Qysh janë sot Shqipëtarëtë?

Thamë mê siprë që Shqipëtarëtë, duke rënë në duart të Tyrqet, nukë hynë në kurt, si e pandehninë, e nuk’ u bënë ropt’ e Tyrqet, pô shokët’ e tyre, me të cilët bashkë hidheshinë mi kombet’ e tjerë, rripnin’ e rrëmbeninë, edhe ktheheshinë në vënt të tyre ngarkuarë me gjë. Edhe Shqipëria ish e dlirë e po-thua më vetëhe.

Kaqë qint vjet Shqipëtarëtë rojtnë kështu. Pô kështu rojn’ edhe sot? Jo kurrë! Sot Shqipëtarëtë janë robër, të poshtuar’ e t’unjurë, të shkelur’ e të çpërnderë shumë mê teprë se të tjerëtë kombe të Tyrqisë! janë mê të poshtërë nga Greqtë, nga Shqehtë, nga Armenëtë edhe nga Judhenjtë!

Tyrqia e ka ngriturë besënë nga Shqipëtarëtë, nuk’i beson e i vështon si anëmikë e si trathtorë, jo si shokë e si vëllezrë, si i vështonte qëmoti. Sot Shqipëtarë e mer ushtar, e mundon e e reh që të mësonjë gjuhën’ e ti, kërkon t’i mësonjë diturin’ e luftësë, të cilënë ay vetë s’e di, e të cilënë Shqipëtari e ka mësuarë duke thëthiturë qumështit’ e s’ëmësë. Nuk’ e mëson të gjorinë, pô e mahit e e çpërmënt; e mer për tre vjet, e mban dhetë vjet nën’ armë lark shtëpis’ e lark mëmëdheut të ti, edhe qysh? lakuriq, t’urëtë, të sëmurë, të varfërë! Në luftë e vë të vritetë kot; urdhëronjës’ i ti, q’është Tyrk, i paditur’ e i frikçimë, e fut në një trap nga s’deletë. I gjori Shqipëtar, me gjithë këto, lëfton lakuriq e i urëtë e me armë të meta, lëfton si dragua, e tregon trimërin’ e ti e nderon Tyrqit’ e Tyrqinë! Pô a i dihetë, a çpërblehetë për gjakt që derth? Jo kurrë! Ushtari Shqipëtar, në mos vdektë në luftë, vdes nga smundjeja, nga të pangrënët e nga të pamveshurit. Nga ata që venë n’ushtëri fort të pakë kthehenë në shtëpit të tyre. E urdhëronjës kush bëhetë? gjithënjë Tyrqitë; gjymës’ e ushtëris’ së Tyrqisë janë Shqipëtarë, pô as një i njëqinttë i urdhëronjëset në Tyrqí s’është Shqipëtar.

Shqipëtarëtë, q’ishinë mësuarë të mos paguajnë gjë, tani janë futurë nën’ aqë të rënda pagesa sa s’mundinë të ngrenë krye. Tyrqitë, që janë zotërinjt’ e tyre që pesë-qint vjet e tëhu, s’u kanë mësuarë Shqipëtarëvet as punë, as mjeshtëri as dituri, po i kanë mësuarë të lëftojn’ e të rrëmbejnë; tani për-një-herë duanë t’u marrënë armëtë, e u thonë paguani! E ku të gjejnë të gjorëtë që të paguajnë? s’kanë të hanë vetë. Ata Shqipëtarë që pakë kohë mê parë ishin të mveshurë me rroba t’arta e të farkuarë me armë t’ergjënta e të lara, ata a të bit’ e tyre janë sot lakuriq me një këmishë që s’ka ku ta zërë qeni! Vete edhe zaptijeja a tahsildari, e ngre shkopn’ e i rreh duke thirurë pagoni! e ku të gjenj’ i ziu që të paguanjë? Atëhere i shesinë kanë, dhinë, ç’të ketë edhe gjer më qiramidhet të shtëpisë! Shqipëtari të hajë drû për të paguarë!! ô ç’turp i math! ô ç’e madhe e keqe! mos e durofsh ô Perëndi!

Kështu është sot gjithë Toskëria edhe shumë vënde të Gegërisë. Ca vënde të Gegërisë, që kanë mbajturë armëtë e kanë qëndruarë në malet të tyre të rreptë, nukë janë shkelurë kaqë; nuk’ apënë ushtarë e s’paguajnë pagesa; pô edhe këta rojnë si t’egërë pa nonjë qeveri, duke vrarë për-ditë në mest të tyre. Edhe këta pô i ha varfërija, se s’kanë nonjë fitim, edhe vëndet’ e tyre janë të rjepur’ e të varfërë. Me gjithë këto edhe qeveri e Tyrkut ditë me ditë po i rrethon mê s’afëri; rahënë t’u marrinë armëtë, që t’i bëjn’ edhe ata robër të poshtërë e të dobëtë, e t’u nxjerrënë edhe lëkurënë!

Shqipëria që gjer dje qeverisësh e urdhërohësh prej Shqipëtarësh, si e thamë mê siprë, sot urdhërohet’ e qeverisetë prej Tyrqish të huaj e prej njerës të poshtër’ e të panderçim, të cilëtë i blenë vëndetë në Konstantinopojë me të holla, e vinë të rjepinë Shqipërin’ e Shqipëtarëtë, për të nxjerë ato të holla që kanë dhënë edhe aqë të tjera që do të vjedhinë për vetëhe të tyre!

Shqipëria, sado q’ësht’ e varfër’ e e paditurë, ka njerës të zottë për të qeverisurë vëndin’ e tyre, si e kanë qeverísurë kaqë kohë me nder e me të drejtë. Pô këtyre Shqipëtarëve le që s’u epetë punë në Shqipëri, pô as i lenë të shkelinë në mëmëdhet të tyre të dashurë! U apënë nga një copë bukë për të zënë gojënë, e i mbajnë si sklef nëpër mê të largët çipa t’Anadollit e t’Arabistanit! Veç nonjë trathëtor ku të gjendetë ay është për nder!

Pjesa e radhës
Kombëri e Shqipëtarëvet

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB