Neper terr qi lëshote nata,
Ngarkue teshat kaliboç,
Per nji pŷllë kû s’rá kurr spata,
Ndiqte rrugen nji djaloç.
Landët e pýllës si’j ujk ju dukshin,
Qi prej ûjet n’mal luron;
Cuba t’rrebtë, qi n’prît’ u strukshin,
Gjethët e lisave kujton.
O Shqypní! gjimote i shkreti,
Male, mbushë me gjuetarë plot;
Kësoll’ e bardhë, kû porsi mbreti
Shkon barija dit e mot.
O ju lugje te Prevezes!
Këtû mue zêmra po m’vajton;
Te ju hâna me dritë t’rrezes
Shtigjt udhtarit ja kalxon.
Fis i dashtun, kû n’dritë dola
Afer détit t’pápshtjellim;
Shpí e bardhë kû s’parit fola
N’prêhen t’nanës tui gjetë pushim.
Njeshtû thote e me trimní
U nis udhës shtegtari prap;
Fishklloj landa tu’ u perzí
E prei frigës ngau djali vrap.
Por m’nji cub mbas gardhit hasi;
Ndalu, i thotë, nuk ké kah mba!
Nji kubure n’brí ja rrasi.
E mbi tokë permbyz e la.
Ah! nanë shkreta! i shuemi bríti,
E permbyz u lëshue mbî’j curr;
Per tre muej e shkreta m’priti,
E tekëndej nuk m’shef mâ kurr.
Po jot’ âmë, si per qestí,
Ja bân gjaksi me idhnim plot;
Ti m’diftò kû rri me shpí,
Fjala e jote nuk hupë dot.
N’skâj t’Shqypnís shkon vorfnisht jeten,
E pá djelm e mjera mbet;
Dy mâ t’mdhajt nder luftna mbeten,
E këtû i treti qe po jet.
Pat nji tjetrë… fija e zânit
Ju kput djalit e gjimoj;
U dridh gjaksi, e aj farë luânit
Pushken n’tokë me’j herë e lëshoj.
Pat nji tjetrë, qi ajò e dote
Permbî dritë të sŷve t’vet;
Kurr prei prêhnit nuk e lëshote:
Shokë nder cuba vojt e gjet.
Vllá, i pergjegji zêmervshtiri,
Njitû t’vrava e këtû po des;
Nuk kam sŷ me m’pá mâ nieri,
Ngryk’ me tý njitû po jes.
Jo, ti shndosh! e fíll te shpija,
Te nanë zeza fluturò:
Pá asnji fëmij’, e mbytë vetmija,
E mbëlon skami: mos e lësho:
Shka t’i tham mandej nanës ngratë
N’kjoftë se pvetë per tý ndo 'j sênd?
Thuej se mora nji rrugë t’giatë,
Se bashkë n’qiell dikúr xâm vênd.
Ndre Mjeda