Për njerinë në këtë jetë s’ka gjë m’e vjejtur’ e m’e dashurë se kombërija. Ç’do njeri, sikuntrë do t’an’ e t’ëmënë edhe vëndinë tek ka lindur’ e është riturë, ashtu do edhe kombin’ e ti. Ay që s’do kombin’ e mëmëdhen’ e ti është trathëtor e i lik; i tilli s’munt të quhetë njeri. Shqipëtarëtë, mê teprë se ç’do komp, e duanë e e nderojnë kombin’ e mëmëdhen’ e tyre. Shqipëtar’ i vërtetë vritetë për kombërit të ti, edhe s’munt kurrë të duronjë e të dëgjonjë njeri t’i shanjë shqipëtarërinë. N’anërat tona të lindjesë njerëzitë vënë kurdo besënë përpara kombërisë; një Grek, për pasqyrë, me të ndruarë besënë le edhe kombërinë, edhe në u bëftë katholik thotë jam Frënk, në u bëftë mysliman thotë jam Tyrk. Vetëm Shqipëtari e le besënë në radhë të dytë, edhe vë kombërin’ e ti përpara. Shqipëtari mysliman qoftë, orthodhoks qoftë, katholik qoftë, është gjithënjë Shqipëtar. Besa nukë sjell kurrë ndarje e çarje në mest të tyre. P’andaj edhe grindatë që ngjajnë në mest të besëvet përherë edhe në atë Evropet të ndrituarë, ato grinda s’dihenë në Shqipëri, e s’kanë ngjarë kurrë në mest të Shqipëtarëvet.
Pô me gjithë këtë dashuri që kanë Shqipëtarëtë për kombërit të tyre e me gjithë këtë nder q’i bëjnë, s’kanë bërë gjësendi për të mbajtur’ e për të ruajtur’ atë. Me se mbahetë kombëri e një kombi? Mê parë me gjuhët të ti. Sikuntrë thamë edhe mê siprë, gjuha është m’e par’ e m’e madhe shënj’ e një kombërije. Gjuha me se mbahetë? Me shkronja. Një gjuh’ e pashkruarë s’munt të qëndronjë shumë kohë e paprishurë; duke përzjerë me gjuhëra të tjera prishetë. Do të thoni qysh gjuha jonë, pa qën’ e shkruarë, ka qëndruarë kaqë mijë vjet edhe pse të mos duronjë edhe paskëtaj ashtu? Pô, ka qëndruarë kaqë mijë vjet, se atëhere Shqipëtarëtë roninë në malet të tyre më vetëhe, pa përzjerë me të tjerë kombe, edhe se kombetë q’i rrethoninë ishinë edhe ata të paditurë. Atëhere ish puna me kordhë, edhe Shqipëtari në kordhët ish m’i fortë nga të tërë. Me gjithë këtë shohëmë që Maqedonasitë, sado q’ishinë aqë të fortë sa muarrë gjithë botënë, me të mos pasurë gjuhën’ e tyre të shkruarë, posa q’u përzjenë me kombe të tjerë mê të ndrituarë se ata, e humpnë kombërin’ e tyre, e u shuanë fare, aqë sa shumë botë i kanë marrë për Grekër.
Vetëm Shqipëtarët’ e Shqipërísë e kanë ruajturë kombërin’ e tyre, duke mos përzjerë me të huaj e duke rojturë të ndarë nga gjithë bota e si t’egërë. Pô në e kanë ruajturë gjer më sot kombërin’ e gjuhën’ e tyre me paditje e pa të shkruarë, a do të mundinë, me këtë mëndyrë t’a ruajn’ edhe paskëtaj, ndo në Shqipëri ndo n’Itali e në Greqi? Jo jo kurrë! Bota u ndryshua, njerëzit’ u xgjuanë, kombet’ u ndrituanë, sicilido përpiqetë të vejë mê parë se të tjerëtë, sicilido vështon qysh të shtohet’ e të madhohetë, edhe kujdesetë të përpijë ata që janë mê të vegjël’ e mê të dobëtë.
Sot ç’do komp, për të ruajturë kombërin’ e gjuhën’ e ti, ka nevojë të hapnjë sytë, të ketë mëndjenë të mbledhurë, të shpjerë gjuhën’ e ti përpara, e të kujdesetë shumë që të mos t’a han’ e t’a copëtojnë kombetë fqinjë. Në kombërit s’ka miqësi, si s’ka në lodrët; cilido vështon të fitonjë vetë, e të hajë shoqnë. Kombetë janë si pishqitë që hanë njëri tjatrinë. Mjerë kush ësht’ i dobëtë!
Sami Frashëri