Shqipëtarëtë flasinë një nga mê të vjetërat’ e mê të bukuratë gjuhë të dheut. Gjuhëratë që kanë qënë shoqet’ e motërat’ e Shqipesë kanë mijëra vjet që kanë humburë e s’flitenë në nonjë vënt të dheut; po në vëndit t’atyre përdorenë mbesat’ e stërmbesat’ e tyre. Shqipja është shoqe me greqishten’ së vjetër, me Llatinishtenë, me Sanskrishtenë, gjuhën e Indis’ së vjetërë, me zendishtenë, gjuhën’ e Persis’ së vjetërë, me Qeltishtenë, me Tevtonishtenë etj. Pô këto gjuhëra që nëmëruamë, nga të cilatë ca kanë qënë motra të vogëla të shqipesë e shumë mê të ra se ajo, këto gjuhëra, them, kanë mijë a mijëra vjet që nukë po flitenë mê, e s’rojnë përveç se më faqet të ca livrave të vjetëra. Ato quhenë gjuhëra të vdekura, e shqipja, gjuha jonë, q’është m’e vjetërë nga ato ësht’ e gjallë, e flitetë edhe sot si në kohët të Pelasgëvet.
Pa ndryshim Pelasgëtë janë m’i vjetr’ i kombevet arianë t’Evropësë. Kemi shumë shënja e shumë dëftime, të cilatë dëftejnë faqeza që ata Pelasgë, që na dukenë si përallë nga vjetëri e tepër’ e tyre, kanë folurë këtë gjuhë që flasimë na sot. Emënat’ e perëndivet q’u falëshinë Pelasgëtë e prej të cilëvet i ka marrë mythologji e Grekëret e e Romanëvet edhe shumë fjalë të tjera që na ka ruajturë istoria e emëna vëndeve etj. dukenë që janë fjalë fjeshtë shqip, edhe na tregojënë që Pelasgëtë kanë folurë kaqë mijë vjet mê parë këtë gjuhë që flasimë na sot po-thua pa ndryshim a me aqë pakë ndryshim, sa të muntte të delte sot një Pelasg, do të muntnimë të flasimë me tê si flet një Gegë me një Toskë a një Çam me një Gorar.
Shkronjëtor’ e gjuhësë shqip, të përkëthyerët’ e fjalëvet n’aqë fytyrëra, hollësi e nyjevet, e përemënavet e të tjera bukuri, që s’i ka nonjë nga gjuhët’ e sotme e të cilatë edhe gjuhët’ e vjetëra s’i kanë kaqë të mbaruara e të tepra, gjithë këto gjërëra e rrëfejnë që shqipja është një gjuhë fort e vjetërë, e mbeturë që nga kohërat’ e qëmoçime e të përallta e e ruajturë sindëkur qe pa prishur’ e pa ndryshuarë.
Shënj’ e kombërisë është gjuha; ç’do komp mbahetë me gjuhët; ata njerës që harojnë a lënë gjuhën’ e tyre, e flasinë një tjatrë gjuhë, me kohë bëhenë njerëzit’ e ati kombi q’i flasinë gjuhënë, e dalinë nga kombëri e tyre. Kaqë kombe që janë shuarë, mos pandehni se vdiqn’ a u vranë të tërë; jo kurrë; pô u përzjenë me të tjerë kombe, muarrë gjuhën’ e atyre, edhe u bënë nga ata pa të çquarë.
Kështu janë shuarë Maqedonasitë, Thrakasitë, Frygasitë, Illyrianët’ e sípërme e kaqë gjindje të tjerë q’ishinë Pelasgë do-me-thënë Shqipëtarë si na, e që sot s’janë, se u shuan’ e u haruanë duke humburë gjuhën’ e tyre. Por Shqipëtarët’ e atyre vëndeve që quhenë sot Shqipëri e kanë ruajturë fort mirë gjuhën’ e tyre; e kështu flitetë edhe sot n’atë copëzë vënt gjuh’ e vjetërë e Pelasgëvet të përallavet.
Qysh e kanë ruajturë dot Shqipëtarëtë gjuhën’ e tyre të tër’ e të paprishurë nëpër mest të kaqë kohërave t’egëra? Qysh gjuha shqip s’është prishur’ e ndryshuarë, duk me mos pasurë shkronja e livra e duk me mos shkruar’ e kënduarë nëpër shkolla, kur gjuhëra të shkruara e të ndërtuara me kujdes të math janë prishur’ e ndryshuarë aqë sa të quhenë gjuhëra të tjera? Përgjigj’ e këtyre pyetjeve është fort e lehtë: Shqipëtarëtë e kanë mbajturë gjuhën’ e kombërin’ e tyre jo me shkronja as me dituri as me qytetëri, pô vetëm me dliri, me të qënë gjithënjë vetëm e më vetëhe, me të mos përzjerë me të tjerë e me të mos kallurë të huaj në vëndit të tyre. Të qëndruarëtë lark nga gjithë bota, nga dituritë, nga qytetëria, nga tregëria, me një fjalë, të rojturitë si të egërë nëpër malet u ka ruajturë e shpëtuarë Shqipëtarëvet gjuhën’ e kombërinë.
Qysh Shqipëtarëtë nukë janë menduarë kurrë të shkruajn’ e të këndojnë gjuhën’ e tyre? Kjo është një çudi e madhe. Nukë themi për ato fara e fise të vogëla e të përndara të Pelasgëvet e t’Illyrianëvet të vjetërë, se ata duke rojturë si t’egërë nëpër malet nukë shihninë nonjë nevojë për këtë, e s’u vinte ndër mënt kurrë një gjë e këtillë. Pô Maqedonasitë që kishinë një mbretëri të goditurë, si edhe mbretëri e Pyrrosë n’Epir e Tevtësë n’Illyri, qysh nukë panë nevojë të shkruajnë në gjuhët të tyre? Filippi që përpiqësh të ritte Makedonin’ e të pushtonte Greqinë qysh nukë desh të bënte edhe gjuhën’ e ti të shkruarë si greqishtenë? Alexandri, të themi, s’pat kohë, e pô Ptolemenjtë, që xgjuanë diturit’ e gjuhën’ e Greqet n’Aleksandrië, qysh nuk’ u menduanë edhe një herë për gjuhën’ e tyre, t’i bëninë një palë shkronja, duk me qënë që shihninë gjithë kombet’ e Asis’ e t’Egjyptësë që shkruaninë si-cili-do gjuhën’ e ti? Romanëtë mësonin’ edhe ata gjuhënë greqisht edhe filosofin’ e gjithë dituritë i këndoninë në këtë gjuhë, pô kishinë bërë edhe shkronja në gjuhët të tyre, Llatinishtet, edhe shumë gjërëra i shkruanin’ e i këndoninë në këtë gjuhë.
Doktor Hani i madhi filolog Alëman, që ka shkruarë shumë të vërteta për Shqipërinë, ka gjeturë më nj’anët të Shqipërisë një gur të shkruarë shqip me ca shkronja të cilatë u ngjajnë shumë shkronjavet finiqishte, edhe dukenë të mara prej atyre, pa qën’ ato vetë. Pô këto shkronja s’janë parë gjetkë, as dihetë të kenë qënë të përdorura në Shqipëri. Ca varre e të tjerë gurë të shkruarë me shkronja greqishte n’Asi të Vogëlë afr’ Angorësë edhe ca të tjerë shkruara me shkronja Llatinishte n’Etrurië t’Italisë, e të cilavet gjuha s’është as greqisht as llatinisht, duketë të jenë shkruarë më gjuhë shqip prej Frygaset e Etruskëvet të vjetërë të cilëtë ishinë Pelasgë do-me-thënë Shqipëtarë. Pô edhe këto janë gjë të paka e të vetëme. Merretë vesh në Shqipëtarëtë që motit kanë shkruarë herë herë në gjuhët të tyre me ato shkronja që dininë, sindëkur edhe tani pastaj që shkruaninë ca me shkronja arabishte, ca me greqishte e ca me Llatinishte. Këto janë gjërëra të paka, e Shqipëtarëtë s’janë menduarë kurrë të goditinë një palë shkronja për të shkruarë gjuhën’ e tyre; edhe shqipja kish mbeturë gjer në kohët tënë gjuhë e pa shkruarë.
Sami Frashëri