Reziket' e Shqipërisë

Shqipëria gjer pakë kohë mê parë ka qën’ e rethuarë me vënde të Tyrqisë, edhe kufit’ e kësaj mbretërije ishinë fort lark Shqipërisë. Shqipëtarëtë vininë bashkë me Tyrqitë për të ruajturë kufit’ e larga të mbretërisë; pô mëmëdhen’ e tyre e shihninë jashtë ç’do reziku, e e dininë që nonjë anëmik s’muntte t’i qasësh Shqipërisë. Por sot nuk’ ësht’ ashtu; sot Shqipëria ka mbeturë në një çip të largë e të veçantë të Tyrqisë, e është e rethuara me kufi anëmiqsh. Mal’-i-Zi, Serbía, Greqia e Bulgaria e kanë pshjell’ e përqarkuarë Shqipërinë, edhe Austria i ka ardhurë mi krye. Me Tyrqinë e lith një rrip dheu i hollë në mest të Bulgaris’ e të detit Egje, që këtë rrip Bulgarëtë mundinë me të parët ta marrin’ e t’unjënë mb’anë detit, edhe ta presin’ e ta çkëpujnë Shqipërinë nga Tyrqia, e cila s’ka as nonjë fuqi në dett, që t’i ndihnj’ andej Shqipërisë. Prandaj në një luftë, në të cilët të marrin’ anë edhe Bullgarëtë, Shqipëtarëtë duhetë të jenë të zottë të ruajnë vete me vetëhe vëndin’ e tyre, e të mos varenë me Tyrqinë, e cila s’ësht’ e zonja për vetëhe të saj.

Pô veç këtyre rezikeve që do të dukenë në kohët të luftësë, Shqipëria ka rezike mê të mbëdhenj e mê të thellë, të cilëtë po i nxjerinë rënjëtë në kohët të paqit, pa gjak e pa armë. Kjo është luft’ e pëndës’ e e shkollësë, luft’ e kombërisë. Kombetë q’e kanë rethuarë Shqipërinë duanë ta copëtojn’ e ta ndajnë në mest të tyre. Greqtë, Shqehtë e të tjerë kombe fqinjë s’duanë të njohinë qënien’ e kombërisë Shqipëtare. Si-cili-do përdor besën’ e ti, e do të heqë m’anët të ti ata Shqipëtarë që kanë një besë me të. M’i pari Tyrku do të heqë Shqipëtarëtë myslimanë, e t’i ndanjë nga vëllezërit’ e tyre Shqipëtarët’ e krishtenë, duke futurë në mest të tyre fanatismen’ e grindenë. Për të ndarë të krishtenëtë për jetë nga myslimanëtë, e për të hapurë në mest të tyre një trap të thellë, qeveri e Tyrkut Shqipëtarët’ e krishtenë s’i njeh për Shqipëtarë, pô i quan Rum do-me-thënë Greq, Bulgarë, Sërbër, Llatinë etj. edhe myslimanëtë i quan islam; edhe emëninë Shqipëtar s’e njeh, e s’do ta dëgjonjë. Të verbëritë Tyrq! nukë e kupëtojnë dot, e s’ja u pret mëndja që me këtë udhë shërbejnë qëllimet’ e armikëvet të tyre e nxjerinë themelet’ e rënjët’ e tyre!

Greqtë, të cilëtë dlirin’ e tyre edhe mbretërinë që kanë sot e kanë fituarë me gjakt të Shqipëtarëvet, të Boçarit, të Xavellësë, të Mjaulit e të tjerëve trimave Shqipëtarë, ata Grekër që edhe sot ruajnë rrobatë, fustanetë, kallcetë, opingatë, valletë e këngët’ e Shqipëtarëvet, ata janë mê të keqt’ e armikëvet të Shqipërisë. Gjithë bota e dinë idhen’ i madhe të Greqet. Duk me qënë që në kohët të Perikliut, ahere q’ishinë mê të mbëdhenj e mê të ndrituarë se kur-do, kishinë më pakë vënt se ç’kanë sot, edhe që s’kanë nonjë të drejtë të duanë mê teprë, këta kërkojnë t’u epenë sa vënde kish marrë Aleksandr’ i Math, a të ngjallinë mbretërin’ e Byzantinjet, pa menduarë q’Aleksandri ish maqedonas edhe Byzantinjtë romanes, kombe që të dy armiq të Grekëvet e të cilëtë e kanë humburë Greqinë. Pas kësaj idhes’ së madhe Grekëretë kanë dashurë të pushtojnë e të futinë nënë Greqit gjithë sinisin’ e Balkanit, edhe Rumaninë edhe Bulgarinë. Pô si i humpnë për jetë këta vënde me gjithë të thirrurat’ e të çjerat e tyre, tani e kanë ngushtuarë shpresën’ e tyre në Shqipëri e në Maqedhoni. Pas zakonit të përgjithëshmë, duke pshteturë në besët duanë të heqinë m’anë të tyre Shqipëtarëtë orthodhoksë, e t’i ndajnë nga vëllezrit e tyre mysliman’ e katolikë; përpiqenë t’i bëjnë këta të harojnë gjuhën’ e tyre të bukurënë, e të mësohenë të flasin’ e të shkruajn’ e të ligjërojnë greqisht, e me këtë udhë të bëhenë Grekër. Mendohenë se pô të bëhenë të krishterëtë Grekër, myslimanëtë Evropa s’i ka për të vënë në vatrë, edhe pô të vinjë koha ay vënt, do-me-thënë gjithë Shqipëri e jugësë e gjithë Toskëria, do t’i epetë Greqisë.

P’andaj Grekëritë, më nj’anë nga Athina me shkolla, me mësonjës, me livra, me shëronjës e me shumë gjërëra të tjera edhe me të holla të tepra të paguara prapë prej Shqipëtarësh të çmëndurë e trathëtorë grekomanë, edhe më nj’anë tjatërë nga Konstantinopoja me anët të patrikërisë, të dhespotëvet, të priftëret e të kishësë, duke përdorurë aforismonë e të dëbuarët nga kisha, sikur t’ish edhe Krishti Grek, edhe sikur për të qënë i krishten’ e orthodhoks, duhetë pa ndryshim të jetë gjithë-kush Grek a grekoman; nga të dy këto anë, themi, Grekëritë pô përpiqenë që të kthejnë ditë me ditë Shqipëtarëtë orthodhoksë, e t’i bëjnë Grekër.

E Shqipëtarëtë orthodhoksë, nga padija e nga erëcira në të cilët gjendenë, gënjehenë çprejt, u duketë sikur vërtet s’munt të jenë të krishtenë pa qënë Grekër, pandehinë se vetëm greqishtja është gjuh’ e orthodhoksisë, edhe që me të lënë këtë gjuhë, të cilënë e dinë fort pakë, edhe s’e mësojnë dot me gjithë që çajnë kokënë me qënë q’është aq’ e rëndë e aq’ e humbur’ e e haruarë, sa edhe nga ata Grekëret vetë fort të pakë njerës mundinë ta mësojnë. Këta Shqipëtarë trathëtorë pa diturë, quhenë grekomanë.

Lëvdatë i qoftë Perëndisë! që kur ka zënë të shkruhetë shqipja grekomanëtë kanë zënë të pakësohenë ditë me ditë, të marrënë vesh dhelpërit’ e Grekërvet e të hiqenë nga ata duke zënë me të dy duart kombërin’ e gjuhën’ e tyre. Këta s’kanë frikë as nga mësonjës i Grekut, as nga dhespot’ i Fanarit; pô Grekëretë kanë një shok të fortë, me të cilënë janë zënë shëndoshë dorë-për-dorë për të humburë kombërin’ e gjuhën’ e Shqipëtarëvet; ay shok është Tyrku, i cili i ndih Greqisë e patrikëris’ së Fenerit në këtë punë me sa i vjen nga dora. Për të bërë punën’ e Grekut qeveri e Tyrqisë nukë le të hapetë nonjë shkollë, të shkeletë nonjë livrë a të bëhetë nonjë mësim e nonjë mbrodhëri në gjuhët shqip, duke ndihurë shkollavet greqisht me ç’do farë mëndyre, e duke mbajturë Shqipëtarët’ e krishtenë nënë xgjedhë të priftëris’ së Fenerit.

Pas Tyrqet e Grekërvet Shqipëria ka armikër Bulgarët’ e Sërbëtë, të cilëtë duanë të bëjnë nëpër anët të lindjes’ e të veriut të Shqipërisë ato që bëjnë Grekëritë n’anët të jugësë. Edhe nëpër ato anë shumë Shqipëtarë orthodhoksë, aqë të paditur’ e të pakupëtuarë sa të tjerëtë tregojnë një dëshira për gjuhet’ e Shqehet, e duanë të harojnë gjuhën’ e bukurë që kanë folurë prindëret’ e tyre që kaqë mijë vjet e tëhu. Ç’i math turp! e ç’e madhe poshtëri e unjtëri e fëlliqurë! Pô edhe këtyre Shqehe u ndihinë Tyrqitë, të cilëtë atyre u lenë duartë çpenguarë të bëjnë ç’të duanë e neve na i lidhinë skrupullë; atyre u apënë fermanë të hapinë shkolla e mitropolitirëra ndër vëndet tanë, e neve s’na lenë të kemi as një shkollë të vogëlë! Pa menduarë një herë se Grekëretë e Shqehtë janë miqt’ e Tyrqisë a po Shqipëtarëtë, edhe cilëtë kanë derdhurë edhe derdhinë edhe sot gjak për të?

Kështu Tyrqitë edhe me ndihmit të këtyre Grekretë e Shqehtë janë armikët’ e Shqipëris’ e të Shqipëtarëvet; edhe përpiqenë me sa u vjen nga dora ta humbasinë kombërin’ e gjuhën’ e këti kombi, të cilit edhe emëninë duanë t’ja ngrenë farë. Greqia, Bulgaria e Sërbia përpiqenë ta humbasin’ e ta ngrenë kombërinë shqipëtare e gjuhënë shqip cilado nga ajo cop’ e Shqipërisë q’i ka rënë më pjesët të saj edhe q’e vështon që tani të sajnë, duke kthyerë të krishtenëtë në kombërit të tyre; edhe Tyrqia më nj’anë u ndih këtyre në këtë punë, e më nj’anë tjatrë kërkon të heqë Shqipëtarëtë myslimanë e t’i ndanjë nga vëllezërit’ e tyre, jo për të mirët të saj, pô për të hequr’ edhe ata e për të vithisurë bashkë në trap të thellë të humbjesë tek po bjenë, për të mos dalë kurrë.

Këta janë reziket’ e Shqipëris’ e të Shqipëtarëvet. Shqipëtarëtë duhetë të ruhenë shumë nga djallëzit’ e Tyrqet, të Grekëret e të Shqehet, e t’u rinë kundreq këtyre me të drejtet të tyre.

Pjesa e radhës
Miqt' e Shqipëtarëvet

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB