Illyrianët’ e Epirotëtë, si qëndruanë shumë kohë kuntrë Romanëvet, më në funt forc’ e madhe e këtyre e shumica i mundi, si edhe kaqë kombe të tjerë që kishinë poshtuarë këta. Epirí atëhere ish i bashkuarë me Maqedonínë e me të qënë q’u mbajtnë shumë kohë e i vranë shumë ushtëri Paul Emilit krejt të ushtëris’ së Romanëvet, ky njerí i egërë e zëmrë-gur dolli e prishi tetë-dhetë qytete në Toskëri e shpuri kaqë mijë skllef në Romë!
Kështu humbi dliri e Illyrianëvet e Epirotëvet, edhe këta vënde, do-me-thënë Shqipëria, hyni nënë urdhërit të Romanëvet. Pô Shqipëtarëtë, sado q’u muntn’ e u vranë nuk’ u poshtuanë e s’u bënë robër. Ishinë prapë e gjithënjë zotërinj në vëndit të tyre, e Romanëtë s’kishinë perveç se emënin’ e zotëris’ së vëndit. Për të pasurë pakë fuqi në Shqipëri kishinë sjellë disa kolonja Romanësh, e i kishinë vëndosurë nëpër vënde të fortë të Shqipërisë. Far’ e këtyre kolonjave janë Vllehtë a Xinxarëtë që gjendenë edhe sot në vëndit tënë. Edhe udhën’ e gjatë që kishinë goditurë që nga Durësi gjer në Salonik për të shpënë ushtëritë e për tregëri, e të cilënë e quaninë Ignatius nga fjala shqip e gjatë, mezi e ruaninë. Në vëndit të mbretërivet t’Illyrisë e t’Epirit ish mbretëri e Romanëvet, pô Shqipëtarëtë qeverisëshinë prapë prej parësis’ e prej pleqësis’ së tyre si gjithë jetënë.
Kështu qe Shqipëria e kështu roninë Shqipëtarëtë nënë Romanëtë. Kur u nda mbretëri e Romanëvet më dy, Shqipëria i ra mbretëris’ së lindjesë, që kish qëndrënë në Konstantinopojë. Edhe nënë mbretëret të Konstantinopojësë Shqipëtarëtë ishinë, po thua, të dëlirë e qeverisëshinë në mest të tyre; ishinë zotërinj në vënt të tyre e jo robër. N’ato kohëra hyni edhe Krishtërimi në Shqipëri e më pakë kohë gjithë Shqipëtarëtë u bënë të krishterë, pô pa ndruarë vetiat’ e zakonet’ e vjetëra të tyre.
Duke dobëtuarë mbretëri e Konstantinopojësë shtohësh fuqi e dliri e Shqipëtarëvet. Pô me të shtatët shekull të Krishtit mizëri Shqehsh e Bulgarësh u sulë prej veriut e prej lindjesë e hynë me hir e me pahir në dhet të Byzantinjet. Nga këta Serbëtë mbushnë vëndet’ e veriut t’Illyrisë, do-me-thënë Bosnjënë, Herzegovinënë, Dalmatinë Mal’ e Zi e Serbinë, edhe Bulgarëtë përzjerë me Shqeh zunë Maqedoninë. Shqipëtarët’ e Maqedonisë u hoqnë n’anët të veriut e të perëndimit në malet të Shqipërisë; ata të Illyris’ së siperme nukë para iknë nga vënd’ i tyre po u përzjenë me aqë shumë Shqeh, sa humpnë gjuhën’ e tyre e zunë të flasinë serbisht. P’andaj mundimë të themi se Bosnjakëtë, Herzegovinasitë, Dalmatëtë e Mal-Zestë janë mê tepre Shqipëtarë se Shqeh; kanë shumë gjak Shqipëtari në rëmbat të tyre; shtati, fytyra, zakonetë, këngët’ e vallet’ e tyre e ç’do gjê i afron mê shumë ne Shqipëtarëtë se ne Shqeht’ e tjerë, të cilëtë s’kan’ atë shtat e atë fytyrë. Po me të qënë që sot flasinë serbisht, quhenë Shqeh e jo Shqipëtarë; se gjuha ësht’ e para shënj’ e të çquarit të kombevet.
Pra me këtë mendyrë u nda gjymës’ e Illyrisë edhe gjymës’ e Maqedonisë nga Shqipëria, e u bënë Shqehëri; edhe Shqipëria mbet një vënt i vogëlë që pushton gjymësën’ e jugës’ s’Illyrisë, gjymësënë (anën’ e veriut e të perëndimit) e Maqedonisë edhe gjithë Epirë.
Në kohët të Romanëvet e të Byzantinjet u lan’ e u haruanë emënatë Illyri, Maqedoni e Epir, edhe Shqipëria që mbet, si thamë, zu të quhësh në botët Albania, prej emënit shqip Arbëni. Q’atë her’ e tëhu Shqipëria s’ka ndruarë kufi, ësht’ edhe sot ajo, perveç pakë vënde q’i dhanë Serbis’ e Malit të zi pas kuvendit të Berlinit, si Vranja, Leskovaci, Kurshunlia, Ulqiní etj. Nga të shumët’ e këtyre vëndeve Shqipëtarëtë bënë faj të math t’ikinë, e lanë vëndin’ e tyre për jetë Shqehet, perveç Ulqinit që ka qën’ edhe është gjithë jetënë Shqipëri, edhe që pa ndryshim do të këthehetë një ditë e të bashkohetë me Shqipërinë.
Sami Frashëri