Thamë edhe mê siprë që m’e par’ e shënjavet të një kombi edhe ajo q’e bën të nëmërohetë një komp mê vetëhe është gjuha. Një gjuhë që s’shkruhet’ e s’këndohetë nukë ziretë gjuhë, si Provansalëtë në Francë, Katalonasitë në Spanjë, Galëtë n’Ingjilterë e të tjerë kaqë kombe që flasinë nga një gjuhë më vetëhe, pô nukë shkruajnë gjuhën’ e tyre, edhe bota i njeh për Francezë, Spanjolë, Ingjiliz’ e të tjerë pas gjuhësë që shkruajn’ e këndojnë.
P’andaj e par’ e punëvet që duhetë të ketë kujdes një komp, që do të ruanjë kombërin’ e ti, është të shkruarët’ e gjuhës’ së ti, edhe p’andaj ata që duanë ta humbasin’ e ta rofitin’ atë komp, vënë këmbë t’i ndalojnë nga të shkruarët gjuhën’ e tyre.
Kemi thënë qysh Shqipëtarëtë s’janë kujdesurë që krejt për të shkruarë gjuhën’ e tyre, qysh gjuha shqip ka mbeturë e pashkruarë gjer në kohët tënë, edhe qysh është ruajturë gjuha jonë nga të rojturit’ e prindëvet t’anë veçan e pa përzjerë me të tjerë kombe. Pô s’është vetëm kombi ynë që s’ka pasurë shkruarë gjuhën’ e ti; edhe shumë kombe të tjerë t’Evropës’ e t’Asisë kanë zënë të shkruajnë gjuhën’ e tyre në këtë shekull të pastajmë. Në është ruajturë shqipja kaqë mijë vjet pa shkronja, pas këtaj s’munt të ruhet’ edhe shumë kohë, me të qënë që kohëtë undruanë, nonjë komp s’munt të ronjë i ndarë e veçan, fqinjëtë u xgjuanë, e po venë mbarë, edhe përpiqenë të na rofitinë. E para pun’ e këtyre është të na bëjnë të harojmë gjuhënë tënë, e të mësojmë të tyrenë. Jo vetëm Shqipëtarët’ e Greqis’ e t’Italisë pô edhe shumë nga të Shqipërisë zunë të mos flasinë e të mos dinë shqip, tek prindërit’ e tyre s’dininë tjatrë gjuhë. Pô të lihesh kështu e pashkruarë, shqipja q’është ruajturë që kaqë mijë vjet e tëhu do të humbiste e të harohesh në pakë kohë.
Duke parë këtë rezik të math, të keq e të tëmeruarë, ca Shqipëtarë me zëmrë plot dashurije për kombërit të tyre, nxuarë në shesht dëshirënë që ka pasurë të pshehurë në zëmrë ç’do Shqipëtar i ndrituarë për të shkruarët të gjuhës’ së bukurë sanë. Janë një-zet vjet, në kohët të lidhjes’ së Pizrenit, u bënë shkronjatë shqip të plota e të mbaruara, me të pasurë ç’do shkronjë vetëm një zë edhe për ç’do zë një shkronjë më vetëhe. Me të parë Shqipëtarëtë gjuhën’ e bukurë të tyre të shkruar’ aqë mirë, i zunë shkronjatë me të dy duartë; edhe shoqërirëra u ngrehnë në Rumani e n’Egjyptë pas asaj së Konstantinopojësë, e cila s’mundi të qëndronte shumë kohë nënë xgjedhët të Tyrqet. Një shkollë u hap në Korçë, e për së pare here zuri të mësohesh gjuha jonë. Shkollatë nuk’ u shtuanë e të vininë mbarë si duheshe, pô shkronjatë shqip u përhapnë nëpër gjith’ anët të Shqipërisë, edhe burra e gra, djem e vasha, gjithë mësuanë, në pakë kohë, të shkruajn’ e të këndojnë gjuhënë shqip. Më një zet vjet shkronjatë shqip lëshuan’ aqë rënjë të shëndosha, e zun’ aqë themele të fortë, sa s’munt të çkulet’ e të rëzonetë kurrë. Ky drû, q’u vu një-zet vjét mê parë, u lulëzua, edhe dha pemë fort t’ëmbla e të bukura.
Mbrodhëri e shkronjavet shqip është vdekje për armikët’ e kombërisë sanë. Mê parë gjithë thoshinë që kjo punë s’bëhetë, shqipja s’është një gjuhë që të muntnjë të shkruhetë, është një gjuh’ e lig’ e e prishurë, s’munt të ketë shkronjëtore, nonjë dituri s’munt të shkruhet’ e të mësohetë në këtë gjuhë, e kaqë të tjera fjalë të kota, për të bërë na ta presimë shpresënë, e të mos përpiqemi për të shkruarë gjuhënë tënë. Pô kur panë që shqipja u shkruaka fort mirë, u kënduaka shumë bukurë, u bëka shkronjëtor’ e saj, edhe qënka m’e mir’ e m’e mbaruarë se gjithë gjuhët’ e dheut, u mësuakanë me të gjithë dituritë; kur e kupëtuanë, që sa të mësonjë Greku gjuhën’ e Omirit, t’Evripidhit, të Platonit e të tjera gjuhëra të humbura, sa të këndonjë Tyrku gjuhën’ e gjer’ e të gjatë t’Arabëvet e të Persanëvet, pa mundurë t’i mësonjë, sa të merrenë këta me këto gjuhë, Shqipëtari e ka mësuarë gjuhën’ e ti ta shkruanj’ e ta këndonjë drejt në ca dit, edhe ka mësuar’ edhe shumë mësime të nevojçime.
Kur panë këto të mira në gjuhët shqip e mbródhësin’ e madhe të shkronjavet tona, e kupëtuanë që Shqipëria do t’u dalë nga thonjtë, edhe u bashkuanë gjithë për të ndaluarë të shkruarët’ e gjuhësë shqipe. Tyrq, Grekër, Shqeh e të tjerë, sado q’armikë në mest të tyre, dhanë dorënë njëri jatërit kuntrë neve. Port’ e Lartë e plas’ e Yllit, patrikëri e Fenerit, qeveri e Athinësë etj. u bashkuanë në këtë punë; Tyrku ndaloj të hapuritë shkolla shqip, zuri livratë në tellonë, nukë la të shkelesh as një copë kartë në gjuhët tënë, edhe i vështoj me sy armiku duke quajturë komítë, pas zakonit të ti, gjith’ ata që doninë të shkruajn’ e të këndojnë në këtë gjuhë: Grequ thiri, e çori lëveretë që nga Athina kuntrë të shkruarit të gjuhësë sanë, ngrehu një-mij’ intrikëra kuntrë Shqipëtarëve që duanë gjuhën’ e tyre, i vrau të shumëtë me dorët të Tyrkut; patriku e dhespôtëtë hodhë aforismatë si Hyji rrufenë qëmoti.
Gjithë këta ndalime bënë të mos shtohen’ e të mos përhapenë shkollatë shqip në Shqipëri e të mos dalënë livra e ditare etj. në gjuhët tënë; pô nukë ndaluanë dot Shqipëtarëtë nga të mësuarëtë shkronjatë shqip. Shqipëtari është mësuarë të nxërë shkronja edhe pa shkollë, në shesht’ edhe pa livra e të shkruara me dorë.
Shqipja sot nuk’ është një gjuhë e pashkruarë si qe një-zet vjet mê parë; sot është një gjuhë që shkruhet’ e këndohetë, edhe nga mê të bukuratë. Nonjë gjuhë s’këndohetë aqë lehtë e aqë mirë sa shqipja. Kjo i hidhëroj e i helmoj fare armikëtë tanë, se duk me parë që ka lëshuarë aqë rënjë të gjata e të forta të shkruarit e gjuhësë Shqipe nuk mundinë mê sot të thonë që Shqipja nuk munt të shkruhetë; se ja tek u shkrua.
Sami Frashëri