Shqipëria është një cop’ e Tyrqis’ s’Evropësë; qëndrim’ i saj si është sot është lidhurë me rojtjet të Tyrqisë n’Evropë; Tyrqia a do të ronjë edhe shumë kohë n’Evropë? Kësaj pyetjeje njeri s’i përgjigjetë dot e, përgjegj’ e kësaj është jo. Tyrqia rojti shumë n’Evropë; pas kuvëndit të Berlinit dhjetë vjet besohesh të ronte; shkuanë njëzet, do-me-thënë rojti shumë. Kjo, mbretëri s’ka bërë edhe s’bën gjë fare që të xgjatnjë rojtjen’ e saj. Si një i smurrë që s’bën ç’i thonë shronjësitë e i vë krusmënë trupit të ti, ashtu edhe kjo mbretëri po bën gjithë ç’duhetë për të shkurtuarë ditët’ e saj. Nuk’ e dimë edhe sa kohë munt të ronjë n’Asi, edhe është jashtë qëllimit tënë të flasimë për atë; pô n’Evropë jetën’ e ka fort të shkurtërë. Shqipëria s’ka bërë themel as ka lëshuarë rënjë më vetëhe; ron mi themelt të gremizurë të Tyrqisë e me rënjët të kalbura t’asaj. Me të rënët të kësaj stihije së madhe, do të bjer’ edhe Shqipëria e do të shtypetë nënë gërmadhat të rënda t’asaj.
Kombet’ e tjerë të Tyrqis’ s’Evropësë kanë zën’ e po bëhenë gati që kurthi, që të mundinë të qëndrojnë më vetëhe të tyre, e të mos shtypenë nënë gërmadhat të Tyrqisë. Këta kombe ngjajnë m’ato barëra q’ushqehenë e shëndoshenë nënë dëborët të dimërit, edhe kur hiqetë kjo bar’ e ftoht’ e e rëndë nga faq’ e dheut, ato zën’ e luluzojnë e xbukurohenë në çast. Pô Shqipëtarëtë që kaqë qint vjet e tëhu janë varurë mê Tyrqit, sado q’e shohënë që kjo stihi e madhe q’e thonë Tyrqi, ësht’ e shëmburë, e ditë me ditë po i bjenë strehëtë, prapë s’heqinë dorë nga të psheturit nënë të. Kjo dëbor’ e kaqë qintsh vjet, që ka ushqyerë nënë të kombet e tjerë, Shqipërisë i ka djegurë rënjëtë me të ftohëtit të saj; Shqipëria ka ngrir’ e është tharë në këtë dimërë të gjatë të tiranis’ së zezë, me gjithë që s’është shkelurë aqë sa vëndet’ e tjerë.
Pun’ e Maqedonisë u vu përmi cohët të gjelbërë të diplomatisë, a kështu a ashtu do të marrë një funt; Rumelia nukë do të mbesë si është; Tyrket do t’u pritenë pakë thonjtë, e do të mos rjepinë mê kombet’ e këtyre vëndeve: thirjet’ e kombevet do të dëgjohenë, e të drejtat e tyre do t’u epenë. Atëhere Shqipëtarëtë a do ta nxjerinë zënë, a do të kërkojn’ edhe ata të drejtat’ e tyre? Apo do të përpiqenë gjer n’orët të fundit për të mbajturë tiranin’ e Tyrqet mi kryet të tyre e të tjerëvet kombe? Këtu është puna.
Sa âfrohetë koh’ e të ngriturit të tiranis’ së zezë të Tyrqet, aqë çeletë çpres’ e shpëtimit të kombevet që rënkojnë nënë të. Pamë mê siprë që Shqipëtarëtë me kohë kanë qënë shokët’ e Tyrqet e jo robërit’ e tyre; pô sot ata heqinë mê të madhenë tirani, ata janë shkelurë e shtypurë mê keq se gjithë. Kur është kështu pse gjithë kombetë përpiqenë ta hedhinë së sipërmi këtë hije të rëndë, e Shqipëtarëtë duanë ta mbajnë? Apo nukë shohënë që po i vënë krahëtë një muri që po gremizetë e do t’i shtypnjë duke rënë mi ta? Shqipëtarëtë janë si një njeri që ka rënë në dett e di të bënjë not mirë, pô duanë duke shpëtuarë të shpëtojnë edhe Tyrqitë, të cilëtë kanë rën’ edhe ata në dett edhe s’dinë not; pô këta të mallëkuarë nukë len’ atë që di not t’i zër nga duhetë e t’i nxjerë jashtë ujit, pô i zën’ ati të dy këmbëtë a një këmb’ e një dor’ edhe s’e lenë të bënjë not. Kështu edhe vetë komb’ i tyre po mbytetë edhe kombinë shqipëtar po e heq me vetëhe mu në funt të detit e po e mbyt. Shqipëtari që po e sheh këtë rezik me sy pse e le vetëhenë në duart të këti të ligu e të pamëndi që s’munt të shpëtonjë vetëhenë edhe as le ta shpëtojnë, po kërkon të mbytnjë me tradhëti edhe ata që duanë ta shpëtojnë. Ç’duhetë të bënjë një njeri që bije në një rezik të këtillë? — T’i apë një shkelmë të shëndoshë këti tradhëtori që kërkon ta mbytnjë, ta dërgonjë në funt të detit edhe të shpëtonjë vetëhen’ e ti. Kjo ësht udh’ e shpëtimit, e jo tjatërë.
Tyrqia as munt të ronjë paskëtaj, as di, as do të ronjë, edhe as duhetë të ronjë. Shqipëtarëtë po që të duanë të mos ndahenë nga Tyrqia, duhetë të humbasinë bashkë me të. Ky është një njeri i vdekurë, sado ta duamë të vdekurinë, duhetë ta vëmë në dhet: të duamë të mos ndahemi soje është si të duamë të hyjmë në varrt me të bashkë. Ay qelbetë, u qelp, s’e mbajmë dot mê, se kundërmon botënë.
P’andaj themi prapë që Shqipëria, si ka rojturë gjer më sot, paskëtaj s’ron dot as pakë. Le që Tyrqia ësht’ e vdekurë, edhe s’munt të ronjë me të; pô edhe sikur të ngjallesh kjo mbretëri, e të ronte edhe ca kohë, Shqipëria prapë do të mos muntte të ronte, se ngjallj’ e Tyrqisë është vdekj’ e Shqipërisë. Pamë mê siprë qysh Tyrqitë u lidhinë duart’ e këmbëtë Shqipëtarëvet, edhe i mbajnë t’i hanë e t’i përçajnë të tjerëtë, Greqtë, Shqehtë etj. Shqipëria gjer më sot e ka mbajturë kombërin’ e gjuhën’ e saj, pô paskëtaj s’e mban dot, po s’bëri edhe ajo shkolla e të vejë mbarë në diturit; po qeveri e Tyrkut Shqipëtarë s’e le të hapnjë shkolla e të shpjerë përpara gjuhën’ e ti, kur të tjerëtë, armiqët’ e saj edhe të Shqipërisë i le të dlir’ e të çpenguarë të bëjnë ç’të duanë.
Kështu të jetë që të ronjë Tyrqia edhe ca vjet, do të mos mbetetë mê Shqipëri, pô ky vënt do të jetë copëtuarë për jetë në mest të Greqet e të Shqehet.
Sami Frashëri