebat jurare… Sacerdotem Vestalem et Flaminen Dialem in omni mea jurisdictione jurare non cogam. — Gellius. Noct. Atti, X. 15. ↩︎
Ceterum neque animadvertere, neque vincire, ne verberare quidem nisi Sacerdotibus permissum; non quasi in poenam, nec ducis jussu, sed velut Deo imperante quem adesse bellantibus credunt (C. Tacit., Germania VII.) ↩︎
Këto ndeshkime jânë xjerrë sidomos prej Kanunit të perdoruem në Mirditë e në 7 Bajrakët e Pukës. ↩︎
Si adorat furto quod nec manifestum escit, nec manifesti furti poena per legem XII. Tabularum dupli irrogatur. (Tabula VIII. — Festus, V. Nec Gajus, III. §. 190.) „Olim apud Romanos fures condemnabantur in duplum…“ Ch. Cato, apud Cic. lib. 3 de offic. ↩︎
„Se un’uomo della classe bassa si compiace nel molestar Bramini, il re lo punisca con vari castighi corporali, atti ad inspirare il terrore. — Manava Dharmasastre. Codice di Manu Leggi civili e criminali Nr. 248. — Cantù, Documentali. ↩︎
Lekë Dukagjini