Diq i Madhi: askund n’ushtrí
S’e shef mâ jo kurr mizori;
Rrebtë si paras s’shndritë, Shqypní,
Njajò shpatë qi sá herë xori,
Frig’ e mnerë kerkund s’na mbeti
Qýsh se né na u rrxue gjyteti
E gjith fisin e rrênoj.
Diq: vorfnisht n’njat vorr â mbëlue
Pá lumní mâ i madh luftari:
Fisi i jonë me tê u rrênue,
Me tê diq per luftë shqyptari.
Bashkë n’at vorr â mbëlue Shqypnija
Deri sá ta thrrasin mnija
Me e thá doren qi e turpnoj.
Si krismë luftet gjith u hapte
Neper fushë te njatij vorrit;
Kush per terr andej u kapte
Ndijte ‘j duhmë, si duhmë toborrit;
Shoqe mb’ shoqe shpata kriste,
E kalorë, ushtrí qi u niste,
Merrshin hovin per at vênd.
Edhè u dukte se luftote
Shpirt me shpírt per atò fusha;
Trupi n’vorr ndoshta ju shkote
E atà u hidhshin si harusha.
Lypshin luftë per vênde t’veta,
Per djelmní çalltorë si zhgjeta
Tym e flakë lypshin me shênd.
Lerg e lerg do brima ushtoshin:
Varza e grá me flokë të shprishun
Afer vorreve u rrethoshin
Tui bâ váj e tu’ u dermishun.
Kjájshin t’mjerat se temeli
I atdheut u tund, e i shkeli
Kombi i huej nen kâmbë të vet.
E nget vorrit t’Skanderbegut
Rrite 'j zojë me futë në krye;
Prei mjesnatet e n’pikë t’zhegut
Shqyptarija rri tui shfrye;
Tui derdhë lot e tuj vajtue
Rreket t’dekunin me zgjue
Qi ká n’báll: lumní, pushtet.
E prei vorrit t’ktij farë trimit
Mêrrte uzdajë per vedi e mjera.
Te ky ltér i dashunimit
Niste djelmt per luftna tjera.
Njitû shpesh u çil ushtrija,
Njitû u njifte trimenija
Kombt’ e huej me i ndalun n’cak.
Rreth e rreth mâ e kândshmja érë
Drandofilleve ju ndîhej,
E n’ket vorr t’shuguruem n’prêndvérë
I natyrës gazmêndi shihej:
Lott e shêndin e Shqyptarit
Njiky vorr i dijte s’ parit,
Njitû shfryte i rí e plak.
Çou, o trim, e mbî t’tú vllazen
Sielli syt qi xhixhillojshin;
Kqyr sá kobe n’ta po shprazen
Kqyr se kombeve qi e droshin
Sot mbî né ju mbet parija.
Jo, t’bâj bé, s’â kjo Shqypnija
Qi ti rrite me krah tand.
Sá do mue ma rrit trimnín,
Forcom krahin me luftue;
Me gjak t’êm une Shqypnín
Prei kso kobesh due me e pshtue.
Me ket parzem un anmikun
Do ta pres, deri sá t’fikun
Ta shofë bota kand e kand.
Ndre Mjeda