Sado që Shqipëtarëtë janë rethuarë me armikë, edhe Tyrqit’ e Greqtë që kanë nevojë të madhe të jenë miq e të bashkuarë me Shqipëtarëtë, këta të dy kombe të çmëndurë punojnë mê shumë nga të gjithë për të humburë kombinë Shqipëtar, me gjithë këto s’munt edhe s’duhetë të themi se gjithë bota jan’ armikët’ e Shqipëtarëvet. Jo, kemi edhe miq, jan’ edhe shumë që na duanë edhe munt të na ndihinë po të duamë vetë. Gjithë kombet’ e Evropësë, Francezëtë, Italjanëtë, Alemanëtë, Ingjilizëtë e të tjerë, gjithë e duanë e e nderojnë kombinë tënë; gjithë çudítenë me trimërit të Shqipëtarëvet, me besët të tyre e me të tjera kaqë të mira q’i njohinë kombit tënë. Gjithë shkronjësit’ e Evropësë kanë shkruarë kur-do mirë për na; na dinë trima e burra të besësë, na njohinë si mê të vjetërinë komp t’Evropësë e mê të fisçiminë. Gjuhënë tënë zunë ta mësojnë duke dhën’ asaj një rëndësi të madhe në letrërit të përgjithçime. Franca që së vjetëri do të tregonjë një dashuri të çquarë për Shqipëtarëtë edhe mê teprë për katolikët’ e për Mirëditasitë. Italia ka treqint mijë Shqipëtarë në vëndit të saj, të cilëtë janë përpjekurë mê shumë se Italjanëtë vetë për bashkimt t’Italisë, edhe për të bërë zëmrënë këtyre do të mirën’ e Shqipërisë, të cilën’ e ka edhe fqinjë, e s’do ta shohë që ta copëtojnë Greqt’ e Shqehtë. Austria nukë munt të dojë që Shqeht’ e Sërbis’ e të Bulgarisë të futenë gjer në mest të Shqipërisë e të hapen’ e të ritenë aqë teprë; një komp trim si Shqipëtarëtë do ta ketë mik e ndihmës në Sinisit të Balkanit kuntrë Shqehet që janë të shumë, si kuntrë që mban edhe Rumanëtë. Ingjiltera që do të mirën’ e dlirin’ e gjithë kombevet s’munt të mos dojë Shqipëtarëtë. Edhe Rusia, q’është vetë Shqah edhe mburonjëse e gjithë Shqehet, edhe ajo nuk’ e kurcen fjalën’ e mirë e ndihmënë për Shqipëtarëtë, sikuntrë s’e ka kurcyerë kurrë edhe për Grekëret, me gjithë që këta s’e duanë edhe janë armikët’ e Shqahërisë.
Kështu gjithë mbretërit’ e mbëdha na duan’ e na nderojnë, edhe miqt’ i kemi të shumë; pô nonjë nga këta nukë na ësht’ aqë mík, sa ta marrë punënë tënë në dorë, e të përvishetë për këtë punë vetíu. Veç kësaj duk me na parë të ndarë me tri besë e mê të shumëtë myslimanë, nukë j’a u pret mëndja që të mujmë na të bëjmë një komp të njëjtetë e të bashkuarë, i cili të jet’ i zoti të qeverísetë me vetëhe. Pô kur të na shohënë në punë e ta kupëtojnë që qënkemí të zottë për këtë punë, atëhere, s’ka dyshim, që do të na ndihinë të gjíthë në të drejtet tënë.
Nga kombet fqinjë vetëm një kemi mik, i cíli kupëton të mirën’ e ti, e e di që pa na s’munt të mbahetë. Ky komp është komb’ i Vllehet që rojnë në Shqipëri e afrë Shqipërisë. Nga këta ca janë Vlleh-Shqipëtarë, që flasinë vllahisht edhe shqip, edhe ca Vlleh-Greq, që flasinë vllahisht edhe greqisht. Grekëritë kanë bërë edhe po bëjnë gjithë për këta Vlleh ato që kanë bërë e që po bëjnë për na Shqipëtarëtë; do-me-thënë përpiqenë t’i bëjnë Greq me shkollat e me kishët të tyre. Vllehtë gjer tani afrë ishinë gënjyer’ edhe ata si Shqipëtarëtë orthodhoksë, e doninë të quhenë Greq, e të harojnë gjuhën’ e tyre duke mësuarë greqisht; pô më në funt e muarre vesh edhe këta se sa e vjejturë është gjuha e kombëria për ç’do njeri, edhe zunë të mësojnë gjuhën’ e tyre, e të hapinë shkolla me vetëhe.
Në këtë punë Vllehtë s’munt të kenë tjatrë ndihmës e mik në vëndit përveç Shqipëtarëve. Duke prishurë me Greqt, të cilëtë s’nginjenë t’i pjekin’ e t’i hanë ata Vlleh që duanë gjuhën’ e tyre, si edhe Shqipëtarëtë, kishinë nevojë të bashkohenë me Shqipëtarëtë, me ata që janë Shqipëtarë të vërtetë e duanë gjuhën’ e kombërin’ e tyre. Edhe Rumania, q’është mëm’ e këtyre Vllehe a der’ e t’et të tyre, ta themi për shëmbëllë, e di mirë që Vlleht’ e Shqipëris’ e të Maqedhonisë s’mundinë të rojnë e të ruajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre kuntrë djallëzive të Grekëret përveç duke pshteturë në miqësit të Shqipëtarëvet e duke bashkuarë me ta. P’andaj Rumania është treguarë mê teprë se gjithë mike për Shqipërinë, e ka dashurë edhe do të ndarët’ e Shqipëtarëvet nga Grekëretë; edhe në Rumani është bërë e para shoqëri, e atje është hapurë e para shtypëtore e janë shkelurë të paratë livra shqip. Këtë të mirë Shqipëria nukë do t’ja haronjë Rumanisë, edhe do t’ja çpërblenjë duke dashurë e duke mbajturë mirë Vlleht’ e Shqipërisë.
Pô njeriu po të jet’ i lik e i dobëtë, gjith’ i hipinë siprë, jo vetëm anëmiqtë pô edhe miqtë; për të mbajturë nder’ e ti, duhetë të tregohet’ i zoti kuntrë armiqet edhe kuntrë miqet. Kështu edhe na, sado që Vllehtë na duanë, edhe kanë nevojë për miqësit tënë, me gjithë këtë, duanë të jenë mê të lartë e mê të ndjerë se na duk me qënë aqë mê të pakë edhe t’ardhur’ e të huaj në Shqipëri. Janë ca Vlleh që duanë të tregojnë n’Evropë që Vllehtë janë mëndja e Shqipëtarëtë trupi, që Shqipëtarëtë duhetë të lëftojn’ e të vritenë e Vllehtë të qeverisinë e të gjykojnë. Këta nukë ndruhenë të thonë, që Shqipëtarëtë s’kanë nevojë për shkronja e për shkolla, se kanë shkronjat’ edhe shkollat’ e Vllehet. Këtë dorë-hapuri na i bëjn’ edhe Grekëret’ e Tyrqitë, të gjithë, na duanë aqë sa të n’apënë gjuhën’ e shkronjat’ e tyre, edhe të gjithë na presinë në shkollat të tyre me krahë hapurë!
P’andaj edhe Vllehet nukë duhetë t’u besojmë aqë teprë, me gjithë që duamë ta besojmë që ky mendim s’ësht’ i të gjithë Vllehet as i mê të urtëvet. Si do që të jetë puna, na, duhetë të mendojmë mirë punënë tënë e të përpiqemi vetë për punët të vet, se në këtë jetë si-cili-do përpiqetë për vetëhe. Armiku do të të marrë lëkurënë, edhe miku robënë.
Sami Frashëri