Dy gjërëra duhenë në këtë jetë: e drejta edhe fuqija. E drejta pa fuqi, si edhe fuqija pa të drejtë, është si një krah i vetëm; nonjë zok s’fluturon dot me një krah. Më të rallë bën punë fuqija pa të drejtë; edhe e drejta pa fuqi fort rallë dëgjohetë. Peshku i math e ha gjithënjë të vogëlinë.
Tani Shqipëtarëtë q’e kanë të drejtënë me vetëhe, aty s’ka dyshim. Qysh të mos ketë Shqipëtari të drejtë të shkruanj’ e të këndonjë gjuhën’ e ti, kur gjithë kombetë, edhe mê të liqt’ e mê të dobëtitë e kanë këtë të drejtë edhe njeri s’i ndalon? Përse Shqipëtarëtë të jenë të mërguarë nga një e drejtë q’e kanë gjithë kombet’ e dheut? Të mos mundinë të shkruajn’ e të mësojnë gjuhën’ e tyre, pô të tjerë kombe të huaj të vin’ e t’u hapinë shkolla në gjuhërat të tyre, e t’u kthejnë kombërin’ e gjuhën’ e tyre? Janë kaqë të dobëtë Shqipëtarëtë? — Jo! një mijë herë jo!
Shqipëtarëtë janë mê të fortë se gjithë kombet’ e Sinisis’ së Ballkanit. Pas shumicës’ së tyre mbase janë mê të fortë e mê të shëndoshë se gjithë kombet’ e dheut. Sot në këtë ditë e kështu si është Shqipëria munt të nxjerë një ushtëri prej 500,000 njerësh! Pa 200,000 e 300,000 dalinë me një herë. Ata q’e njohinë Shqipërinë s’çuditenë me këto nëmura, se kaq’ ushtëri Shqipëria ka nxjerr’ edhe nxjerr për herë. Edhe kjo është pun’ e diturë që një ushtëri prej 200,000 Shqipëtarësh është mbaras me një ushtëri të 500,000 ushtarësh të huaj. Trimërin’ e Shqipëtarëvet edhe armikët’ e tyre s’e ndryshojnë dot.
Pamë mê siprë se sa trimërirëra kanë bërë Shqipëtarëtë edhe qysh u kanë xbardhurë faqenë të huajet q’i kanë pasurë zotërinj a shokë. Këta që kanë treguarë kaqë trimëri për të huajt të cilëtë edhe s’para ua kanë diturë, s’qënkanë të zottë sot të mbajn’ e të ruajnë vëndinë, gjuhënë e kombërin’ e tyre? Qysh të mos jenë të zottë për këtë të drejtë, kur kan’ edhe vëndinë të fortë q’u ndih? Gjer më sot kanë lëftuarë gjithënjë vetëm me fuqi, pô jo kurrë me të drejtë; sot është dita të lëftojnë me të drejtë e për të drejtë. Nukë ka mê të shënjtëruarë të drejtë se kombërija, gjuha e mëmëdheu për një komp. Një trim që lëfton për plaçk’ e për rrëmbim është kurdoher’ i turpëruarë; ay që lëfton për një të drejtë të këtillë është dy herë trim; e drejta i ep një forcë e një fuqi që s’e le kurrë të mundetë, pô e bën njërënë të muntnjë dhetë!
E pô kur janë Shqipëtarëtë kaqë të fort’ e trima, pse rrinë me duar lidhurë, e të huajtë të dobët’ e pa nonjë fuqi si edhe pa nonjë të drejtë po i copëtojnë e po i humbasinë për jetë? Rrinë me duar lidhurë, se duartë ua ka lidhurë e ua mban Tyrku, edhe të huajtë po i copëtojnë me fuqit e me ndihmet të këti! E po Tyrku ay vetë është kaq’ i fortë, sa me një dorë t’u mbanjë duartë Shqipëtarëvet e me tjatërnë t’u ndihnjë armikëvet të këtyre? Jo, këtë e dimë që s’ësht’ i fortë, pô është dhelpërë; Shqipëtarëtë i mban me dhelpëri e me tradhëri. Ta themi edhe kështu, Shqipëtarëtë i lidhinë vetë duart’ e tyre, se janë të paditur’ e të verbërë!
Shqipëria sot është si një dragua i fortë, i rethuarë prej ca çakajsh e dhelpërash, të cilëtë i kanë lidhurë këmbëtë, e bëhenë gati ta çajn’ e ta përlajnë. S’ka përveç se të tundet’ e të lëkundetë pakë, të luanjë një herë dorën’ e këmbënë, edhe gjith’ ata çakaj e ato dhelpëra do të përhapenë, e do të mos kuxojn’ as të kthejnë syt’ e ta vështojnë një herë. Mê parë Tyrqisë t’i tregonjë një herë dhëmbëtë, e t’i thotë: hiqu ti, e mos u përzje, se po të shoh bukurë se qysh po m’i çpërblen të miratë që të kam bërë; unë kam pesë qint vjet që po të ruanj, e ti po më mban duartë lidhurë që të më çajnë të tjerë; e do të më heqç edhe mua në funt të trapit, tek ke dëshirë të biesh vetë. Ç’janë Tyrqitë? — Një komp i egërë t’ardhurë nga shkretëtirërat’ e Asis’ së Veriut me nga një hosten në dorë. Këta me egërsi të tyre zunë mê të bukurit’ e vëndevet të botësë e mê të qytetuarëtë; edhe si i ropnë, i gremizë e i doqnë, po i mbajnë edhe gjer më sot nënë një egërsi, nënë një varfërí, nënë një tiraní që tëmeron gjithë botënë. Nga gjithë këta vënde që po rënkojnë që nga kaqë qint vjet e tëhu edhe njeri është Shqipëri’ e gjorë, që heq këtë tiraní, a heq mê shumë se gjithë vëndet’ e tjerë nga pakujdesj’ e Shqipëtarëvet. Tyrqitë janë nga ata kombe që kanë shkuarë mi dhet si një breshërimë e si një borë. Ku janë Hynëritë, Vandalëtë, Mongolëtë, Avarëtë, Gotërtë e kaqë kombe t’egërë që zunë gjymësën’ e faqes’ së dheut duke djegurë, duke gremizurë e duke derdhurë gjak? Tyrqitë s’kishinë të drejtë të rojnë mê teprë se ata shokët’ e tyre; rojtjen’ e qëndrimnë gjer më taní e patnë qelepír, taní s’kanë nonjë të drejtë të rojn’ e të qëndrojnë mê, edhe as din’ e as duanë të rojnë mê, se gjer më sot s’kanë bërë një kombërí e një qeverí si gjithë bota, pô duanë të rojnë për jetë me egërsí. Këta do të humbasinë edhe duhetë të humbasinë, që të shpëtonjë njerëzia syresh, pô ç’kanë me na që duke rënë duanë të na marrinë edhe na me vetëhe? Na ç’kemi me ta? A mos erdhmë me ta? Jo kurrë! Na s’jemi as Tyrq as të ardhurë nga shkretëtirërat’ e Asisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë; kemi të drejtë në dhet’ t’Evropësë mê teprë se ç’do komp.
Këtë të drejtë të shënjtuarë Shqipëtarëtë janë të zottë ta ruajnë e ta kërkojnë edhe me armë në dorë. Kur përzjehetë e drejta me fuqit merr një forcë të cilësë gjë s’i rri dot kuntreq. Shqipëtarëtë janë pra të zottë të mbajn’ e të ruajnë të drejtën’ e tyre, do-me-thënë kombërinë, gjuhënë e mëmëdhen’ e tyre kuntrë ç’do armiku; arrin vetëm të duanë.
Sami Frashëri