Shqipëri i thonë gjithë ati vëndi tek rrinë Shqipëtarëtë. Shqipëtarëtë janë m’i vjetër’ i kombevet t’Evropësë. Duketë që këta erdhë më parë se gjithë prej mezit t’Asisë n’Evropë, edhe këta prunë në këtë vënt ditjen’ e të bërit shtëpi me mur si edhe diturin’ e të lëruarit, të mbjellit e të korrurit; se ata njerës që gjendëshinë mê parë tyre n’Evropë ishinë t’egërë e roninë nëpër pyje e nëpër shpella, duke ushqyerë me pemëra t’egëra e me mish gjahu. P’andaj prindërëtë tanë të vjetërë u quajtënë Arbënë, fjalë të cilënë na Toskëtë, pas zakonit tënë që bëjmë n në r, e këthyemë në Arbërë, si e përdorim edhe sot. Do-me-thënë ky komp kaq’ i vjetërë thuhëshë që m’atëhere Arbënë a Arbân, do-me-thënë ata që punojnë arënë, që korrin’ e mbjellinë. Këtë fjalë Romanëtë e kanë këthyerë më Alban duke thënë edhe vëndit të tyre Albania, si e thonë edhe sot Evropjanëtë. Greqt’ e pastajmë na thanë Arvanit, duke këthyerë prapë l në në r; edhe nga kjo fjal’ e Greqet Tyrqitë kanë bërë fjalënë Arnaut, si na quajn’ edhe sot. Po na vetë fjalënë Arbërë e kemi përrethuarë vetëm në një farë të kombit tënë të cilën’ e themi edhe Lap; edhe kombi i tërë ka marrë emërinë Shqipëtar e vëndi ynë Shqipëri, fjalë të bëra prej shqipesë, zogut të bekuarë të Hyjit q’i falëshinë prindërit’ e vjetërë tanë, edhe të cilit fytyrënë e kishimë edhe në flamurt. Po kjo fjalë duketë të mos jetë shum’ e vjetërë a të mos ketë qënë që në kryet e përgjithçime, se vëllezëritë tanë që rojnë jashtë Shqipërisë, n’Itali, në Greqi e gjetkë nuk’ e dinë, pô quhenë edhe sot Arbërë.
Mê të vjetërtë prindërt’ tanë bota i quajnë Pelasgë, fjal’ e mbeturë nga prindret tanë mê të pastajmë, të cilëtë quaninë mê të parët’ e tyre Plak a Pleq. Si do të jetë, ky komp kaq’ i vjetërë e kaq’ i vjejturë për istorit ka qën’ i shum’ e i fortë e i përhapurë nëpër gjith’ Evropet të Lindjesë. E tërë Sinisi e Ballkanit edhe përtej Tunësë, Ungria, Kroatia etj. si edhe Greqia e gjithë anët’ e perëndimit t’Asis’ së vogëlë, do-me-thënë t’Anatollit ishinë vënd’ i Pelasgëvet, Shqipëtarëvet të vjetërë. Ca nga këta Pelasgë u hodhë përtej den’ Adriatik, n’Itali; Etrusqitë, Llatinëtë e të tjerë kombe t’Italisë janë prej farës’ së Pelasgëvet. Mê pastaj erth një komp i vogëlë q’i thoshinë Helen a Grek, e zu vënt në Greqi nëpër nisit të Pellgut Egje e nëpër anët të detit rotull, duke përzënë Pelasgëtë andej a duke përzjerë me ta. Pô edhe këta Helenë q’erdhë n’ata vënde ishinë prej një fare me Pelasgëtë, si edhe Shqehtë, Gjermanëtë Gjelttë a Galëtë e të tjerë kombe t’ardhurë ng’ Asia, të cilëtë thuhenë gjithë bashkë Arianë, fëmij’ e madhe që përpushton edhe Persetë. Indianëtë e të tjerë kombe t’Asisë. Pô Llatinëtë janë mê t’afërë nga gjithë me na Shqipëtarëtë; p’andaj edhe gjuha jonë i ngjan shumë Llatiníshtesë e gjuhëvet që janë ndarë prej asaj, si italishtja, francishtja etj.
Pelasgëtë kishinë një besë të bukur’ e vjershëtore. Besoninë gjithë shënjat’ e naturësë, e trupet’ e qjellit; i falëshinë djellit, hënësë, yjevet të mbëdhenj, qjellit, revet, erësë, detit e të tjerave. Vetëtima, gjëmimi, rrufeja e gjithë shënjat’ e naturësë ishinë të shënjtëruara në syt të tyre. Zjarrë e kishinë në shumë nder, e më ca vënde s’e shuaninë kurrë. As në qeverit as në beset nukë doninë një vete që bën ç’do pô u kish ënda këshillën’ e kuvendín’ e shumëve. Kjo besë, të cilënë Greqt’ e Llatinëtë e xgjeruan’ e e xbukuruanë mê tepërë, ësht’ edhe sot, n’Evropë e në gjithë botët të qytetuarë, bes’ e vjershëtarëvet, të cilëtë në këtë gjejnë bukurin’ e shienë q’u duhetë. Kjo besë që thuhetë mythologji është bes’ e të parëvet prindër tanë Pelasgëvet.
Pelasgëtë, pas vëndevet që rrininë, ndahëshinë mê shumë fara e fise, nga të cilëtë mê të mbëdhenjt’ e mê të njohuritë janë: Illyrianëtë a të Lirëtë (të Dlirëtë), Maqedonasitë, Thrakasitë (të Trashëtë). Frygasite etj. Nga këta Illyrianëtë ishinë në Shqipëri edhe në vëndet të veriut që thuhenë sot Bosnjë, Erzegovinë Mal-i-Zi, Kroati, Dalmati etj. gjer në funt t’Adriatikut e gjer përtej Savësë; Maqedonasit’ e Thrakasitë rrininë në Maqedoni e në Thrakë; Frygasitë ishinë n’Asi që nga anët e detit gjer ne lumi Alis që thuhetë sot Këzëll-Irmak. Thuhetë që Illyrianëtë ishinë shumë t’afërë me Maqedonasit’ e Thrakasitë me Frygasitë; pô të tërë ishinë një komp, edhe kupëtoninë gjuhën’ e njëri-jatërit.
Gjer në kohët të Romanëvet gjithë këta kombe Pelasgë ishinë të gjallë e të tërë. Maqedonasitë që për së vjetëri kishinë një mbretëri miaft të fortë, e cila në kohët të Filippit u rit e u shtua shumë; edhe i bir’ i këti Aleksandri i Math vuri në dorë mê të shumën’ e botësë, që dihësh atëhere, Greqinë, Thrakënë, Asin’ e vogëlë, Persinë, Indinë, Egjyptënë etj., pô jo Illyrinë e Epirrë, do-me-thënë Shqipërin’ e sotme. Pas vdekjes’ s’Aleksandrit Maqedonasitë bënë disa mbretëri n’Asi, n’Egjyptë e n’Evropë; pô duk me mos qënë të bashkuarë, duke ndarë në shumë dega e duke ngrën’ e duke vrarë në mest të tyre, s’qëndruanë dot shumë kohë, pas pakë kohe u poshtuanë nënë Romanëtë, të cilëtë duallë me një forcë të madhe, e zunë gjithë vëndet’ e Maqedonaset edhe Maqedoninë vete.
Romanëtë u dhanë funt Frygaset e Thrakaset, të cilëtë humpnë e u shuanë duke lëftuarë e duke përzjerë me disa komba q’u futnë në mest të tyre. Në Maqedoni diç mbahëshinë pô fort të përzjerë. Kur në të gjashtët shekull të Krishtit Bullgarëtë komp tatar edhe Serbet’ e Kroatëtë kombe shqeh hynë në Sinisit të Ballkanit si mizëri, edhe mbuluan’ edhe mê të shumën’ e Maqedonisë, duke nxjerë Pelasgëtë andej a duke përzjerë me ta. Kështu humpnë Maqedonasitë, Thrakasitë, Frygasitë e të tjera fara të Pelasgëvet, perveç Illyrianëvet, të cilëtë janë drejt prindëret tanë.
Sami Frashëri