Pamë mê siprë se sa i gjerë ka qënë një herë që moti vëndi që rrininë Shqipëtarëtë, edhe sa ishinë të përhapurë prindëretë tanë, e qysh ishinë të ndarë në Illyrjanë, Epirotë, Maqedhonas, Thrakas, Frygas etj. Pam’ edhe qysh në kohët të Romanëvet Maqedonasitë, Thrakasitë e Frygasitë, duke përzjerë me kombe të tjerë, zunë të humbisninë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, e qysh mê pastaj, në kohët të Byzantínjet, erdhë mizëri Shqehsh në Sinisit të Balkanit, e zunë Thraqn’ e Maqedhoninë edhe Illyrin’ e Siperme.
Që m’atëher’ e tëhu Shqipëria ështê vogëluarë shumë; nga gjith’ ata vënde, që kishinë prindërit’ tanë Pelasgëtë, vetëm Illyri e Poshtërme a e Jugësë, Epiri edhe Maqedoní e Siperme a e Veriut e e Perëndimit kanë mbeturë Shqipërí. Por sot emënatë Illyrí, Epír, Maqedhoní etj. janë të lën’ e të haruarë, janë emëna të dheshkronjës’ së vjetërë; sot për sot vëndi që rrinë Shqipëtarëtë thuhetë Shqipërí në gjuhët tënë edhe Albania në gjuhërat të huaja.
Shqipëria është një cop’ e Sinisis’ së Balkanit në jugë-lindjet t’Evropësë. Ka zënë mez’ e anës’ së perëndimit t’asaj sinisije, duke xjaturë mb’anë detit Adriatik e detit Jonës që nga shkalla 42° gjer në Mënget t’Artësë mê poshtë shkallësë 39°. Kufit’ e veriut të Shqipërisë, me të ndarë nga an’ e detit ngjitenë drejt veriut duke rreshturë në kufit të Malit-të-Zi e Novi-Bazarit gjer në kufit të Serbisë mê siprë shkallësë 43°. Kufit’ e jugësë kthehenë prapë drejt veriut me lumët t’Artësë e me kufit’ të Greqisë gjer në Zhigo. Sa për kufit’ e lindjesë një vijë e hequrë që nga kufit’ e Serbisë afrë Vranjësë gjer në kufit të Greqisë në Mali Zhigo, vijë e cila do të hiqetë nëpër krehëret të malevet tek ndahenë ujëratë e nëpër lumënjt, duke vështuarë sa mundetë kombëri e njerëzet do-me-thënë duke marrë brënda vëndet’ e ndënjturë prej të tjerë kombeve, një vijë e këtillë do të ndanjë Shqipërinë nga të tjeretë vënde të sinisisë. Kështu Shqipëria ndahetë gjatazi në mest të 39° e të 43° shkallës’ së veriut edhe gjerazi në mest të 17° e të 19° 25’ shkallës’ së lindjesë. Është pra afro 450 qilometra e gjatë e 200 qilometra e gjerë; edhe përcipj’ e saj ësht’ afro 80,000 qilometra të katërçipta.
Shqipëria nga veriu ka kufi e fqinjë Mal’-e-Zi, Novi Bazar, a Bosnjënë q’e urdhëron Austria edhe Serbinë, nga lindja ka Maqedoninë, nga jugë-lindja Greqínë, nga jugë-perëndimi e nga perëndimi ka detnë i cili e ndan nga Italia e nga Evrop’ e qytetuarë.
Sami Frashëri