Neper male e neper fusha
Pá pushue, pá xanun vênd,
Perpín rrugen si harrusha
Nji shtegtár me gjith gazmênd.
As katundi mâ i pelqyeshem,
As gjyteti nuk e pret;
Porsi’j zog merr rrugen rrmyeshem
Shpejt e shpejt per vênd të vet.
Dit’ e natë thekshem tui shkue
Neper dhena mbetun shkret,
Kurgjâ s’ mujti me e hutue
Tui bâ rrugë per vênd të vet.
N’pikë të zhekut nen ndo’j hije
Ndêj prei së xétit qi e pelset;
Por me t’shpejt’ u vûe per fije
Tui bâ rrugë per vênd te vet.
Bâshin darsma neper shpija,
Lutshin festa per katund;
S’ju di darsmave hitija,
S’e pret festa jo kerkund.
Fest’ i dukej nder mâ t’mirat
Shpija e vogel qi dishron;
Shênd i bâheshin të vshtirat,
Tui shpejtue per shpí qi don.
Mbas nji fushës e pertè malin
T’mjer’ shtegtarin shpija e pret;
Tui e pritë te dera dalin
Per gjith mbrámje robt e vet.
E shikjojn’ gjith kahë mêrr syni
A po duket baba kund;
Dér sá nata mbrênd’ i ndryni,
Kúr xhixhllojshin dritët n’ katund.
Ec, hitat, shtegtár i ngriti,
Se mbas fushes qi mbaron,
Shpija e jote gadi mbërrîti,
Shpija e jote qi flakron.
N’ buzë të mbrámjes per nji breshtë
Ky shtegtár pá dijt’ u gjet,
Kúr per s’ lerg nder lisa t’shpeshtë
Zâ i venitun n’ vesh i vret.
Vojt e syni kah del gjama
Pá mêndue per shpí të vet:
Nji grue shtrî ku u çilte lama
E dy fëmijë permbyzun gjet.
Zêmer-dhimshmi tui u afrue
Kqyrë kush ishin me kujdes:
Ju muer fryma, n’ fëtyr’ u ndrrue
E rá n’tokë porsi kush des.
Shum dit pritne: anì prei fisit
Me i dalë para u nisne truç;
N’rrugë mbet grueja brî nji lisit,
Edhè fëmija ráne lmuç.
Tui bâ rrugë ne e nesre shkote
Nji zotní per at t’zí vênd:
Gruen e fëmíjt permbyz i mbëlote
Njai shtegtár pá gojë pá mênd.
Ndre Mjeda