Punërat' e besëvet

Një nga ministret, i diturisë a i gjyqit, do të ket’ edhe punërat’ e besëvet. Një Myfti i math për myslimanëtë, një Eksark për të krishterët’ orthodhoksë edhe një kryepiskop për katolikëtë, këta do të vështojnë gjithë punt’ e të tri besëvet në Shqipëri; Xamitë, kishatë, teqetë, manastirëtë, myftinjtë, imamëtë, myezzinëtë, priftëritë e gjithë njerëzit’ e vëndet’ e besësë, si edhe të pasurat’ e këtyre e vakëfetë do të vështohenë e të vihenë mb’udhë prej këtyre të tre zotërinj të mbëdhenj, të cilëtë do të ken’ edhe nga dy këshilla për të menduarë këto punëra. Ministri që do të ket’ edhe të qyrurit’ e këtyre punërave do t’u ndihnjë, edhe do t’u vështonj’ edhe hesapetë, pa përzjerë në punërat që janë fjeshtë të besësë e të cilatë vetëm këshillat e besësë do të mundinë të përzjehenë. Nga të dy këshillatë, që thamë që do të ketë cilido nga të parët’ e besëvet, njëra do të jetë e mbledhurë fjeshtë prej njerëssh të besësë: myftinj, ylema, myderrizë, dervishë a piskopë, priftrë, theollogë etj. tjatra do të jet’ e përzjerë prej të këtillë njerëssh edhe prej botë. E para do të përzjehetë vetëm në punërat të besësë, do të vështonj’ edhe livrat’ e besësë; e dyta do të vështonjë qeverin’ e xamivet e të kishavet, do të vështonjë hisapetë e të tjera të këtilla gjërra. Ca nga misët’ e këtyre këshillave do të vihenë prej të parëvet të besëvet e të vërtetohenë prej kreit të qeverisë duke shkruarë ati nga an’ e ministrit të besëvet, edhe ca do të xgjidhenë prej vëndeset.

Të parët’ e besëvet, do-me-thënë Myftiu i math, Eksarku e Kryepiskopi do të jenë në nder të math, pô nukë do të përzjehenë përveç se në punërat të besësë, si edhe myftinjt’ e tjerë, piskopëtë e gjithë njerëzit’ e besësë. Ulemaja, dervishëtë e priftërija do të mos përzjehenë as në mësimt e në shkollat përveç mësimit të besësë që do ta bëjnë nëpër xamit, medreset kishat etj.

Bektashinjtë, të cilëtë janë miaft të përhapurë e të shumë në Shqipëri, do të kenë një Krye-baba në një vënt të Shqipërisë, i cili do të bënjë babanjt’ e tjerë, e bashkë me një këshillë të mbledhurë prej babanjsh e prej dervishësh të vështonjë e të vërë mb’udhë punët e teqevet e të Tarikatit.

Gjithë besët’ e tjera do të jenë të çpenguara e të dlira në Shqipëri; Judhenjtë, Protestanëtë etj. do të kenë nga një krye më vethe nënë qyrërit të ministrit të besëvet.

Ç’do njeri besën’ e ka për vethe të ti, edhe kurrëkush s’ka të drejtë të shtrëngonjë tjatrinë për të besuarë një gjë a për të bërë një punë të besësë me pahir. Të parët’ e besëvet, ylemaja e priftërija vetëm me fjalë e me të mirë do të mundinë të sjellinë botënë n’udhët të besësë, edhe këtë nëpër xamit, medreset, teqet, kishat etj. e jo jashtë. Nonjë njeri nukë do të shtrëngohetë të paguanjë gjë për punërat e për vëndet të besëvet; veç kush të dojë vetë t’apë ç’i do zëmra.

Pjesa e radhës
Punët' e begatisë

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB