Shqipëria nënë Tyrqitë

Pas Skënderbeut e pas kohës’ së këti burri, e cila, sado që shkoj e tërë me luftëra e me gjak, është m’e bukur’ e m’e bekuar’ e gjithë kohëravet për vëndinë tënë, se vetëm atëhere u mbloth i tërë me një qeverí të dlirë, e ju dëgjua emëni në gjithë botët me nder të math, nga të qëndruarit kundrejt Tyrqet, të cilëvet atëhere mbretëri të mbëdha s’u qëndroninë dot; pas kohës’ së këti burri të ndjerë, themi, Shqipëria u bë një copë e mbretëris’ së Tyrqisë.

Shqipëtarëtë, njerës trima e luftëtarë, kanë pasurë gjithë jetënë dëshirë të madhe për luftë, e luftën’ e kanë quajturë një pun’ e një fitim për vetëhe të tyre. Vininë nëpër gjith’ anët t’Evropësë me armë në dorë, e bëninë të fitonj’ ay q’i merninë anënë. Pas këti zakoni të vjetërë të tyre ishinë hedhurë edhe n’Asi, e kishinë hyrë në shërbim të tyrqet duke ndihurë këtyre me armë e me trimëri. Bajazid Pasha, burrë trim e me besë të fortë, që nxori Çelepi Sulltan Mehmednë nga mez’ i ushtëris’ së Tamerlanit (Timur-Lengjit), e e shpëtoj nga mijëra rezike duke vënë vetëhen’ e ti në rezik të math, e duke marr’ atë shumë herë më krahë, e duke lypurë; ky Bajazid-Pashë që shpëtoj jetën’ e ati Sulltani pa të cilënë mbretëri e Tyrqet e fëmij’ e Osmanit ishinë të shuara e të humbura për jetë ky ishte Shqipëtar si edhe shumë të tjerë pashanj e të mbëdhenj njerës që kanë treguarë trimëri të madhe e shërbime të rënda n’ushtërit të Tyrqet shumë kohë mê parë se të merretë Shqipëria prej Tyrqet.

Kështu Shqipëtarëtë kishinë zënë të marrënë besën’ e Tyrqet e të bëhenë myslimanë që pa rënë Shqipëria në duart të Tyrqet. Pô si u bënë këta zotërinjt’ e Shqipërisë, këthyerj’ e besësë u shtua shumë mê tepre, edhe më të gjith’ anët të Shqipërisë zunë të marrënë besën’ e mundëset, duke thënë tek është kordha është besa. Shqipëtarëtë kanë këtë vetië që rëndonenë çpejt nga një besë, e duanë gjithënjë ta ndërojnë; si pan’ edhe që Tyrqitë s’u bëjnë nder atyre që s’janë në beset të tyre, s’përtuanë për të marr’ atë besë. Pô edhe ata që mbenë të krishtenë nuk’ u poshtuanë e të bëhenë raje si kombet’ e tjerë, pô mbajtënë armëtë e nder’ e tyre, edhe vininë edhe këta në luftë, e lëftoninë bashkë me vëllezrit’ e tyre myslimanë kuntrë armikëvet të Tyrqisë.

Puna që donte mbretëri e Tyrqisë u erth mbarë pas vetiës’ së tyre. Luftëra të paprera, lodëra e vrape me kuaj, rrëmbime, vrasje, presje e të tjera të këtilla gjërëra që doninë Tyrqitë këto ishinë punërat’ e dashura edhe të Shqipëtarëvet. Tyrqitë gjetnë në Shqipëtarët, një shok të luftësë të fortë e të besësë; edhe Shqipëtarëtë gjetnë në Tyrqit një zot q’u hapte përpara një shesh të gjer’ e të çpenguarë për të bërë gjith’ ato q’u donte zëmra.

Shqipëria në kohët të Tyrqet u bë m’e pasurë e m’e begatë se kurdo; se Shqipëtarëtë sulëshinë bashkë me Tyrqitë nëpër gjith’ anët të botësë, edhe këthehëshinë ngarkuarë me ar e me ergjënt, me armë të vjejtura e me kuaj të bukurë t’Arabisë, t’Egjyptësë, të Qyrdistanit t’Ungrisë etj. Me të qënë mê trima e mê të zottë se Tyrqitë, shkoninë edhe nëpër mê të mbëdhenjt e mê të nderçimit vënde, e kishinë mê tepre nder se ata vetë Tyrqitë. Vetëm sadrazeme, do-me-thënë Vezirë të mbëdhenj, janë bërë afro 25 Shqipëtarë, edhe mê të mirët’ e mê të dëgjuarët’ e atyre që kanë ndënjturë në këtë vënt janë Shqipëtarë.

Pa le në Shqipëri që s’vinte kurr’ i huaj. Gjith’ ata që qeverisininë Shqipërinë, të vegjël’ e të mbëdhenj, ishinë të gjithë e gjithënjë Shqipëtarë. Mundimë të themi se Shqipëria qeverisësh me vetëhe prej Shqipëtarësh e me zakonet’ të saj. S’ish poshtuar as pakë nënë Tyrqet, e s’paguante gjë përveç gjaknë që derthte në luftë edhe i cili i paguhësh e çpërblehësh fort shtrenjt.

Kjo është ngaja që kanë lidhurë Shqipëtarëtë me Tyrqit. Shqipëtarëtë gjeninë ne Tyrqit atë që doninë: gjë, nder, armë, kuaj, rrëmbime sa të doninë edhe dliri sa u duhësh; edhe Tyrqitë gjeninë ne Shqipëtarët atë që doninë: trimëri, besë e gjak të derdhurë pa kurcim.

Kështu qenë punëratë gjer në kohët të tenzimatit; do të shohëmë mê poshtë se qysh u ndruanë q’atëher’ e tëhu.

Pjesa e radhës
Kombëri e gjuh' e Shqipëtarëvet

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB