Shpëtimi a humpja e Shqipërisë është në dorët të Shqipëtarëvet

Shqipëria sot ndodhetë në majet të një rripe fort të thellë e të tëmeruarë. Të qëndruarëtë n’atë majë s’është punë që munt të bëhetë; pô që desh të qëndronjë, do të rungullizetë nga rripa e të bëhetë një qint copë. Në dashtë të shpëtonjë, duhetë të prapsetë nga ajo majë, e të zërë një vënt të sheshmë e të pafrikçimë.

Shqipëria, pô që të shpëtonjë nga reziketë q’e kanë rethuarë, e të hynjë n’udhët të mbrodhësisë e të mbarësisë, bëhetë një nga mê të mirëtë e nga mê të bukuritë vënde t’Evropësë. Sado që vënt jo shum’ i math, s’është edhe shumë m’e vogëlë se Greqia, se Sërbia, se Bullgaria, se Rumania, se Danimarka, se Belxika, se Holanda, se Svicera etj., nga të cilatë sicilado është një mbretërí më vetëhe. Ndodhetë kundreq Evropësë, është fqinjë me Italinë e me Austrinë. Munt shumë çpejt të hynjë në qytetëri, e të përzjehetë me Evropënë. Ka gjithë ç’i duhetë, si e pamë mê siprë. Shqipëtarëtë janë fort të xgjuar’ e të mëntçimë; kanë nxënje të madhe për qytetërí e për ç’do farë diturije; janë trima e ushtarë të çquarë.

Mëmëdheu yn’ i dashuri nukë ron dot edhe shumë kohë kështu si është sot; a do të humbasë për jetë, e nukë do të mbesë as Shqipëtar as Shqipërí, a do të shpëtonjë, e të ndërtohetë me një mëndyrë, që të mos ketë shëmbëllë në jetet, e t’i bëjnë zili gjithë kombet’ e dheut. Të shpëtuarët’ a të humburit’ e Shqipërisë është në dorët të Shqipëtarëvet; në daçinë, do të shpëtojnë, në daçinë do të humbasinë.

Shqipëtarëtë s’kanë nevojë të zírenë nga armëtë, të hiqenë nëpër malet e nëpër shpellat, të vriten’ e të prishenë, si bëjnë kombet’ e tjerë për të fituarë dlirin’ e tyre. Shqipëtarëtë s’jan’ aqë të shkelur’ e të poshtuarë sa të shtrëngohenë në të këtillë mundime. S’kanë nevojë të bëjnë gjë përveç se të lidhinë fjalë në mest të tyre, të bashkohenë gjithë sa janë, t’apën’ e të marrënë besë burrërisht, të qëndrojnë në fjalët të patundurë, edhe të kërkojnë të drejtën’ e tyre nga Tyrqia e nga Evropa. Tyrqia do t’i dëgjonjë e do t’u apë ato që kërkojnë me hir a me pahir, edhe Evropa do t’u ndihnjë, si u ka ndihurë edhe kombevet të tjerë; edhe do ta shtrëngonjë Tyrqinë t’u ap’ edhe këtyre të drejtën’ e tyre.

Pjesa e radhës
Besa e lidhja

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB