Skënderbeu, kujt istoria s’i tregon nonjë shok a shëmbëllë në trimërit, në diturit të luftësë, në forcët si edhe në ditjet, në mendimt të drejtë, në njerëzit, n’ëmbëlsit të zëmrësë e në madhërit të shpirtit, Skënderbeu q’i ka dhënë edhe do t’i apë gjithë jetënë nder Shqipërisë, ky burr’ i pashoktë ish foshnjë kur ra ndër duart të Tyrqet, e u rit në plasët të Sulltanit; që pa mbirë qime në faqet të ti tregonte trimërira e bënte punëra n’ushtërit të Tyrqet që çuditësh gjithë bota; kudo që vinte muntte, e njeri s’i qëndronte dot kundrejt.
Kur u këthye Skënderbeu nga Syria, tek kish vajturë të lëftonte për Tyrqit, dëgjoj nga goj’ e Sulltanit vetë q’i ati kish vdekurë; po duk me qënë që pas kuvëndit e pas besësë që kish lidhurë i ati me Sulltanë, duhësh që një nga të bijtë të vinte në Krujë për të ndënjurë në front të tet, Skënderbeu bashkë me vdekjen e tet mësoj edhe vdekjen’ e të tre vëllezret të ti, të cilëtë s’muntninë të vdisninë nga Perëndia, kështu të tre për një herë. Trimi Shqipëtar nuk’ ish aq’ i pamënt sa të mos marrë vesh se ç’i gjet të mjerëtë të vëllezrë edhe që ajo do ta gjente edhe atë vetë. Edhe vërtet q’atë ditë zuri i zot’ i ti ta nxirte në lufta e në mundje të rrepta e të rezikta që të vritësh, se ta vriste në shesh kish frikë nga ushtarët tyrq të cilëtë e doninë shumë Skënderbenë për trimërit e për zëmrëmirësit të ti.
P’andaj Skënderbeu priste një kohë që të muntte t’ikënj’ e të vejë në Shqipëri, për të shpëtuarë edhe vetëhen’ e ti edhe mëmëdhenë, për të cilën’ i digjësh zëmra. Kohënë që kërkonte e gjeti, pa priturë shumë, edhe vate në Krujë, përzuri Tyrqitë andej, edhe ndenjti në front të tet. Gjithë zotërinjt’ e të parët’ e Shqipërisë u mbluadhë në Krujë, lidhnë fjal’ e kuvënt e dhanë besë që të përpiqenë e të vdesinë për shpëtimt të mëmëdheut, duke njohurë të gjithë për krye e mbret të tyre Skënderbenë.
Kështu për së parë herë, Shqipëria u mbluath në një mbretëri me një mbret trim e të zonë si Skënderbenë. Tyrqitë në çast çuanë ushtërira të mbëdha për të marrë prapë Shqipërinë; pô Skënderbeu me Shqipëtarëtë u qëndronte kundrejt burrërisht, e me pakë shokë hidhësh si petriti mi mijëra Tyrqsh, e copëtonte ushtëri të tëra të Sulltan Muradit e Mehmedit, duke shtënë frikën’ e tëmerrë në zëmrat të Tyrqet.
Dyzet e kaqë vjet qëndroj kështu Skënderbeu me Shqipëtarëtë duke vrar’ e duke handakosurë armikëtë; e mbajti Shqipërinë të pamundur’ e të paposhtuarë. Gjithë Pushtetat’ e Evropësë q’ishinë atëhere kishinë shpresë ne Skënderbeu, e prisninë shpëtimn’ e Evropësë nga Shqipëtarëtë. Pô ata nuk’ ishinë trima e burra si Skënderbeu as kishinë besën’ e Shqipëtarëvet. Shumë herë Ungrëtë (Maxarëtë) e Papa e futninë Skënderbenë në zjart, pastaj hiqëshinë, e e lininë vetëm, duke vështuarë së largu. Me gjithë këtë Skënderbeu qëndroj e duroj; edhe Shqipëria në gjalljet të këti burri e ruajti dlirin’ e saj me nder. Por me të vdekurit të Skënderbeut Shqipëria ra ndër duart të Tyrqet.
Sami Frashëri