Libri i tetët - Ndera

KRYE I SHTATËMBDHETËT.
NDERA VEHTJAKE.

§.593. Kanuni i Malevet të Shqypnís nuk e veçon nierin prej nierit. «Shpírt per shpírt, se duken e falë Zoti».

§.594. I miri e i keqi kan nji çmim: Kanuni i mban per burra: «Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit». «Në kandár të vet se i cilli peshon katerqind derhêm».

§.595. N’i prekët kush kuej në nderë, peng e plak per nderë të mârrun s’ká; Kanûja thotë: në daç, fale; po deshte, laje ballin e vrugnuem.

§.596. Nderen seicilli e ká per vedi e nuk mund t’i perzihet kush kuej as me e rrethue me pêgje e me pleq. Dy gisht nderë në lule të ballit na i njiti Zoti i Madh.

§.597. «Ndera e mârrun giobë nuk ká». — Ndera e mârrun s’falet kurr.

§.598. «Ndera e mârrun nuk shperblehet me gjâ, por a me të derdhun të gjakut, a me të falun fisnikisht (permbas ndermjetsís së dashamirve të mirë).

§.599. I korituni ká deren çilë perkah ndera: peng s’shtron, pleq s’mêrr, gjŷgj s’lypë; giobë s’mêrr. — Burri i fórt mêrr gioben vetë.

§.600. Aj, të cillit i u muer ndera, xêhet i dekun kah kanûja.

§.601. Ndera i mirret burrit:

a) Me i thânë kush se rrên faqe burrave të mbledhun në kuvend;

b) Me e pshtŷ, me i u matë, me e shtŷ a me i rá kush;[1]

c) Me i prishë ndermjetsín a besen;

d) Me i a dhûnue gruen a me i a hikun;

e) Me i a marrue armët e krahit a të brêzit;

f) Me i a dhûnue buken, tuj i a ngâ mikun a pûntorin;

g) Me i a thye shpín, vathin, kotecin a çerranikun n’oborr;

h) Me i a ndalë uhán a detyren;

i) Me i a luejtë rrasen e vegshit në voter;

j) Me njye kashaten parpara mikut — i mirret ndera mikut.

k) Me koritë trevezen nder sŷ të mikut, kúr i zoti i shpís e kruen fulteren a shîn e lpîn kupen.

KRYE I TETËMBDHETËT.
NDERA SHOQNORE.

NYE I NANDËDHETEGJASHTËT.
Miku.

§.602. «Shpija e Shqyptarit âsht e Zotit e e mikut».

§.603. Miku nuk mund të hîjë në shpí, pá bâ zâ n’oborr.

§.604. Si të bâjë zâ miku, i zoti i shpís a kush i shpís i pergjegjet e i del perpara.

§.605. Falet me mik, armen i a mêrr, e i prîn në shpí.

§.606. Armen i a varë në krrabë, edhè e çon në krye të vendit ke votra.

§.607. Perpushet zjarmi, lypen edhè drû. «Miku don drû».

§.608. Mikut do t’i bâhet nderë: «Bukë e krypë e zêmer».

§.609. Buka e krypa e zêmra, zjarmi e trungu e do firi per shtrojë do të gjindet gadi per mik në çdo kohë të natës e të ditës.

§.610. Mikut të lodhun do t’i vîhet rreth me të pritun me nderë. Mikut i lahen kambët.[2]

§.611. Per çdo mik duhet buka si han vetë.

§.612. Per mik të mirë duhet kafja, rakija e buka e shtrueme me ndo’i send mâ teper.

§.613. Per mik zêmret duhet duhâni, kafja e ambel, rakija e bukë e mish. — «Mikut të zêmres i lshohet shpija».

§.614. «Tuj hî në shpí, mikut do t’i mbajësh armen».

§.615. E mbajtmja e armës âsht:

a) shêj burrnije e nderje, edhè knaqesh se t’erdh miku;

b) âsht shêj roje, sepsè tuj i thânë: «Mirë se erdhe», aj do të rrîjë pá droje, e se gjindesh gadi me i dalë zot per çdo rrezik;

c) âsht shêj urtije per vedi, pse, 'si t’i mârrish armen, edhè në pasët ndo’i mende të keqe miku, nuk ká shka të bân, 'si t’a çarmatosish.

§.616. «Mikut i lshohet kryet e vendit».

§.617. Mikut i lshohet kryet e vendit, po kje në shpí si edhè po kje në kuvend burrash, porsè në kuvend nuk ká zâ.[3]

§.618. Mikut i lshohet kryet e vendit si per nderë, si edhè qi të jét mâ në të pám e në shêj, si edhè të mos të perzihet nder robët e shpís.

§.619. Si të hîjë miku në shpí, të ká lá detyren.

§.620. Po të hîni miku në shpí, gjak me të pasë, do t’i thuejsh: «Mirë se erdhe!» —

§.621. «Miku do të perciellet deri kû të lypë me e percjellë».

§.622. «Miku, edhepsè xên kryet e vendit në shpí a kûdo, kurr s’prîn, por do t’i prîjsh».

§.623. Miku perciellet edhè me nji fmí, po kje djalë a vajzë, gjithnji si nji burrë a grue.

§.624. Si t’a perciellish mikun deri kû desht vetë me shkue, e solle shpinen me shkue në pûnë t’ande, krisi pushka n’at hov e edhè e vrau, tý nuk të pritet mik.

§.625. Mbas mikut do të hupish pûntorët, e me bukë t’ande, të mos fikesh e të mos koritesh.

§.626. «Si t’i prîsh mikut, çdo dhûnë t’i bâjë kuej ky, lypet mbë tý».

§.627. Mikut mos i prîj; a, 'si t’i prijshë, do të hapish sŷt qi mos t’i bâjë kuej ndo’i dhûnë a pûnë të ligë.

§.628. Kanûja urdhnon qi të perciellet miku sá mos t’a gjêjë ndo’i pûnë e ligë, sá edhè mos t’i bâjë kuej ndo’i dâm me bukë t’ande.

§.629. Po bâni ndo’i pûnë të keqe miku në bukë t’ande, arsyeja lypet prej teje.

§.630. I dhûnuemi e i dâmtuemi s’âsht në detyrë me ndjekë atê, qi e dhûnoi e qi e dâmtoi, por i kerset në derë atij, qi e mbajti në shpí e i dha bukë.

§.631. «Buka e lán dâmin».

§.632. Kanû âsht prá, qi t’i prîhet mikut, sepsè xêhet se nuk din rrugë e nuk din a do të ndeshet në mik a n’anmik.

§.633. Do t’i prîjsh, pse jé rojsi i mikut, si me i a largue rrezikun, si edhè me e ndalë prej pûnet të keqe.

§.634. «Buka të nderon, porsè të qet edhè në pûnë». (Buka m’u gjet dreq pat thânë dikush.)

§.635. Po t’a dhûnoi buken miku, do t’epsh arsye në kanû per shpí e vath të thyem, per tufë të mârrun e pretime tjera.

§.636. Do të lajshë dâmet e bâme prej mikut t’and a tuj vû kumbonen e tufës s’ate në trá, a me të hjekun të kaut të hullís, a me të shitun të rendit t’ujit.

§.637. Nderen e dhûnen do t’a dajshë me mikun e të dâmtuemin do t’a ndreqish.

§.638. Ti do të lajshë e, po muejte me xjerrë gjâ te miku, e ké per vedi; perndryshej të pasët mbetë ngiat: Paç e dhaç thotë kanuni.

§.639. Sikursè jé në detyrë me lypë mikun e prém ashtû jé në detyrë me dhânë arsye, në prefët kend miku në bukë t’ande.

NYE I NANDËDHETESHTATËT.
Të prémt e mikut.

„Ndorja nuk lshohet“.[4]

§.640. «Miku mik; shoqi shoq».

§.641. «Veç nji gacë me t’a lypë kush te dera per me kallë çubukun, i a dhae, e e ngau kush, të pritet mik».

§.642. Po të rá ndore kush, edhè tuj t’a xânë vetem êmnin: «Jam miku i njatij» e edhè pá të pasë kênë kurr te dera, po e ngau kush, të jet mik në derë e ftyra t’u vrugnue.

§.643. Po t’a vûni kush mikun në lojë a t’a shau, ti do t’a mkâmbish nderen e mikut me rrezik të jetës s’ate.[5]

§.644. Po i u pré kuej miku, kanûja i ká lânë dý udhë: a të fiket, a të koritet.

§.645. Atij, qi i u pré miku, çdo send do t’i epet me dorë të mâjtë e per nen giû mje qi t’a paguej mikun.

§.646. Dora e mâjtë me kanû quhet e pandershme, e cilla mêrr e nuk ep; me miq nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me 'tê.

§.647. Me kanû të hershme gjygji e karmote më hû të pabesin, e s’e lîte në kuvend burrash.

§.648. I pabesi, qi pret kend vetë a shet kend në besë, grîhet katundisht e shkon gjak-hupës.

§.649. Me gojë të kanunit: baba, vllau e deri kushrinija e dalun fare falet, porsè miku nuk falet (posë me të hîm ndermjet të dashamirvet të zêmres).

§.650. Per mik të prém rrallë se epet besa; ndermjetsija epet sá të mârrin e t’apin, në hîfët pûna në të ndrequn.

§.651. Katundi shoqi-sho’it i presin mik:

a) kúr nji shoq shmanget te nji shoq e, tuj dalë prej shpije të këtij, e vret a shoqi tjeter a kushdo;

b) Edhepsè shoq a kushrî me të vramin mik-prém, detyrë âsht me lypë shoqin-mikun e vrám;

c) Po s’e lypi mikun e vrám, edhepsè shoq, s’ká pse del në kuvend burrash, pse jet i koritun e i marruem pergjithmonë e jetës.

§.652. Me ndeshë n’udhë të madhe dy shokë, e, 'si të bâjn do rrugë, kerset pushka edhè vritet njani sish, këtij tjetrit nuk i pritet mik.

Oroe:

Njimend, se s’i pritet mik, porsè jet i koritun mos me qitë mbë dorërasin. — Shqyptari edhepsè bjen në gjak pá gjak, tuj e pague me vrasë mikun e prém, aj s’e mêrr ndore at pûnë; fiket me lang e plang, porsè marre s’bán. —

NYE I NANDËDHETETETË.
Të sjellunt e të zot’t të shpís me miq në shpí.

§.653. Miku xên kryet e vendit në trevezë (sofer), mandej i hîn ndorja.

§.654. Framurtarit mik i tokon kryet e dashit e mikut shpatulla.

§.655. Po s’ndolli flamurtari, por Kreu i njij Flamuri, shpatulla i tokon këtij e mikut kryet e dashit.

§.656. Miku do të hjekë rakín e mâ i pari do t’u biej duerve në trevezë.

§.657. Me ndollë në trevezë kush i Gjomarkaj e nji mik i largët, Flamurtari e dán pergjymës me të Gjomarkain kryet e dashit e shpatulla i jet mikut.

§.658. Famurtari do t’a thejë me grusht kryet e dashit e mikut, 'si t’a két lpî shpatullen, do t’i a thejë sumbullen.

§.659. Me ardhë per mik i Ohërnjani (i Thkellas) a në Mirditë a në Malsí të Lezhes e me ndollë aty edhè kush i Gjomarkaj, kryet e vendit e xên i Ohërnjani, mandej i Gjomarkaj. (Ket pûnë s’e bân kush prej nderjet.)

Oroe: Këto sjellje duken si lojë, porsè kan shkaktue vrasë të pergjegjme shi në trevezë.

§.660. Kafen e mêrr miku, mandej i zoti i shpís.

§.661. Duert në trevezë i lán i zoti i shpís, mandej miku.

§.662. Goten e rakís e pin i zoti i shpís e të dyten miku.

§.663. Kashaten e njyen miku, mandej i zoti i shpís.

§.664. Aj zot shpije, qi e njyete kashaten perpara mikut, late 500 grosh giobë.

§.665. Aj zot shpije, qi koritte trevezen e vet nder sŷ të mikut, late 500 grosh giobë.

§.666. Pushka e shtîme per mik të prém nuk ká giobë.

NYE I NANDËDHETNANDTËT.
Ndermjetsija.

§.667. Ndermjetsi, si lajmtari, nuk bán faj as nuk xêhet.

§.668. Ndermjetës thirret aj, i cilli hîn per me dá fjalët e kqija, me shmangë rragen, prej të cillave mund të shkaktohet vrasa a ndo’i rrênim tjeter.

§.669. Ndermjetës mund të jét burrë a grue, djalë a vajzë a edhè Prifti.

§.670. Ndermjetës mund të hîjë per shpí me shpí, per katund me katund, per flamur me flamur.

§.671. Me i u pré ndermjetsija njij shpís së veçanët, vetë e kerkon mikun.

§.672. Me i u pré ndermjetsija njij kaktundi, katundisht u lypë mikun.

§.673. Me i u pré ndermjetsija njij flamuri, flamuri mbarë e lypë mikun.

§.674. Me i u pré ndermjetsija Priftit, mikun e lypë Famullija, në të cillen gjindet, a se flamuri e lypë, po hîni ndermjet n’êmen të flamurit.

§.675. Prifti, per me dá të keq, hìn ndermjet jo n’êmen të vet, por a n’êmen të Famullís a n’êmen të flamurit; por vetem atbotë, kúr mos t’i pûnojë fuqija e fjalës fetare.

§.676. Po s’u muer para sŷsh fuqija e fjalës fetare, atbotë Prifti hîn ndermjet si çdo qytetas, por, tuj mos bajtë zyrja e tij shpatë e litár, po i u bâ n’asgjâ ndermjetsija si e çdo qytetasit, katundi a flamuri do t’a mkambin nderen e tij, tuj e lypë mikun e prém.

§.677. Me kênë të vramë njiqind vetë në njanin krah e në tjetrin kurrnji, 'si të hîjë kush ndermjet, pushka do të prâjë, zjarmi do të shuhet.

§.678. Me bâ me u qitë poshtë fjala e ndermjetsit, ajo lagje, qi të fillojë pushken, i a pret mikun ndermjetsit. (Po s’prâni pushka e fjala e gergasa permbas ndermjetsis, perzihet lamshi per mnerë, kryqzohet pushka, e grihen aty per aty.)

§.679. Fjalët e dokshme të ndermjetsís jânë: «Lêni fjalët, or juni, jam ndermjet une! — Prâni pushken, burra, un jam ndermjet mje ke të mirremi vesht. — Prâni pushken, se katundi . . ., flamuri . . . âsht ndermjet!»

§.680. Ndermjetsi u mêrr pêgjet të dyja lagjeve, tuj u a dá diten se kúr e kû do të mblidhen në kuvend, per me u mârrë vesht.

§.681. Po nuk muejt me i ndreqë ndermjetsi, pêgjet e të dý lagjeve u lshon në dorë burrave t’urtë, e ky atbotë lirohet e del prej ndermjetsije.

§.682. Ndermjetsija mbaron gjithherë a me të rame diellit a me të mârrrun të diellit (me të lém a me prendim të diellit).

NYE I NJIQINDTËT.
Dorzanija.

§.683. Dorzânë thirret aj, i cilli i lidhet kuej per të pergjegjun të njij detyre, të cillen, po s’e lau në vade të caktueme detyrsi, ky bâhet dordhânës.

§.684. Uhasi, 'si të két dorzânë, s’ká nevojë me i shkue në derë dertyrsit; dorzâni do të pergjegjet per 'tê: «Dorzânë, dordhânë», thotë kanuni.

§.685. Edhè në dekët detyrsi, uhasit s’i prishet gjâ; per detyrë, qi aj i pat këtij, do të pergjegjet dorzâni: «N’dekët detyrsi, rrnofët dorëzâni,» thotë kanûni.

§.686. Me bâ me u pendue dorzâni e me dashtë me dalë dorzânije, kanûja nuk e lên, sepsè: «Dorzâni nuk hîn per me mbajtë në mend, por per me lá».

§.687. Dorzâni hîn me mirvet, e prandej nuk ká tager me lypë kpucë as te detyrsi as te uhasi: «Dorzânë e bestár nuk hîn kush me të holla».

§.688. Detyrsi, kúr lypë kend per dorzânë e, per n’i hífët ky, faqe burrave i thotë: Un po të hî dorzânë, por shikjo, se, po s’e pate nder mend me i bâ gadi të hollat në vade të caktueme, më kallxo qyshë tashti e të bâhem gadi me lá per tý. T’a dijshë, se shnjerzim nuk duroj!

§.689. Po nuk i u pergjegj detyrsi dorzânit, edhè e lên të lidhë qi të lajë ky prej vedit detyren e tij, dorzâni do t’i a apë pengun uhasit.

§.690. Uhasi ká tager me i a dorzue kuejdo at peng, per me xjerrë detyren e vet.

§.691. Dorzâni ká tager me bâ váj në katund kundra detyrsit të keq, e katundi do t’a ngushtojë detyrsin qi t’a shperblejë pengun e dorzânit e t’i a dorzojë të zot’t.

§.692. Po s’i bâni gadi të hollat detyrsi vetem prej dhûnet e kasnecijet, katundi e giobitë permbas randsís së fajit per presë të bâme.

§.693. Po i bâni gadi të hollat detyrsi në vade të caktueme, para se t’i a dorzojë të zot’t, do t’a bâjë me dije dorzânin.

§.694. Po kje se detyrsi nuk muejt me i bâ gadi të hollat në vade të caktueme vetem prej skamit, dorzâni do të rrîjë gadi me lá per 'tê, e këtê me e pritë, se «Dora e thatë s’ká uratë» e s’ká pse e qet në katund, pse vajin nuk i a veshtron: t’a kishte matë vedin para se t’i hîte dorzânë.

KRYE I NANDËMBDHETËT.
GJAKU E GJINIJA, VLLAZNIMI E KUMBARIJA NË KANU TË MALEVET.

NYE I NJIQINDEPARË.
Gjaku e gjinija e brêza Shqyptarësh.

§.695. Vargu i brêzavet të gjakut e të gjinís, shkon në të pasosun per Shqyptarin e malevet.

§.696. Mahet vllá e fis me të gjith ata, prej së cillësh të parët e tij jânë dá heret a vonë.

§.697. Katerqind zjarmesh me u dá Shqyptari, aj as mêrr as ep, d. m. th. nuk bân krushqí.

NYE I NJIQINDEDYTË.
Lisi i gjakut, lisi i tâmblit, nip trungut e nip bijet.

§.698. Brêzat rrjedhin a prej gjakut a prej gjinís.

§.699. Brêzat e gjakut rrjedhin prej ânet të babës; brêzat e gjinís rrjedhin prej ânet të nanës.

§.700. Rrjedhja e brêzavet prej ânet të babës thirret «Lisi i gjakut».

§.701. Rrjedhja e brêzavet prej ânet të nânës thirret «Lisi i tamblit».

§.702. «Nip trungu» a «mesë trungu» thirret aj varg mashkujsh a fêmnash, qi rrjedhin prej plangut të babës.

§.703. Nip a mesë bijash thirret aj varg mashkujsh a fêmnash, qi rrjedhin prej bijave të martueme.

NYE I NJIQINDETRETË.
Vllaznimi.

§.704. Vllaznimi, qi bâhet tuj pí gjak, e ndalon krushqín pergjithmonë ndermjet të vllaznuemve, shpís së tyne e zjarmit të tyne.

NYE I NJIQINDEKATERT.
Kumbarija (Shengjonija).

§.705. Shka âsht gjaku e gjinija per kah krushqija, ashtû âsht edhè kumbarija.

§.706. Kumbarija e Shqyptarit të malevet âsht trí nduersh:

a) kumbarija e Pagzimit;

b) kumbarija e Kunorës;

c) kumbarija e Flokvet.

NYE I NJIQINDEPÊSËT.
Kumbarija e Pagzimit.

§.707. Kumbarija e Pagzimit e ndalon krushqín brêz mbas brêzit jo veç nder të pagzuemin, prinden e të pagzuemit e nder ata, qi e peshojn në derë të Kishës, por edhè nder sá rob të két shpija e njanës e të tjetres lagje e të zjarmit të tyne mbarë.

NYE I NJIQINDEGJASHTËT.
Kumbarija e Kunorës.

§.708. Kumbarija e Konorës e ndalon krushqín nder robët e shpís së kumbarve e të shpís së dhandrrit e, qi të plangsohet kumbarija e Kunorës nder dý vllazní e të pershîjë edhè zjarmet e tyne, kjo pûnë shkon me kumbarí të Pagzimit.

NYE I NJIQINDESHTATËT.
Kumbarija e Flokvet.

§.709. Kumbarija e ndrikullija, qi bâhet në të rruem e në të mârrun të flokvet hîn në lidhje kanunore, qi s’e luen gjâ.

§.710. Kumbarija e flokvet e ndalon krushqín brêz mbas brêzit ndermjet shpís, vllaznís e zjarmit të kumbarës e të ndrikulls.

§.711. Ndrikullija âsht si nusija: si shkon nusja ke prindët në kohë të caktueme prej kanunit, ashtû shkon edhè ndrikulla në kohë të caktueme te kumbara.

§.712. Koha e ndrikullís e caktueme prej kanunit âsht nji muej para së Lidhunash.

§.713. Ndrikullija nuk mund të shtŷhet mbí pêsë ditë: Ditët e ndêjës së ndrikulls te kumbara do të jenë gjithherë cub e jo kurr parë, trí a pêsë.

NYE I NJIQINDETETËT.
Sjelljet kanunore në të mârrun të flokvet.

§.714. Nun a kumbarë thirret aj, qi mêrr flokët.

§.715. Ndrikull a nunë thirret e âma e djalit a e vajzës, të cillvet u mirren flokët.

§.716. Famull a famulleshë thirret djali a vajza, të cillvet u mirren flokët.

§.717. Nuni e ndrikulla jânë si vllá e moter e nuk veçohen prej gjindes së shpís.

§.718. Po e mbushi vjetin djali e vajza, nuk u mirren flokët.

§.719. Me dekë fmija pá i u mârrë flokët, nuk do të shtîhet në dhé; do të thirret kumbara i shênjuem; po kje larg kumbara, do t’i mârrë flokët nji tjeter, i cilli nuk do të jét prej vllaznijet e fisit të fmís.[6]

§.720. Per të mârrun të flokvet të djalit duhet të jét burrë, e grue per vajzë.

§.721. Prindja e djalit a të vajzës, të cillvet t’u mirren flokët, do të bâjn gadi buken sá mâ mirë qi të munden, per me nderue kumbaren.

§.722. Kumbara do të vîjë me nji prej dashamirësh të vet.

§.723. Thirren nja tre-kater shokë per me mârrë pjesë në gzim të shpís.

§.724. Si të kenë pí kafe, goditet vendi, kû do t’ulet Nuni e do të gjinden aty veglat per të mârrun të flokvet.

§.725. Lypet karriga, kû do t’ulet Nuni; kupa me ujë, në të cillen Nuni do të lshojë nji asper të rrgjanët; msalla, qi do të shtrohet per të pritun të flokvet; gershanë a brisk rrues per të qethun a per të rruem të famullit a të famulleshës.

§.726. Si t’ulet në karrigë Nuni, nji djalë i fisit i a pshtetë Nunit në prêhen famullin a famulleshen.

§.727. Nuni do t’i mârrë flokët me ket rend: a) nji çubë në báll; b) në tamza ká nji çubë; c) mbas kreje nji çubë.

§.728. Si të miren flokët, Nuni i bjen ballit të famullit a të famulleshës me gershanë trí herë, tuj thânë: «Me shndet e jetë të giatë!» E puthë famullin a famulleshen e, tuj e hjekë prêhnit i a ep s’amës — Ndrikulls, — e cilla edhè mêrr kupen me asper të rrgjanët.

§.729. Nuni i ep Ndrikulls 50-150 grosh e jo mâ teper.

§.730. Çubat e flokvet i mêrr e âma edhè i ruen n’arkë.

§.731. Ndrikulla do t’i apë Kumbarës: gjurdî, brekë e mangore, e gjindes së shpís së kumbarës — sá të jenë — do t’u çojë kuej msallë, kuj ride a kollçikë.

§.732. Pá i u mârrë flokët fmís, gershana nuk do t’i a perkasë kryet; po i u rriten teper flokët, i percullohen me flakë t’ûnës së pishës.

§.733. Si t’i mirren flokët fmís, Kumbara bûn at natë në shpí të famullit a të famulleshës; ne e nesret çohet e mêrr me vedi ndrikullen e famullin edhè i çon në shpí të vet, kû rrîn trí a pêsë ditë, si mbas kanunit.

§.734. As mort as darsem e as të kremet s’luten pá ndrikull e kumbarë, pá famull e famulleshë.


  1. I Greci condannano a pagare tre mila scudi ed i Sassoni castigavano simil delitto anche colla morte. (Dr. Lodov. Schoenleben, Trat. II.). — Tash vonë nder né lahen gjashtë qese të rrafunit, e 500 grosh katundit, e të keqsuemt dorzaniten. ↩︎

  2. Al presentarsi d’un ospite il padrone di casa colle forme prescritte gli offre una sedia, acqua da lavarsi i piedi, ed alimento nel miglior modo. — Erba, terra per riposarsi, dolci parole… (Codice di Manú, Lib. III. Nr. 99, 101.)

    Aquam manibus pedibusque dato, polubrum sinistra manu teneto, dextera vasum cum aqua. (Ex. C. C. Salustio, Pontificii Juris, Liber XVI.) ↩︎

  3. Massurius autem Sabinus (in libr. Jur. civ. III.) antiquiorem locum hospiti tribuit quam clienti. (Aul. Gellius, lib. V. c. XIII. Noct. Attic.) ↩︎

  4. Urbes refugii: Numeri, c. 45. 10-15 Deuteronomii, XIX. 2-7; Josue. XX. 2-6 — Populus Romanus e parva origine ad tantae amplitudinis instar emicuit: sed omnium maxime atque praecipue fidem coluit… Sic clientem in fidem acceptum chariorem haberi, quam propinquos, tuendumque esse contra cognatos censuit. (Gellius, Noct. Attic. lib. XX. c. I. pag. 482.) ↩︎

  5. Neque peius ullum facinus aestimatum est, quam si quis cui probaretur clientem derisui habuisse. (Idem, ibidem). ↩︎

  6. Nondum illi flavum Proserpina vertice crinem abstulerat… (Virg. Aeneidis Lib. IV. 698-699). — Credebant Graeci Romanique mori neminem posse nisi Proserpina morientis crinem abstulisset, quasi sacras sibi inferisque primitias.

    — PROTOGOMO, cosi dicevasi presso gli antichi Greci un giovanetto, che conservava la prima chioma per offrirla, come aveva fatto voto Achille Omerico, quali primizie agli dei. (Dizionario Mitologico, Villarosa, Napoli 1841). — ↩︎

Pjesa e radhës
Libri i nandët - Damet

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB